NEO-NAZIZMI ËSHTË MANIFESTIMI I BISHËS QË KEMI BRENDA VETES/Manos Haxidhakis

in A(rt)ktivizëm/Muzikë by

Manos Haxidhakis

Neo-nazizmi, fashizmi, racizmi dhe çdo veprim antihuman nuk vjen nga ideologjia e disave, nuk përmban ideologji dhe nuk sintetizon ideologji. Është manifestimi – shprehja e bishës, që ne të gjithë kemi brenda nesh, pa asnjë ndalesë gjatë rritjes së saj, atëherë kur rrethanat politike dhe sociale ndihmojnë dhe përforcojnë praninë e tij barbare dhe çnjerëzore. 
I vetmi kundërhelm për të luftuar bishën është Arsimimi. Edukimi i vërtetë dhe jo edukimi i papërgjegjshëm apo informacioni pa gjykim me konkluzion të diskutueshëm. Ky edukim që nuk krijon vetkënaqësi tek brezat e rinj, por që shumëfishon pyetjet dhe pasiguritë.
Një arsimim i tillë nuk favorizohet nga fraksionet politike apo qeveritë, pasi prodhon qytetarë të lirë dhe të padisiplinuar, të padobishëm, të pagatshëm për lojën meskine të partive dhe politikës. Është bërë traditë politike të besosh se egërsirat, me taktikën dhe trajtimin e duhur, mund të udhëhiqen dhe të zbuten.
Nëse zogjtë… për zogjtë vetëm vrasësit, gjuetarët mjeranë vendosin, me të gjitha ”traditat e buta të kombeve”. Shpesh herë, ndodh që bishat shumëfishohen, në rrethana të përshtatshme të ”kërkesave dhe pretendimeve të popullit”. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një dukuri infektive, që prek masa të mëdha njerëzish duke imponuar epidemi vdekjeprurëse.
Shembulli më i fundit: Lufta e II-të Botërore. Kjo luftë krijoi për një periudhë kohore një gabim mjaft të madh, një iluzion. Të gjithë besuam se Demokracia e luftoi fashizmin dhe fitoi. Ja, mendoni: ”Demokracia” këtu në Greqi me kryeministrin Metaksa, aleatin e Stalinit, luftuam nazizmin, një ideologji që nuk ka lidhje aspak me ne. Dhe… fituam. Sa utopike dhe çfarë guximi! Ne injoruam faktin e përgjegjësisë që duhet të kemi, për shtazoren e vetes, duke ia vënë një etnie tjetër. Nuk fituam ndaj ndonjë fashizmi, por thjesht ndaj një tjetër kombi të rrezikshëm që donte të na përulte.
Një luftë si të tjerat, nga budallenjtë e rrezikshëm, tek të tjerë budallenj, herë pas here të padëmshëm. Dhe, natyrisht, këto në emër të ”Lirisë”, ”Demokracisë” dhe ”djepeve intelektuale ose jo” për kolonat e gazetave të paarsimuara dhe lexuesit naivë. Liria nuk do të fitoje kurrë nëse mbështetet dhe mbartet nga njerëz të cilët përgjegjësitë e tyre i kalojnë tek të tjerët.
Ky fakt është i ngjashëm me moralin e të krishterëve të vjetër. E mira dhe e keqja, larg nesh. Krishti dhe Djalli. Dhe një Zot që fal dobësitë tona, atëherë kur ne kujtohemi për të, në mënyrë të papërgjegjshme. Këtë e bëjmë për të siguruar praninë tonë pas vdekjes. Kjo pasi e kemi të pamundur ta kuptojmë mungesën tonë dhe faktin që bota do të ekzistojë edhe pas nesh.
Nuk dua të zgjatem. Por kam frikë se nuk kam burime të qarta për një sqarim teorik, as gjuhën e përshtatshme për sqarimin e kësaj teme. Por ajo më prek. Përpara shumë vjetësh u përpoqa ta kuptoj brenda vetes. Sot e di dhe e shoh qartë e me ndjeshmëri shfaqjen e përbindëshit. Nuk dua kurrësesi të mësohem me praninë e tij gjithnjë në rritje. Gjithmonë trembem.  
Neonazizmi nuk janë të tjerët. Vrasësit me pagesë, që gjejnë mirëkuptim nga organet policore, për shkak të një ngjashmërie të çuditshme por jo të pashpjegueshme farefisnore. Ndërkohë autoritetet dhe qeveritë janë mësuar si me një zgjatim politik, ose si me një kontrast të lejueshëm pa ndonjë rëndësi të veçantë, pa shkaktuar shqetësim. (Kohët e fundit lexova se në Patra, përballë komisariatit të policisë u hapën zyrat e partisë neonaziste. Askush nuk u shqetësua, as për nazistët e rinj, as për punonjësit e policisë. Natyrisht as për banorët atje pranë).
Nacionalizmi është gjithashtu neonazizëm. Kokat e rruara të ushtarëve edhe pse kundër vullnetit të tyre, favorizojnë daljen e mendimit dhe të gjykimit në mënyrë që të nënshtrohen dhe të përshtaten për pranimin e urdhrave dhe të udhëzimeve për të kryer ndonjë vdekje. Të tyren apo të të tjerëve. Nga përvoja ime, kam mësuar se mendimi i pastër dhe reflektimi ndihmon të ndalojë diku. Nuk leverdis. Ndaj dhe po ndalem. Amatorizmi im në fokusimin dhe zhvillimin e temës rrezikon të jetë i pambrojtur nga armiqtë. Por unë duhet të deklaroj pasionin tim për një liri njerëzore të vërtetë dhe të papenguar. 
Fashizmi në ditët tona shfaqet në dy forma. Ose provokues, nën maskën e reagimit ndaj ngjarjeve politike e sociale që nuk favorizon rastin e tyre, ose pasiv, ku dominon frika në çdo gjë që ndodh rreth nesh. Pra, tolerancë dhe pasivitet. Dhe kështu themelohet sfida. Me tolerancën e shumicës. E preferueshme bëhet vdekja e ngadaltë dhe e heshtur, në vend të reagimit të gjallë dhe të ndjeshëm.
Fantazma e bishës paraqitet shumë e gjallë tek të rinjtë. Aty vepron dhe marketingu. Njëkohësisht edhe ndikimi nga shtypi i një mënyrë jetese që favorizon tregtinë. Dhe ashtu si tregëtia e drogës favorizohet tek të rinjtë, për të rinjtë, po ashtu edhe muzika, idetë, kërcimi dhe gjithçka që lidhet me mënyrën e jetesës, krijuar prej industrisë përkatëse duke pasur interesa të mëdha dhe të paimagjinueshme financiare. 
Duke mos gjetur rezistencë nga një edukim solid, krijohet një hapësirë e përshtatshme që të lulëzojë egocentrizmi, egoizmi, zbrazëtia dhe sigurisht, çdo instikt kafshëror brenda tyre. Bëni kujdes ngjashmëritë në lëvizjet ushtarake të tyre, larg çdo dëshire për kontakt dhe komunikim. Këngën e tyre me slogane të përsëritur, mungesën e librit dhe të të menduarit e të sjelljes së tyre apo qëllimin për një karrierë të rehatshme fituese. 
Çdo ditë që kalon, përjetojmë çmimin e vetes – që ose ka frikë, ose që nuk mendon, duke kërkuar sa më shumë përfitime. Deri sa të gjendet ”udhëheqësi” i përshtatshëm që do të mundë ta drejtojë përmbajtjen tonë të reduktuar. Dhe atëherë do të jetë vonë për të reaguar. Neonazizmi jemi ne dhe vetëm ne – si në performancën e njohur të Pirandello-s. Jemi ne, ju dhe fëmijët tanë. Pranojmë të jemi çnjerëzorë për të sëmurët me AIDS, nga injoranca, por edhe kaq ”njerëzorë” përpara zvarranikëve të fashizmit, serish nga injoranca, por edhe nga frika e zakoni.
E Keqja fshihet pa u mbrojtur, pa turp. Neo-nazizmi nuk është teori, mendim. Eshtë një shfaqje. Ju dhe ne. Protagoniste… vdekja.”

____________

Në Shkurt ’93, disa muaj përpara se të ndërronte jetë, Manos Haxidhakis botoi këtë shkrim profetik, ku me qartësi unike parashikoi ardhjen e neonazizmit dhe të partisë Agimi i Artë, si dhe arsyet që herët a vonë do ta çonin vendin drejt tij. Teksti u shpërnda gjatë një koncerti të madh me temë antinaziste.

Manos Haxidhakis 23/10/25 – 15/6//94 muzikant, poet, kantautor, mjeshtër dhe pjanist i shquar grek. Është vlerësuar me çmimin Oscar për këngën më të mirë në vitin 1960.

Përktheu: Nilda Baxha

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top