Fragment nga libri “Tri ese”-George Orwell

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

George Orwell

Trekëmbëshi gjendej në një oborr të vogël, i ndarë nga oborri kryesor i burgut dhe i mbushur me barishte të harlisura. Ai ishte një ndërtesë prej tullash si tre anët e birucave, i mbuluar me dërrasa dhe mbi të gjendeshin dy trarë dhe trau horizontal me litarin e varur. Xhelati, një i dënuar me flokë të thinjur me uniformën e bardhë të burgut, po priste pranë makinerisë së tij. Kur ne hymë, ai na përshëndeti me një përkulje prej servili. Me një fjalë nga Francis të dy gardianët, duke e shtrënguar të burgosurin më pranë se kurrë, gjysmë e paraprinë dhe gjysmë e shtynë te platforma dhe e ndihmuan me forcë të ngjiste shkallët. Pastaj xhelati u ngjit sipër dhe hodhi lakun në qafën e të burgosurit.

Ne qëndruam në pritje, pesë metra më tutje. Gardianët krijuan një rreth të ashpër përreth trekëmbëshit. Dhe pastaj, kur litari u shtrëngua, i burgosuri filloi të qajë te zoti i tij. Ishte një e qarë e ngjirur, e përsëritur, “Ram! Ram! Ram! Ram!” jo e nxituar dhe me frikë si një lutje apo një pëshpërimë për ndihmë por pothuajse si një kambanë e qëndrueshme dhe ritmike. Qeni u përgjigj me një angullimë. Xhelati, ende duke qëndruar mbi trekëmbësh, nxori një qese të vogël pambuku si një qese mielli dhe e hodhi atë mbi fytyrën e të burgosurit. Por tingulli, i mbytur nga rroba, vijoi të këmbëngulë, sërish: “Ram! Ram! Ram! Ram! Ram!”

Xhelati zbriti poshtë dhe qëndroi gati, duke mbajtur levën me dorë. U duk sikur kaluan minuta të tëra. Uturima e vazhdueshme dhe e mbytur e të burgosurit vijoi dhe vijoi, “Ram! Ram! Ram!” pa rënë në asnjë moment. Mbikëqyrësi, me kokën e tij të varur në gjoks, po trokiste çakllin në këmbët e tij me shkop; ndoshta ai po numëronte të qarat, duke i lejuar të burgosurit një numër të caktuar prej tyre, – pesëdhjetë, ndoshta, ose njëqind. Që të gjithë aty kishin ndërruar ngjyrë. Indianët ishin bërë të hirtë si kafe e keqe, dhe një apo dy bajoneta po dridheshin. Ne pamë te njeriu i lidhur dhe i mbuluar në trekëmbësh dhe dëgjuam lutjet e tij – secila lutje ishte një çast tjetër jete; i njëjti mendim ishte në mendjet tona: oh, vrite atë shpejt, jepi fund, ndaloje këtë zhurmë rrëqethëse!

Papritur mbikëqyrësi e ndau mendjen. Duke ngritur kokën me vrik, ai bëri një lëvizje të shpejtë me shkopin e tij, “Chalo!” – bërtiti ai pothuajse me trimëri.

U dëgjua një zhurmë trokëllime dhe pastaj heshtje vdekjeje. I burgosuri ishte zhdukur dhe litari po tundej vetë. Unë lëshova qenin dhe ai vrapoi menjëherë për nga pas platformës së trekëmbëshit; por kur mbërriti, aty ai ndaloi, lehu dhe u tërhoq në një cep të oborrit, ku qëndroi mes barishteve, duke parë me drojë nga ne. Ne shkuam pas platformës për të inspektuar trupin e të burgosurit. Ai po luhatej që nga gishtat e këmbëve që ishin lëshuar për poshtë dhe shumë ngadalë, duke u rrotulluar, i vdekur si një gur.

Mbikëqyrësi zgjati shkopin e tij dhe preku trupin e kaftë te pjesa e zhveshur; ai lëvizi lehtë. “Ai është shumë mirë” – tha mbikëqyrësi. Ai u tërhoq mbrapsht, doli nga platforma, dhe zgjeroi mushkëritë në një frymë të thellë çliruese. Pamja hijerëndë  u largua nga ai thuajse menjëherë. Pa orën e xhepit. “Ora tetë e tetë minuta. Kjo ishte e gjitha për këtë mëngjes, falë Zotit.”

Gardianët zbërthyen bajonetat dhe marshuan tutje. Qeni qau dhe i vetëdijshëm se ishte sjellë keq, i ndoqi pas. Ne dolëm nga oborri i trekëmbëshit, kaluam qelitë e të dënuarve dhe hymë tek oborri qendror i burgut. Të dënuarit, nën kontrollin e gardianëve të armatosur me lathis[i], po hanin mëngjes. Ata ishin ulur galiç në radhë të gjata, secili duke mbajtur një tas hekuri, ndërsa dy gardianë me bucela marshonin përreth, duke u hedhur oriz; ajo dukej një skenë shumë familjare, e gëzueshme, pas një varjeje. Një çlirim i madh ra mbi ne tani që puna ishte kryer. Dikush ndjeu dëshirën për të kënduar, për të shpërthyer në vrap, për të qeshur. Menjëherë, të gjithë filluan të bisedojnë me gjallëri. Djali euroaziatik që po ecte krah meje bëri me shenjë drejt rrugës nga ne patëm ardhur, me një buzëqeshje prej të dituri: “A e dini, zotëri, se miku ynë (e kishte fjalën për të vdekurin), kur ai dëgjoi se lutja e tij për mëshirë ishte refuzuar, bëri shurrën në dyshemenë e qelisë së tij? Nga Frika. – Ju lutem merrni një cigare nga unë, zotëri. Si ju duket kutia ime e argjendtë, zotëri? E bleva për dy rupi dhe tetë anas te kinkaleria. Stil klasi europian”.

Shumë njerëz qeshën – se me çfarë, askush nuk dukej se e dinte.

Francis po ecte pranë mbikëqyrësit, duke folur si llafazan: “Mirë, zotëri, gjithçka kaloi në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithçka mbaroi – fund! dhe kaq. Nuk ndodh gjithmonë kështu – oh, jo!  Di raste kur doktori detyrohej të shkonte poshtë trekëmbëshit për të tërhequr të burgosurin nga këmbët që të sigurohej se kishte vdekur. Shumë e pakëndshme!”

“Po dridhesh eh? Kjo është keq” – tha mbikëqyrësi.

“Ah, zotëri, është më keq kur ata bëhen kundërshtues! Një burrë, mbaj mend, u kap pas hekurave të qelisë kur shkuam ta marrim. Ti vështirë se do t’i japësh meritë, zotëri, por u deshën gjashtë gardianë për ta shkëputur atë nga hekurat, tre duke e tërhequr nga secila këmbë. Ne arsyetuam me të. ‘Shok i dashur – thamë ne, – mendo për të gjithë dhimbjen dhe telashin që po na shkakton ne!’ Por jo, ai nuk dëgjonte! Ah, ai ishte shumë telashexhi!”

E kapa veten duke qeshur me zë shumë të lartë. Çdokush po qeshte. Edhe mbikëqyrësi u zgërdhesh në një mënyrë të tolerueshme. “Bëni mirë të vini jashtë dhe të pini një gotë” – tha ai plot gjenialitet. “Kam marrë një shishe uiski në makinë. Na shkon mirë një gotë”.

Ne kaluam derën e madhe me dy kanate të burgut dhe dolëm në rrugë. “Duke e tërhequr nga këmbët!” – bërtiti magjistrati burmez papritur dhe pastaj shpërtheu në të qeshura me ofshamë. Ne të gjithë filluam të qeshim sërish. Në atë çast, anekdota e Francis dukej jashtëzakonisht për të qeshur. Ne të gjithë pimë një gotë së bashku, vendës dhe europianë, miqësisht. I vdekuri ishte pesëdhjetë metra më larg.

[i] Një shkop bambuje që përdoret si armë policore në Azi.

Përktheu: Gjergj Erebara

1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top