Midis dhjetorit të vitit 1889 dhe janarit të vitit 1890, Van Gogh-u realizoi këtë pikturë të mrekullueshme të frymëzuar nga një vizatim pastel dhe laps i Jean-François Millet, i datës 1866.
Piktura e Jean-François Millet
Sfida për artistin holandez, siç dëshmohet nga një letër drejtuar vëllait të tij Theo, ishte t’i jepte ngjyrë një vepre me nuanca delikate. Van Gogh-u merr me kujdes të gjitha detajet e vizatimit të Jean-François Millet, por gjurmët e ngjyrës dhe forca shprehëse e penelit e bëjnë këtë pikturë absolutisht unike dhe origjinale.
Gjatë qëndrimit të tij në Saint Remy, artisti shpesh iu përkushtua kopjimit të veprave të piktorëve që donte; kujtojmë, përveç Millet-it, edhe Delacroix-t, Rembrandt-it dhe japonezit Hiroshig. Prandaj, këto kopje ishin homazh për mjeshtrat që Van Gogh-u i admironte, por edhe raste për të eksperimentuar.
Skena është e thjeshtë, Millet kishte menduar çastin e pushimit të merituar, në mesditë, të dy fshatarëve. Në hijen e një mullari të madh bari ne shohim një grua dhe një burrë të shtrirë, fytyrën e të cilit e ka mbuluar një kapele.
Pranë burrit mund të shihni këpucët dhe veglat e tij të punës. Nga larg mund të shohim një karro me qe.
Vincent-i fokusohet në të verdhën-portokalli dhe blunë-vjollcë. Prandaj, kontrasti i plotësuesve e ndriçon kanavacën që ka një fuqi të jashtëzakonshme ndjellëse.
Penelatat janë plot ngjyra, energjike.
Piktura u realizua në mes të dimrit, por Van Gogh-u tanimë e ndjente ngjyrën si një element të pastër shprehjeje, të cilën ai mund ta përcillte falë një stili që tashmë ishte plotësisht i pjekur.
Përktheu: Arlinda Guma