Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa njerëzve të artit dhe të mendimit në Shqipëri dhe jashtë saj.
Përgjigjia e radhës erdhi nga Italia, prej regjisores Aurora Sahatçi.
Vijon më poshtë:
Arlinda Guma: Në Festivalin e Filmit të Berlinit, aktori Ethan Hawke rrëfeu diçka që më tërhoqi vëmendjen. Ai tha se sa herë që është duke xhiruar një film të ri, ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij e këshillon: “Merr X-in si aktore kryesore!”. “Dakord”, përgjigjet ai, “por a ka kryer ndonjë shkollë aktrimi?” “Jo”, vazhdon bashkëpunëtori, “por ajo ka një numër të madh ndjekësish në median sociale.” Ç’mendim keni ju për këtë? A nuk ju duket se po rrëshkasim “natyrshëm” në këtë realitet të ri të çuditshëm? Si të thuash në një tjetër “Reality Bites”? Mos po biem në një rreth vicioz dhe po i japim masës atë që ajo do dhe bluan më lehtë, në vend që ta edukojmë me shijen e artit të mirë që e bën të mendojë? (Dhe dihet që arti që të bën të mendosh nuk i tërheq dhe aq turmat.) Ku do përfundojë arti cilësor pas kësaj? Nëse protagonistë të tij në çdo fushë do të bëhen influencerat?
Aurora Sahatçi: Javën që kaloi lexova diçka të publikuar nga një mike psikologe, ku thoshte se kemi shumë paragjykime ndaj mediokritetit dhe nuk marrim parasysh disa rrjedhoja shumë të këndshme dhe çlodhëse nga të qenit mediokër. Për shembull, të zbatosh diçka me cilësi të mesme ose gati afër mesatares, nuk do të thotë të jesh një hiç. Në fakt, nuk do të thotë asgjë. Thjesht bën diçka me një rezultat të vakët, ose mbase dështon, por në të njëjtën kohë e pranon këtë rezultat dhe je në paqe me veten tënde. Bëra aq sa munda, nesër është ditë tjetër. Është relaksues mediokriteti në këtë kuptim. Nuk ka rivalë, as armiq. Nuk hidhet gjak, nuk të bëhen sytë si pikturat e Picaso-s se s’fjete natën, as nuk u çmende mbas asaj gjësë se e do kështu ose ashtu.
Ky veç është interpretimi që unë i bëra këtij publikimi pas disa ditësh, si të thuash, kur u qetësova dhe fillova t’i shoh gjërat më me qetësi.
Aty për aty, interpretimi im ishte tjetër. Kur lexova fjalën “mediokritet”, mendja më shkoi direkt tek shitja. E kam fjalën për shitjen e çdo gjëje, sidomos në kohët e sotme. Shitja e personalitetit, e artit, e muzikës, e shkrimit, e gjuhës, e mësimit, e mendjes, e trupit, e kuzhinës, e teatrit, e kinemasë… e kotë të vazhdoj.
Shitja është një koncept që deri në njëfarë mase ka ekzistuar gjithmonë në shoqërinë njerëzore dhe në një formë nevojshmërie, por mbase nuk ka qenë asnjëherë e mundur dhe kaq e thjeshtë të përhapet, të krijohet, nëpërmjet teknologjisë edhe aty ku nuk është e nevojshme, si sot. Nëse ke tri palë pantallona, zakonisht, sipas një llogjike nevojshmërie, këto të mjaftojnë për gjithë dimrin. Por nëse janë me stile dhe ngjyra të ndryshme, sipas kësaj ose asaj mode, më mirë të kesh gjashtë ose dhjetë palë. Unë vetë jam bijë e kësaj kulture, sado që të jem e vëmendshme në konsumim.
Çdo epokë ka karakteristikat e saj dhe çdo fushë e jetës i përshtatet me sa mundet epokës që i përket. Nuk vihet në diskutim nëse është e drejtë apo jo, sepse zhvillimi nuk ka të bëjë me pasojat, as me drejtësinë. Zhvillimi është zhvillim në çdo kohë, nuk ka fytyrë si të thuash.
Natyrisht, nëse ke lindur përpara vitit 2000, koncepti i shitjes për gjëra që kanë vlerë humane dhe që nuk duhet të “zhulosen” bashkë me të tjerat në treg, si arti për shembull, ose shkrimi, të duket i papranueshëm. Po ja që vitet kalojnë dhe bota përreth teje ndryshon dhe vazhdon të ndryshojë me bindje. Përfitimi ia merr shpirtin edhe artit. Ashtu si edhe arti ia jep vetë shpirtin atij.
Po cili art? Arti në përgjithësi? Çfarë është arti më së fundi? Kujt i përket?
Mesa di unë, çdo qenie njerëzore lind me një kod artistik, kod krijimtarie, brenda saj. Ai kod pastaj përkthehet në forma të ndryshme, zhvillohet, herët ose vonë. Shpesh ndërpritet në fëmijëri, sipas vendimit që qenia bën me jetën e saj. Por vazhdon të jetojë aty brenda, te fëmija që banon aty.
Për t’u lidhur me përfitimin më lart, artin e bën njeriu, i cili nuk është i përsosur. Dhe kur në qender, njeriu artist ka përfitimin, tradhëton veten e tij. E bën me ndërgjegje, asnjeri nuk e detyron.
Natyrisht kjo nuk do të thotë që forma e artit në prodhimin e tij më të pastër dhe të vërtetë ka pushuar se ekzistuari në epokën e përfitimit. Thjesht punon në hije, fakt i cili revolton disa nga artistët në hije.
Megjithatë, mendoj unë, një ditë ata do të kuptojnë se fenomeni i hijes është mbi të gjitha bekues. Hija i mbron ata nga ai tradhtimi që përmenda më sipër.
Një ditë, si “përfituesit” ashtu si edhe “artistët e hijes” do pranojnë faktin se nuk është arti që shkon te njeriu, por njeriu që i afrohet artit, pikërisht sepse është njeriu që ka nevojë të gjejë vetveten. Ai ose do të shkojë te psikologu ose do të blejë një libër të vlefshëm që do t’i kushtojë shumë më pak se psikologu dhe do t’i mbetet në zemër gjatë gjithë ekzistencës së tij. Madje do t’ia bëjë edhe dhuratë njerëzve më të shtrenjtë që ka. E njëjta gjë do ndodhë me teatrin, me muzikën, dhe ndodh akoma, përndryshe nuk mund të mbijetojnë.
Po si i bëhet kur përreth teje, siç thotë ai aktori Ethan Hawke, njerëzit po normalizojnë gjithnjë e më shumë disa sjellje që nuk favorizojnë artin e vërtetë? Çfarë duhet të bëjmë për të shpëtuar atë fëmijën e brendshëm nga banaliteti dhe korruptimi?
Asgjë.
Po humbasim dhe do humbasim shumë, por nuk jemi të parët në historinë e njerëzimit.
Veç edhe do gjejmë shumë. Do zbulojmë “hijet”. Se kur, nuk e dimë.