Të jesh bashkëshorte poeti është një gjë e jashtëzakonshme. Jeta është më e bukur kur jeton me një poet, sepse një moment i rastit, apo i parëndësishëm, mund të shndërrohet në një moment madhështor/Bisedë me Vjollca Bajrajn

in Biseda by

Vjollca Bajraj është bashkëshortja e poetit Xhevdet Bajraj, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur vitin e shkuar. Ajo është mjeke në profesion, por gjithashtu ka luajtur në një film kushtuar luftës në Kosovë të regjisores Paula Markovitch, fituese e Ariut të Argjendë dhe e çmimit El premio.
Për të gjitha këto, revista defekt-teknik i drejtoi asaj disa pyetje, dhe disa nga përgjigjet janë mjaft poetike, e të tjera përshkohen nga dhimbja e thellë:

Kemi qenë gjithçka për njëri-tjetrin; kemi ndarë bashkë të mirat e të këqijat, gëzimet e hidhërimet. Ia kemi dhënë dorën njëri-tjetrit sa herë jemi rrëzuar; jemi ngritur bashkë, kemi vrapuar bashkë… e tash unë duhet të rrëzohem e të çohem vetë!

     Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Si u njohët me poetin Xhevdet Bajraj?

Vjollca Bajraj: Kam qenë shumë e re kur jam njoftuar me Xhevdetin! Ai atëherë nuk ishte poet i njohur. Në fakt, kishte lindur si poet, por as unë dhe askush tjetër nuk dinim se çfarë kishte brenda një djali që dukej ndryshe nga të tjerët! Ishte rebel i kohës; nuk u përmbahej rregullave të shoqërisë – as me veshje dhe as me botëkuptimet për artin dhe për botën.
Ja si e ka përshkruar Agron Shala, Xhevdetin!
“… rrokeri i hershëm, me flokë të gjatë, që vishte këpucë ushtrie, xhinse dhe vietnamkë, e që me vëllanë e vet, Fadilin, ishte një nga koleksionistët e parë e ndër më të mëdhenjtë shqiptarë – jo vetëm në Kosovë – të disqeve të muzikës rrok. Pra, i theu shabllonet që imponoheshin nga rrethi dhe nga ajo që sistemi komunist kërkonte, duke zgjedhur të jetonte sipas asaj që besonte …”
Një vajzë e re si unë, duhej të ishte shumë e guximshme që ta zgjidhte Xhevdetin për partner. Natyrisht, jeta dikur diktohej nga familja, por dhe nga shabllonet e shoqërisë, që artin nuk e konceptonte si diçka që siguron mirëqenie.
Qysh në takimin e parë me të e kam ndier se ishte i veçantë. Me mënyrën sesi ka folur me mua, menjëherë më ka robëruar dhe nuk kam menduar fare për problemet që kjo lidhje mund të sillte. E kam kaluar një periudhë të vështirë sepse jo vetëm familja, por edhe rrethi, ishin kundër lidhjes sonë! Unë isha ajo vajza e mirë, e urtë dhe dëgjueshme, ndërsa Xhevdeti perceptohej si e kundërta e kësaj. Disa madje e konsideronin si vagabond, por atij nuk ia ndiente dhe as mua. Lidhja jonë ishte e veçantë dhe ka qenë e tillë gjatë gjithë jetës sonë të përbashkët. Edhe një milion herë po të kthehesha prapa në kohë, unë do zgjidhja vetëm Xhevdetin! Një njeri si ai dhuron shumë dashuri, aq shumë sa shumë të tjerë bashkë nuk do të mund ta jepnin për 100 vjet.

Arlinda Guma: Kam patur mundësinë që, dy muaj para se poeti të ndahej nga jeta, të realizoja me të një prej bisedave më të mira në revistën defekt-teknik. Dhe në të gjitha përgjigjet e tij nxirrte kryet një dhimbje e tejskajshme për Kosovën dhe një mall dërrmues për gjithë çfarë kishte lënë pas. A është i saktë ky perceptim?

Vjollca Bajraj: Dashuria e Xhevdetit për Kosovën ka qenë e madhe dhe e sinqertë. Kjo mbase kuptohet edhe me poezinë dhe me intervistat e tij! Ai ka jetuar fizikisht në Meksikë, sepse me zemër e shpirt gjithmonë ka qenë në Kosovë! Kosova ishte dhimbja e pashëruar e Xhevdetit!

Arlinda Guma: Kohët e fundit një artist në Meksikë i kushtoi poetit Xhevdet Bajraj një murale në fasadën e një pallati. Si u ndjetë kur e patë veprën?

Vjollca Bajraj: Të ndiesh se ka njerëz që e duan dhe që e kujtojnë atë që ti ke humbur, kjo të ngushëllon, të forcon që ta përballosh më lehtë dhimbjen! Xhevdetin, kush e ka njohur dhe kush ka pasur rastin të bisedojë me të, e ka çmuar për modestinë dhe për urtësinë! Ndryshe nga Xhevdeti i poezisë, ku ndoshta më shumë e ka reflektuar dhimbjen, në takimet me njerëz ai ka qenë shumë i këndshëm dhe i hareshëm; gjithmonë me batuta. Ishte kënaqësi të ishe në tavolinë me të, sepse të ndreqej disponimi nga të qeshurat. Atë e kanë adhuruar studentët. Kam pasur disa raste kur shumë nga ata kanë kërkuar të kenë diçka nga ai, çfarëdo qoftë, vetëm që të kenë një kujtim nga profesori.
Modestia e tij, nga të gjithë ata që e njohin, merret si shembull. Mënyra e tij e komunikimit ka qenë e ngrohtë, me secilin, pa marrë parasysh se cilës shtrese ekonomike apo profesioni i takonte. Ka qenë në gjendje ta humbte kohën e tij të vlefshme, për secilin që ia kërkonte këtë.
Meksika e ka dashur dhe e do Xhevdetin! Kur vdiq, atë e kanë kujtuar institucionet, jo vetëm ai ku ka punuar; mediat shkruajnë për të; i kushtohet një koncert me muzikë klasike… ndërsa së shpejti do të nisë puna për një dokumentar që i kushtohet jetës së tij.

Arlinda Guma: Mendoni se Kosova i ka kushtuar nderimet e duhura poetit? (Ndonjëherë duket sikur shkrimtarët dhe poetët vlerësohen më shumë jashtë vendit të tyre…)

Vjollca Bajraj: Më dhemb kjo. Xhevdeti është përkthyer në shumë gjuhë të botës; bota atij ia ka dhënë vendin e merituar, por jo Kosova e Shqipëria. Kur vdiq Xhevdeti, ka pasur shumë reagime e postime të individëve në rrjetet sociale. E kanë kujtuar edhe disa institucione kulturore. Por, asnjë fjalë nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës. As nga Akademia e Arteve dhe Shkencave. Kohë më parë ishte ditëlindja e Xhevdetit. Në Kosovë, askush asnjë fjalë! Asnjë orë letrare për të! E habitshme dhe e dhimbshme për mua, kur e di se ai shpirtin e zemrën e kishte atje, dhe se poezia e tij merrte shpirt nga atje!
Xhevdeti e ka përfaqësuar më së miri Kosovën, kudo ku ka qenë. Poezia e tij ia ka shtuar vlerën shqiptarëve. Por, fatkeqësisht, ja që disa individë me poste nëpër disa institucione, sikur besojnë se duke e mohuar artin e Xhevdet Bajrajt mund të shtojnë vlerën e vet apo të imponojnë veten si vlerë te të tjerët. Për dallim, poezia e Xhevdetit i ka kaluar kufijtë e Kosovës. Ai sot është poet i botës. Do të doja të kishim më shumë shqiptarë si ai, sepse aq më kreativë do të ishim dhe aq më shumë do t’i çmonim vlerat.
Ndërkohë, duhet të cek se Meksika ende i bën homazh Xhevdetit. Këtu, duke filluar nga 2 prilli, për tri ditë rresht do të lexohet poezia e tij, por do të lexohen edhe poezitë që i kanë kushtuar të tjerët dhe miqtë e studentët do të ndajnë përvojat që kishin me të.

Arlinda Guma: Ju kohët e fundit keni luajtur në një film të titulluar El actor principal (Aktori kryesor) të regjisores Paula Markovitch. Si lindi ky bashkëpunim, duke qenë se ju nuk jeni aktore në profesion por mjeke. Ku pikëtakohen këto të dyja? Do të kishit dêshirë të merrnit pjesë edhe në filma të tjerë?

Vjollca Bajraj: Pjesëmarrja ime në film ka qenë e rastësishme! Regjisorja Paula Markovitch – fituese e Ariut të Argjendtë dhe e Çmimit El Premio – kishte një ide për një film për një grua nga Bosnja. Kërkoi të takohej me ne që të mësonte më shumë për luftrat në Ballkan. U takuam dhe habitesha sesi më vështronte nga shumë kënde. Në fund të bisedës, ajo thotë: ti je personazhi që kërkoj, ti do të jesh Azra (emri i personazhes boshnjake, por që u bë shqiptare që përfaqëson vuajtjet e popullit të Kosovës), ishte befasi e madhe për mua… Kërkova kohë për të menduar. E, siç dihet tashmë, e pranova rolin. Ishte një përvojë e re dhe interesante për mua. Por, edhe stresuese kur i kujton përsëritjet e skenave apo që je e rrethuar nga sa e sa njerëz që krejt shikimin e mendjen e kanë të drejtuar te ti. Mendoj se edhe mjekësia, pra, profesioni im, është një formë arti. Sidomos kirurgjia estetike me të cilën merrem më shumë.

Arlinda Guma: Është i njohur roli i bashkëshorteve të shkrimtarëve nëpër kohëra. Ato kanë qenë daktilografistet e veprave të tyre, kritiket më të kthjellëta dhe shpesh personi i parë të cilit i është besuar leximi i veprës menjëherë pasi ajo ka mbaruar. Në cilën nga këto e gjeni veten ju?

Vjollca Bajraj: Të jesh bashkëshorte e një shkrimtari nuk është gjë e lehtë; të jesh bashkëshorte e një poeti është edhe më e vështirë! Duhet t’u bësh ballë gjithë atyre baticave e zbaticave emocionale që përcjellin artistët e mëdhenj! Duhet të jesh bashkëshorte, por edhe psikologe e tyre; një strehë ku ata mbështeten kur ndihen të trishtuar!
Por, të jesh bashkëshorte poeti është po ashtu një gjë e jashtëzakonshme. Jeta është më e bukur kur jeton me një poet (e kam fjalën për poet të mirëfilltë), sepse një moment i rastit, apo i parëndësishëm, mund të shndërrohet në një moment madhështor. Poetët e kanë këtë dhunti që nuk e kemi në të tjerët.
Kam qenë lexuesja dhe kritikja e parë e poezive të Xhevdetit! Shumë herë kam pasur guximin t’ia propozoj ndërrimin e ndonjë vargu apo t’i jap ndonjë ide për poezinë. Ai gjithmonë ka besuar shumë tek unë. Shpeshherë më thoshte: nëse ti thua se është poezi e mirë, nuk më bën përshtypje se çfarë mund të thonë kritikët! Fatmirësisht, kritikët, njohësit e vërtetë të poezisë, kanë pasur të njëjtin mendim si unë për artin e tij.

Arlinda Guma: Me cilën poezi do të donit të kujtohej poeti pas 100 vjetësh?

Vjollca Bajraj: Xhevdeti ka poezi shumë të bukur, kështu që e kam shumë të vështirë ta veçoj ndonjërën.

Arlinda Guma: Si janë ditë tuaja pa Xhevdetin?

Vjollca Bajraj: Ditët e mia pa Xhevdetin janë shumë të varfra, të trishtuara, të mbushura me mungesën e tij! Më mungon shumë! Kemi qenë shumë te lidhur me njëri-tjetrin, sidomos pas ardhjes ne Meksikë. Largësia nga Kosova, distanca nga shumë anëtarë të familjes së gjerë na ka bashkuar edhe më shumë. Kemi qenë gjithçka për njëri-tjetrin; kemi ndarë bashkë të mirat e të këqijat, gëzimet e hidhërimet. Ia kemi dhënë dorën njëri-tjetrit sa herë jemi rrëzuar; jemi ngritur bashkë, kemi vrapuar bashkë… e tash unë duhet të rrëzohem e të çohem vetë!
Më mungojnë pasditet me të, kur drekonim e pastaj pinim verë dhe shihnim ndonjë film të mirë që Xhevdeti kishte zgjedhur. Me mungojnë shumë të dielat kur tërë ditën e kalonim bashkë jashtë shtëpisë! Tash dal vetëm dhe shkoj në vendet ku kam qëndruar me Xhevdetin dhe paramendoj se edhe fizikisht ai është me mua!
Mendja e njeriut është shumë e fuqishme; imagjinata nganjëherë mund të bëjë mrekulli! Gjithmonë në çantë kam ndonjë libër të tij. Ulem dhe lexoj. Më shoqëron, sepse në poezinë e tij është shpirti dhe qenia e tij!

Arlinda Guma: Si është një ditë e zakonshme në profesionin tuaj?

Vjollca Bajraj: Profesioni i mjekes, sa është i bukur, aq ka edhe stres. Kam përgjegjësi për postin që kam! Të jesh drejtoreshë dhe të menazhosh një klinikë të duhet angazhim i madh!
Kam punuar gjithmonë shumë dhe më dhimbset koha që ia kam vjedhur Xhevdetit, sepse njeriu kurrë nuk e di se sa afër e ka vdekjen dhe se ajo vjen pa paralajmërim. Kur humb diçka të rëndësishme në jetë, kupton se nuk ia vlente sakrifica për punën e përditshme. Më ka ndodhur të punoj gjatë gjithë ditës dhe jam kthyer e lodhur në shtëpi, me mendjen vetëm te gjumi. Tani më duket se kam kohë me tepricë; sepse pa Xhevdetin koha ecën shumë ngadalë.
E kam konsideruar veten të fortë emocionalisht; kam kaluar nëpër shumë sfida, shpresoj ta përballoj edhe këtë. Por, jeta ime asnjëherë nuk do ta ketë bukurinë që kishte atëherë kur Xhevdeti ishte me mua!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Biseda

Go to Top