Të pres kudo – Tasos Livadhitis
Në ardhtë ndonjëherë çasti që të ndahemi, e dashura ime,
mos e humb kurajën.
Më i madhi virtyt i njeriut është të ketë zemër.
Por edhe më i madh është virtyti
kur t’i duhet ta lërë mënjanë zemrën e vet.
Dashurinë tonë
fëmijët do ta lexojnë nesër në librat shkollorë
pranë emrave të yjeve
dhe detyrave të shokëve.
Edhe sikur të më falnin tërë përjetësinë pa ty,
do të parapëlqeja një çast të vogël me ty.
Do t’i kujtoj ngaherë sytë e tu, të zjarrtë dhe të mëdhenj,
si dy net dashurie, në mes të luftës civile.
Ah po, harrova të të them,
se kallinjtë janë të artë e të pafund
ngaqë unë të dua.
Kyçe shtëpinë,
jepja çelësin një fqinje
dhe nisu.
Atje ku familjet ndajnë një bukë në tetë pjesë,
atje ku bie hija e madhe e të pushkatuarve.
Në cilindo cep të botës,
në cilëndo orë,
atje ku njerëzit luftojnë dhe vdesin
për një botë të re…
Atje do të të pres, e dashura ime.
Përktheu: Stefan Zhupa