Unë vij prej andej-Mahmoud Darwish
Unë vij prej andej dhe kam kujtime
Lindur si gjithë të vdekshmit, e kam dhe unë një nënë
Dhe një shtëpizë me shumë dritare,
Kam vëllezër, miq,
Dhe një qeli burgu me një dritare të ftohtë.
Imja është dallga e rrëmbyer nga pulëbardhat,
Kam timen panoramë,
Dhe një fije bari më shumë.
Imja është hëna në skajin më të largët të fjalëve,
Dhe bujaria e zogjve,
Dhe ulliri i pavdekshëm.
E kam shkelur këtë tokë përpara se shpatat
Ta kthenin trupin e saj të gjallë në një tryezë të mbushur dëng.
Unë vij prej andej. Ia kthej qiellin nënës së saj
Sa herë që qielli qan për të.
Dhe lotoj që të më njohë një re e rikthyer
I mësova të gjitha fjalët e denja për gjyqin e gjakut
që të guxoja e të thyeja rregullat.
I mësova të gjitha fjalët dhe i shpërbëva një e nga një
Për të formuar një fjalë të vetme: Atdhe…
Përktheu: Arlinda Guma

Rita dhe Pushka-Mahmoud Darwish
Rita dhe Pushka-Mahmoud Darwish Mes Ritës dhe syve të mi Është një pushkë Dhe kushdo që