Gazmend Krasniqi
1.
Në kaq vite që Shqipëria është një vend me pluralizëm estetik dhe mendimi, a jemi aty ku kemi ëndërruar të jemi në momentet më të vështira të historisë së saj? Si paraqitet situata me protokollet e leximit të letërsisë shqipe? Çdo kohë ka nevojë për këto pyetje.
Së pari, duhet thënë se ne shqiptarët hyjmë tek ata popuj që, për arsye të ndryshme historiko – shoqërore, nuk patën filozofët e mendimtarët e vet dhe këtë mungesë e kërkuan te poetët, duke i nxjerrë vargjet e tyre nga konteksti i tyre letrar. Kjo ka ndodhur me krijimtarinë e shumë prej poetëve tanë, duke e vrarë kështu poezinë e vërtetë. Për të përforcuar idetë që dalin prej panoramës së mësipërme, kujtojmë edhe se Faik Konica i kishte trajtuar që më 1906 raportet arti – ideologjia, letërsia – ideologjia (pra, arti veç dhe ideologjia veç); se 6 vjet më vonë, Asdreni ka trajtuar raportin letërsia – politika, duke thënë se ka raste kur letërsia dhe politika shkojnë bashkë, siç qe ky momenti i Rilindjes apo romantizmit shqiptar, por vjen një moment që secila ndjek rrugën e vet. Është me interes të kujtohet se ky shkrim i Asdrenit ka ardhur në studimet tona me kuptim tjetër: nuk përmendet pjesa e ndarjes, por vetëm e shkuarjes “dorë për dorë”. Çka, sigurisht, i ngjet një manipulimi shumëvjeçar prej politikës, ideologjisë dhe vetë mendimit letrar.
Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur nga kjo pikëpamje, ndër të tjera, me letërsinë shqipe, kujtojmë:
a. Nga viti 1945 ndërpritet arbitrarisht një traditë e zhvilluar në lirinë e vet: për arsye politike dhe ideologjike, hiqet nga qarkullimi një pjesë thelbësore e kësaj letërsie;
b. Në dekadat që pasojnë imponohen dhunshëm modelet ideologjike që kishte krijuar realizmi socialist.
Pikës a i dolën për zot botimet për historinë e letërsisë shqipe (1959, 1960 dhe 1983), të cilat lidhen me emrin e Dhimitër Shuteriqit, si drejtues i tyre. Largimi prej këtyre teksteve i disa prej autorëve më të të rëndësishëm të letërsisë shqipe i hapi rrugë zëvendësimit të tyre me tekste në shërbim të ideologjisë së kohës, por koha jonë i ka hedhur poshtë plotësisht. Pikës b i dolën për zot shkrime të llojit: Arti është ideologji, në të ka luftë ideologjike, ka mohim të asaj që nuk i shërben shoqërisë sonë dhe pohim të asaj që i shërben. Poetët tanë të mirë, si bij të revolucionit, gjithnjë kanë pasur frymë të lartë revolucionare dhe militante. Poezinë e tyre ata e kanë vënë në shërbim të revolucionit dhe socializmit, duke ruajtur gjithnjë shpirtin kombëtar, duke shprehur psikologjinë kombëtare. (gaz. “Drita”, 11.III.1973)
Modelet që e dëshmojnë kërkesën e këtij shkrimi, por lexuesi i ri as që i ka dëgjuar, janë poema të tilla si “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Sh. Musarajt, “Prishtina” dhe “Pranvera e madhe” të Ll. Siliqit, “Përse mendohen këto male» dhe “Shqiponjat fluturojnë lart” të I. Kadaresë, “Drashovicë” dhe “Alarme të përgjakura” të F. Arapit, “Ashtu Myzeqe” e A. Çaçit, “Proletarët” e L. Qafëzezit, “Heronjtë e Vigut” e K. Jakovës etj.
Janë artikuluar kështu protokollet e leximit, deri më 1990, me rënien e Murit të Berlinit. Në mbyllje të këtyre viteve, Kadareja do të thoshte se brezi që hyri në këtë kohë në letërsi, kishte më shumë lidhje me brezin që hyri në letërsi në vitin 1945-1960, një brez që doli nga Lufta, sesa me brezin 1960-1975, një brez i shkolluar jashtë vendit, edhe pse në Lindjen komuniste.
Shënimet e mësipërme lidhen me emrin e Dritëro Agollit, kryetar jetëgjatë i LSHA. Krahasimi me fjalët që kishte thënë Asdreni më 1912, nuk do asnjë koment. Është e rëndësishme të kujtohet, sepse lidhet me trashëgiminë që kemi sot. Dihet se njeriu formohet në mënyrë të pashmangshme nga konteksti kulturor. Mendojeni pak targetin e kësaj platforme. Mendoni librat e shkollës, libraritë, bibliotekat – botimet shqipe, të traditës dhe bashkëkohore, si dhe përkthimet.
Duke e parë në planin personal – atëherë kur u thanë ato fjalë, përkonin me kohën kur brezi im fillonte leximet e para. Sigurisht, një brez i dënuar.
2.
Meqë i hapëm vend planit personal, dua të nxjerr nga kujtesa një histori që ndodhi në një bar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve në fillim të viteve 90. Po pinim kafe me njërin nga përkthyesit e rinj aso kohe, pa të kaluar socrealiste, që sapo kishte filluar punë në gazetën Drita, kur na erdhi në tavolinë poeti Fatos Arapi, i cili ishte konfident me bashkëbiseduesin tim, por për mua mund të dinte fare pak. E kisha lexuar dhe e respektoja si poet, por figura e tij më kishte mbetur në mendje më fort – vazhdoj ta kem të fotografuar në kujtesë këtë skenë – duke i thënë Rreshpjes, që nuk e di se me kë bënte ca lëvizje peripatetike në atë pjesën si ballkon të klubit të LSHA-së, sa herë ai afrohej: O Frederik, shkruaj ndonjë vjershë! O Frederik! Rreshpja, megjithëse shihej i mikluar, brenda natyrës së tij, prej këtyre fjalëve, nuk i kthente përgjigje, por vazhdonte peripatetizmin e tij.
Në tavolinën tonë foli rreth një orë, por mbaj mend vetëm fjalët kongres, plenum, që përsëriteshin herë pas here. Pra biseda e tij qe e mbytur nga ideologjia. E mbaj mend shumë mirë këtë moment: edhe pa vënë duart në veshë, ia dola, në mënyrë instinktive që fjalët të hynin nga njëri e të dilnin te tjetri: vitet ’90 nuk kanë qenë aq të qeta. E pyes veten nganjëherë nëse ia ka vlejtur ta dëgjoja, por përgjigjja mbetet “jo”. Edhe pse u bëmë miq vite më vonë. Çmimi “Kurora e Strugës” kishte kaluar pa jehonë. Kjo qe arsyeja që e takova dhe e urova, kur u pamë në rrugë. Dukej qartë se iu bë qejfi. Ai e dinte se në atë rrugë mund të më shihte dhe u takuam shpesh. I pëlqente të thoshte se kishte qenë lexues i zellshëm i Salvatore Kuazimodos.
Kur takimet tona u ndërprenë, pyeta për të dhe më thanë se qe i sëmurë. Kërkova të ma tregonin shtëpinë e tij, por më thanë se qe e kotë: familjarët e tij nuk ishin dashamirës me të huajt. Nuk mund ta besoja se do të më pengonin, kur ai ta merrte vesh se isha unë, megjithatë fjalët e njerëzve ma humbën iniciativën pak nga pak.
Arapi mbetet i rëndësishëm në momentin e hapjes së formës së poezisë shqipe. Unë mendoj se asnjë antologji e poezisë shqipe nuk mund të jetë e mundshme pa dy-tri lirika të këtij poeti. Por këtë e mendoj nga krijimtaria e pas viteve ’90. Pjesa tjetër, si në rastin e dy bashkëkohësve të tij më të shquar, është muzeale. Shkroi shumë: mendoj se donte ta kapte kohën e humbur, që ia kishte kushtuar atyre poemave me metafora të ashpra, por edhe momente lirike.
3.
Ia vlen të bëhet pyetja: a qe Agolli pjesë e platformës që shpallte, apo qenë momente ngërçi në një mungesë lirie për t’u shprehur?
Si antologjist, kam bërë përpjekje për të paraqitur prej tij një poezi më të butë, me një gjuhë më të përpunuar. Në antologjinë “Poezi” (2003), ai është prezantuar me poezitë “Zogu i kaltër”, ku dominante është fjala e zgjedhur me kujdes, pa ideologji, edhe pse jo me ndonjë përshkënditje të veçantë dhe ndërtimi i një strofe 5 vargëshe, si dhe me një përshtatje nga poezia e R.Burns, “Findlej”, ku përsëri është dominante gjuha e zgjedhur, pa ideologji, dhe ritmi virtuoz. Me këtë përzgjedhje ndihej prirja që tregonte se me çfarë mund të mbetej ai në poezinë shqipe.
Meqë dukej sikur i qe ngrënë haku para dishepujve të tij, më vonë u shtua poezia “Mos ma kujto”, shumë e përhapur dhe e popullarizuar në rrjetet sociale. Por edhe në këtë poezi, me gjithë përdorimin e disa mjeteve stilistike të përsëritjes, ligjërimi është deklarativ dhe i drejtpërdrejtë. Fjalët janë me kuptimin e tyre si në fjalor. Nuk godasin me përzgjedhjen e tyre, por janë në shërbim të një mesazhi konkret. Pra na duhet të lexojmë poezinë hap pas hapi për të arritur në mesazhin që ajo përcjell.
Sot mund të shihet se atë e përfaqëson më mirë një letërsi fabuleske, që mund të përdoret në ciklet shkollore parauniversitare. Gjuha e tij prej ligjërimi klasik, sipas konceptit barthean, nuk i përgjigjet analizave universitare, sipas teorive letrare moderne. Kështu, në përgjithësi, vjen si poet “minor”. Pra, më minori ndër të mëdhenjtë dhe më i madhi ndër minorët. Qoftë edhe me ato pak lirikat që janë bërë këngë dhe janë popullarizuar. Megjithëse atë përshtatjen e “Findlej” do të doja ta kisha bërë unë. Së bashku me Ali Podrimjen, mund të shihen si poetë të fryrë, që nuk i bëjnë shërbime të mira poezisë si poezi.
I dyti dëmtohet nga ideologjia kombëtariste, e cila duket sikur e mbulon për një moment mungesën e mjeshtërisë. I mbeten disa eksperimente. Aspekti i jashtëm i diskutimit, i llojit “po e vrava arbëreshin, kush do ta vrasë ujkun”, nuk shpëton nga mbiinterpretimet, për të mos thënë banalizimi, si shumë poezi të Agollit.
4.
Kadare mbahej gjithmonë si më intelektuali, megjithëse kjo fjalë nuk ka ndonjë kuptim të veçantë kur bie fjala për poezinë. E lexoja, duke kërkuar te poezitë e para, që nuk qarkullonin shumë, sikur do të zbuloja ndonjë sekret, por pa fituar ndonjëherë ndonjë entuziazëm. Kështu që, një herë, kur më erdhi në shtëpi njëri nga miqtë në shijet e të cilit besoja, dhe, pasi i tregova librin, i thashë: Hape ku të duash dhe më thuaj përshtypjen e leximit.
Kujtesa ma sjell të freskët këtë moment: nuk mund ta mbronte idenë e parë.
Sigurisht, është naive ta mendosh se nëse e shmange një model, e gjete rrugën që të duhet. Të paktën në Shqipërinë e asaj kohe.
Në vitet ’90 Arshi Pipa qe i pari që tha për përmbledhjen e librit “Ftesë në studio”: Nuk janë poezi. E shkroi te gazeta “Dielli”. Është i njëjti shkrim ku ai çmonte tepër lart portretin që Kadareja i bën Poradecit.
Ashtu si në rastin e Arapit, Kadare mbetet i rëndësishëm në momentin e hapjes së formës së poezisë shqipe. Asnjë antologji e poezisë shqipe nuk mund të jetë e mundshme pa dy-tri lirika të këtij poeti, por këtë herë nga krijimtaria që lidhet me fillimet e krijimtarisë: me qëndrimin e tij në Moskë, ku, në shembullin e Majakovskit, po jepte ndihmesë për hapjen e formës në poezinë shqipe. Shto: përdorimin e lirë të një leksiku tjetër. Siç e kam bërë tashmë këtë në tri antologjitë e poezisë shqipe të hartuara prej meje. Pjesa tjetër është muzeale.
Përmbledhja më e mirë është ajo që ka bërë vetë: Ca pika shiu ranë mbi qelq. Aty ndjehet mënyra se si e ka kërkuar hapjen e formës. Parathënia e Ali Podrimjes është e sforcuar, nga nevoja për të mos i thënë gjërat, dhe nuk paraqet interes.
Një herë, në një bisedë mes nesh, u përmend emri i Kadaresë dhe Azem Shkreli, poeti për të cilin vazhdoj të ruaj “me rëndësi të veçantë për poezinë shqipe”, më tha: Ai do ta bënte edhe poezinë, por iu kushtua prozës. Kjo më kujton atë që themi shpesh: Si do të kishte shkruar Migjeni pas vitit 1945? Pra, në rastin e Kadaresë, a do të kishim një Jevtushenko?
Shumë e vështirë të merresh me këtë çështje hipotetike, pa rënë në patetizëm.
Në gjykimin tim, nuk ishte aspak refuzues në bisedë, siç njihet rëndom. E kam takuar vetëm një herë, në rrugë, dhe kishte dëshirë të fliste pa fund. Aty dëgjova prej gojës së tij për befasinë që kishte shkaktuar tregimi “Para banjës” në Hungari, një punim mbi të cilin kishte kërkuar të shoqërohej me një shënimin tim.
A ndjehej postmodernist, siç qe paraqitur në atë tregim? Pas atij takimi, kam ëndërruar të bëj një bisedë të gjatë me të, për të “zbuluar” mendimin e tij letrar, tashmë në kohë lirie, pasi para viteve ’90 nuk mund të shfaqej hapur, por kjo bisedë nuk u bë kurrë, ca për pengesa objektive, ca për pengesa subjektive. Mbaj mend të jetë prononcuar dikur për botimin “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), ku kërkonte më shumë vend për autorët e vjetër, si dhe për tekstet shkollore për fëmijët, ku duhej të futeshin klasikët dhe jo thjesht shkrimtarët që “shkruajnë” për fëmijë. Si dhe shkrimi i lartpërmendur për tri fazat. Gjithmonë kam menduar se eseja për Migjenin nuk i sillte gjë mendimit letrar: ishte gjithmonë përtej tekstit. Vetëm te “Bisedat me Alain Boskenë” shpreh një intuitë për t’u marrë në konsideratë të veçantë: Një harmoni sipërane bën që jo vepra e krijuesit të burojë prej jetës së tij, por, përkundrazi… Është paragrafi fundit i këtij libri.
Sidoqoftë, duhet të kujtojmë se Kadareja ka dhënë këtë vështrim për poezinë e realizmit socialist. Poezia, në të kundërt me atë që thonë shkrimtarët e ish-bllokut të Lindjes, që e prezantojnë si avangardë të letërsisë, ishte turpi i letërsisë. Pjesa më e turpshme, më deklarativja, më entuziastja, më socialistja, më komunistja, më idiotja. Të gjitha vendet komuniste mundohen të mbrojnë poezinë, të tërheqin antologji poemash nga qindra-mijëra ekzemplarë dhe… por nuk dua të flas, kjo ma pështiros të gjithën. Në fakt, mendoj se poezia është më fajtorja mes zhanreve letrare në bllokun e vjetër komunist. Ishte më agresivja, më pozitivja për sistemin. (Sipas Le magazine litteraire – Gazeta Shqiptare, 9 mars 2009).
5.
Kujtoj se dikur u mërzita aq shumë nga “Antologjia e poezisë franceze”, sa ia dhashë dikujt që aspironte të shkruante, duke i thënë të mos ma sillte më, sepse mezi prisja të shpëtoja prej antologjisë që e kisha menduar si shpëtim.
Në të vërtetë, ia kërkova kohë më vonë: kishte ecur mendimi im për poezinë. Atëherë e pashë se sa shumë i shijoja dy përkthimet e Lasgush Poradecit, edhe pse e dija se nuk do të shkruaja ashtu. Ishin të vetmet që më sillnin idenë e poezisë. Nuk kishin fjalë false, siç shprehej Lasgushi. Qenë poezitë “Mesditë” e Leconte de Lisle (parnasian) dhe “Mulliri i vjetër” e Emile Verhaeren (simbolisti belg). Si shpjegohen vlerat e tyre? Lasgushi u kap te poezia që shihte pranë vetes dhe i shqipëroi ato, duke i rikrijuar. Pra, poezia duhej të tingëllonte e shkruar shqip, sepse i ofronte të vetmen mënyrë të artit që dinte të bënte.
Vetëm për to e ktheva librin në bibliotekën time. Vazhdoj ta kem.
Antologjia e poezisë turke, e cila në fillim ngjallte interes, u vjetrua shumë shpejt. Nuk më kujtohet asgjë. Dhe nuk e kam më. Por besoj se qe përkthyer përgjithësisht nga gjuhë të tjera.
Kanë poetë të mirë, i thashë një herë Rreshpjes, duke pasur parasysh antologjinë e poezisë greke. Nëse do të përktheheshin mirë, ma ktheu. Më vonë u bënë libra më të mirë me poezitë e Kavafit, Seferisit dhe Elitisit, poetë që më interesonin dhe vazhdojnë të më interesojnë. U përkthyen më mirë. Siç thotë Elitisi në fjalimin që mban me rastin e marrjes së çmimit Nobel: na njihni ose ju njohim rreth 10 apo 30 përqindëshit që mbetet nga përkthimi.
Edhe pse duket e kundërta, kam mësuar më shumë nga poezia shqipe e traditës, sesa ajo botërore. Unë e kam bindje të ngulitur se duhet t’i afrohemi gjithnjë e më shumë idesë së sistemit letrar. Asgjë nuk e përcakton më shumë një poet sesa tradita e gjuhës në të cilën ai shkruan. Edhe për të qenë ndryshe, është tradita ajo që të përcakton. Po të mos e kuptojmë këtë, nuk kemi marrë vesh asgjë nga poezia.
Dukej sikur në Shqipëri nuk do të vinte asnjëherë koha kur poezia të mos ishte në shërbim të diçkaje, por të qëndronte mbi bazën e poezisë si të tillë. Presioni i librave të shkollës, i mekanizmit të vlerësimeve letrare e shtynin më tej këtë horizont. Në vitet ’90 erdhi një brez refuzues, por për mua refuzimi nuk e bënte poezinë dhe këtë e kam ilustruar shpesh me rastin e piktorit Sezanne, që thoshte se donte ta bënte pikturën “artin e muzeve”.
Ishte krijuar më kot ideja se poezia shqipe nuk ofronte modele për t’u ndjekur. Kam dëgjuar njerëz duke ulëritur kundër poezisë së Migjenit dhe nuk pranonin asnjë argument tjetër. E pra, ata nuk e dinin se po lexonin Migjenin e Shuteriqit (sipas një punimi të hershëm të këtij të fundit), dhe jo Migjenin Migjen. Modelet mbeteshin për t’u zbuluar vetë. Kush e kishte çuar ndërmend se më shumë të mësonte poezia e Jul Varibobës se sa ajo e një antologjie të tërë të huaj, të përkthyer pa kulturë letrare!
Në një intervistë të hershme (revista letrare Ars), në listën time të vlerësimeve mungonte Camaj, i cili sapo i ishte prezantuar publikut shqiptar. Në kohën që ndodhte kjo isha nën presionin e mendimit lasgushian: pak poezi, i cili qe shprehur (“Lasgushi më ka thënë”): Poezia duhet të jetë cilësi, jo shumësi. Mos ki frikë, se ke shkruar gjithë jetës sate vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkruar njëqind poezi. Lasgushi bënte variante pa fund, duke besuar se ekziston përsosja. Rreshpja mohonte vazhdimisht të shkuarën, duke besuar, po ashtu, se ekziston përsosja.
Camaj ishte ndryshe: paniku i tij ishte se çfarë po ndodhte me letërsinë shqipe në përgjithësi, në një moment të vrasjes së lirisë së saj. Për këtë arsye, është poeti që të jep dorë më shumë kur flasim për lëvizjet letrare të shek. XX, sepse poezia e tij tri faza, nga tradicionalja, te modernizmi dhe postmodernizmi. Antiheroizmi dhe vargu i lirë, karakteristika të modernizmit, shqiptohen në vëllimin Njeriu më vete e me tjerë, thotë Arshi Pipa. Ndërsa vepra Dranja, madrigale, do të na jepte ngacmimin për një diskutim të saj si vepër postmoderniste.
6.
Është koha për të folur për një letërsi postideologji, me markën e postmodernizmit, që ka një peshore tjetër nga pikëpamja e poetikës, e parë shpesh edhe si një metapoezi, apo desakralizim i gjinisë, ku:
– Dekanunizimi i standardeve kulturore, veprave dhe autoriteteve të mëparshme përcakton mohimin e autoritetit të autorit, zhvlerësimit të qëllimeve dhe synimeve të tij;
– Shmangia e seriozitetit dhe e përgjegjësisë, duke nxitur arbitraritetin dhe lojën, argumenton që kuptimi është i papërcaktuar, duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer, përzien zhanret, zhvesh kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë;
– Kundërshtimi i së pritshmes, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin, përcakton shkatërrimin e burimet e veta me parodi, ironi, pastiche, si dhe fragmentimin e teksteve, duke i kthyer në kolazhe e montazhe;
– Meqë poezia është një art intertekstual, ndërtimi i një teksti të ri mbi shtresat e teksteve të vjetra, përcakton funksionimin si një realitet i ri artistik, pra si një tekst i ri poetik, që të kujtonte parimin e përmendur të poetikës së “kaleidoskopit”, përshkuar nga koncepti postmodernist i “ironisë intertekstuale”.
7.
Gjithashtu, është koha për t’u orientuar drejt në analizat tekstuale.
Kur Frederik Rreshpja kishte shkruar për realizmin socialist, ishte brohoritur dhe ishte futur nëpër antologji. Pas viteve ’90, pas 15 vjet mungese nga përjashtimi që i bëri politika, kur shkroi lirika për një lexues të nënkuptuar – pra këndoi si zë i parë, vetëm për vete – ai nuk pati pritje, as nga lexuesi, as nga kritika. Ndryshe nga poetët e tjerë të realizmit socialist, u la mënjanë. Sot e kësaj dite, ai mungon në kurrikulat mësimore të gjimnazit. Rrjedhimisht, nuk njihet as në universitet. E kundërta ndodh në Kosovë: atje është i përfshirë në kurrikulat mësimore të gjimnazit. Lexuesi i nënkuptuar, për të cilin ka shkruar Rreshpja, është aktivizuar atje. Në Shqipëri vazhdon të jetë i popullarizuar një poet si Agolli: ai vazhdon të ketë zgjatimin e lexuesit që ka pasur gjatë periudhës së realizmit socialist, të cilin nuk e gjen në Kosovë.
Për atë që di se si funksionon natyra e letërsisë, teoria letrare moderne, që vepron në liri, e ringjall dhe e dinamizon sistemin letrar të produktit letrar të një gjuhe. Ajo zgjon vlerat e mirëfillta letrare dhe i shpalos mundësitë e tyre, duke e vendosur vetë lexuesin përballë tekstit, pa politikë e ideologji. Një vepër letrare duhet të konsiderohet një unitet organik, pjesët e ndryshme të të cilit janë në lidhje të një tensioni harmonik me njëri-tjetrin. Është detyra e lexuesit të njohë dhe shprehë këtë harmoni.
Kjo arrihet duke përdorur “close reading” (lexim të mbyllur): teksti izolohet nga çka e rrethon, nga rrethanat, qofshin ato historike, biografike, sociale ose politike. Kjo nënkupton atë që u quajt lexuesi i nënkuptuar. Që Umberto Eco e quajti lexuesi model. Lexues i nënkuptuar do të thotë se çdo lexues duhet të marrë përsipër që të realizojë potencialin e ofruar nga teksti. Tekstet bëhen të gjalla vetëm duke u lexuar: është e nevojshme që ato të konkretizohen në “aktin e leximit”. Lexuesit motivohen të marrin pjesë dhe të rrokin pikëpamjen e prodhuar nga teksti.
T’i përdorim këto kritere vlerësimi për të bërë një analizë kritike krahasuese mes vetë produktit letrar të poetit Agolli dhe bashkëkohësit të tij, Frederik Rreshpjes, i cili ndryshe nga i pari, e çoi jetën në burgjet politike, prandaj nuk mund t’i përgjigjej më platformës politike dhe ideologjike. Një shembull nga ky i fundit:
Një shelg i vetmuar, mbuluar me dimër
Braktisur nga zogjtë dhe gjethet:
Era si ketër kërcen mbi drurin
Me boçen e shiut ndër dhëmbë.
Netët e lumtura, si zilka
Tringëllijnë në degët e kujtesës…
Vizatohen në sfond të vetëtimave
Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës.
Rënë nga xhami i thyer i qiellit
Kristal i akullit yllëzon netëve
Dhe mbi pastelet e borës mardhet
Shelgu i trishtuar, fatkeq si Serembe.
(Vinjetë)
Çfarë do të thotë: Vizatohen në sfond të vetëtimave/ Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës. Apo: Era si ketër kërcen mbi drurin/ Me boçen e shiut ndër dhëmbë. Nga denotacioni i fjalëve te poeti i parë, kemi kaluar te konotacioni i fjalëve te poeti i dytë. Këto formulime nuk janë të përdorimit të përditshëm, prandaj, fillimisht, e hutojnë lexuesin. Fjalët ketër, shi, erë etj., nuk na vijnë me kuptimin që kanë në fjalor. Poezia është plot ambiguitet. Ajo që e bën një tekst letrar nuk janë “fjalët në faqe”, por një konkretizim i asaj që është lënë të kuptohet në tekst dhe ndërveprimit midis lexuesit dhe të dhënave të papërpunuara të tekstit. Në këto vargje gramatika është shndërruar në prozodi, një përthyerje që zgjat sa për të paraqitur fjalën si mister. Përthithësi i poezisë përplaset te Fjala ballas. Çdo fjalë poetike bëhet objekt i papritur, nga ku brofin aftësitë e ligjërimit. Mbrujtja e poezisë vjen vetëm si efekt strukture – pa përfillur përmbajtjen e ligjërimit – pa u ndalur në përforcimin e një ideologjie.
Në mënyrë që të zhvillohet takimi pasurues me tekstin, duhet të jemi të kujdesshëm kur i afrohemi atij, sepse pritet që të çlirohemi nga:
– përpjekjet për të parafrazuar një vepër arti, gjë që është quajtur “herezia e parafrazës”
– supozimi se një tekst është identik me qëllimet e autorit të tij (ky gabim quhet “gabim i qëllimshëm”),
– dështimi për të bërë dallimin mes vetë tekstit dhe efekteve psikologjike që ai shkakton mbi lexuesit e saj (“gabimi afektiv” fillon nga përpjekja që e nxjerr standardin e kritikës nga shkaqet psikologjike të poezisë, duke përfunduar në biografi dhe relativizëm).
Një hulumtim i vogël mbi formën dhe çfarë kuptimi mund të kenë forma të ndryshme e bën më të lehtë të kuptohet pse dhe si janë të rëndësishme zgjedhjet e autorit. Shikimi më nga afër i tekstit na ndihmon të përsosim vëzhgimet dhe hamendjet tona. Gjetja e fjalës së zgjedhur të një teksti na ndihmon të “gërmojmë” gjithnjë e më thellë.
A ka fjalë që bien në sy te shembulli më lart? Bie në sy vendosja e tyre: çdo fjalë është e rëndësishme. Me boçen e shiut ndër dhëmbë, kërkon imagjinatën tonë. As boçe, as shiu nuk janë më fjalë që gjejmë në fjalor. Jemi kështu te kodi ligjërimor metaforik – një përdorim poetik i gjuhës: jashtë imagjinatës është e pamundur që A të jetë B, pa pushuar së pari të jetë A. Metafora jo vetëm që e mohon këtë, por e tregon dhe e miraton që ajo mund të jetë: pra, afirmon çfarëdo që mund të bëjë imagjinata.
Fjalët nuk shenjojnë botën e jashtme, por aktet e intuitës poetike. Kështu krijohet një poezi me shumë informacion. Kemi një objekt më shumë në botë, sesa një pasqyrim të botës. Kemi synimin e artit për të përtërirë një gjuhë të varfëruar nga stërpërdorimi.
8.
Arrijmë në përfundimin se poezia shqipe e pas ’90-tës i pati punët pisk me shqipen, e cila ishte korruptuar nga realizmi socialist, me ndërhyrjet e shumta ideologjike. U desh shumë punë për t’u kthyer tek ideja se qëndrimi lirik nuk mëton të bindë të tjerët. Ai vetëm sa u ofron të tjerëve një mundësi për të marrë pjesë në atë që ai ndjen dhe përjeton. Në gjendjen e tij lirike, njeriu nuk ka nevojë për kënd tjetër. Nëse, në vetminë e tij, ai nuk i kthehet dhe nuk i flet ndokujt, tjetri nuk është armiku i tij.
Ky qe kthimi te zëri i parë, karakteristikë e lirikës: poeti i flet vetes ose askujt.
Protokollet e leximit në Shqipëri vuajnë reminishencat e të shkuarës së largët dhe të afërme dhe tërheqin vëmendjen për rishikimin sa më të shpejtë të kurrikulave shkollore. Arsyeja e vonesës së tij i paguan haraçe mënyrës se si e kemi parë dhe e shohim letërsinë të lidhur me historinë, duke harruar se këto disiplina janë ndarë prej kohësh.