Paul Valéry
Nuk kam ngurruar kurrë ta deklaroj zëlartë se diploma është armikja vrastare e kulturës. Sa më shumë që diplomat marrin rëndësi në jetë (rëndësi e cila sa vjen e rritet për shkak të rrethanave ekonomike), aq më shumë është dobësuar rendimenti i të mësuarit. Sa më shumë që është shtuar dhe ushtruar kontrolli, aq më të këqija kanë qenë rezultatet.
I keq për nga efektet e tij mbi mendjen e njerëzve dhe, thjesht, mbi mendjen. I keq sepse krijon shpresa, iluzione të drejtash të fituara. I keq për nga gjithë stratagjemat dhe hiletë që ai sugjeron; rekomandimet, përgatitjet strategjike dhe, tekefundit, përdorimi i gjithë mjeteve për të kapërcyer pragun e frikshëm. Duhet pohuar që kemi të bëjmë me një mësim të çuditshëm e të urryer për jetën intelektuale dhe qytetare.
Veç kësaj, nëse bazohem vetëm te përvoja dhe nëse shikoj efektet e kontrollit në përgjithësi, vërej se kontrolli, në çdo lëndë, synon ta prishë veprimin, ta korruptojë atë… E kam thënë edhe më parë: sapo një veprim i nënshtrohet një kontrolli, qëllimi kryesor i atij që vepron nuk është më vetë veprimi, por fillimisht kuptimi i parashikimit të kontrollit, përpjekja për t’i bërë të dështojnë mjetet e kontrollit. Kontrolli i studimeve nuk është tjetër veçse një rast i veçantë dhe një shfaqje e bujshme e këtij vëzhgimi tejet të përgjithshëm.
Diploma themelore, tek ne, është ajo e shkollës së mesme (pjekurisë). Ajo ka shpënë drejt orientimit të studimeve mbi një program të përcaktuar në mënyrë strikte dhe në konsiderimin e provimeve që, mbi të gjitha, përfaqësojnë, për shqyrtuesit, mësuesit dhe pacientët, një humbje të plotë, rrënjësore e të pashpërblyer, kohe dhe pune. Me të krijuar një diplomë, një kontroll të mirëpërcaktuar, ju shihni si organizohet sakaq një mekanizëm i tërë po aq i përpiktë sa programi juaj, që ka për qëllim të vetëm të marrë këtë diplomë me të gjitha mënyrat. Duke qenë se qëllimi i të mësuarit nuk është më formimi i mendjes, por marrja e diplomës, objekt i studimit bëhet minimumi i kërkuar. Nuk bëhet më fjalë të mësosh latinishten, apo greqishten, apo gjeometrinë. Por bëhet fjalë të huazosh, dhe jo më të nxësh, të huazosh atë që duhet për të kaluar provimin e pjekurisë.
Por nuk mbaron me kaq. Diploma i jep shoqërisë një fantazmë garancie dhe të diplomuarve u jep fantazma të drejtash. Zyrtarisht i diplomuari konsiderohet sikur zotëron dije: ai e ruan tërë jetën atë çertifikatë të një shkence të çastit e tërësisht mjet-justifikuese. Nga ana tjetër, kësaj diplome në emër të ligjit konsiderohet sikur i detyrohemi diçka. Asnjëherë nuk është themeluar një konvencion më fatal për gjithë botën, për shtetin dhe individët (e në veçanti për kulturën). Pikërisht duke marrë parasysh diplomën, kemi parë, p.sh. si është zëvendësuar leximi i autorëve me përdorimin e përmbledhjeve, doracakëve, fragmenteve dhe të tjera gjëra të ulëta të këtij lloji. Nga kjo rezulton se asgjë në këtë kulturë të prishur nuk mundet më as ta ndihmojë as t’i përshtatet jetës së një mendjeje që zhvillohet.
Përktheu: Alket Çani