Nga dita e një violinisti/Florian Vlashi

in A(rt)ktivizëm/Muzikë by

Ndoshta mënyra më e mirë për të ndenjur në Durrës paska qenë ikja prej tij…

 

Florian Vlashi

07:20. Zgjohem nga një rreze dielli që më bie në sy, e cila hyn fshehurazi ndërmjet dy perdeve me partiturat e Mozartit, pikërisht aty ku është Rrëmbimi nga Saraji. Hap dritaren. Dëgjohet një “korale” zogjsh. Dal në kopsht dhe e para gjë që ndiej është era e luleve të limonit. Këpus disa kokrra. Nga degët më bien në fytyrë stërkalat e shiut të natës, “Si një arpezh harpe në një Prelud të Debussy-së”.

Në kuzhinë përgatis lëngun e frutave, ndërsa televizori flet për fitoren e Rafa Nadalit mbi Djokoviçin. E adhuroj këtë njeri për forcën mendore që ka për të përballuar kalvarin e mundimshëm drejt suksesit. Nuk i harroj fjalët e tij në një intervistë ku thoshte se suksesi nuk është fitorja, por gjithë përpjekja që ke bërë për të fituar.
Pi lëngun në këmbë tek dritarja, duke parë oqeanin. Kur vë bukën për ta thekur, lajmet flasin mbi luftën dhe problemet e urisë që mund të sjellë ajo. Ndërkohë vjen Redi që dëgjon me vëmendje lajmet.
– Unë s’ta kam thënë, por kam menduar të bëj furnizimin me ushqime për një periudhë të gjatë, – thotë. – Kam bërë listën. Edhe vendin e kemi gati tek kantina.
– Aty kemi vena sa për gjithë vitin, – i them. – Vena është mënyra më e mirë për të shtyrë një periudhë lufte.
– Tallu ti, tallu. Por dje, kur erdhi kopshtari, biseduam për të mbjellë disa pemë frutore më shumë dhe për të krijuar një bahçe për zarzavate mbrapa shtëpisë.

Dalim. Zbresim në breg për kafen e mëngjesit, në Santa Cruz. “Preludi” ku shkojmë zakonisht është mbyllur dhe ulemi tek “Noa”. Qetësi. Vetëm dëgjohet deti, muzika më e bukur…

Hap mesazhet e telefonit. Kompozitori Paulino Pereiro na fton të shtunën për drekë në shtëpinë e tij në Villalba, një shtëpi guri në pyll. Pse u pëlqejnë kaq shumë kompozitorëve shtëpitë në pyll? Grieg, Mahler, Sibelius…. Ndoshta prej zogjve. Nuk jam ornitolog, por do më pëlqente të njihja emrat e zogjve të kopshtit tim. Edhe ata janë banorë të shtëpisë, madje muzikantë shumë më të mirë se ne.
Mikja jone Laura Garcés, drejtoresha e bibliotekës, më dërgon një tekst që më prek:“I dashur Florian, ju dua shumë dhe kënaqem pamasë në shoqërinë tuaj, ku është gjithmonë, absolutisht gjithmonë, prania intime e Gjergjit, i cili na shoqëron në një mënyrë të gëzueshme, gati sikur na luan syrin duke qeshur, gjë që ma bën jetën më të bukur. Miqësia, dashuria, na ofrojnë nga këto realitete magjike me një natyrshmëri absolute.
Një përqafim të mrekullueshëm për ju, mbushur me praninë e tij.
Laura”

Babin e takoj tek të gjithë ata që e kanë njohur.
Pastaj flasim për pushimet dhe udhëtimin e verës që po përgatisim. Na pëlqen të njohim Jugun e Shqipërisë, që kemi 30 vite pa e parë, ngaqë, kur shkojmë në verë jemi të zënë me koncerte. Pastaj duam të vazhdojmë më poshtë, në Greqi; disa ditë në Athinë, në Muzeun Arkeologjik dhe në atë të Akropolit, e më pas, ndoshta në një ishull të humbur peshkatarësh…
Pi ngadalë kafen, duke e mbajtur filxhanin gjithë kohës afër buzës, si gjyshja ime Vitoria. Përballë, në mes të detit është Kështjella Santa Cruz e shekullit XVI. Djathtas duket Fari. Kjo kështjellë fillimisht u ndërtua për mbrojtjen e qytetit. Më vonë, u bë rezidenca e shkrimtares së madhe spanjolle Emilia Pardo Bazán. Sot është qëndër universitare për ruajtjen e mjedisit. Simbolikë e bukur ky shndërrim i kështjellës në një Simfoni me tri kohë mbi të njejtën temë, mbrojtjen e vendit… Aty shkoja shpesh me Danielin e vogël për të fshehur lodrat gjatë zbaticës në shpellat rreth shkëmbit. Kur ktheheshim të nesërmen për t´i parë, batica i kish lëvizur dhe dukej sikur ato kishin bërë aventurat e tyre gjatë natës. Deti ka qenë gjithmonë ruajtësi i sekreteve tona.

Nisem me veturë për në punë. Marr disa herë në telefon mamin; është në Durrës që prej dy javësh. Nuk më përgjigjet dhe bëhem merak. “Radio-Clásica” jep Simfoninë 94 të Haydn-it: “La Sorpresa”. Rruga kalon buzë detit dhe në krah të parkut të madh të Bastiagueiros që e kam djathtas. Janë 124 mije metra katrorë blerim mbi det. Kujtoj Durresin… E kujtoj aq shpesh. Ndoshta mënyra më e mirë për të ndenjur në Durrës paska qenë ikja prej tij.

Hyj në “Palacio de la Opera”. Në studio filloj studimin me nota të gjata, “yoga e violinistit”, dhe më pas Flesch “Biblia e teknikës”. Studioj shkallë dhe, në ato pak minuta, si në një film me xhiro të shpejta më kalojnë para syve këshillat e mësuesve të mi të violinës që nga fëminia. Ç’mrekulli ky trill i kujtesës.

11:00. Ulem në pultin e orkestrës (Orquesta Sinfónica de Galicia). Kolegia në krah këtë javë është violinistja ruse Yana Antonian. Them këtë javë sepse në çdo program ndërrojmë vendet në orkestër. Quhet “rotación”. Është mënyra më e mirë për t’u ndjerë pjesë e grupit dhe për të luajtur me kolegë të ndryshëm. E pyes Yanen për familjen e saj në Rusi dhe në Ukrainë. Më përgjigjet pak shkurt dhe me druajtje. E shikoj që e vuan situatën dhe ndihet keq me kolegët e saj. Ajo doli edhe nga grupi i violinave që kemi në whatsapp kur filluam të flisnim për absurditetin e “kulturës së anulimit”.
Luajmë Mendelssohnn, oratorion “Elias”. Sa të drejtë ka i madhi Zubin Mehta që thotë se ne muzikantët jemi njerëz me fat sepse e nisim ditën brenda një kryevepre të krijuar nga gjenitë. I jashtëzakonshëm dirigjenti hollandez Antony Hermus me të cilin punojmë këtë javë. Ka nje pasion dhe entuziazëm gati fëminor për të frymëzuar e rrezikuar njëherësh. Kërkon ekstremet e interpretimit. Përmend shpesh Harnoncourt-in që thoshte se mrekullia më e madhe ndodh vetëm në buzë të greminës. Ndërsa Gustavo Dudamel na kërkonte që gjatë lojës “të përqafonim gjithë bukurinë e botës”. Sa shkollë e madhe është të punosh çdo javë me dirigjentë e solistë të ndryshëm; kaq shumë estetika, këndvështrime, tradita… Dhe deri tani janë mbi 3000 koncerte.
Në pushim shkoj të takoj Claudia Walker-in, flautisten e parë. Më mbeti peng që nuk e kisha uruar për “Daphnis et Chloé” të Ravel-it javën e kaluar. Ke qenë Flauti i Artë, i them. Preket. Vlerësimi i një kolegu e miku vlen më shumë se dhjetëra shkrime kritike në shtyp.
Më ka shkruar mami… “E kisha harruar celularin ne shtepi… isha me shoqet tek Vollga…” Oh, sa mirë! Ja një zgjidhje e bukur e një “akordi dizonant”. Rrugës për në shtëpi flas me mamin. E pyes si fjeti, a i piu ilaçet, sa e kishte tensionin, a e bëri ecjen me shoqet… Ajo i përgjigjet me durim obsesionit tim sepse e di mirë se distancat e shumëfishojnë merakun.

14:00. Blej bukën tek “Panaderia Santa Cruz” dhe hyj në shtëpi. Vjen erë e mirë. Redi ka përgatitur në furrë “Pollo de corral”, pulë fshati me patate. Zbres në kantinë për të marrë një shishe ven. Ky moment është nga kënaqësitë e mia më intime. Seç ka diçka mistike hyrja në kantinë. Marr një shishe nga Toscana, është e familjes Frescobaldi, familje që ka 700 vjet që i dedikohet vinikulturës. Nga kjo familje është edhe kompozitori i barokut italian Girolamo Frescobaldi. Muzikën e tij e luajtëm të shoqëruar me këtë ven gjatë koncerteve të Bienales së Durrësit. “Muzika & Vena, një harmoni e përkryer”. Nga gjërat më të bukura që ka vena është pikërisht kjo, nostalgjia.
Gjatë drekës Martini na tregon detyrat që ka në Konservator në lëndën e Teknologjive të reja: duhet të shoqërojë me muzikë një seri fotografish. Ka zgjedhur temën “Muzikantët e rrugës”. Redi, megjithëse e ka pushim të mërkurën, është e mbytur duke korrigjuar provimet e nxënësve. Janë rreth 150. Si për t´i mbijetuar këtij mundimi, tregon momente humori; një herë një nxënës pat shkruar “Violina është një instrument me katër… lidhëse”; një tjetër “Çështë Suite? Një dhomë luksoze hoteli” apo “Kush është Stradivari? Një dyqan i firmës Zara.” Qeshim kur i kujtojmë. Përveç Bules, mamaja e Redit. Ajo nuk qesh. Rri mendueshëm në dramën e vet… Kur mbaron drekën, ajo shkon për t´i dhënë të hajë maces që vjen tek oborri jonë. Një mace bardhë e zi pa emër. Para disa kohësh u bë me 4 këlyshë të bukur, por, i humbën. Ajo tani i kërkon me një zë të çuditshëm, vajtues e si të pashpresë. Melankolia e maces bardhë e zi bën të ndryshojë edhe kënga e zogjve…
Shtrihem pak. Nga Portugalia më kanë dërguar fotografitë e koncertit që bëra javën e kaluar, “Violina në Art”. Muzika e violinave të pikturave ka qenë një ëndërr e vjetër imja. Ato piktura, si “magdalenat e Proust-it”, më kujtojnë albumet që shfletoja i vogël tek biblioteka e shtëpisë. Marr në dorë librin e Hermann Hesse-s,“Siddhartha” dhe lexoj. Ka ditë që më hipnotizon…

17:00. Studioj me Martinin. Bach – “Arti i Fugës”. I tregoj tim biri se aty është përkryerja e një prej formave thelbësore të muzikës, Fuga, që ka brenda një logjikë të pastër matematikore. Luajmë bashkë. E shikoj që e ka marrë lehtë, sepse i duket e thjeshtë dhe ndaloj. – Shiko Martin, – i them me ton, – çdo notë këtu ka peshë si gurë mbi pentagram. Bahu shkruante një vepër çdo javë, por për Artin e Fugës u vonua … 5 vjet. Dhe vdiq pa e mbaruar. E la pikërisht aty kur vendosi katër notat e fundit në pentagram (Si b, La, Do, Si) të cilat korrespondojnë me katër gërmat e alfabetit gjerman: B-A-C-H.

Në orën 6 jam në “Conservatorio de Betanzos”. Dy nxënëset e mia kanë prova me piano për koncertin e fundvitit. Carmen dhe Candela luajnë bukur, por janë nervoze. Është koncerti i tyre i parë. U them: “Mos e mendoni koncertin si një gjë për të treguar se sa të zonjat jeni. Jo! Mendojeni si një moment kënaqësie për veten e të tjerët. Puna është bërë. Tani kënaquni. Sigurisht ka që luajnë më mirë se ju, po ashtu edhe më keq se ju, por si ju… nuk ka. Sepse ju jeni unike. Na tregoni pra, me ato pak nota, një histori të bukur, një histori që s´ia keni treguar kujt.” Entuziasmohen sa u shkëlqejnë sytë.

Pas provave mendoj për Martinin. Pendohem që i fola me ton. Por më vijnë në ndihmë fjalët e një shkrimtareje të njohur se talenti është diçka e shenjtë dhe është një tradhti e pafalshme të mos të punosh për të.
Danieli më telefonon nga Berlini, më tregon për koncertet me DSO (Deutsches Symphonie Orchester Berlin) e për planet që ka në verë për të njohur Andaluzinë e per t´u takuar më pas me ne. M´ka marrë malli për Danielin.

Para se të vazhdoj studimin, ulem për një kafe tek “La Cantera”. I hedh një sy Facebook-ut. Mes një lumi lumturie fejsbukiane më kap syri një lajm që më bën të ndaloj: violinisti shqiptar mjaft i suksesshëm në Gjermani, Rudens Turku, është lidhur me shtëpinë botuese Henle-Verlag dhe i dhurojnë Universitetit të Arteve në Tiranë 2000 partitura. Rudensin e kam pasur nxënës në Durrës, madje kemi luajtur bashkë në koncertin që dhashë për 200 vjetorin e Mozartit në 5 Dhjetor, 1991 tek Opera, koncerti i fundit para se të largohesha nga Shqipëria. Me babain e tij, Mustafa Turkun, të gjithë ne muzikantët e Durrësit jemi në një borxh të madh që kurrë nuk do t’ia shlyejmë. Fagu, profesor i vjolës, për rreth dy dekadash, kopjoi me dorë me mijëra partitura për nxënësit e shkollës së muzikës e për orkestrën e Teatrit A. Moisiu. Më kujtohet kur vinte të nesërmen në shkollë, me sytë e skuqur se kishte kopjuar partitura gjithë natën. Sot ato faqe muzike janë zverdhur nëpër dosje dhe ndoshta i ka mbuluar pluhuri. Por ne duhet t´i vëmë në korrnizë. Janë Kodikë pentagramesh me kaligrafi yjesh… Dhe tani i biri i dhuron univeristetit shqiptar 2000 partitura. Humanae nobilitatem.

20:00. Pas pak është prova e përgjithshme e koncertit. Provat me kore janë gjithmonë në mbrëmje sepse kori nuk është profesionist. Thuajse të gjithë koret në Spanjë nuk janë profesionistë. As edhe kori “Orfeon Donostiarra”, një nga më të mirët në botë. Këtu ka një dashuri të shenjtë për koret. Ndoshta harmonizimi i zërave njerëzorë është një formë e përkryer qytetërimi.
Dhe zhytem përsëri në muzikën e Mendelssohnn-it. Çfarë gjeniu; 13 vjeç kish shkruar kuartetet, koncertin për piano, 16 vjeç “Ëndërr e një nate vere”, 20 vjeç zbulon dhe dirigjon për herë te parë në publik “Pasionin sipas Mateut” të Bach-ut… Një kulturë sublime dhe një edukim i hekurt nga familja e tij që i përkiste elitës intelektuale berlineze. Goethe e quante talent më të madh se Mozartin. Dhe jetoi vetëm… 38 vite. Eh, edhe Mozarti 35, Bellini 33, Schubert 31, Pergolesi 26, ndersa “Mozarti spanjoll”, Arriaga, vetëm 19 vjeç… Zëri i sopranos që kam në krah, bashkë me 80 zërat e korit, më mbulojnë me atë substancë të mjegullt, nga e cila janë formuar ëndrrat.

Kthehem vonë për në shtëpi. Në veturë nuk e ndez radion. Nuk dua të degjoj asgjë. Tani detin e kam majtas. I errët. I heshtur. Plot mister. Nuk e shoh, por e ndiej praninë e tij. Askush nuk është vetëm kur ka detin në krah.
Përgatisim një sallate mikse dhe vëmë serialin “Mozart in the jungle”, që më duket pak i lehtë e “digjestiv”, si pjata që kemi përpara. “E ke pasur ditën të ngarkuar sot”, më thotë Redi. “Nesër në mëngjes vish tutat dhe, pas kafes, bëjmë ecjen të gjatë nga bregu. Mirë?”
Në shtrat hap përsëri librin e Hermann Hesse-s,“Siddhathra”. Lexoj ngadalë… Marr lapsin dhe bëj nënvizimin e fundit:
Shumica e njerëzve janë si gjethet që bien nga pemët, fluturojnë në ajër, lëkunden dhe më në fund bien në tokë. Por ka nga ata që janë si yjet: ata ndjekin një rrugë të caktuar ku nuk i arrin asnjë erë, sepse ata kanë të tjera ligje e synime brenda vetes.”
Fik abazhurin.

Florian Vlashi

La Coruña. 

E mërkurë, 01.06.2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top