Ka disa hamendësime për domethënien e kësaj pikture, që u realizua në shkurt të vitit 1890, në një periudhë veçanërisht të trazuar në jetën e Van Gogh-ut. Ai ishte shumë i dëshpëruar dhe i pashpresë për t’u larguar nga mjediset rrënqethëse të azilit në Saint-Remy, por ishte vendosur që ai nuk do të ishte i aftë ta përballonte situatën i vetëm deri në pranverë. Ndjesitë e tij prej të qenit i bllokuar fizikisht dhe i ngecur mendërisht në një cikël të përhershëm sëmundjesh mendore, përtej mundësive të tij për t’i kontrolluar, janë qartësisht të dukshme.
“Lëvizja e të burgosurve” u realizua në fakt pas një printimi të Burgut Newgate në Londër nga Dore, veprën e të cilit Van Gogh-u e kishte admiruar për disa vite. Van Gogh-u kishte filluar të mblidhte ilustrime grafike nga revistat në fillim të viteve 1880 dhe shtoi printimet e Doumier, Paul Gavami-t (1804-66) dhe Dore-t në koleksionin e tij. Më pas ai iu referua këtyre veprave në vitet e mëvonshme (si dhe printimeve të shumta të pikturave të Millet-it), shpesh duke bërë disa kopje të një imazhi të vetëm. Printimet ishin në bardhë e zi, kështu që Van Gogh-u improvizoi me ngjyrën dhe u dha pikturave interpretimin e tij vizual.
Piktura është realizuar nga artisti me vaj në kanavacë. Mjaft e thellë, pasqyron gjithë tragjedinë e jetës së vetë autorit. Thelbi i imazhit reduktohet në figurat e të burgosurve që enden në një rreth, duke kryer një shëtitje ditore. Ai kalon nën një mbikëqyrje vigjilente, gjë që e rëndon më tej situatën tashmë të trishtë të këtyre njerëzve.
Të gjitha figurat përshkruhen njësoj, vetëm pozicioni i duarve dhe rrotullimi i siluetës ndryshon. Dhe vetëm një personazh dallohet nga të gjithë. Ai është paraqitur në qendër të pikturës. Në fytyrën e tij ka zënë vend ankthi dhe dëshpërimi; dëshpërimi nga paaftësia për ta mposhtur fatin. Në këtë imazh hamendësohen tiparet e vetë autorit. Në fund të fundit, viti 1890 është koha kur Van Gogh-u u trajtua në një klinikë psikiatrike, e cila nuk mund të mos linte gjurmë në krijimet e tij.
Vendi ku ecin të burgosurit të kujton një kuti të madhe guri të zymtë me dritare. Muret e lartë dhe dyshemeja janë veshur me tulla, gjithçka është e ftohtë, prej guri, e pashpirt. Artisti nuk e tregon aspak qiellin, gjë që thekson rëndesën e pozicionit të njerëzve të përshkruar.
Skema e ngjyrave të figurës është një kombinim i nuancave blu, jeshile, portokalli dhe vjollcë. Do të duhej të ishte e ndritshme dhe shumëngjyrëshe, por gjithçka është krejt e kundërta. Van Gogh-u arriti të përcjellë ngjyra të tilla të ndezura të të ftohtit dhe tjetërsimit, të dorëzimit dhe të mungesës së shpresës; tragjedinë e fateve njerëzore.
Duke parë peizazhin e përshkruar, zemra të ngrin nga keqardhje për autorin, për të burgosurit dhe në përgjithësi për të gjithë njerëzit që e kanë humbur veten; të thyer, të paaftë për të dalë kundër vullnetit të fatit dhe për të korrigjuar situatën e tyre. Si rrjedhijë, përshtypja e përgjithshme që tê lë piktura êshtë natyrisht, e dhimbshme. Të bën të mendosh për tragjedinë e jetëve njerëzore, për natyrën ciklike të universit, për thelbin e qenies. Të bën të ndiesh shqetêsimet e njerëzve të tjerë, dhimbjet dhe vuajtjet e tyre.
Përktheu: Arlinda Guma