Dashuria e paplotësuar e Mayakovsky-t, i cili i dërgonte lule të dashurës së tij, madje shumë vite pas vdekjes së tij

in Letërsi by

Vladimir Mayakovsky ishte shkrimtar dhe poet rus. Shkroi poezi për shoqërinë sovjetike dhe luftërat e kohës së tij. Gjatë aventurave të tij të ndryshme, përjetoi një histori dashurie dhe për shkak të një gjesti shumë romantik u bë i njohur ndërkombëtarisht. Ai ishte me origjinë nga Ukraina por u lind në Gjeorgji. Gjithmonë dilte kundër estabilshmentit dhe u rrit me pasionin kryesisht për letërsinë marksiste. Disa nga poezitë e tij janë: “Lufta dhe Bota” (1916), që i referohet tmerrit të Luftës së Parë Botërore dhe “Njeriu” (1917); një poezi që trajton dhimbjet e dashurisë, si dhe “Re me Pantallona“. Mayakovsky kishte rënë në dashuri me gruan e botuesit të tij, Lilia Brick. Ai i kushtoi asaj një poezi. Ishte dashuria e tij e madhe deri atëherë. Në fund të viteve 1920, vizitoi Parisin dhe atje u njoh me një vajzë tjetër që e dashuroi në mënyrë të stuhishme, Tatiana Yakovleva-n, e cila kishte emigruar nga BRSS në Francë.
Dashuria e saj për poezinë klasike nuk kishte asgjë të përbashkët me poezinë revolucionare të Mayakovsky-t. Sidoqoftë, ajo i kuptonte tekstet e tij revolucionare plot revoltë. Yakovleva, megjithatë, edhe pse e donte, nuk i qëndroi besnike premtimit të saj për t’u martuar me të.
Hollësitë nuk dihen, por ndërsa poeti gjendej në atdheun e tij, ajo vendosi të martohej me dikë tjetër në Paris dhe të jetonte në Europë me të, pasi Mayakovsky refuzoi ta linte Bashkimin Sovjetik Intelektuali i shkatërruar i kushtoi asaj poezinë: “Letër Tatiana Yakovleva-s”, viti 1928. Mayakovsky u vetëvra më 14 Prill,1930. Më vonë, megjithatë, dolën teori të reja që ai nuk bëri vetëvrasje, por u vra me urdhër të Stalinit. Sidoqoftë, nuk kishte prova dhe shkaku i vërtetë i vdekjes nuk u zbulua kurrë.

Dërgimi i vazhdueshëm i luleve

Mayakovsky, para se të largohej nga Parisi, donte të vërtetonte se sa i dashuruar ishte me Tatiana Yakovleva-n. Madje do jepte shpirtin për të. Kështu që të gjitha paratë që kishte mbledhur me shfaqjet e tij live në Paris duke recituar poezi, i depozitoi në një bankë. Pastaj udhëzoi një luleshitës të qytetit që gradualisht të tërhiqte pará nga llogaria e tij derisa ato të mbaronin. Detyra e tij ishte t’i dërgonte lule të dashurës së tij çdo javë. Paratë ishin shumë dhe lulet nuk kushtonin. Kështu që çdo javë, lloje të ndryshme lulesh shumëngjyrëshe, si tulipanë, orkide dhe trëndafila, i dorëzoheshin Yakovleva-s.

Si lulet ia shpëtuan jetën vajzës

Gjesti romantik i dërgimit të luleve, bëri që Yakovleva të dashurohej me të. Dy herë në javë, edhe pas vdekjes së poetit, luleshitësi i dorëzonte lule Yakovleva-s me moton e mirënjohur: “Nga Mayakovsky”. Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, lulet e Mayakovsky-t e shpëtuan vajzën nga uria. Ajo u detyrua t’i shiste në rrugë, në këmbim të ushqimit. Lulet vazhduan të dërgoheshin nga të njëjtët punonjës, të cilët tani ishin në moshë të madhe. Më vonë, të rinjtë që morën misionin e luleve, nuk besonin se kjo po vazhdonte ende. Gjithmonë e më shumë njerëz në Bashkimin Sovjetik e mësuan historinë e luleve dhe e konsideruan atë akt poetik të dashurisë së paplotësuar. Punonjësit që i dorëzonin tashmë mendonin se gjendeshin në një përrallë të pafund.

Vizita e një inxhinieri në shtëpinë e Tatianës

Pas shumë vitesh, një inxhinier, bashkatdhetar i Tatianës, e vizitoi në shtëpinë e saj në Paris. Donte të konfirmonte historinë e luleve. Ndërsa pinin çaj, mori guximin dhe pyeti nëse ajo që po dëgjonte ishte mit urban apo e vërtetë. Ajo u përgjigj: “Shpresoj të kesh kohë, pije çajin”, pasi e dinte se kur do të vinin luleshitësit. Pak më vonë, u dëgjua një zë në derën e jashtme: “Nga Mayakovsky!”

Përktheu: Shpendi Shakaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top