Unë jam njeri “arrogant”, dua të shpëtoj botën/Bisedë me aktoren, regjisoren dhe përkthyesen Aurora Sahatçi

in Biseda/Teatër by

Aurora Sahatçi jeton prej vitesh në Milano. Ёshtë aktore, regjisore, përkthyese, madje vitet e fundit ka themeluar dhe një kompani teatrale të sajën.

Më datë 1-2-3 Nëntor, 2018, në orën 21.00, dhe më datë 4 Nëntor, 2018, në orën 16.15, në Teatro Studio Frigia Cinque, Milano (Rruga Frigia, 5) do të jetë premiera e shfaqjes së saj “Infinita Letizia della Mente Candida”.

Mbi këtë shfaqje dhe të tjera bën fjalë edhe biseda e mëposhtme.

Sahatçi thotë midis të tjerash se:

Kriza tashmë e gjatë ekonomike shemb lehtësisht ata që nuk kanë antitrupa dhe emigranti, me atë optimizmin dhe njëkohësisht dëshpërimin e vet, duke punuar për dy pará, mund të shihet shkarazi në shumicën e rasteve.

Ndërsa citon fjalët e një regjisori kur ai i ka besuar një rol të rëndësishëm:

Kur regjizori ma propozoi, më tha: “Mendova që ti je e përshtatshme për këtë pjesë, sepse sikur ndihesh githmonë në faj për gjithçka që ndodh në botë.”

Më tej ajo e shpjegon kështu marrëdhënien e saj me teatrin:

Por për çudi teatri të ofron një vizion realiteti si të kthyer nga lart poshtë. Kur shfryn dhe eksploron anët e tua më të errëta, jeta normale bëhet më e qetë dhe e ekuilibruar. Në skenë ulërin apo mekesh nga të qeshurat sa të duash, je e lirë dhe e justifikuar për ta bërë. Po  ata “normalët” që nuk munden ta bëjnë këtë, si e përballojnë jetën e zakonshme? Këto ishin dhe janë akoma pyetje që i bej vazhdimisht vetes.

        Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Ju jetoni prej vitesh në Milano. Jeni aktore, përkthyese, asistente-regjisore, regjisore, dhe vitet e fundit edhe themeluese e një kompanie teatrale të titulluar “Persona teatro”, frymëzuar nga një film i Ingmar Bergman-it “Persona”. Sa e vështirë ishte për një joitaliane të ndiqte pasionin për teatrin, në një kohë kur statusi i emigrantit të dikton pragmatizmin e mbijetesës? Si e shihnin miqtë tuaj italianë këtë etjen tipike shqiptare për t’ia dalë mbanë, për të mbërritur diku, etje e cila qëllon ndonjëherë që u mungon vendasve.

Aurora Sahatçi: Faktorët e vështirësisë ekonomike të mbijetesës në botën e artit nuk vlejnë vetëm për emigrantët. Edhe kolegët e mi italianë luftojnë në betejën e tyre të përditshme për të mbijetuar në një botë të ashpër si ajo e teatrit. Por unë nuk kisha shumë rrugë për të zgjedhur në fakt, duke qenë se vetë natyra ime ishte dhe është fortësisht e vulosur nga arti. Mamaja ime ishte regjizorja e përrallave të orës 18.30 në jetën e përditshme televizive socialiste në Shqipëri. Vëllai im është violinist, tashmë me një karrierë të padiskutueshme në Zvicër, etj. Por emigranti në radhë të parë emigron për të zhvilluar statusin e tij, dhe faktori kryesor që e karakterizon është pikërisht përparimi ekonomik. Unë isha tërësisht jashtë kësaj skeme. Dukej si një çmenduri e pakuptueshme, një luks ose kapriço mazokiste.

Miqtë e mi italianë më kanë admiruar gjithmonë për përpjekjet e mia. Madje shpesh më idealizojnë. Unë shihem si modeli perfekt i integrimit, si emigranti ideal që secili do që të ketë fqinj, por realiteti është pak ndryshe; problemet e emigrimit janë të shumta, sidomos në bashkëjetesën e përditshme të kulturave të ndryshme. Vendasit natyrisht nuk kanë atë përvojën e mbijetesës që kemi ne dhe kështu që mbase ky faktor ndikon në njëfarë mase. Kriza tashmë e gjatë ekonomike shemb lehtësisht ata që nuk i kanë këto antitrupa dhe emigranti, me atë optimizmin dhe njëkohësisht dëshpërimin e vetë, duke punuar për dy pará, mund të shihet shkarazi në shumicën e rasteve. Por është diskutim i gjatë dhe më i ndërlikuar.

Arlinda Guma: Si ishte eksperienca me “Extramondo Teatro”? Një emër interesant që duket sikur përkufizon hidhurazi artin e vërtetë, i cili në këto kohë komerciale duket vërtet jashtë kohe. A shenjoi kjo eksperiencë një pikë kyçe, një shteg të pakthyeshëm, dhe a ndikoi në vetëbesimin tuaj natyra e roleve që interpretuat me këtë teatër?

Aurora Sahatçi: Ashtu është vërtet. Emri është marrë nga anija kozmike ExtraWorld (“jashtë bote”) i filmit Blade Runner dhe mua më tërhoqi shumë ky emër kur u rregjistrova në këtë shkollë.

“Extramondo Teatro” bëra katër vjet shkollë, në fillim një herë në javë, pastaj dy. Bëja dhe teatër fizik (në Itali ishte një gjë e rrallë, pasi teatri tradicional italian është i bazuar mbi fjalën dhe dialogun). Teatri fizik është lodhje e madhe dhe disiplinë, por të jep një liri të madhe në shprehje; pikërisht nuk je më i kufizuar nga fjala, por përdor trupin në trasmetimin e ideve dhe figurave artistike që do të shprehësh. Nga saxhot që bënim, kuptoja që kisha talent dhe kisha gjithmonë pjesë kryesore, kështu që po, qe një pikë kyçe në vetëbesimin tim.

Arlinda Guma: Ç’mund të më thoni për personazhin e Sarës në trillerin psikologjik që u vu në skenë në vitin 2005; viktimës në kronikën e zezë, ku vrasësi bëhet hero, ndërsa viktima lihet në një cep apo zhduket fare nga faqja? Sa thellë hytë në këtë rol? Dhe a ishte e vështirë të dilnit prej tij kur mbaroi shfaqja njëlloj siç dilnit prej grimit?

Aurora Sahatçi: Po, pjesa ishte Parlami di te (“Tregomë për ty”) e shkruar nga një psikiatër forens, italian i shquar, që takova personalisht. Ai kishte punuar mbi serial killer të famshëm italianë, si p.sh.; Donato Bilancia, vrasësi i trenave. Vetë psikiatri më tregoi se sa urgjent ishte një demistifikim i këtyre figurave. Sara nuk ishte veçse një viktimë e re si shumë të tjera, por me një kurajë shumë të veçantë. Ajo gjatë gjithë kohës nuk flet asnjë fjalë, ndërsa vrasësi i përsërit “Tregomë për ty, tregomë për ty”, në pamundësinë dhe patologjinë shumë të njohur moderne për të komunikuar me seksin femeror. Sara mbetet e pamposhtur deri në fund të jetës, mbas shumë torturave dhe dhunës që pëson gjatë rrëmbimit të saj.

Për mua si aktore  puna qe mjaft e lodhshme, sidomos nga ana psikike.

Aty kuptova se cilat janë rreziqet e profesionit  dhe se duhet një ekuilibër personal i domosdoshëm për të ecur përpara. Por për çudi teatri të ofron një vizion realiteti si të kthyer lart e poshtë. Kur shfryn dhe eksploron anët e tua më të errëta, jeta normale bëhet më e qetë dhe e ekuilibruar. Në skenë ulërin apo mekesh nga të qeshurat sa të duash, je e lirë dhe e justifikuar për ta bërë. Po  ata “normalët” që nuk munden ta bëjnë këtë, si e përballojnë jetën e zakonshme? Këto ishin dhe janë akoma pyetje që i bej vazhdimisht vetes.

Arlinda Guma: Po Ana? Fotografja londineze; e pavarur, interesante, empatike dhe katastrofë në dashuri? E cila duket sikur përkufizon gjithë trajektoren ekzistenciale të gruas moderne? Sa më intelektuale, po aq edhe e palumtur…

Aurora Sahatçi: Ana është një nga personazhet femërorë të Closer nga Patrick Marber. Kur regjizori ma propozoi, më tha: “Mendova që ti je e përshtatshme për këtë pjesë, sepse sikur ndihesh githmonë në faj për gjithçka që ndodh në botë”. Qesha shumë, por edhe e kuptova se ku donte të dilte. Kur mban mbi shpatulla problemet intelektuale dhe sidomos shprirtërore të botës, fytyra të merr pakëz atë shprehjen e Shën Mërisë. Por pjesa në përgjithësi thekson problemet sentimentale në një qytet simbol të pragmatizmit, civilizimit dhe lirisë individuale, siç është Londra. Në emër të kësaj lirie, këto personazhe përzihen në lidhje poliamoroze, dmth., shumë-dashurore, me pasoja katastrofike nga ana sentimentale dhe psikologjike. Vetë Ana perfundon single, duke jetuar me qenin e saj, qenie besnike, me dashuri pa kushte dhe pa kufi…

Arlinda Guma: Si ju lindi ideja për “të vënë në skenë poezinë”? Madje pjesë që i keni shkruar vetë. Kohët që jetojmë janë edhe më të vështirat për poezinë. Shkruhet shumë dhe lexohet pak, fare pak poezi… A është egoiste nevoja për t’u marrë me poezi? Unë e shoh të shkruarit e poezive si një nevojë për t’u vetëshpëtuar. Një proces i dhimbshëm dhe i bukur njëherazi. Si e shihni ju?

Aurora Sahatçi: Kërkonim diçka krejt ndryshe nga ekperiencat e mëparshme me kompaninë time të teatrit. Nuk është fare e thjeshtë të vësh poezinë në skenë në mënyre origjinale. Zakonisht mbështetesh te proza. Pjesa me të cilën po merremi titullohet Infinita letizia della mente candida (Lumturi e përjetshme e mendjes së pastër), dhe flet për një histori dashurie që përfundon. Por kjo histori tregohet nëpërmjet mjeteve dhe mobiljeve shtepiake, si p.sh.; një garuzhde që vjen nga nje vend i Ballkanit, një tenxhere me presion nga Milano, një libër i prezantuesit të programeve televizive shkencore, Piero Angela, etj., etj. Dy të dashurit nuk dalin asnjëherë në skenë, por janë mjetet shtëpiake (me humor dhe naivitet) ato që tregojnë se si lind e zhvillohet historia e tyre.

Poezia veç nuk mund të jetë asnjëherë egoizem. Do të ishte njësoj sikur të thuhej që bota mbijeton edhe pa muzikën. Antropologjikisht dhe shkencërisht nuk është e mundur që në botë të mungojë poezia, por shpesh herë janë fazat e historisë së humanetit ato që e hijëzojnë. Unë jam njeri “arrogant”, dua të shpëtoj botën.

Arlinda Guma: Ju jepni dhe mësime anglishteje përveçse përktheni nga kjo gjuhë pjesë teatrale që i vini në skenë. Më tregoni një çast prej punës suaj me studentët, kur keni kapur kokën duar prej asaj që keni dëgjuar, apo thjesht ndonjë çast që ka shkaktuar hilaritet dhe ju ka shpërqendruar prej solemnitetit që të delegon profesioni i mësimdhënies.

Aurora Sahatçi: Pyetje e bukur. Studentët për mua përfaqësojnë shpesh herë një formë poezie, sepse një student, sidomos një student gjuhësh, vjen tek ty me zemër dhe mendje të hapur; do që të thithë sa më shumë “muzikë” nga gjuha që ti po i mëson. Natyrisht, pjesa më e vështirë e profesionit është pikërisht dëgjimi dhe ka shumë raste në të cilat studentët kanë probleme të theksuara dëgjimi dhe kuptimi të gjuhës. Është diçka që do kohë të kultivohet. Këtu has edhe momente hilariteti, p.sh.; kur ata kuptojnë, si i themi; “rroma për toma”. Një nga këto momente të rralla ka qenë me një psikolog dhe konsull të rëndësishëm në Milano. E them këtë sepse situata ishte me të vërtetë shumë serioze dhe pompoze. Hyj në shtëpinë-konsullatën luksoze të tij dhe më thotë: “Can I hang you?” (A mund të të var?) Unë hap sytë si filxhan dhe kur e shoh në fytyrë më bën shenjë për pallton. Siç duket donte të thoshte “Can I hang up your coat?” (A mund të të var pallton?). U skuqa dhe e përmbajta veten, po kur mbarova mësimin ia dhashë gazit jashtë. Ia tregova këtë psikologut, pas disa muajsh kur kishim më shumë konfidencë dhe s’pushonte së qeshuri.

Arlinda Guma: Midis roleve që keni interpretuar spikat ai i Virgnia Woolf, një shkrimtare feministe me një stil letrar jo dhe aq të lehtë. A pati sukses shfaqja? Ç’mendim keni ju për feminizmin?

Aurora Sahatçi: Virginia Woolf nuk mendoj se ishte shkrimtare feministe sepse luftonte për një kauzë feminizmi. Është adhuruar më pas nga feministet për lirinë e saj femërore dhe sidomos për atë intelektuale. Kur unë u hasa me intimitetin e saj si grua, nëpërmjet letrave, miqve apo burrit të saj, mësova që kishte shume pasiguri dhe dëshira si grua. Mendoj se feminizmi duhet të jetë në radhë të parë një eksplorim i paheshtur i intimitetit për një grua; cilat janë dëshirat e saj? Çfarë do të thotë për një grua liri personale? Dhe pastaj, sa kundërshtime ka mbi këtë realiteti ku jetojmë? Sa e kërcënuar ndihet ende shoqëria jonë moderne nga liria e të qenit person femëror, përpara se të qenit nënë, bashkëshorte, etj.?

Woolf kishte edhe probleme psikike që ishin të ndërthuara me të shkruarin. Mjekët ia kishin ndaluar kategorisht të shkruante, por ajo nuk mundej. Nuk ishte fare e lehtë shoqëria e atëhershme për një të “çmendur”, e mendo pastaj për një grua aq të veçantë si ajo. Pjesa “A thing is a thing and not what is said of that thing” bënte fjalë pikërisht për kontrastin midis intelektualit në përgjithësi nga një anë, gjendjes së gruas nga ana tjetër dhe realitetit. Dhe doli me shumë sukses në qarqet e teatrit të pavarur milanez.

Arlinda Guma: Mendoni se kemi ndërtuar një rend të drejtë botëror, ku njerëzit që bejne teatër të mirë dhe njerëzit që shkruajnë libra të mirë nuk sigurojnë dot as mbijetesën? Si mbërritëm deri ketu? Pse shitet kaq lirë kultura e vërtetë dhe kaq shtrenjtë vulgu? Përse kjo pabarazi, kjo distancë humnerike ndërmjet “masës” dhe artit të vërtetë? Ç’mund të bëhet për ta zvogëluar këtë distancë apo tani është tepër vonë “për ta çuar punëtorin në Opera”?

Aurora Sahatçi: Sa pará fitoj për t’iu përgjigjur kësaj pyetje? (Bëj shaka.)

Çështja është shumë e ndjerë dhe kyçe edhe këtu në Itali. Unë personalisht mendoj se mediokriteti e ka fituar lojën për momentin. Procesi i shndërrimit ka qenë i gjatë natyrisht dhe e kanë studiuar shumë sociologë. Thjesht po hasim një ndryshim epokal të vetë qenies njerëzore në tru, në mendime dhe në zakone; është njësoj sikur të jetosh në epokën e gurit apo të zjarrit… ne thjesht po asistojmë epokën e teknologjisë. Tekstet janë të thjeshta, të shkurtra, videot po ashtu. Mbreteron Social Media. Çdo gjë po kthehet në diçka të sipërfaqshme dhe kjo si rrjedhojë influencon politikën, ekonominë, mënyrën e jetesës dhe pikërisht artin dhe prioritetin e tij. Por kjo është vetëm një fazë. Kam besim se si çdo fazë ka nevojë për njohje dhe eksperiencë. Dhe më vonë njohja do të çoje tek veprimi dhe reagimi. Por do kohë, duhet që njeriu të shkatërrojë më parë e pastaj të ndërtojë e të shkatërrojë përsëri; është pjesë e qenies sonë.

Arlinda Guma: A mund ta ndryshojë botën një njeri i lumtur?

Aurora Sahatçi: Nuk e di, sepse nuk jam njeri i lumtur, as e di nëse ekziston. Por kam përshtypjen që bota ndryshohet sepse diçka mungon. Kur një njeri vendos ta ndryshojë atë, lufton për këtë mungesë dhe në fund të fundit për dashurinë e tij, dmth., për lumturinë.

Arlinda Guma: E keni ndjekur protestën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar? Keni ndonjë mendim për këtë?

Aurora Sahatçi: Jo, nuk e kam ndjekur… dhe me qëllim. Kam vështirësi të mëdha me përballimin e çështjeve të vendit tim të lindjes, sidomos kur i përkesin artit. Dmth., nxehem.

Arlinda Guma: Çfarë ju nervozon dhe çfarë ju entuziazmon kur vini në Shqipëri?

Aurora Sahatçi: Më entuziazmon natyra dhe njerëzit (e paktë) të thjeshtë, ashtu si dhe kuzhina shtëpiake. Më nervozojnë burokracia dhe e rëndomta në përgjithësi.

Arlinda Guma: A keni në qytetin tuaj, në Milano, ndonjë cep, ndonjë bar apo vend piktoresk ku uleni dhe e vetmja gjë që doni të bëni është të heshtni?

Aurora Sahatçi: Po, kam parkun më të madh të Milanos dy minuta afër shtëpisë. Atje është edhe një rrugë me pemë që i ngjan pak Rrugës së Liceut në Tiranë. Ulem në një stol aty ose bëj pak meditim te fusha pranë.

Arlinda Guma: Ju falënderoj për bisedën!

Aurora Sahatçi: Ju faleminderit juve!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top