Gazmend Krasniqi
Charles Baudelaire
(9 prill 1821 – 31 gusht 1867)
U desh kohë që modernizmi të përcaktohej kështu siç e kuptojmë sot, po studiuesit pajtohen në idenë se një nga burimet kryesore të tij shihet poezia e Baudelaire-t, i cila zbulon anën estetike të të shëmtuarës dhe dhimbjes. Kodet estetike të Bukurisë dhe Sublimes nuk janë më absolute. Edhe i përzier në turmë, njeriu do të jetojë në vetmi. Bashkëkohorja, e sotmja, bëhet prirja e re në letërsi. Pra, fillesat duhen kërkuar te simbolizmi, i cili përfaqëson një numër prirjesh të ndryshme dhe përpjekjesh individuale. Çfarë kanë të përbashkët ata autorë, esencialisht është protesta kundër shoqërisë moderne dhe teorisë pozitiviste.
Të shohim poezinë programatike të simbolizmit, atë të quajtur “Përkime”:
Natyra është tempull ku kolona bujare
Shpërndajnë anembanë fjalë që s’merren vesh:
Njeriu ca pyje simbolesh përshkon përmes
Përgjuar prej tyre me shikime familjare.
Si jehona të gjata, të pleksura jehona,
Në një nyjë të vetme, të errët dhe të thellë
Siç rri ditë e plotë me natën humbellë,
U përgjigjen plot tinguj, ngjyrime dhe aroma.
Aroma të brishta janë, si një mish fëmije,
Të gjelbra si rudina, të ëmbla si magji,
Shpërbërë krejt disa, disa dehur prej lavdie.
Kanë shtrirje si gjërat tej në pafundësi,
Posi myshqet, temjani, rrëshira e pishave
Që këndojnë dalldisjen e shpirtit dhe shqisave.
Qëllimi i poetit është të ndjekë një sens intuite, me të cilin ai është i pajisur, por edhe me perceptimin analogjik te përkimet që përmbledhin aspektin letrar të metaforës, simbolit, krahasimit dhe alegorisë. Për të pasur këto përkime, duhet gjendur ambivalenca ndërmjet ndijimeve të ndyshme – aromave, ngjyrave, tingujve etj. Baudelaire aludon këto për fenomenin e sinestezisë, ku përzihen ndijimet me njëri – tjetrin. Në realitet kjo nuk mund të ndodhë, por metaforat e bëjnë të mundshme. Arti letrar mund të realizojë një fushë energjie. Ky art, që përmban një element deliri, sidoqoftë është një metodë. Në esenë “Arti romantik”, studim për piktorin Delacrois, Baudelaire thoshte se universi është një magazinë imazhesh dhe shenjash, të cilave imagjinata u akordon një vend dhe një vlerë relative. Në njëfarë mënyre, ai është një tagji që imagjinata duhet ta tretë dhe ta transformojë.
Ndryshe nga poezia e romantikëve, poezia e Baudelaire-t u adresua më tepër nga shpirti, sesa nga zemra. Ajo kishte si qëllim të trazonte zonat më të errëta të mendjes, pjesët përtej ndjeshmërisë së njeriut. Ajo krijoi një bukuri njerëzore jo gjithmonë të lirë nga pasioni, duke u zhytur më tepër në një atmosferë ferri, sesa parajse. Libri “Poema të vogla në prozë” është pjesë plotësuese e domosdoshme për vlerësimin e origjinalitetit të Baudelaire-it. I parë si vazhdim i ciklit “Tabllo pariziane” te “Lulet e së keqes”, ky vëllim vlerësohet si i pari projekt i përcaktuar qartë për të shkruar “në një prozë poetike, muzikore, pa ritëm e pa rimë, mjaft të rrjedhshme e mjaft të hallakatur për t’iu përshtatur lëvizjeve lirike të shpirtit, valëzimeve të ëndërrimit, tronditjeve të forta të ndërgjegjes”.
Siç thotë Elioti, Baudelaire është i pari poet francez që u bë fakt evropian, me gjithë traditën e madhe franceze. Simbolistët francezë, Arthur Rimbaud, Stephane Mallarme dhe pararendësi i tyre Charles Baudelaire, së bashku me kritikun dhe poetin Paul Valery, qenë paraqitur në Britani së pari nga poeti dekadent Arthur Symons në studimin “The Symbolist Movement in Literature” (1899).