Edhe shkencëtarët mund të ëndërrojnë/Për lexuesin nga Japonia

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Para dy ditësh, shkrova një status në facebook, ku hamendësoja se personi që e shfletonte me aq ngulm këtë shkrim për Pipi Çorapegjatën, duhej të ishte me siguri ndonjë mësuese letërsie apo ndonje vajzë e vogël, e cila ëndërronte të bëhej si Pipi.
Dhe u befasova shumë kur mësova se personi që e shfletonte nuk ishte as vajzë e vogël e as mësuese letërsie, ai ishte nje shkencëtar shqiptar nga Japonia; fizikant.

   Arlinda Guma

Më ndodh shpesh që, teksa shoh statistikat e përditshme të shfletimeve të shkrimeve të publikuara në defekt-teknik, të më bëjë përshtypje shfletimi i të njëjtit shkrim çdo ditë.

Kështu ka ndodhur me një shkrim të Luan Ramës për Floberin, me një shkrim timin për filmat shqiptarë, lexuesit e të cilit, shumica vinin nga Wikipedia (ndoshta ndonjë person i përmendur në shkrim e ka vendosur linkun atje si referencë), etj.
Por nga këto shfletime, ai që më bëri përshtypje më shumë është një shkrim kushtuar personazhit aq të dashur, për fëmijë e të rritur: Pipi Çorapegjatës. Gjatë vitit 2020, ky shkrim ka patur pothuajse përditë shfletime dhe kështu vazhdon edhe në muajin e parë të vitit 2021.

Para dy ditësh, shkrova një status në facebook, ku hamendësoja se personi që e shfletonte me aq ngulm këtë shkrim për Pipi Çorapegjatën, duhej të ishte me siguri ndonjë mësuese letërsie apo ndonje vajzë e vogël, e cila ëndërronte të bëhej si Pipi.
Dhe u befasova shumë kur mësova se personi që e shfletonte nuk ishte as vajzë e vogël e as mësuese letërsie, ai ishte nje shkencëtar shqiptar nga Japonia; fizikant.

Ja çfarë më shkroi ai kur lexoi statusin tim:

Subjekt: Edhe shkencëtarët mund të ëndërrojnë për Pipin…

E dashura Zonja Guma!
Mbase jo çdo ditë, por një shfletim mjaft të shpeshtë, atij shkrimi i bëj edhe unë. Madje kur e lexova për herë të parë, më nxiti aq shumë, sa mora të rilexoja Pipin, të ri-imagjinoja jetën e saj me Anikan e Tomin, pastaj Mr. Nilson dhe kalin e pa emëruar. Ndonjëherë madje shoh, me syrin e imagjinatës, imtësisht, edhe arkitekturën e vilës Kunterbund. Duhet të kem qenë krejt i vogël kur e kam lexuar rrëfimin e saj, për të parën herë, atëbotë në gjermanisht dhe liria shpirtërore, ai shpirti i aventurës që e karakterizon Pipin, ka mbetur për mua një thesar, një stil jete që vazhdoj ta ëndërroj. Siç mund ta shihni, s’jam vajzë, por s’jam as mësues letërsie. Madje, madje, bëj studime të avancuara në fushën e fizikës. Shkrimi juaj është gjithmonë i hapur në shfletuesin tim të internetit, së bashku me pak faqe tjera, të cilave u kthehem vazhdimisht, ndaj ndoshta nuk regjistrohet si klikim i ri tek “defekti-teknik”, por patjetër, një lexues të rregullt e keni nga Japonia. Faleminderit!

Sinqerisht po bëni një punë të mrekulleshme me “defektin”… Shpesh kur jam i lodhur nga kërkimi shkencor, shkrimet aty me duket sikur me risjellin në jetë. Shtoi kësaj faktin që është në gjuhën amtare, e këtu ku ndodhem, edhe pse ka vite që jam, nuk kam takuar akoma ndonjë shqiptar. Shqipen ma sillni ju, me kaq sofistikim e art. Faleminderit për punën! Kujdesuni për veten e suksese të vazhdueshme!

Desha ta ndaj këtë mesazh të bukur dhe kaq motivues, me të gjithë ata, që, ashtu si unë, shpesh në këtë vend ndihen të shkurajuar. Dhe e di që si unë ka shumë…
U bënë rreth dy vjet e gjysmë që kur krijova revistën defekt-teknik.com dhe shumë institucione as që kanë denjuar të kthejnë qoftë edhe një përgjigje, kur u kam kërkuar mbështetje për këtë punë kaq të madhe.

Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, edhe njerëz të ndryshëm s’mungojnë të të thonë me cinizëm: – Çfarë përfiton nga kjo? (Gjithçka për ta matet me vlerën materiale!)
Por, ja, një ditë mëson se dikush në një cep të largët të botës të lexon… dhe kjo është vërtet diçka e mrekullueshme. Dhe kjo sikur të jep forcë për të vazhduar…
E kam përfytyruar gjithmonë, si një kontribut fare të vockël gjurmën që lë defekt-teknik nëpër botë, por po t’i marrësh këto gjurmë një e nga një dhe t’i bashkosh, duket se ato do të formonin një të pashlyeshme.
Shkencëtari shqiptar në Japoni ka ditur ta ruajë mirë fëmijën brenda tij, në një botë kaq të vështirë, cinike dhe tejet materialiste. E ndoshta, edhe në shkencën e tij mund të ndihet kjo liri shpirtërore.
Njerëz të tillë e bëjnë më të mirë botën. Dhe detyra jonë nuk është thjesht ta banojmë… detyra jonë është që t’u lëmë një më të mirë atyre që do të vijnë…
Një botë që ka ditur ta ruajë të paprekur gjenuinitetin shpirtëror… që aq shumë e ushqen letërsia…

 

____________

Shkrimin e sipërpërmendur e gjeni këtu:

Pippi Çorapegjata, seria për fëmijë e viteve 80-të që u krijua kur u sëmur vajza e shkrimtares Astrid Lindgren

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.