Disa shkrime nga revistat e huaja për violinistin shqiptar Florian Vlashi

in Muzikë by

25 Vjetori i Grupo Instrumental Siglo XX

JEHONA E KONCERTIT

GRUPO INSTRUMENTAL SIGLO XX: 25 vite në avangardë

Hugo Álvarez Dominguez

Është gjithmonë e vështirë të formosh dhe të konsolidosh një grup rreth muzikës bashkëkohore; por OSG-ja ka Grupin Instrumental Siglo XX, i cili është kthyer në një pikë referimi kombëtar. Ai dje festoi 25 vjetorin e tij me një program ambicioz: Psyché, nga Manuel de Falla; premiera galege e “Le marteau sans maître” nga Pierre Boulez, dhe 25 Mikro-sekuenca, të cilat grupi ia ka porositur 25 kompozitorëve galicianë.

Florian Vlashi (violinist dhe drejtor i ansamblit) kujton se grupi “lindi në vitin 1997 si nderim për Shekullin e Madh në të cilin ndodhi ndryshimi më i madh në historinë e muzikës”. Në një kohë kur Galicisë i mungonte një formacion i dedikuar ekskluzivisht muzikës bashkëkohore, fakt të cilin violinisti e konsideron “të çuditshëm, pasi gjatë shekullit të 20-të, solistë si Ysaye, Casals, Rubinstein, Szeryng ose Quiroga, paraqitën në La Coruña vepra të kompozitorëve të gjallë me shumë interes për publikun». Ai gjithashtu kujton se Andrés Gaos prezantoi “ondas martenot” këtu që në 1932, “një instrument pararendës i muzikës elektronike në shekullin e 20-të”.

Fëmijët “të pandotur”

Për Vlashin “muzika në çdo kohë ka qenë bashkëkohore”. Çuditërisht me muzikën nuk ndodh si me letërsinë “ku mbizotëron krijimtaria aktuale”, edhe pse “Monteverdi, Mozarti apo Raveli u kritikuan dhe u refuzuan në shumë raste në kohën e tyre”. Ai beson se “duhet më shumë kohë, më shumë përgatitje dhe edukim ndaj artit të ri në përgjithësi dhe muzikës në veçanti dhe ne, interpretuesit, kemi një përgjegjësi të madhe”. Për sa i përket pritjes së muzikës bashkëkohore nga publiku i sotëm, ai thekson: «Kam bërë shumë koncerte didaktike me muzikë bashkëkohore dhe jam befasuar nga reagimi dhe kënaqësia që ndienin fëmijët. Ndoshta sepse ata nuk janë të kontaminuar”.

Pas koncertit me ambasadorin e Shqipërisë në Spanjë Gazmend Barbullushi dhe gruan e tij Edlira

Në karrierën e tyre, grupi ka luajtur premierë 190 vepra, shumica prej tyre nga kompozitorë galicianë. Ata ndihen “krenarë që përmbushin objektivin tonë për të paraqitur kryeveprat e muzikës moderne dhe për të mbështetur krijimtarinë aktuale”. Vlashi beson se «krijimi muzikor galician është në momentin e tij me të lartë. Prandaj ne i japim prioritet këtij repertori në koncertet tona në Spanjë dhe jashtë saj.”
Nga programi i djeshëm, bie në sy se “Le marteau sans maître” nga Pierre Boulez, vepër e cila është “një nga majat e muzikës së shekullit të 20-të. Igor Stravinsky ka thënë se është vepra më e rëndësishme e kësaj epoke të re”. Violinisti e konsideron atë si “muzikë me një bukuri të rrallë, por edhe me vështirësi të jashtëzakonshme. Shumë pak grupe guxojnë ta luajnë . Dhe ne kemi pritur 25 vjet”. Në prova ai ishte optimist për sfidën: “Ndoshta koncerti mund të jetë një dështim, por siç tha Borgesi: “ka dështime që kanë më shumë dinjitet se një fitore”, pohon ai.

Për 25 Mikro-sekuencat, Vlashi shpjegon: «Kam kërkuar nga 25 kompozitorë të Galicies një pjesë të shkurtër për secilin solist të grupit; vepra rreth 40 sekonda, të menduara si sekuenca të një trupi. Kështu lindën mikrosekuencat tona: mikrohistori muzikore apo aforizma instrumentale. Nëse një aforizëm është një roman në një rresht, një mikrosekuencë do të ishte një sonatë në një pentagram: janë “petit bijoux” instrumentale nga mikrokozmosi ynë Galician».
Pasi ka arritur në çerek shekulli, duke parë në të ardhmen, drejtori i formacionit shpreson të vazhdojë “të rrezikojë me vepra të mëdha të historisë së muzikës”. Me iluzionin e paprekur si në ditën e parë, Vlashi ëndërron “të ecë pa u ndalur në shtigje pak të shkelura, me shumë entuziazëm dhe sakrificë drejt një destinacioni që nuk ka fund”. Dita e djeshme e përvjetorit ishte një demostrim i angazhimit të grupit instrumental, i cili realizoi një program që na tregoi se muzika bashkëkohore është më e gjallë se kurrë në qytetin tonë.

La Voz de Galicia”, 20.11.2022

Më mirë vonë se kurrrë  (fragment)

“Grupo Instrumental Siglo XX” demostroi forcen e tij duke ndërmarrë një program të rrezikshëm në koncertin e tij të 25-vjetorit. Të gjithë muzikantët performuan në një nivel të lartë.
Sigurisht, tregoi dhe një pjekuri të shkëlqyer; dhe ai zgjidhi më në fund një borxh të madh me Galician që kish kohë që priste me padurim veprën e Boulez-it.

Nga Hugo Alvarez Dominguez
“La Voz de Galicia”, 21/11/2022

Grupo Instrumentaal Siglo XX: Gëzuar Ditëlindjen! (Fragment)

“Moment i mrekullueshëm që muzika e kohës sonë po përjeton në Galicia, nga krijimi në performancë, përmes paraqitjes së specializuar, ndërveprimit me artet e tjera, dashurisë në rritje të publikut, luftës kundër elementëve dhe asaj ndjesie të përgjithshme reale që këtu po ndodhin gjëra të rëndësishme. Protagonist i gjithë kësaj ka qenë dhe është Grupi Instrumental Siglo XX, i lindur nga solistët e Orkestrës Simfonike të Galicisë, i cili ka shfaqur si premierë 184 vepra të kompozitorëve spanjollë dhe që në koncertin që po diskutojmë feston çerek shekullin e tij. Është vetëm pesë vjet më i ri se vetë OSG-ja, gjë që tregon dëshirën e hershme të solistëve – dhe veçanërisht të themeluesit dhe drejtuesit të tij, Florian Vlashi – për t’iu dedikuar muzikës aktuale.



Programi tregoi më së miri kapacitetin e GISXX, ndjenjën e evolucionit të muzikës së kohës që i jep emrin grupit dhe cilësinë e padiskutueshme të solistëve të tij. “

Luis Suñén, Revista muzikore SCHERZO, 21.11.2022

25 “pranvera” dhe vazhdojmë (fragment)
Nga Marcos Seoane

“Duhet t’i japim vlerën që i takon këtij grupi që gjatë një çerek shekulli ka mundur të gjejë një vend në tregun muzikor, siç është muzika bashkëkohore, dhe të ilustrojë, të tregojë dhe promovojë në masë të madhe punën e kompozitorëve sot dhe, në mënyrë të veçantë, të atyre vendas.
Vepra që shërbeu si festë e kësaj ngjarjeje dhe që i jep më shumë kuptim këtij grupi për t’u përjetësuar dhe konsoliduar si flamuri i qytetit tonë, ishte kompozimi i porositur i 25 kompozitorëve galicianë, ku kërkesa e vetme ishte që pjesa të ish shkruar për një instrument të vetëm dhe se kohëzgjatja e saj të mos kalonte minutën.
E mrekullueshme! Muzikantët e Simfonikes sonë treguan qartë një mjeshtëri dhe muzikalitet të lartë.”

LA OPINION 23/11/2022

Pablo Sanchez Quinteiro

Festim shumë emocionues i 25-vjetorit të Grupit Instrumental Siglo XX me një program që përputhet me rëndësinë e eventit, ku mundëm të shijonim premierën pasionuese në Galicia të një prej klasikëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të, Marteau de Boulez, Psyche de Falla dhe as më shumë e as më pak se 25 premiera të kompozitorëve më të mirë galicianë. Urime Florian Vlashit dhe muzikantëve të tij që i dhanë kaq shumë Galicias në këmbim të kaq pak. Për kur medaljen Castelao!!!

26/11/2022

  Florian Vlashi

I dashur Mjeshtër!

Më thatë atë ditë “Të uroj fat, djalosh!”, pasi të tregova me zë të turpshëm se po mendoj të luaj “Marteau-n” tuaj. Ato fjalë i mora si paralajmërim që “nuk e di se ku po futesh”. Por, e dija mirë se ku po futesha; ishte vepra më e rëndësishme dhe jashtëzakonisht e vështirë e muzikës së dhomës së shekullit të 20-të.
“Le Marteau-n” e kam njohur në Shqipëri në vitet e studimeve. Partitura erdhi nga Parisi në duart e muzikantit të madh kosovar Rafet Rudi. Më pas ia dha hua një tjetër të madhi, Feim Ibrahimit dhe, nëpërmjet nipit dhe shokut tim Edmondit, më në fund ra në duart e mia. Dhe unë ëndërroja ta luaja një ditë …

Kur krijova GISXX, 25 vjet më parë, realizuam majat e shekullit të 20-të: “Histoire du soldat” e Stravinskit, “Pierrot Lunaire” e Schoenberg, “Le Quatuor pour la fin du temps” e Messiaen, “Kammerkonzert” e Ligetit, Bartok, Crumb, Adams, Cage, Xenakis etj. Por mungonte Boulez-i, mungonte kryevepra juaj e mallkuar. Ka vepra që nuk të del një jetë për t’i përgatitur. Por ky ishte momenti. O tani, o kurrë.
Më pyetën nëse jam i çmendur. Po, ndoshta; pa pak çmenduri nuk arrihet asgjë. Gjeniu i Kapelës Sistine thoshte se problemi nuk qëndron në vendosjen e synimeve shumë të larta që sjellin dështime, por në vendosjen e qëllimeve të ulëta fare që sjellin suksese. Dhe autori i “El Aleph-it” më thoshte në vesh të mos kem frikë sepse ka disfata që kanë më shumë dinjitet se një fitore.
“Të uroj fat, djalosh” dhe “je i çmendur” më kumbonin në kokë gjatë gjithë këtyre muajve. “Çekiçit”(marteau) i duheshin “8 pronarë” për ta zotëruar. Dhe ne ia dolëm, jo për suksesin e koncertit, por për të gjithë atë që kemi luftuar me muaj e muaj për të arritur aty.
Falënderoj me gjithë zemër Nuria-n, Claudia-n, Raymond, Ramón, Alejandro, Jose-në dhe Noè-në për punën e tyre! Ata ishin pronarët e vërtetë të Marteau-së së tmerrshëm. Bisha tashmë është zbutur në Galicia falë shtatë të mrekullueshmve.

Së fundi, një falënderim të përzemërt për mësuesit e mi të solfezhit në shkollën e muzikës së fëmijërisë sime: Aleksander Bonati, Violeta Kuraja dhe Hiqmete Biduli. Nga ata mësova inxhinierinë poetike të muzikës.

Florian Vlashi
La Coruña, 27 Nëntor, 2022

(Foto: Florian Vlashi me Pierre Boulez. Teatri Mbretëror i Madridit. 19-6-2013)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Muzikë

Go to Top