Humori si cilësi e fitimtarëve/Introduksion për romanin “Bob Legjenda” të autores Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Tirana Review by

Është e vështirë që një shkrimtar, në këtë kaos idesh dhe përmbysjesh vlerash të shoqërisë, të ruajë drejtimin e anijes personale, sepse më shumë se dallgët e sipërfaqes së oqeanit, janë rrymat e nënujshme që mund të influencojnë timonin e anijes së tij. Zbulimi i këtyre rrymave të nënujshme, është edhe objektivi i parë, sigurisht, i padeklaruar, i autores së këtij romani.

Kujtim Drishti

Në qoftë se ka një roman realist, që shpaloset me forma shpesh surrealiste, dedikuar kërkimit të rrugës filozofike, etike dhe psikologjike, të një shkrimtari të ri, “Bob Legjenda” është një prej tyre.

Në qoftë se ka një roman që vazhdon rrugën e Erich From-it, për të shpjeguar marrëdhëniet psikologjike të njerëzimit me diktaturën, ky është përsëri njëri prej tyre.

Shoqëria e sotme shqiptare është e lirë deri në pikën ku çdo kufi moral, ashtu si dhe kufiri midis moshave, është turbulluar nën presionin e ligjeve të tregut të lire. Kjo liri i ka vënë detyrën individit të gjejë kuptimin e lirisë së tij në një fazë kaotike. Kaosi i ideve, i vënë përballë arsyes, shikohet si skizofreni. Skizofrenia prodhon burleskun, paradoksin dhe surrealizmin, të cilëve, vetëm shkrimtarët dhe poetët dinë t’ua kuptojnë sekretin e t’i transformojnë në art dhe letërsi, për të prekur ndjenjat e njerëzve e për të ushqyer koherencën e arsyes njerëzore. Kështu njerëzit do ta duan paradoksin, absurdin, surrealizmin dhe figurat letrare të tyre, për t’u distancuar prej shëmbëlltyrave të tyre reale me anë të letërsisë dhe artit. Në këtë distancim, ata do të shikojnë më qartë se çfarë ndodh brenda kaosit  e do të dinë t’u vënë emër ideve dhe fenomeneve të jetës për të shkuar drejt kthjelltësisë.

Këtë bën dhe autorja e këtij romani  nëpërmjet personazhit kryesor të tij. Ky personazh, që përpara se të qeshë të tjerët, ironizon veten. Të qeshësh veten është një cilësi që njerëzit depresivë nuk munden ta bëjnë kurrë. Humori është cilësi e fitimtarëve; këtë vizion me humor dhe ironi na sjell Arlinda Guma në këto kohë të turbullta të Shqipërisë dhe botës.

Është e vështirë që një shkrimtar, në këtë kaos idesh dhe përmbysjesh vlerash të shoqërisë, të ruajë drejtimin e anijes personale, sepse më shumë se dallgët e sipërfaqes së oqeanit, janë rrymat e nënujshme që mund të influencojnë timonin e anijes së tij. Zbulimi i këtyre rrymave të nënujshme, është edhe objektivi i parë, sigurisht, i padeklaruar, i autores së këtij romani.

Busulla e tij është njerëzorja, për të mos thënë, morali i milingonave.

Arlinda Guma na jep një mijë refleksione të bukura, të dhëna befasishëm, si kupa kokteili. Ky kokteil është një përzierje humori dhe mendimesh, të dala me shkathtësi nga thellësitë e oqeanit të jetës njerëzore, e që vijnë natyrshëm nëpërmjet gojës së personazhit Bob Legjenda. Por vetëm dy ose tre prej tyre fymëzojnë boshtin e historisë: Melodia “tiranike”, Konja Adrian-Miss Mirësia e Padurueshme dhe “Hardhuca Aventuriere”.

Bobi  midis  “Diktaturës” dhe Dashurisë…

Bob Legjenda ka kuptuar se diktatura shfaqet atëherë kur dëmtohet bota e ndjenjave tek njeriu, në pikën që ai nuk është i aftë të ushqejë as mëshirë dhe as dashuri.

Kjo është akuza më e rëndë që ai i bën njerëzimit të sotëm. Prandaj dhe kopertina  e librit mban një kaskë ushtari mbi një mur me tulla, të lyera me të bardhën naive, muri i varfër dhe i sinqertë i njerëzimit, që përgjigjet me “Jo!” ose me “Po!”,  vetëm me Arsyetim e pa Zemër ose vetëm me Zemër e pa Arsyetim. Ky model që kërcënon njerëzimin është transformuar tek personazhi kryesor në një fobi.

Bobi e ka jetuar vetë këtë eksperiencë. Ai ka dashuruar violinçelisten Melodi, por ajo e ka bërë “gjysmë njeriu” i thonë shokët me shaka, e ka “torturuar” psikologjikisht, aq sa atij i duket se ajo është nanurisur në fëmijërinë e saj “me muziken e Wagner-it”, kompozitor i preferuar i Hitlerit.

“Tregimin e parë ma hëngri qeni. Romanin e parë ma dogji Melodia”, ironizon me një humor të zi Bobi.

Ai shkroi një roman të dytë, këtë herë kushtuar Melodisë. Dhe njerëzit u dashuruan me Melodinë  dhe autori mori çmimin Autorit i Vitit.

Autorja nuk qëndron vetëm në lidhjen midis turbullimit të botës së ndjenjave dhe toksicitetit të diktatit. Ajo shkon më larg, akuzon mungesën e ngrohtësisë së ndjenjave si shkak i çdo mosmarrëveshjeje njerëzore. Kjo na kujton autorin Marchal Rosenberg, i cili ka shpikur “metodën e diskutimit në paqe të gjërave që shkaktojnë zemërim”. Në këtë roman, të gjithë personazhet na duken si të papjekur në planin emocional. Në qoftë se Rosenbergu shpjegon se ç’është pjekuria e shprehjes emocionale, Arlinda Guma shkruan një roman për mungesën e saj.  Kur Inteligjenca Emocionale e njerëzve është e ulët dhe Koeficienti i Inteligjencës së tyre është i lartë (shqiptarët e kanë Koeficientin e Inteligjencës të lartë), atëherë ky koeficient, për kompensim bën dredha zgjuarsie që konkurrojnë ndjenjat, ato që ne i quajmë “njerëzore”, dhe kapet në gjërat materiale ose abstrakte dhe joshpirtërore të jetës. Një njeri pa shpirt është njeri bosh për personazhin tonë Bob. Prandaj ai ankohet se universi i ka dërguar një pako me zbrazëti, atëherë kur krejt papritur kupton se nuk e do më Melodinë.

Por kjo papjekuri  e shprehjes emocionale prodhon dramën. Dhe për  autoren “mungesa e dramës për ballkanasin është si mungesa e sheqerit në gjak”. Këtu meritë e Bobit nuk është vetem humori i tij, por edhe vënia e gishtit mbi plagen tonë: në papjekurinë apo devijimin emocional që prodhon midis të tjerash edhe narcizë si Hilteri & Company

Personazhi Bob e kupton dhe e kritikon veten. Duke e analizuar, ai ka kuptuar se vështirësia e lindur në marrëdhënien  me regjisoren Adrian, i vjen nga paaftësia e të shprehurit-kuptohet: këtë herë, jo në letër si shkrimtar, por si njeri konkret në marrëdhënie direkte me njerëzit, në marrëdhënien direkte me personin që ai dashuron . “Je kaq i patakt! Je kaq i pavend! Kaq i papërshtatshëm!”, i thotë Konja Adrian. Personazhi ynë ka një “problem” psikologjik, që është mesa duket një problem i të gjithë njerëzve që e rrethojnë. Vetë mirësine e regjisores, ai e quan “të padurueshme”… Një shkrimtar në jetën e tij të përditshme është gjithnjë larg veprës së tij shembullore për njerëzit, fenomen ky i njohur nga mbarë njerëzimi. Por ne jemi futur në një etapë të historisë njerëzore ku mirësia e njerëzve, një vlerë pa vlerë, në një realitet të vrazhdë, i vret ndërgjegjet e tyre. Analiza e Bobit për veten është paraqitur në fjalët diagnostikuese të regjisores, të cilat ai i pranon po me aq çiltërsi sa ç’pranon edhe epitetin “e padurueshme” që  i  vendos nga pas mirësisë së saj.

Dhe kjo është një lojë shumë e bukur e autores Arlinda Guma. (Rrëfimi është i mbushur me skena të tilla.) Në këtë çekulibër sentimental ndodhet Bobi; midis një dëshire fëminore për të marrë dashuri dhe një sjelljeje prej të rrituri që nuk jep dashuri. Dhe kjo, prej frikës se mos ngjan “rozë”. Ai nuk shqipton dot një “fjali”. Madje ai pyet: “Po njerëzit prehistorikë, si ia kanë dalë ta thonë atë fjali me aq lehtësi?” Kuptohet se këtu bëhet fjalë për fjalinë e thjeshtë: “Të  dua.”

Historia  e dashurisë merr një konkluzion sa filozofik aq dhe psikologjik, që mban vulën ballkanike: Kush e drejton njeriun mendja apo zemra? Ai i jep përgjigje kësaj pyetjeje në roman.

Personazhi ndjen në një çast të historisë së tij “një mall të papërfillshëm” për zonjushën Adrian, të cilën ai e dashuron, por duke analizuar papërfillshmërinë e këtij malli që ndjen, ai e lidh atë me pavetëdijen e ballkanasve. “Meqë Ballkani ka qenë vazhdimisht i pushtuar, gjithçka për të është çështje uzurpimi… Ka diçka prej kështjellash në përballjen e pavetëdijes ballkanase me sentimentet, sidomos në atë femërore…. Edhe Konja Adrian është kështjellare si gjithë të ngjashmet e saj ballkanase që flenë me thikë nën jastëk.”

Kjo analizë e autores, vendos bazat e shpjegimit të një fenomeni social-psikologjik të adaptimit të njeriut në kondita lufte, adaptim që për konditat e paqes na del si mosadaptim, si një turbullim i sjelljes që prodhon tiraninë individuale. Prandaj personazhi pyet: “Çfarë ka përtej fitores? Përtej rënies së një kështjelle? Dhe jep përgjigje: “Ky është çasti kur përfytyrimi nuk përgjigjet.”

Por Bob Legjenda i di përgjigjet dhe përgjigjia i fut frikën, sepse fenomenet e prodhuara vijnë nga njerëzit rreth tij dhe nga vetja. Pohimin me zë të lartë të dashurisë së tij për zonjushën Adrian: “trëndafila të kuq të gjithë… ” ai e shikon me shpoti si një zgërlaqje të individit ose çështje uzurpimi.

Nëse ka një aspekt ku lexuesit i duket se personaliti i personazhit kryesor ngjan i pazakontë, kjo vjen pikërisht sepse prej tij lind një çekuilibër midis shprehjes emocionale dhe shprehjes racionale, sepse ndjenjat e tij e mbajne kokën “nën llogore”, prandaj kur njerëzit pas 5000 vjetësh do të vizitojnë vendet ku ka jetuar Bob Legjenda, do të thonë (sipas tij), se ky është vendi ku gjeniu ynë e përballoi me aq dinjitet agresionin e regjisores (në fakt ajo e kish puthur me pëlqimin e tij.)

Ky roman është një argument psikologjik i parë, argumenti psikologjik më i thellê që shpjegon lindjen e asaj qe njerëzit do ta quajnë më vonë: “Konflikt psikologjik”, e deri në një nga funksionet  e konfliktit, deri në “tirani”. Ky është dhe boshti rreth të cilit është ndërtuar ky roman. Degët e tij  janë tê shumta, siç është edhe diktatura e konformizmit. Bobi ynë është antikonformist. Konformizmi është një ndër shfaqiet e çmendurisë njerëzore. Ai punon me kallëpe. Dhe njerëzit, si dhe gazetarët duket se nuk kanë dalë nga kallëpet.

– A kanë morra komunistët? – pyet Ema e vogël.

– Nuk e di. Edhe mund të kenë, – përgjigjet pa të keq Bobi. Pastaj shton: – Nja dy që kam njohur unë, nuk i kam parë ndonjëherë ta kruanin kokën..

– Dy shokë te kopshti im e kruajnë kokën… janë komunistë?… – pyet vogëlushja e menduar.

Kjo skenë komike na bën të mendojmë se njerëzit aq shumë e kanë harruar komunizmin sa nuk janë në gjendje të vleresojnë kuptimin e peshës që u është vënë në dorë: zgjedhjet, esencën e realitetit të tyre. Ata vazhdojnë të çorientuar, akoma të akuzojnë komunizmin për vuajtjet e përditshme të jetes në kapitalizëm, i cili këtë herë, më shumë se ç’bëri komunizmi, është futur në qelizën egoiste për t’u bërë i vetmi motiv i lëvizjes njerëzore. Por egoizmi i promovuar në vetmi, e kthen njeriun në një kafshë dhe shoqërinë në xhungël.

Struktura e romanit dhe teknika

Struktura e romanit është e veçantë dhe origjinale, sepse ajo nuk bazohet  më shumë në vetë ngjarjen – që është e thjeshtë, pa konflikte të rënda që prekin ekzistencën  e njeriut – sesa në sekuencat e  shpalosjes së mendimeve të personazhit Bob, në parimet themelore filozofike dhe etike, përballë ngjarjeve dhe njerëzve.

Në dilemën mijëvjeçare të shkrimtarëve: t’i japësh prioritet ngjarjes apo personazheve?, autorja  ka zgjedhur personazhet dhe analizën e tyre, nën humorin dhe ironinë e fitimtarit Bob Legjenda.

Për ta bërë më të lehtë ndjekjen e rrëfimit të personazhit Bob Legjenda, romani është ndarë në proza të shkurtra, uniteti i të cilave krijohet nga ngjarja e thjeshtë: (romani që u kthye në skenar filmi dhe realizimi i filmit me të njëjtët personazhe), të sjellë nën vështrimin komik të Bobit. Kjo i lejon autores që, duke zhvilluar temën  kryesore të raportit të emocioneve dhe ndjenjave të turbulluara me sjelljet e njerëzve, të mund t’i japë forma eseje veprës së saj, duke kaluar nga nëntema në nëntemë. Këto nëntema përbëjnë në veten e tyre “esé” me, herë peshën e psikologjisë  dhe pedagogjisë (fëmijêt nuk janë përjashtuar nga bota rrethuese), herë të etikës apo filozofisë së shkrimtarit. Në përgjithësi, në çdo kapitull autorja vihet në marrëdhënie me një apo dy nga personazhet e tij.

    Arlinda  Guma

Hapësira e romanit shtrihet nga qyteti ku banon Bobi, tek bota e superstrukturës së një shoqërie; tek shkrimtarët, kritikët dhe mediet, kjo është bota nga e cila e ka marrë materialin autorja, bota ku e vërteteta dhe gënjeshtrat vishen ose bëjnë sikur vishen me rrobat e artit dhe përplasen  me njëra-tjetrën.

Vështrimi i autores Arlinda Guma është herë tokësor, herë jashtëtokësor. Ajo shkon edhe 5000 vjet më pas dhe hedh një vështrim si arkeologët apo shkrimtarët që merren vetëm me të shkuarën e largët të njerëzimit. Por ky vështrim është një veshtrim komik.

Tensioni dramatik në vepër mbahet në konfliktin midis turbullirës dhe mençurisë, midis jonormales dhe normales, midis hamendësimit dhe realitetit, midis dështimit dhe suksesit. Ky konflikt shfaqet gjithnjë në mënyrë befasuese për lexuesin.

-Jo!- thotë personazhi ynë Bob, nuk duhet t’i drejtohesh me: “E dashur Laura”, “Fanteja i drejtohej me: E dashur këpucëshqepur”.

Bobi – personazh me vizion  komik për realitetin…

Kritika e realitetit, në letërsinë botërore është bërë në përgjithësi në dy regjistra kryesorë, në atë të dramës dhe tragjedisë ose në atë të komedisë. Arlinda Guma e ka gjetur më të shëndeteshme për ditët që jetojmë, të hedhë shikim komik mbi realitetin, sepse humori sfidon industrinë farmaceutike të antidepresivëve. Kështu bën dhe personazhi kryesor i romanit të saj.

Instikti për të zhdramatizuar situatat është një natyrë e brendshme e Bobit, rezultat po aq i natyrshëm është humori. Në rrëfimin e historisë, humori  i tij shpërthen në skena imagjinare, me një spontanitet befasues.

Distancën nga realiteti që krijon humori, Bob Legjenda e bën edhe më të madhe. Ai shqyen hapësirën dhe kohën, për ta dhënë këtë distancë, të cilën ai e ka si nevojë të brendshme të vetes, për t’i shpëtuar helmit të realitetit. Ai vihet,  herë në pozicionin e jashtëtokësorit,  herë në pozicionin e arkeologut të 5000 vjetëve pas ngjarjes ose të shkrimtarëve që merren vetëm me ngjarje të mijëra viteve më parë.

Ky humor na vjen nga Bobi tokësor, na vjen nga Bobi brenda një kaosi idesh dhe vlerash, ku realiteti është bërë i pakuptueshëm dhe abstrakt. Prandaj ai përdor përfytyrimin, me metafora komike, të cilat dekodohen instiktivisht nga lexuesi. Nëpërmjet metaforës, shkrimtarja zbulon ide të mëdha përballë një realiteti që po bëhet abstrakt. “Bota është e mbushur plot me sekrete. Ato fshihen ngado: në sytë e Monalisës, në sytë e fqinjës sime që përgjon edhe pipëtitjen e mizës apo në sytë e qenit tim Xhek, ndjesë paste.” Duke vënë të tre palët e syve në një plan, ai tallet me sekretin. Shqiptarët janë një popull që i përdor shumë metaforat. Dhe Bobi nuk u lë gjë mangut.

Melodia në kondrasens është bërë metaforë e diktaturës, Rodi është bërë metaforë e kopjes (së Márquezit), vogëlushja “me shikim prej vrasëseje seriale”, përfaqesuese e botës së të rriturve, sepse edhe kufinjtë e moshave duket se janë ngatërruar. Metafora është e pranishme kudo në përshkrimet psikologjike: “etapa fantazmë“  midis “të dua” dhe “nuk të dua”, “njerëzit e aftë të shesin ajër” ose metafora e “ditës ndërkombëtare të gjumit”, e cila, nuk të bën vetëm të qeshësh, por edhe të mendosh se vërtet krijimi i kësaj dite do të bënte që të nesërmen të gjithë njerëzit të zgjoheshin nga gjumi.

Historia është e thjeshtë, por personazhet dhe marrëdhëniet midis tyre jane të ndërlikuar si në jetën reale.

Befasia, si në përshkrim, ashtu dhe në analizë, është mjeti kryesor i humorit dhe ironisë së autores Arlinda Guma, e cila na vë edhe përpara habisë së jashtëtokësorëve, kur ata largohen nga planeti ynë: “Por nuk e morëm vesh përse ziheshin njerëzit!” “Po pse, pyet  personazhi ynë Bob Legjenda, se mos kanë kuptuar ndonjë gjë mbi këtë temë njerëzit e këtij planeti, që mbetën ta kuptojnë alienët?” Kjo pyetje e personazhit Bob, trondit në thellësinë e kohës të gjithë ndërgjegjen njerëzore dhe sfidon pyetjet e filozofëve të të gjitha kohërave, për t”u bashkuar me pikëpamjen e Niçes, sipas të cilës njeriu është një kafshë që sillet rreth shkopit që e mban të lidhur. Njerëzit e refuzojnë këtë përcaktim denigrues të njeriut, sepse ky përcaktim u fyen ndërgjegjen, por fakti është që jashtëtokësorët e Bobit nuk kanë kuptuar përse njerëzit grinden…

Kështu vepra bën pjesë në grupin ku përshkrimi i filozofisë dhe psikologjisë së personazheve, është me i rëndësishëm se vetë intriga e veprës.

Harku i personazhit Bob Legjenda

Në çdo roman, në çdo histori, personazhi kryesor pëson një ndryshim esencial, një hark, brenda mendimeve dhe ndjenjave të veta, një hark të personalitetit. Cili është ky hark për Bobin tonë?

Në analizën që i bën shoqërisë nuk ka hark, por duke kaluar nëpër shoqëri,  harku përfundon tek ai vetë. Kjo është historia e Bobit, ky hark. Zbulimi i paaftësisë së të shprehurit të ndjenjave. Këtë ai e kish zbuluar më parë tek të tjerët, tek Melodia, tek Ema e vogël, tek Konja Adrian, tek të gjithë. I kish mbetur vetëm vetja, megjithëse ai ka qenë gjithnjë një analizues i vetes.

Romani fillon pikërisht me pasojat e toksicitetit që i ka lënë Melodia, ish e dashura e tij, vazhdon me trajtimin autoritar dhe snobist të gazetarëve dhe po aq edhe me meskinitetin e shkrimtarëve, për të përfunduar në përmbysjen e vlerave të moralit dhe edukimit, të transmetuara edhe tek fëmijët.

Bobi duket se ka të njëjtat turbullime emocionale ose të njejtat turbullime të sjelljes, por ndryshe nga të tjerët ai ka një analizë të vetes në çdo çast, po aq goditëse, ashtu siç ka një të tillë edhe për realitetin e jashtëm. Ai ka mendimin se të gjitha ndryshimet në shoqëri përgatiten nga shkrimtarët që merren me përpunimin e baltës njerëzore, në veçanti ato të popujve të vegjël e të varfër. Por popujt e vegjël dinë të shohin ëndrra të mëdha, thotë ai, prandaj dhe letërsia e tyre qëndron në majat e sofistikimit njerëzor.

Bobi përfundon në një bllokim, që quhet ndryshe “Bllokimi i shkrimtarit”, për të cilin mjekësia nuk është përpjekur të gjejë ndonjë kurë, “s’do mend, thotë  ai, këtë bllokim e kanë klasifikuar në patologjitë e luksit”, prandaj nuk ka urgjencë për ta kuruar! Dhe pas kësaj vendos pyetjen: “E çfarë do të ishte për shkencën një studim i thelluar për diagnozën e Writer’s Block? dhe e ngul përfundimisht gozhdën me përgjigjen në formë pyetjeje : “Sa i kushtueshëm do të kish qenë një studim i tillë?

Është ky realitet me vlera të përmbysura, që e bllokon Bob Legjendën të vazhojë punën krijuese të shkrimtarit.

Ai është i zemëruar me letërsinë e ditëve të sotme, prandaj lexon dhe rilexon Kafkën, tregimin e tij me majmunin që arratiset nga kopshti zoologjik. “Metamorfoza” nuk është asgjë përpara fjalimit  madhështor që ky majmun u mban kokave shkencore me të mëdha të vendit, thotë ai.

Shkak i brendshëm i këtij bllokimi janë të gjitha rrethanat, por mbi të gjitha është miku i tij shkrimtar, Rodi. Ja lëmë lexuesit të përqendrohet tek ky personazh, i cili u ngjan shumë shkrimtarëve të tjerë, të lindur në keto 30 vitet e fundit, si dhe shumë të tjerëve.

Harku personal i Bobit është diagnostikimi i dobësisë së tij. Ai e njeh mirë pikën e tij të dobët, mosdëshirën për të thënë “Të dua”. Ashtu siç i njeh botës cektësinë e saj sociologjike e politike kur ajo sheh diçka të bukur e të vlefshme që është promovuar më parë edhe nga ideologjia komuniste, atëhere ajo të akuzon se je komunist… Ja sesi njerëzit nuk e pyesin ndjenjën e tyre, por e fshihen në emër të konformizmit. Kjo tendencë e fshehjes së ndjenjave është për Bobin rreziku më i madh, sepse kjo shkakton konformizmin  dhe ky nga ana e tij i shkakton një handikap të rëndë arsyes, një handikap, flamurin e të cilit e mbajnë aq bukur gazetarët në konferencën e shtypit. Një handikap që do të shpikte një mijë e një arsye politike për të shpjeguar diktaturën dhe asnjëherë mungesën e empatisë dhe të dashurisë njerëzore, një handikap që prodhon komikisht dredhinë e “hardhucës aventuriere” të vogëlushes Ema.

Ndërsa Bobi ka arritur konkluzionin për veten e tij, konkluzionin për shoqërinë e ka disi të pazakontë, sipas tij “kur italianët besonin tek komunizmi, bënin filma më të mirë se tani që besojnë tek kapitalizmi”. Këtu, ndryshe nga gazetarët që bëjnë një arsyetim klishe dhe e pyesin nëse ai është komunist, Bobi shtron idenë e mbylljes së shoqërisë kapitaliste në veten e saj. Dhe kur je i mbyllur nuk bën dot art të mirë. Regjisorët italianë nuk e njihnin komunizmin rus, as atë shqiptar, por ata besonin tek humanizmi. Sot nuk besohet më, kjo na kujton Baumann-in, filozofin gjerman, që shkruan: “Dekadencën e intelektualëve” dhe “Shoqërine Likide”.

Bobi mbetet pesimist përballë fatit të shoqërisë. Por Bob Legjenda ynë i njeh shkaqet e këtij pesimizmi…

Bobi ka meritën se i njeh dhe i ironizon mangësitë e tij. A e ka këtë fat edhe shoqëria e sotme moderne?

Francë, 28 Janar, 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top