Bolero – Kryevepra e Maurice Ravel-it, shkruar për balerinën e famshme Ida Rubinstein

in Muzikë by

E vetmja dashuri që kam pasur ndonjëherë ishte muzika – Maurice Ravel

Maurice Ravel konsiderohet si një nga kompozitorët më origjinalë të fillimit të shekullit të 20-të. Edhe pse u konsiderua shpesh si i huaj për zhvillimet e muzikës franceze gjatë jetës së tij (një pozicion që ai vetë e kultivoi), u njoh përfundimisht si një nga personalitetet kryesore të saj. Kompozoi në shumë nga zhanret kryesore, si opera, balet dhe suita orkestrale, vepra vokale dhe korale, muzikë dhome dhe piano, si dhe përfundoi disa orkestrime të veprave të kompozitorëve të tjerë. Muzika e tij karakterizohet nga një qasje dukshëm e rafinuar, por edhe sensuale ndaj formës dhe tingullit.

Kompozitori i njohur francez Maurice Ravel ka lënë pas një vepër të madhe. Punimet e tij për piano janë pjesë të preferuara të repertorit klasik. Ka shumë që kërkojnë aftësi të veçanta nga interpretuesit e tyre. Midis tyre: Jeux d`eau, Miroirs, Le tombeau de Couperin dhe Gaspard de la nuit. Gjithashtu ai ka shkruar vepra të mëdha për orkestra si Daphne dhe Chloe.

Por ajo që njihet më shumë – edhe pse e konsideronte të parëndësishme – është “Bolero-ja” e famshme. E shkroi në vitin 1928 dhe e përshkroi si “pjesë për një orkestër pa muzikë.”

Prezantimi i instrumenteve të orkestrës bëhet gradualisht nga kompozitori, ndërsa tema kryesore përsëritet. Këtu melodia ndërtohet rreth temës me alternime harmonike dhe orkestrale. Rezultati nuk mund të ishte veçse magjepsës, pasi vihet në pah diversiteti dhe shumëngjyrësia e instrumenteve muzikore të orkestrës.

Historia e Bolero-s

Përpara se të niste një turne triumfues në Amerikën e Veriut, në janar të vitit 1928, Maurice Ravel-i kishte rënë dakord të shkruante një partiturë baleti të stilit spanjoll për të dashurën e tij, balerinën dhe aktoren ruse Ida Rubinstein (1885-1960).

Ideja ishte krijimi i një transkriptimi orkestral të suitës së pianos së Albeniz Iberia-s. Megjithatë, në kthimin e tij, Ravel-i zbuloi se të drejtat e orkestrimit i ishin dhënë dirigjentit spanjoll Enrique Arbos. Megjithëse Arbos bujarisht i braktisi këto të drejta, Ravel-i e braktisi idenë dhe filloi të përgatiste një partiturë origjinale.

Ravel-i kishte luajtur prej kohësh me idenë e ndërtimit të një kompozimi nga një temë e vetme që do të zhvillohej thjesht përmes zgjuarsisë harmonike dhe organike. Për temën e famshme të Bolero-s u frymëzua kur ishte me pushime në Saint-Jean-de-Luz.

Ishte gati të shkonte për t’u larë, kur thirri një mik në piano dhe, duke luajtur melodinë me një gisht, e pyeti: “A nuk mendon se kjo ka një cilësi këmbëngulëse? Do të mundohem ta përsëris shumë herë pa asnjë zhvillim, duke rritur gradualisht orkestrën sa më mirë të mundem.”

Filloi punën në korrik. Sipas standardeve të Ravel-it, pjesa u përfundua shpejt, në pesë muaj – duhej të ishte gati që Rubinstein-i të bënte koreografinë.

“Sapo u zbulua ideja e përdorimit të vetëm të një teme,” argumentoi, “çdo student i konservatorit mund të bënte të njëjtën gjë.”

Tamburi i pamëshirshëm e shoqëron të gjithë veprën 15-minutëshe, pasi Ravel-i mbështetet pa pushim në melodinë e thjeshtë derisa, me një konfigurim të guximshëm nga do majorminor, më në fund çliron intensitetin e ndrydhur me një shpërthim fishekzjarresh.

Bolero-ja u shfaq premierë në Operën e Parisit më 20 Nëntor, 1928. Premiera u përshëndet nga një publik që brohoriste, në mes të të cilit u dëgjua një grua duke thirrur “Au fou, au fou!” (“I çmenduri! I çmenduri!”). Kur i thanë Ravel-it, ai thuhet se u përgjigj: “Kjo zonjë… e kuptoi.”

Në një intervistë për Daily Telegraph, ai tha: “Shpresoj të mos ketë keqkuptime rreth kësaj vepre. Është një eksperiment në një drejtim shumë specifik dhe të kufizuar dhe nuk duhet të dyshojmë se synon të arrijë më shumë nga ajo që bën në të vërtetë.”

Megjithëse Ravel-i e konsideronte Bolero-n një nga veprat e tij më pak të rëndësishme, ajo qe gjithmonë më e njohura e tij.

Përkthimi: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Muzikë

Go to Top