Fat fshati-Arben Velo

in Letërsi/Tharm by

Fat fshati-Arben Velo
 

Në fshatin pa njerëz,
mua më ha zhdukja.
Marr frymë thellë, kollitem,
brinjët mbush me ajër.
Në rrugën kalldrëm,
metro kaq e bukur,
çdo gur ngjan
një kokë bashkëfshatari,
nga trupi e këputur.
 
Portat i hodhën gjerdheve si këmisha,
Dritaret i nderën mbi mure si bluza.
Çatitë si kapele vunë mbi kokë,
oxhakët kthyen si çibukë mbi buzë.
Shtëpitë
që torbat s’i mbanin dot,
Hopaa!
I mbartën në shpinë.
Dhe u nisën,
për rrugë.
 
Ikën larg.
Çfarë fati u ra,
e dinë bunarët e lotëve.
Si bizhu i groposën në tokë
qeshjet,
brengat,
kollën,
çdo lemzë.
Ca nuskëza trëndafilash
varën nxitimthi në qafën e kopshteve,
si hajmali kundër syrit të keq.
 
Kërcejnë tani në atë fshat
vetëm xhindet.
Kur erërat
oborreve u bien si def.

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top