Unë, Krishtlindjet, “populizmi”…/Arlinda Guma

in Esé by

Arlinda Guma

Prej dy-tre vitesh nuk e vishja më një pallto të kuqe që dikur e kam dashur shumë. Sot më duhej të dilja e të takoja dikë dhe kështu e tërhoqa nga kremastari duke i mërmëritur vetes: – Hë pra, Arlinda, është natë Krishtlindjesh, bëhu edhe ti pak “populiste”… masivizohu, bëhu edhe ti njësh me turmën! Vishu edhe ti me të kuqe!
Dhe m’u kujtua sesi sa herë që e vesh atë pallto, nuk di pse njerëzit merren gjatë me pamjen time. Sepse është shumë më e lehtë të merresh me dukjen e dikujt sesa me atë që mbështillet poshtë saj. Njerëzit interesohen shumë për dukjen tënde, për sukseset dhe për dështimet e tua (më ethshëm për dështimet.)
Edhe një herë m’u kujtua mësuesja ime e dashur e anglishtes në klasën e pestë, atëherë kur na shpjegonte ndryshimin midis shprehjeve “How do you do?” Dhe “How are you?”. Në të parën, theksonte ajo, personi që na pyet nuk është me të vërtetë i interesuar të dijë sesi jemi, pra, edhe ne po kështu duhet të përgjigjemi…
Në atë çast banka ime lëshonte një gërvimë gjithë ankesë, unë kisha shtriqur gjymtyrët prej ngërçit që më shkaktonte ai lloj shpjegimi.
“Pra, edhe ne”, vazhdonte mësuesja, duhet të…
“Duhet t’ia kthejme reston me të njëjtin mosinteresim në përgjigje: ‘How do you do?’ Një shkëmbim i përsosur hipokrizie”, mendoja me vete atëherë. Dhe vazhdoja të protestoja duke lëvizur nëpër bankë, nuk e pranoja dot një përligjie të tillë të hipokrizisë në vendin e shkrimtarit që shkroi “Zbutja e kryeneçes”.
Mësuesja ime e dashur e anglishtes, sa vend ke zënë në zemrën time me atë shpjegim; leksioni i parë që më dhe në një botë plot me “how do you do”!
“Hë pra, Arlinda”, vazhdoja t’i mërmërisja vetes me ironi duke krehur flokët, “hë tani, mos u vono, nxito të shkrihesh me turmën!”
Në të vërtetë, kjo mosdëshirë për t’u përzer me turmën ka qenë e hershme tek unë, vetëm se nuk arrija ta identifikoja saktë apo t’i jepja ndonje përkufizim për të qenë. Por më vijnë ndër mendje fjalët e sime mëje sa herë kur unë protestoja për diçka: “Shtrohu”, “Unju”, “Nuk të ka vrarë jeta!”… (kjo e fundit e intensifikonte edhe më tej protestën time; e pse domosdoshmërisht duhej të më vriiste jeta? Këtë nuk arrija ta kuptoja… Dhe pse ne e donim atë aq shumë kur ajo si një esese mizore në fund na pushkatonte të gjithëve?) Dhe më tej pasonte zëri i tim eti, i cili i mbante ison sime mëje: “Ule hundën”. (Im atë ka patur një problem të përhershëm me hundën time, edhe pse kur e shihja veten në pasqyrë ajo më dukej mjaft simetrike.) Dhe unë, që pasi dështoja së u shpjeguari atyre se protesta në fjalë nuk kishte të bënte me ndonjë lloj mendjemadhësie apo arrogance, më në fund dilja nga dhoma bashkë me indinjatën time rinore, dhe teksa tërhiqja derën pas vetes, i dëgjoja ata duke folur me zë të ulët me njëri-tjetrin, duke më dhënë të drejtë, po, duke më dhënë të drejtë, porse unë nuk duhej ta merrja vesh se ata po më jepnin të drejtë!… Ndërkohë që më pas unë vazhdoja të rrija, në dukje e indinjuar me ta, duke respektuar fshehtas dëshirën e tyre për të mos ma bërë të ditur se më kishin dhënë të drejtë… (Kjo ndoshta ka qenë gjëja më e bukur në marrëdhënien me prindërit e mi, ata luanin atë rolin sikur nuk më jepnin të drejtë dhe unë luaja atë rolin sikur nuk dija gjë që ata më kishin dhënë të drejtë… Po ta mendosh bëhet një përrua psiqik, por nuk po i hyj aq thellë… këtij përroi të bukur… Një komunikim i bukur dashurie midis njerëzish që “nuk i ulin hundët e tyre simetrike”…)
“Ndërsa kur personi na pyet ‘how are you?’, ai me të vërtetë kërkon të dijë sesi jemi ne, vazhdonte mësuesja ime e anglishtes…
E kush kërkon të dijë me të vërtetë sesi je në ditët e sotme? Në fjalorin e gjuhë shqipe nuk ka asnjë shprehje të tillë. “Hej, ç’kemi? Çfarë ndodhi me shpirtin tënd sot?” Asnjë për be! Në asnjë prej fjalorëve të botës! Në asnjë prej tyre nuk mund të gjesh një shprehje të tillë, një pyetje për shpirtin, për atë organ fluid që nuk e kap dot asnjë mikroskop, asnjë eko, asnjë radiografi! Ne vëmë dorën në kraharor kur e përmendim, kur themi fjalën “shpirt”, por nuk arrijmë ta prekim se ai përvidhet, fshihet, humbet. Sa herë që ai hidhërohet, vritet, dërmohet, përpiqemi të hamë ndonjë gjë të ëmbël, një çokollatë për shembull, me shpresën se kur ajo të kalojë nëpër laring do të mundë të ëmbëlsojë edhe ndonjë zonë të atij organi fluid me venndodhje të papërcaktuar. Por është e kotë, ai nuk ka asnjë lidhje me gjërat që hamë, që veshim, apo me sukseset tona. Ai ka ligjësitë e tij.
Zhgënjimi im i parë me këtë “organ”, ishte herën e parë kur u sëmura me bronkopneoumoni nga të dyja krahët. Temperatura nuk ulej dhe mjekët nuk më mjekonin dot me antibiotikë ngaqë isha alergjike. Dhe pastaj, ja ku u gjend aty ai xhaxhi me atë përparësen prej meshini, më vuri para aparaturës, ngrysi vetullat dhe i tha sime mëje se isha ftohur nga të dy krahët. Unë shihja njollat e errëta atje, por askund nuk arrija ta dalloja se ku ishte ai, shpirti. Nuk dukej gjëkundi. Vetëm bronket e mia të vogla që ishin errësuar pak në cep. Dhe as mjekët, që ateistja ime më, një grua shumë përparimtare për kohën, i shihte si perëndi, nuk arrinin ta identifikoninn atë organ…
“Hë pra, Arlinda, krihi më në fund ata flokë dhe nisu! Konformizohu edhe ti”. I mërmërisja vetes. “Tekefundit të gjitha lehtësirat në botë prej kësaj vijnë! Sa miqve të mi (artistë edhe) u shkon çdo gjë fjollë, pikërisht prej kësaj fjale të magjishme: “Konformizëm”! Ai dallohet qartë në çdo mikroskop, në çdo radiografi. Mjekët e identifikojnë menjëherë! “Ju vuani nga konformizmi, zotërii! Urime! Do të keni një jetë të suksesshme!
Vetëm shpirti nuk duket gjëkundi!
Po ndoshta pikërisht për këtë nuk e kemi krijuar ende një pyetje të tillë “Hej ç’kemi? Ç’ndodhi me shpirtin tënd sot?” E si mund ta kuptosh se ç’ndodh brenda një zone të cilës ti nuk ia di vendndodhjen? Dhe për më tepër, njerëzit që duan me të vërtetë të dinë se ç’ndodh në shpirtin tonë janë shumë të rrallë në ditët e sotme, ose ndoshta nuk ekzistojnë fare, ose-ose ekzistojnë nëpër ëndrra, me gjasë në ëndrrat e të tjerëve…
“Gjithë këto mendime vetëm prej një palltoje të kuqe”, nënqesha me vete. Po të mos ta kisha tërhequr nga kremastari, ndoshta nuk do kisha gërmuar kaq thellë…
Por, sot është natë Krishtlindjesh… Dhe nuk është asnjëherë vonë ta shtojmë në fjalor këtë pyetje: “Ç’ndodhi me shpirtin tënd sot?” “Dua vërtet ta di…”
Ndoshta Jezui po nënqesh tani që po i lexon të gjitha këto fjalë, të hedhura kështu rrëmbimthi; dialogët e mi me të mbi marrëzinë dhe egoizmin e bijve të Tij janë të përhershëm, ai është një dëgjues i mirë dhe më jep të drejtë njëlloj siç bënin prindërit e mi; pasi largohem…
Vazhdon të nënqeshë… e di… Dhe unë dua shumë që t’ia bëj të parit atij këtë pyetje, që sot po e shtoj në fjalorin tim…
“Pra, ç’kemi Jezu? Ç’ndodhi me shpirtin Tënd sot?”

24 Dhjetor, 2022

Foto: Dhurata Thanasi Daneri

Ndalohet riprodhimi i këtij shkrimi.

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.