Pikaso dhe Dora Maar («Gruaja që qan»)/Luan Rama

in Pikturë by

Luan Rama

Dora Maar, një nga muzat e mëdha të Pikasos hyri në jetën e artistit të madh duke lënë gjurmë të veçanta në krijimtarinë e tij të viteve ‘30-‘50, shumë më tepër se gratë e tjera të mjeshtrit të madh. Nga të dashurat e para Eve et Fernande, nga Ollga, gruaja e tij ruse e takuar në rininë e tij të hershme në kodrinën e Montmartres, të cilën e gjejmë në disa prej tablove të para të tij, Pikaso do pikturonte më pas Marie-Therese, Dora Maar, Françoise dhe Jacquline Roque, “rojtaren” e fundit të tempullit të pikturave në vilën e tij, e cila përfundoi me një vetvrasje në një nga hotelet e Parisit.

Gruaja do të jetë gjithnjë në qendër të krijimtarisë së tij; femra dhe sensualiteti. E megjithatë portretet e Doras kishin një origjinalitet e unitet të veçantë stili e ngjyre, me ato ngjyra të ndezura dhe një lloj «përqeshje» me vetë personazhin Dora Maar, edhe pse ai e dashuroi atë.
Henriette Théodore Markovitch lindi në Paris me një baba kroat, arkitekt dhe një nënë katolike franceze. Por shumë e vogël, në krahët e nënës shkoi në Buenos Aires të Argjentinës, siç na mëson dhe një nga biografet e saj Alicia Ortiz në «Dora Maar – e burgosur nga vështrimi», vend ku kaloi adoleshencën e saj për t’u kthyer përsëri në Paris në moshën 20 vjeçare ku menjëherë nisi studimet për Artet Dekorative. Poeti Max Jacob e quante atëherë «gruaja e bukur etruske», ndoshta pse ishte një femër origjinale dhe e paparashikuar. Në fillim Dora ishte muza e Man Ray, meqë ajo e donte fotografinë dhe kërkonte të bëhej asistentja e tij. Por Ray i ishte përgjigjur: «Nuk marr asistente, por do t’ju ndihmoj me këshilla.” Dhe ai e ndihmoi.
Dora Maar nisi të botonte fotografi nudo por dhe objekte metaforike mjaft interesante në frymën e surrealizmit. Pikërisht në këtë kohë fotografon André Breton dhe personalitete të tjera të letërsisë franceze në Paris. Fotot e saj atë kohë cilësoheshin si “la beauté convusive”, pasi kishte një lloj tensioni në trupat e saj femërorë. Pastaj një martesë e shpejtë me kineastin Louis Chavance e më vonë lidhja e saj me letrarin Georges Bataille, një specialist i feminitetit dhe seksit tjetër.

Përmes Bataille ajo hyri në rrethet avanguardiste të artistëve parisianë e veçanërisht surrealistëve dhe shumë shpejt fotot e saj u bënë të njohura në kritikën e artit. Pikërisht në atë kohë u njoh me Pikason, u dashurua me të duke jetuar shumë vite së bashku.
Dashuria me Pikason do të jetë e rrufeshme. Pikaso e kishte zakon të kalonte nga një grua në tjetrën dhe Dora i pëlqente për harmoninë trupore dhe zgjuarësinë e saj, edhe pse më vonë ai do të thoshte se “për mua ajo ishte një grua kafkiane”. Përmes saj, Pikaso filloi të shikonte në një mënyrë tjetër, edhe fotografia ishte art më vete. E habitshme, por Pikaso dhe ajo jetonin në të njëjtën shtëpi, në “Rue des Saints-Augustin”, buzë Senës, por në kate të ndryshme. Ajo zbriste tek ai vetëm kur ai i telefononte të zbriste: «Tani mund të zbrisni!” – i fliste ai. Kishte një lloj autoriteti mashkullor të jashtëzakonshëm dhe kjo padyshim Doran e sfiliste, duke e bërë të ndihej gjithnjë e nënshtruar.

Disa të afërm që kanë njohur Pikason thoshin se ai edhe i rrihte gratë… ndoshta, por ajo nuk na e thotë këtë. Por qëndrimi e tij me gruan e re tregohet qartazi në pikturën e tij «Minotauri», ku Dora është e shtrirë dhe Minotauri përsipër me atë figurë të egërsuar. Eshtë vetë Pikaso me kokën e minotaurit dhe ajo preja e tij.

Dora do të jetë dhe frymëzuesja për dy figurat e grave të tablosë gjigande “Guernica”.
Në vitet 1936-1946, brenda pothuaj një dhjetvjeçari që Pikaso jetoi me të, portretet e Doras përvijojnë në mënyrë të çuditshme dhe ne na mbetet gjithnjë imazhi i saj. Vallë është një shprehje e asaj ç’përmban në vetvete ai personazh? Sigurisht që po. Në tablotë për të Pikaso tregohet një novator i jashtëzakonshëm. Dora Maar i ka qejf kapelet e mëdha, siç e shohim në disa fotografi me Pikason në plazhet e jugut të Francës, veçanërisht në Antibes, Côte d’Azur. Dhe artisti i madh luan me këtë detaj.

Po, Dora, ishte si ajo vajzë e vogël që qan gjithmonë, “La femme qui pleure”. Në fillim Pikaso nuk e kuptonte këtë gjendje, prandaj dhe ato portrete janë me një fytyrë të “shprishur”, qaramaneje; prandaj dhe profili i saj dyzohet, sytë e saj dyzohen në të njëjtin profil, hundët po ashtu. Herë-herë është një fytyrë kapriçioze apo një koketë që do të jetë në qendër të vemendjes, atje, ulur në karrigen e atelierit të Pikasos, çfarë dallohet në disa tablo të tij. Dora Maar pozon. Ajo nuk është asnjëherë e qeshur, e gëzuar. E megjithatë portretet kanë një elokuencë të hatashme të linjës, figurës, të raportit mes ngjyrave, ku nuk ka dritë-hije, por një shfaqje disi brutale dhe të bukur njëkohësisht.
Marrëdhëniet e tyre gjatë viteve ishin të tendosura; një piktor me temperament spanjoll dhe një vajzë e rritur në Buenos Aires. Dy temperamente të forta, por ku Dora e vuante gjithçka përbrenda. Më së fund Pikaso nuk e duroi më. Ai tashmë ishte njohur me një grua tjetër. Atëherë Pikaso dhe Dora bënë një udhëtim në jug, meqë Dora donte të qetësohej. Ai e çoi në fshatin Menerbes, në Luberon. Dhe atje i tregoi një shtëpi duke i thënë: «Ti deshe një shtëpi në fshat që të qetësoheshe, apo jo?! Ja ku e ke, merre!… »
Skulptori Brassai, një mik i afërt me Pikason dhe Eluard, tregon një skenë domethënëse të Dora Maar kur ata ishin në një darkë, diku në një restorant parisian dhe ku prisnin një mikeshë të Pikasos: «Më së fundi, me shumë vonesë ajo mbërriti. Një femër hijerëndë që shtrëngonte duart dhe dhëmbët pa thënë asnjë fjalë. Ulet në tavolinë dhe dy minuta më vonë ngrihet duke thënë: “U mërzita! Nuk mund të rri më këtu. Po iki!” – dhe ajo u largua nga restoranti. Pikaso u ngrit dhe e ndoqi pas të dashurën e vet. Ikja e saj ishte aq e shpejtë sa ai s’mundi ta mbante. Ne vazhduam të bisedonim, por atmosfera tashmë ishte prishur. Ato dy vende bosh na e prenë oreksin. Nush Eluard, me buzëqeshjen e saj të bukur u përkul pranë meje dhe më tha: “S’është për t’u shqetësuar. Histori grash!”… Një orë më vonë, tepër i shqetësuar dhe i frikësuar, Pikaso u shfaq përsëri në restorantin tonë “Catalan”. Kurrë s’kisha parë një hutim të tillë në fytyrën e tij. «Paul, eja shpejt, kam nevojë për ty». Poeti u ngrit dhe ndoqi Pikason. Dhe ne i pritëm. Ishte ora 4 e mëngjesit. Prisnim ende në tavolinë. Një përjetësi. As njëri e as tjetri nuk po vinin. Në orën 5 u larguam.”…

Tri ditë më vonë Brassai takoi Pikason që kishte lënë takim me poetin Jacques Prevert në “Café Flore”. «Ajo kishte një depresion. Kujtonte se ishte një mbretëreshë”, – i tha Pikaso, – dhe jo një mbretëreshë çfarëdo por një mbretëreshë e Tibetit. “Nuk donte të vishte këpucë; një mbretëreshë që ecën këmbëzabathur. S’donte të hante më; mbretëresha është gjithçka, apo jo?!»…

Thuhet se atë mbrëmje që ishte zhdukur nga restoranti, Pikaso dhe Eluard e kishin çuar tek psikanalisti Lacan, i cili e ndihmoi që të shtrohej në një spital psikiatrik. Sigurisht, me një emër të rremë! Madje në gazetat e kohës tregonin se njëherë në sallën e kinemasë, Dora ishte ngritur papritur duke klithur si e çmendur.
Pikaso e kishte ndërruar atë shtëpi në Menerbes me një tablo që donte ta blinte pronari i saj. Doran ai donte ta hiqte qafe dhe kurrë nuk i tha që po e ndante. Por kjo do të vinte më vonë, kur një ditë në Paris, ajo e ndeshi atë përballë me Françoise, një vajzë më të re se ajo. Ishte diçka e rastësishme por Dora nuk e dha veten se mendonte se do të ishte thjesht një flirt njëditor. I zënë ngushtë, Pikaso e ftoi dhe atë në restorant. Kur kishin dalë nga restoranti, Pikaso i kishte thënë: “Atëherë Dora s’po të shoqëroj. Tani ti je një vajzë e rritur!” – “Sigurisht, jam e zonja të kthehem vetëm në shtëpi, – ia ktheu ajo, – ndërsa ti ke nevojë të mbështetesh tek rinia. Besoj se kjo do të zgjasë 15 minuta…” Por dy javë më vonë Pikaso e mori Françoise-n e re në shtëpinë e tij. Dora e ndeshi në holl dhe e tmerruar i tha Pikasos: “Ti kurrë nuk ke dashur njeri në jetën tënde. Ti nuk di të duash!… Dhe u largua duke u vendosur në një apartament tjetër. Ishte viti 1946.
Që atëherë, si katolike që ishte nga e ëma, jeta e saj seksuale ndaloi edhe pse ishte veçse 36 vjeç. Dhe ajo nuk foli fare në shtyp. Pikaso tentoi disa herë ta takonte por ajo ishte shumë krenare. U mbyll si një murgeshë në shtëpinë e saj rrethuar nga kujtimet, objektet, tablotë që i kishte falur Pikaso, vizatimet, madje dhe një letër me një njollë gjaku ku ajo kishte shkruar: «Ky është gjaku i Pikasos»… ishte diçka që i kishte ndodhur në një restorant, por ajo i mblidhte dhe vizatimet me të vogla që bënte Pikaso nëpër restorante.

Një ditë, për ditëlindjen e saj, Pikaso i kishte dërguar një pako të madhe. E habitur ajo e kishte hapur dhe kishte parë atë karrige të vjetër ku ulej në atelierin e Pikasos kur ai e pikturonte. Ishte një karrige e shëmtuar. Pikërisht në këtë kohë dhe Dora nisi të merret me pikturë. Tablo abstrakte të frymëzuara nga Pikaso. Madje ajo hapi dhe një ekspozitë në një nga galeritë me emër të Parisit.
Pikaso asnjëherë nuk e linte veten pa një femër. Që nga koha me gruan e parë Ollga, ato ndërroheshin me njëra-tjetrën. Dhe ai i pikturonte. Prandaj dhe në krijimtarinë e Pikasos, femrat kanë ruajtur shpesh rolin e modeleve.
Në vitin 1958, e mbyllur në vetmi të plotë, Dora Maar i njoftoi të gjithë të njohurit e saj: «Mos më merrni më në telefon dhe ju lutem respektojeni këtë dëshirë që kam!” Piktori i famshëm Balthus, mik i saj, kishte dëshirë të dëgjonte zërin e saj, por ajo nuk iu përgjigj asnjëherë. Ishte mbyllur në manastirin e saj, në fshat apo në Paris. Çdo ditë në mëngjes shkonte në kishën e Saint-Sulpice, në Saint-Germain-dès-Près, lutej aty, bisedonte me peshkopin dhe zhdukej pastaj si një fantazmë. Vitet do kalonin dhe të gjithë e harruan Dora Maar, edhe pse në restrospektivat e Pikasos ajo ishte e pranishme si portret i pikturuar nga ai.

Një ditë, në vitin 1997, njerëzit panë një grua që mezi ecte, gërmuq dhe që shkonte buzë Senës drejt katedrales së «Notre Dame». Sapo kishte mbërritur atje, duke parë lart, nga kambanorja, papritur ishte shëmbur dhe kishte vdekur menjëherë. Personazhi i tablosë «Gruaja që qan», më së fundi kishte vdekur, më shumë se një dekadë pas të dashurit të dikurshëm të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top