Qeni dyllë i verdhë-Heinrich Böll

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Heinrich Böll

Kapteri e hapi derën duke e shtyrë dhe tha: “Pa shikojeni njëherë… mbase? …” Ai nuk e hoqi cigaren nga goja. Iu afrova trupit të pa jetë që shtrihej mbi një minder. Dikush, që ishte ulur në një stol prapa minderit, u çua shpejt dhe tha: “Mirëmbrëma.” Shquajta kapelanin dhe e përshëndeta me kokë.
Kapelani qëndroi tek koka e personit që dergjej i shtrirë. Unë iu ktheva i acaruar policit e i thashë me sytë tek cigarja e ndezur: “Ndoshta do të na bënit pak më shumë dritë … s’shoh dot asgjë.” Ai kërceu mbi një karrige dhe e fiksoi llambadarin me një kordon në atë mënyrë, që drita të binte pikërisht mbi trupin e ngrirë… U sprapsa i tmerruar vetvetiu, tani, kur e pashë kufomën nën dritën e fortë. Kam parë shumë, shumë të vdekur, por gjatë vështrimit të çdo kufome më pushton gjithmonë ndjenja e pezmatimit se shoh një njeri, një njeri… një njeri, që ka jetuar, vuajtur dhe dashuruar.
Pra pashë menjëherë se kishte vdekur… ah, pa asnjë shenjë dalluese mjekësore… e ndjeja dhe e dija; mirëpo isha thirrur ta konstatoja zyrtarisht se kishte vdekur… e kështu iu futa punës i pezmatuar. Po në njëfarë mënyre isha i detyruar ligjërisht t’i kryeja ato procedura të mirëstudiuara, me të cilat shkenca njerëzore rrëmon sekretet. I shtriri kishte një pamje të llahtarshme…
Flokët e tij të kuqërremtë ishin të mbytur në gjak dhe pisllëk, vërtet të ngjitur bashkë. Shquajta disa plagë nga goditje të forta dhe nga shpime me thikë… mes për mes fytyrës shkonte një blanë rrëqethëse si prej një rendéje… goja ishte shtrembëruar… dhe hunda e hollë, e zbehtë ishte thyer e shtypur; duart vareshin të kontraktuara anash trupit… edhe në vdekje të mbledhura grusht… gjithashtu edhe rrobat ishin të fëlliqura dhe të lyera me gjak. Robi besonte se shquante një tërbim të skëterrshëm, me të cilin ai kishte qenë goditur, shkelmuar, shpuar me thikë; e kishin vrarë me një kënaqësi shtazarake. E zura me guxim xhaketën dhe hapa kopsat që nuk ishin këputur e çuditërisht: e kishte lëkurën të bardhë e të butë si të një fëmije… nuk kishte depërtuar as gjaku dhe as pisllëku…
Papritur polici u përkul nga unë, aq afër, saqë ndjeva frymëmarrjen e tij të thellë, e me vështrimin nga i vdekuri tha me indiferencë: “Na la shëndenë, hë?” Ia ngula sytë vetëm pak sekonda dhe ndjeva sesi po më dridhej fytyra nga tërbimi, pothuajse nga urrejtja.
Me siguri sytë e mi duhet t’i kenë thënë shumë… hoqi nga goja me një çehre papritur të turbulluar cigaren që kutërbonte në të ëmbël… pastaj doli tinëz e tek dera tha akoma: “Ju lutem më njoftoni pastaj, zoti doktor …” Për mua qe, si të isha çliruar në njëfarë mënyre… veçse tani fillova ekzaminimin… çfarë çmendurie, që vura stetoskopin mbi këtë gjoks! Që i ndjeva pulsin!… që kreva rrengun krejtësisht të pa vend tek ky trup i gjorë, i gërricur; mirëpo s’mund të kishte vdekur nga plagët në kokë; a duhej të shkruaja në dokument atë, që shkenca e mjekësisë e bën aq lehtë: çrregullime në qarkullimin e gjakut… rraskapitje… mungesë ushqimi?… Nuk e di a qesha. S’munda të zbuloja asgjë përveç këtyre plagëve në kokë, të cilat me siguri mund të kishin qenë jashtëzakonisht të dhimbshme, por jo vdekjeprurëse. Zor se kishin depërtuar përmes skalpit… duhej të ishin kryer me një tërbim të verbër…
Edhe në këtë gjendje të rrënuar fytyra e tij tmerrësisht e hollë dhe e bardhë dukej si një thikë. Një djalosh i pacipë, i ftohtë duhet të ketë qenë, mendova. E kopsita ngadalë prapë xhaketën e pa dashje ia largova nga balli baluket e pista dhe të gjakosura; dukej sikur qeshte… qesëndisës dhe shpotitës. Pastaj vështrova kapelanin, që kishte qëndruar i zbehtë dhe i heshtur pranë meje, një burrë i qetë, të cilin e njihja mirë: “Vrasje?”, pyeta me zë të ulët. Ai vetëm pohoi me kokë e pastaj tha me zë akoma më të ulët se unë: “Vrasje ndaj një vrasësi.” U ngjetha… pastaj ia ngula edhe një herë sytë kësaj fytyre të mprehtë si thika, dyllë të verdhë, që madje dhe me plagë torturuese dhe keqtrajtime dukej sikur qeshte ende… i ftohtë dhe mendjemadh. M’u zu fryma nga llahtari; ishte e tmerrshme, kjo kufomë në dhomën e errët, e ndriçuar nga rrezet verbuese të llambës brutale, ndërsa gjithçka tjetër ishte në errësirë… ky minder i zhveshur… ca stola të vjetër… mure, që u kishte rënë suvaja… dhe kjo kufomë me një uniformë gri gjysmë të shqyer…
E vështrova kapelanin pothuajse duke iu përgjëruar për ndihmë … m’u morën mendtë nga sfilitja, frika dhe neveria… pjesën tjetër e kishte bërë cigarja e policit. Tërë mbasditen kisha qenë në rrugë e sipër me stomakun bosh, në skutat e mjera, i dorëzuar i pafuqishëm, i pashpresë, në mënyrë qesharake ndaj “rrethanave”… e megjithëse shihja shumë çdo ditë, një vrasës i vrarë ishte madje dhe në këtë qytet një gjë e rrallë…
“Një vrasës?”, pyeta i përhumbur. Kapelani më shtyu stolin e tij: “Uluni… ju lutem!”, e pasi iu binda pa dëshirë, vazhdoi, i mbështetur në minder: “Vallë ju nuk e njihni atë… me të vërtetë jo?” Më vështroi sikur pothuajse dyshonte në gjykimin tim. “Jo”, thashë i lodhur, “nuk e njoh atë.” Kapelani tundi kokën: “Ju që lëvizni aq shumë, mendova, ju do kishit dëgjuar për qenin dyllë të verdhë.” U hodha përpjetë i lemerisur… O Zot! “Qeni dyllë i verdhë… ky këtu…oh, kjo fytyrë!” Qëndroja në këmbë pranë kapelanit dhe të dy vështronim këtë kufomë të shpërfytyruar, të zbehtë…
“A pati mundësi”, pyeta me zë fare të ulët, “a mundi t’i marrë sakramentet?” E prita gjatë përgjigjen; kapelani dukej se nuk kishte dëgjuar e nuk doja ta përsërisja pyetjen… heshtja pothuajse na shtypi, atëherë kapelani u përgjigj, u duk se kishin kaluar minuta: “Jo… e pati mundësinë… isha pothuajse një orë pranë tij… ishte tej mase i nervozuar dhe pa gjumë, para se”, më vështroi, “të shuhej…”
Kapelani shtriu i pashpresë duart drejt kufomës, pothuajse sikur donte ta ledhatonte… fytyra e tij e hollë, e shkretë fëmijënore ishte – s’mund ta them ndryshe – si e ngrirë nga mallëngjimi… i dëshpëruar i hodhi prapa flokët e vet biondë, e pastaj nxori nga goja i emocionuar: “Ju… ju ndoshta më mbani për të çmendur… apo jo, mirëpo dëshiroj të qëndroj edhe pak tek ai, derisa ata ta marrin… po… ende nuk dëshiroj ta lë vetëm, vetëm një njeri e ka dashur atë vërtet në jetë dhe e tradhëtoi; përqeshmë aq më bën, por unë… a nuk jemi të gjithë fajtorë? E nëse i rri edhe pak tek kryet… mbase…” Më vështroi në sy, pothuajse i trazuar, me këmbëngulje… kishte sy blu, poshtë të cilëve vareshin pothuajse si blana plage rrathët e zinj të urisë… ah nuk mendoja ta mbaja për të çmendur… e aspak të qeshja, O Zot! “Do qëndroj me ju”, thashë unë.
Heshtëm një copë herë, aq gjatë sa nevojitej për t’u lutur me Ati Ynë dhe Ave-Maria; në heshtjen tonë depërtuan të qeshura të larta, therëse nga vendroja… zëra femrash… këlthitje. U ktheva ngadalë dhe e lashë llambën të lëkundej përsëri në pozicionin e saj të vjetër; tërë dhoma ishte tani e mbështjellë proporcionalisht nga drita e mekur, e turbullt; kufoma rrëqethëse dukej më e ëmbël, më pak e ngrirë, pothuajse e gjallë. Nuk ka asgjë më të pashpirt sesa kjo dritë, kjo dritë cullake elektrike, që u shkonte cigareve të tyre… fytyrave të tyre si kufoma dhe epshit të tyre të kapitur… oh, e urrej këtë dritë elektrike…
Të qeshurat nga vendroja herë shtoheshin herë pakësoheshin…
Papritur kapelani u ngjeth si të ishte prekur nga një lemeri e fshehtë… sikur një kujtim i llahtarshëm ngjishej pas tij duke e prekur me gishtërinj … “Uluni, doktor …” tha i qetë, “dua t’ju tregoj diçka për atë.”
U ula i bindur, ndërsa kapelani rrinte gjysmë i ulur në minder… i kthyem kurrizin të vdekurit…
“Është një koincidencë e çuditshme”, filloi kapelani, “që ai është lindur në të njëjtin vit si unë… 1918… më tregoi gjithçka… a e dini, nuk e dija tamam, a m’i tregonte mua apo vetes apo ndonjërit, që nuk ishte i pranishëm. I kishte drejtuar sytë nga tavani e fliste, fliste si në ethe, ndoshta kishte edhe ethe… a e dini, nuk i kishte njohur prindërit… pa shkollë… e kishte shtyrë diku me të tjerë. Kujtimet e tij të para ishin ato, kur policia e mori atë person, që ai e kishte quajtur deri atëherë babain e vet; një i pagdhendur frikacak, që ishte gjysmë endacak, gjysmë hajdut dhe punëtor… nga një banesë me shumë qiraxhinj këtu në periferi, dikur midis luftës dhe epokës së inflacionit.
Përfytyroni një dhomë të pistë, në të cilën një femër e varfër, gjithnjë e keqtrajtuar bashkëjeton me një të pagdhendur, përherë i dehur, dembel dhe frikacak… kjo është e gjitha. Ju i njihni këto situata, doktor. Pasi gjoja babai përfundoi për shumë vite në burg, jeta e tij u bë disi më e qetë; tezja e tij – këtë e mori vesh më vonë, që kjo femër përherë e nervozuar, e lig ishte tezja e vet – shkoi në fabrikë. Policia u kujdes që ai të shkonte në shkollë. Dhe tani… këtu bie në sy për inteligjencën e jashtëzakonshme. A mund ta përfytyroni këtë, doktor”, kapelani më vështroi, “sesi kjo fytyrë e mprehtë si thika, preu si të thuash gjithçka më dysh në klasën me era myk? Oh… ai ishte më i miri… por ç’do me thënë më i miri, kur robi thjesht shkëlqen mbi të gjithë. Kishte edhe ambicie.
Mësuesit u angazhuan që të shkonte në gjimnaz… prifti u interesua në favor të kësaj gjëje… mirëpo kjo grua, tezja e tij, kundërshtoi me një të egër, të egër tërbim; ishte sikur bëhej fjalë që ai do vritej; ajo bëri gjithçka për ta mbajtur në atmosferën e tmerrshme, të vrazhdë, në të cilën jetonte vetë. Shikoni, krijoi të gjitha vështirësitë e mundshme, rrahu gjoksin për të drejtat e saj si edukatore… e torturonte sa herë që ai ishte në shtëpi… ai nuk duhej, s’duhej të bënte ‘më lartë’. Por sidoqoftë nuk qe në gjendje, të çante kundër forcave të bashkuara të trupës mësimore dhe priftit. Ai mori bursë për një shkollë me konvikt, u pranua si nxënës konviktor i përhershëm dhe i tejkaloi shpejt të gjitha shpresat, që kishin për të. Nuk pati asnjë vështirësi… e mësonte latinishten, greqishten po aq mirë si edhe matematikën dhe gjuhën… ishte besimtar; ndërkohë nuk qe kurrë i atij tipit të nënshtruar, që duron gjithçka e mëson në qetësi pa pushim… ishte origjinal… mendjemprehtë… njohuritë e tij në lëndën e fesë arrinin pothuajse në nivelin e teologjisë.
Që t’i biem shkurt ishte vërtet një fener ndriçues. E kurrë, kurrë nuk e kujtonte ndryshe veçse me lemeri dhe neveri mjedisin që e kishte braktisur; me siguri jo me keqardhje… i rrëqethej mishi, kur e kujtonte. Madje edhe pushimet e shkollës i kalonte në shkollë, ndihmonte në bibliotekë, në administratë… nuk kishte asnjë dyshim që do hynte në urdhërin fetar të përkrahësve të vet. Por ishte edhe arrogant e mendjemadh, me një vetësiguri të papërkulshme. “Besoj, në thelb i përçmoja gjithmonë të gjithë, pa e ditur”, më tha; duke kërcitur dhëmbët nga zemërimi, duronte dënimet, që ia sillte mendjemadhësia e vet, por e dënonin rrallë; ai ishte një fener ndriçues… të gjithë ndiheshin me turp para tij, ia toleronin disa sjellje; ndëshkohej vetëm kur e mbushte kupën me ndonjërin ose kur e shfaqte shumë shpesh mungesën ndaj përulësive të zakonshme…
Sidoqoftë sa më tepër rritej, aq më shumë e joshte bota… pasuria, lavdia… pushteti, zemërdridhur mendonte për to; e brenda vetes, qysh gjashtëmbëdhjetë vjeç, e flaku planin për të qëndruar në urdhërin fetar… mirëpo nuk shprehu asgjë, sepse donte t’i kryente provimet e mbarimit të shkollës në këtë shkollë me konvikt. Në këtë ngërç të vazhdueshëm, që rridhte nga ky qëndrim i ri, u tret gjithçka që kishte qenë e vërtetë nga përshpirtshmëria e tij… bota e joshte aq shumë, e dini, tërë lulëzimi i rremë politik i atëhershëm… ky epsh deri diku publik për mosqenien… kjo jetë rrëqethëse e kufomave të pavarrosura; joshej ai; nga njëra anë nuk donte t’ia hiqte vetes mundësinë për ta përfunduar shkollën; e mjerimi, mjerimi i vjetër, rrëqethës, shtëpiak ishte ngulur i paharruar në kujtesë. Nuk shtirej direkt, por u kthye në njeri që ecën me llogari… llogaritja e gjërave e helmoi pothuajse papritur në rrjedhën e muajve dhe viteve… u shndërrua pothuajse në njeri të keq; sidoqoftë e humbi besimin fetar, aq sa i kishte mbetur…
Kur mbaroi pastaj maturën e ua bëri ftohtë të njohur etërve vendimin, u krijua natyrisht një situatë turpëruese, por që e kapërceu me paturpësi… ‘thjesht i këputi urat lidhëse’. Kishte dëftesën, arsimimi pa pará ishte kryer pa asnjë fjalë të vetme si kusht për të hyrë në urdhërin fetar. I prishi të gjitha lidhjet me shkollën e doli në botë, i pajisur vetëm me një dëftesë të shkëlqyer dhe me një ambicie të çmendur… nuk zotëronte asnjë kostum ‘për të qenë’, asnjë qindarkë, asgjë…
Por ja tek tregohet mik, një nga shokët e shkollës, njëfarë Beckeri. Beckeri, djalë prej prindërve të pasur, studionte për teologji… e mbështeti me pará, që pjesërisht ua shkëpuste me lajka prindërve, pjesërisht i kursente vetë. Mirëpor Heroldi iku tani… meqë ra fjala a e dini që quhej Theodor Herold…? Kapelani më hodhi një vështrim pyetës… nga ta dija emrin; tunda kokën gojëkyçur.
Zhurma nga vendroja kërcënonte akoma të na mbyste… zhurma… klithma… ato vikama bajate, të cilat mund të priten prej njerëzve, që futen vullnetarisht brenda zgjedhës së një uniforme. Kapelani heshti, u duk sikur fjalët ia zunë frymën, kur pastaj tha: “Në fund të fundit ç’dobi sjell, nëse ju tregoj të gjitha këto… a nuk falemi më mirë… të falemi; është pothuajse e vetmja gjë çfarë mund të bëjmë… apo jo…” Më vështroi i torturuar, sikur për pak do të palosej nga një peshë e padukshme… pastaj kryqëzoi duart, kur unë e mbërtheva butë tek krahu… e nuk e di, a ishte kureshtja që më shtyu të them: “Vazhdoni të më tregoni… ju lutem… dëshiroj të di gjithçka…”
Kapelani më pa i shqetësuar… për pak pata vërtet përshtypjen se ishte me të meta psikike… më vështronte sikur s’më njihte fare dhe sikur i duhej të kërkonte thellë, thellë në kujtesën e vet kush isha… pastaj mbërtheu më në fund me duar kokën. “Ah kështu”, tha me zë të dëshpëruar, “më falni… unë… unë”, bëri një lëvizje të pashpresë me dorë… e pastaj vazhdoi:
“Beckeri dukej se kishte pasur dëshirën serioze, ‘ta mbante’ Heroldin, siç thuhet, ‘nën flamur’ (pra ta nxiste të vazhdonte e të mos dorëzohej). Ata studionin në një universitet, e megjithëse Beckeri pengohej nga konvikti në lirinë e lëvizjes, e vizitonte shpesh… fliste me të dhe me siguri përpiqej t’ia zgjonte përsëri përshpirtshmërinë e mbuluar; por nuk e jepte mbështetjen e vet të varur nga kjo gjë… grindeshin ndonjëherë, kjo është fare e qartë, diskutonin për ato gjëra, që në atë kohë diskutoheshin ndërmjet gjithë të rinjve, të cilët nuk ishin topitur ende: për fenë, popullin e të tjera; por ruhej miqësia midis tyre. Dhe Heroldi, megjithëse nuk e shprehte kurrë, adhuronte tek Beckeri të vetmin njeri që nuk përçmonte… e donte Beckerin e jo vetëm për shkak të mbështetjes, por për shkak të pakushtëzimit me të cilin i jepte pará. Tani me siguri mund ta përfytyroni afërsisht marrëdhënien midis tyre. Beckeri duhet të ketë qenë një djalosh i zjarrtë, që besonte ende tek mëshira… në semestrat e parë të gjithë teologët besojnë akoma tek mëshira, më vonë pa vetëdije vendin e saj e zë shpesh administrata qendrore e dioqezës
Natyrisht Heroldi qe në universitet po aq një fenomen në inteligjencë dhe në mendje si në shkollë… mirëpo nuk përçmonte vetëm studentët mendjelehtë dhe të paaftë, por edhe profesorët, prej të cilëve, siç thoshte, ‘asnjërin nuk e mbante për një udhëheqës të vërtetë shpirtëror’. Krahas studimeve u hapi udhë mundësive për të bërë karrierë në politikë… ju jeni në gjendje ta mendoni sesi kjo parti si të thuash e thithi një djalosh të tillë inteligjent…
Por pastaj ndodhi diçka e tmerrshme: e morën ushtar, e kundër këtij urdhëri s’kishte asnjë ilaç. Asgjë, asgjë nuk urreu më shumë se këtë ushtri, sepse meqë tentoi të bënte karrierë edhe këtu e të bëhej oficer, ndodhi diçka e çuditshme: kjo kastë oficerësh, e cila e kishte pranuar kriminelin më kokëbosh prej moçaleve më të errëta shoqërore dhe njerëzore, zbatonte ndaj brezit të saj të ri kërkesa shoqërore: natyrisht u rrëzua nga kjo hierarki e sistemit kokëbosh. E tani tek ai lëshoi rrënjë urrejtja, kjo deklaratë e parë lufte e shoqërisë njerëzore… dhe e kuptoi burracakërinë absolute politike të këtyre sahanlëpirësve. Digjej nga prushi i xhindosjes dhe zemërimit… por natyrisht nuk ia doli mbanë kundër kësaj klike të paralizuar… e monotoninë e zymtë të jetës në kazermë e ndjeu akoma më të tmerrshme sesa mjerimin e viteve të fëmijërisë. Lufta qe për të si një çlirim e u paraqit vullnetarisht në një nga ato reparte, të cilat, të edukuara me frymën e mohimit të të gjitha vlerave të vërteta, vrasjen në front, që ata e emërtonin luftë, e barazuan pa një pa dy me vrasjen prapa frontit, e cila u quajt asgjësim i njerëzimit me vlera të ulta.”
Kapelani ndali një çast i tmerruar dhe e mbuloi fytyrën me duar… mori frymë rëndë. “Pa përfytyrojeni këtë fytyrëmprehtë në këto kolona… i mbushur me urrejtje; në këtë shoqëri, e cila u bë më shpirtkallkan dhe më e verbuar sa më shumë vite kalonin nën trysninë e llahtarshme të luftës… e shfrytëzuar nga makina triumfatore e një mohuesi kriminel të të gjitha vlerave, nga ajo makinë e zymtë, rrotat e kalbura të së cilës u copëtuan së shpejti dhe më në fund ajo u përpi nga toka duke kutërbuar era benzinë…
Është sigurisht e çuditshme, që Heroldi, vetë në këtë mjedis, i cili në fillim e flaku, megjithëse e kishte zgjedhur vullnetarisht, por me të cilin u mpleks gjithnjë shumë e më shumë, me ndjenjën e zymtë të devocionit, i lidhur kokë e këmbë me fundërrinën e etur për vrasje; që edhe atje mbajti lidhje me Beckerin, që i shkruante, e paralajmëronte, i tërhiqte vëmendjen për rreziqet… të cilin madje e vizitoi gjatë lejes ushtarake… të cilin e uroi me rastin e shugurimit prift. Madje edhe atje qëndroi në kontakt me Beckerin, të cilin – këtë fjalë me ndrojtjen e tij të çuditshme nuk e përdori kurrë – e donte vërtet. Po, i dërgoi Beckerit pako me gjëra të tilla, të cilat ishin me pakicë në atdhe, purro, sapun, yndyrë e turli gjërash… i shkruante letra, i dërgonte pako të vogla… por kurrë nuk rrëfeu diçka për gjendjen e vet mendore… nuk u zhvillua më asnjë diskutim për fenë dhe botëkuptimet… ndihej i lidhur ngushtë e në mënyrë të pakthyeshme me atë bandë, ku kishte rënë brenda; shpesh deri në fyt me pendesën më të hidhur, nga llahtari i rrëkeve të gjakut, të përziera me baltë, i tmerruar nga mizoritë shtazarake… gjithçka e përzier lesheli me ato nocione të parishqyrtueshme raca, nderi dhe bindja e pakushtëzuar… atdheu… zotëria. Në këto reparte ishte bërë oficer… ishte plagosur shumë herë… ishte shquar në luftime… ishte dekoruar… por të gjitha këto nuk mund ta fshinin ndjenjën e frikshme të një faji… ishte si i trazuar. E në gjithë këtë mishmash frike, urrejtjeje dhe pendese më e keqja për të ishte se Beckeri e ndërpreu korrespondencën… më shumë se një vit nuk dëgjoi asgjë prej tij; e megjithëse për këtë ua ngjiste fajin atyre kushteve plotësisht lesheli të qarkullimit, rrëmujës absolute të një ‘organizimi të pashoq’; megjithëse ua ngarkonte këtë faj këtyre gjërave të jashtme… gjithnjë, gjithnjë në sfond qëndronte si kërcënim frika e errët, më e errëta për të, se Beckeri nuk donte të dinte më asgjë për të… dhe sa më shumë afrohej fundi, fundi i pandalshëm ogurzi, aq më shumë ndihej tmerrësisht i njollosur, i mbushur me akte të papërshkrueshme mizore, e vetëm mendimi për Beckerin, i cili ndoshta do mund ta ndihmonte, e mbajti në këmbë. Nëpërmjet makinacioneve më të rafinuara i shpëtoi robërisë ruse, i pajisur me dokumente të falsifikuara si ushtar rus kaloi ilegalisht përmes tërë vijës ruse të mësymjes deri në territorin e pushtuar nga fuqitë perëndimore… e u zhduk i pajisur mirë me pará dhe rezerva ushqimore, këtu në qytetin e tij të shkatërruar të lindjes… diku në këto mijëra skuta, të cilat nuk do t’i zbulojë kurrë njeri; edhe këtu i shpëtoi rënies rob.
Pastaj filloi të kërkojë me kujdes Beckerin. Për të emri Becker ishte baras me nocionin shpëtim. Nuk kishte ide të përcaktuara se çfarë lloj ndihme donte nga Beckeri… ishte plotësisht i dërrmuar. Ishte i ngopur deri në fyt me llahtarinë e frikës, mërzitjen dhe ndjenjën e fajit e ndoshta donte t’i fliste vetëm një herë një njeriu, i cili nuk do ta kërcënonte dhe nuk do ta hidhte poshtë, sepse Beckeri ishte për të përfaqësuesi i një feje, që në kundërshtim me të gjitha zakonet laike nuk dënonte, nuk mallkonte… i asaj feje, që ai vetë kur ishte fëmijë dhe djalë e kishte dashuruar e një gjurmë e së cilës mbase gjendej ende tek ai, pa qenë i vetëdijshëm për këtë…
I veshur si invalid lufte, braktisi duke çaluar strofullën e vet dhe u përpoq të gjente Beckerin në këtë mishmash, për të cilin e dinte se kishte qenë kapelan në një qytezë të vogël. Ia doli më në fund të vinte tek kjo qytezë me një makinë të trupave pushtuese amerikane… e gjeti të pashkatërruar, popullsia akoma e hutuar dhe e trembur… dhe e gjeti Beckerin… me zemrën që i rrihte, që i rrihte lumturisht hyri në qelë…
Por Beckeri qëndroi i ftohtë dhe indiferent. E kishte ndërprerë me vetëdije korrespondencën… gjithçka që kishte qenë miqësi, thjesht kishte vdekur… e Beckeri u hoq çuditërisht aq i huaj; e përshëndeti atë si një njeri, të cilin robi e ka njohur një herë para shumë viteve e po e risheh tani, ndonjë njeri… Heroldi u lemeris nga ky objektivitet, me të cilin e përshëndeti miku i tij i vetëm, mirëpo ajo që ishte grumbulluar tek ai, ky gëlim i zymtë i torturës, gjakut dhe i fajit, ishte tepër i madh, që të mund ta mbante brenda… i zbrazi zemrën Beckerit… gjithçka, i tregoi gjithçka që nuk do kishte mundur kurrë ta shkruante… e kur mbërriti në fund, nuk tha dhe nuk pyeti më për asgjë, por vetëm e vështronte si qyqar Beckerin, e mua më tha se për herë të parë në jetën e tij kishte qenë në këtë çast plotësisht i humbur. Dhe Beckeri nuk i tha asgjë. Beckeri mbase u duk i prekur zyrtarisht, në cilësinë e tij si pastor, si nëpunës i paguar nga shteti, por nga ana njerëzore ishte krejt i topitur nga gjithë ato që kishte parë, dëgjuar dhe përjetuar; nga tmerret gjatë tërheqjes… nga uria, rrëmuja, frika dhe bombat. Beckeri pati vetëm ca fraza për të, fraza të atij lloji… e dini, sentenca të tilla të gatshme prej një kioske të lirë shpirtërore, siç shpërndahen në disa dhoma rrëfimi pas lirimit prej mëkateve… secilit njësoj… iku… tjetri. Natyrisht e këshilloi të rrëfehej, të falej, të bëhej një njeri më i mirë… shihni ju!” Kapelani më mbërtheu fort tek supi dhe e rrotulloi me forcë nga vetja fytyrën time të lodhur… sytë i flakërinin nga eksitimi si dritë e kaltër xixëlluese… fytyra e hequr, e zbehtë ishte skuqur… e goja i dridhej. Qëndronim pothuajse përballë njëri-tjetrit si sherrxhinj… këtu tek minderi, bashkë me kufomën e qenit dyllë të verdhë, si sherrxhinj!
Por isha aq i lodhur, i lodhur… e sidoqoftë thellë, thellë në shpirt më përvëlonte një interes i gjallë për këtë fat njerëzor, fundin e të cilit duhej ta dëgjoja. “Shikoni”, psherëtiu kapelani, “jam në gjendje ta përfytyroj saktë këtë situatë, sepse edhe vetë kam bërë kështu mijëra herë… jam në gjendje ta përshkruaj vërtet, sesi ka ndodhur. Beckeri nuk ndjeu më asnjë lidhje personale me të… duke pasur parasysh këto vuajtje të llahtarshme nuk gjeti asgjë tjetër përveç një ftohtësie profesionale, zyrtare… mbase ishte mpirë; ashtu siç mund të mpihet një prift i rrëfimeve… O Zot, tradhti bashkëshortore dhe poshtërsi, asgjë përveç këtyre, vite e vite të tëra! Mbase ju si mjek e kuptoni… edhe për ju nuk është më një kufomë aq rrëqethëse si për mijëra të tjerë, që nuk kanë parë kaq shumë kufoma dhe gjak, megjithë luftën. Edhe ne priftërinjve kufomat e pavarrosura shpesh na pezmatojnë më pak e na prekin më pak nga ana njerëzore, siç do të ishte për çdo njeri tjetër, i cili nuk ka depërtuar kurrë në botën e brendshme të të ashtuquajturve njerëz të sjellshëm. O Zot… kështu do të ketë qenë kjo për Beckerin, e llogarisni krahas kësaj, që sapo kishte fluturuar tej marrëzia demoniake e muajve të fundit të luftës, e mbretëronte njëfarë qetësie vdekjeje, një qetësi e asgjësë… Beckeri qe i ftohtë ndaj tij. Ndoshta indiferent, madje ndoshta refuzues… Heroldi tha: ‘Vërtet më ktheu përsëri tek hiçi…’ E tani iu turr plotësisht i tërbuar vrasjeve…
Duhet shtuar se me gjasa ishte denoncuar nga njerëz që e kishin vëzhguar dhe kishin dyshuar… po kërkohej nga policia… iu desh ta ndërronte shpesh strofullën… e ndoqën me të vërtetë nëpër pirgjet e gërmadhave. E më në fund gjeti poshtë një shtëpie krejtësisht të shkatërruar në mes të një fushe të madhe me gërmadha brenda qytetit një bodrum të paprekur, ku mund të hyje lehtë e që zbulohej me vështirësi e këtu ngrohu vezët disa ditë me një tërbim të egër dhe urrejtje përvëluese, para se të bëhej ‘qeni dyllë i verdhë’ . Gjeti pastaj me lehtësi disa bashkëfajtorë – sepse më e tmerrshmja nga të gjitha për të ishte qenia vetëm, megjithëse ishte gjithmonë i vrazhdë dhe mendjemadh ndaj ndihmësve. Si fillim plaçkitën së bashku orendi të rehatshme. Pastaj – pati një plan, i hartuar tërësisht me mendje të ftohtë – me anë të tregtisë së rafinuar në të zezë me mallrat e vjedhura krijuan një kapital të madh fillestar, i vunë rezervat stivë në kioskën e tyre deri në tavan e filluan pastaj një lojë të tmershme. Të gjitha planet buronin prej tij, ishte kryetari i pranuar … e ishte ‘gjyqtari’… shfaqej me njëfarë aureole misterioze, kur ndihmësit e kishin kryer vjedhjen me dhunë dhe e kishin kapur viktimën apo viktimat. Ai shpallte ‘sipas humorit’ mënyrën e vdekjes… pushkatim… vrasje me thikë ose varje në litar… shpesh bënin gjithashtu sulme të papritura thjesht tmerruese, për t’u lënë më pas atyre që dridheshin frikën e kulluar të një kërcënimi të parreshtur… në këtë mënyrë vranë”, kapelani ndali një çast, “njëzet e tre njerëz… njëzet e tre …”
Të dy vështruam, të tronditur nga llahtaria e thellë – me tmerrin deri në palcë – kufomën e ngurtë, flokët ngjyrë e kuqe në të vrarë të të cilit, midis njollave të errëta prej gjaku dhe pisllëku, vezullonin butë në errësirën e dhomës… e kjo gojë e ftohtë, me buzë të holla dukej se buzëqeshte akoma, qesëndisëse e mizore, e dukej se tallej me tërë fjalët tona të bisedës. U ktheva duke u dridhur dhe prita me tmerr që kapelani të drejtohej nga unë; ndihesha i kërcënuar nga xhinde të zymtë, e fytyra e tij, e hequr, njerëzore do mund të më ngushëllonte… Por kapelani qëndroi gjatë i heshtur, me fytyrën nga i vdekuri… gjatë… e s’e di, më hodhi përpjetë duke më zgjuar nga mendimet ose nga lutjet apo vetëm nga një përhumbje frike, kur preku lehtë supin tim… zëri i tingëlloi tani i butë e pothuajse ngushëllues: “Dhe me siguri më misteriozja është, që ai, i cili nuk pati kurrë as lidhjen më të vogël me një grua… ai, që jetoi në një dëlirësi pothuajse prej beqari… vdiq nga një grua. Dhe mendoja se ndoshta do jetonte akoma e do ishte bërë një njeri më njerëzor, nëse do të kishte pasur një të dashur… ose do të kishte rënë pre vetëm e njërit prej atyre mëkateve, pre e të cilave bien gjithë njerëzit e dobët… alkolit, duhanit. Ishte i dëlirë në një mënyrë të frikshme… nuk e verboi dot asnjë fragment nga parajsa.
Dhe ngordhja i erdhi nga një femër, të cilën e prunë në bandë megjithë rezistencën e tij… ajo lëshoi rrënjë megjithë kundërshtimin e tij e megjithë shpërthimet e tërbuara të tij; e megjithëse ishte kryetari i saj në shumë vrasje, nuk qe në gjendje t’ia mblidhte kësaj femre. E më e tmerrshja qe, se kjo femër e dashuronte atë e se përqeshjet e ftohta me muaj të tërë e shndërruan në vrasësen e tij; ajo cyti të tjerët dhe e marr me mend, ata iu vërsulën me tërbim më të tmerrshëm sesa viktimave të tjera; sepse është një mister djalli, një mister veçanërisht i thellë dhe i tmerrshëm, që në thelb ferri nuk urren asgjë më shumë sesa vetveten… ata pothuajse e copëtuan. E prapëseprapë jetonte ende, kur e gjetën këtu para derës me një pusullë në xhepin e sipërm të xhaketës, në të cilën ishte shkruar me një kaligrafi të rregullt: Qenin dyllë të verdhë policisë për ta varrosur. Dhe ishte kaligrafi e një gruaje…”
Nuk gjeta më forcë të kthehesha… i humbur i ngula sytë tek dërrasat e pista të dyshemesë… O Zot, isha i uritur, i lodhur?… Ndihesha i mjerë dhe besoj se isha i paaftë ta kuptoja llahtarinë absolute… isha kredhur në dëshpërim të plotë… i paaftë edhe për t’u falur. Ishte sikur pas raportimit të kapelanit të më kishin mbuluar poshtë rrënojat e trishtimit të botës sonë, e një frikë e topitur, e turbullt nga vetja më mbërtheu si me kthetra të forta, të hekurta… pastaj nxora me mundim, sikur fjalët të më ishin copëtuar tashmë në gojë: “A besoni se ai…?”
Mirëpo kapelani ishte kthyer përsëri e dukej se po falej, dhe – çuditërisht – si të thuash u shtërngova të kthehem edhe unë e ta shihja prapë kufomën, këtë kufomë të pandryshuar, të lyer me gjak dhe pisllëk… mbase u luta, nuk e di… tërë qenia ime ishte vetëm një kapicë e përbërë nga frika dhe vuajtja si edhe parandjenja të vagullta.
Ah, kush mund ta përshkruajë këtë gjendje, ku njeriun e pushton mpirja si një mbrojtje e domosdoshme e prapëseprapë në mendime gjithçka e përjeton si të jetë krejt i zgjuar, aq ftohtësisht, sa njeriu mund ta përjetojë diçka vetëm në mendime…
Pastaj dera u shqye me një zhurmë të beftë, buçiti sikur dikush t’ia niste të na e shembte ndërtesën mbi kokë e kur ne u kthyem të tmerruar e të ardhur në vete, një zë i vrazhdë bërtiti: “Oburra nxirreni kadavrën e…” Por tre siluetat me uniformë na vunë re e u afruan disi më pa zhurmë… me hyrjen e tyre çuditërisht u duk se u bë dritë. Njëri prej tyre, një burrë esmer, i hollë, me një fytyrë të qetë, tha me zë të ulët: “M’brëma”, e pastaj i drejtuar nga dy të tjerët : “Pra e marrim atë…” Mirëpo kapelani, që i vështronte tërë kohën i llahtarisur, si i përhumbur, u zgjua tani. Ngriti duart në shenjë mospranimi e thirri: “Jo… jo… ma lini mua…” U rrotullua shpejt dhe e mbërtheu pa frikë këtë thes njeriu të shkatërruar e nuk e dëgjoi thirrjen e lemerisur: “Zoti pastor…!”
Dukej sikur mbartëte një dashnore që kishte vdekur, me një butësi dëshpëruese …
I ndoqa si në ëndërr përmes vendrojes së ngrohtë, jashtëzakonisht me dritë, në rrugën e lagur, të errët, e me llucën e pistë të dëborës. Përjashta priste një makinë që gjëmonte e kërriste. Ngadalë… plot me dashuri kapelani e shtriu kufomën mbi një thes me kashtë prapa në bagazh… kundërmonte era benzinë dhe vaj… mbante era luftë dhe tmerr… Errësira, errësira e pamëshirshme e dimrit mbulonte fasadat e zbrazëta të ndërtesave si një ngarkesë e papërballueshme…
“Po… jo… nuk bëhet …”, thirri tani një nga policët, kur kapelani hipi në makinë… mirëpo i treti prej tyre e miratoi duke e nderuar me dorën tek kapelja – ndërsa esmeri qëndroi i heshtur dhe siç m’u duk me një buzëqeshje të dhimbshme…
Kapelani ma bëri me dorë t’i afrohesha e megjithëse zhurma e motorit u bë më e fortë, i dëgjova prapëseprapë fjalët që m’i pëshpëriti me zë të lehtë, si të ishte një sekret: “Po ai qau… a e dini… unë ia fshiva lotët, para se të vinit ju… sepse lotët…”, por makina, teksa kërceu fuqishëm, u vërsul para e u largua dhe pashë vetëm një gjest të pashpresë të siluetës së zezë, të cilën e rrëmbyen me makinë në humnerat e ftohta, të errëta të qytetit të shkatërruar…

Përktheu nga gjermanishtja: Gaqo Karakashi

___________

Shënim i përkthyesit: Tregim. Dorëshkrimi mban datën 10/11 shkurt 1947. Hajnrih Bëli ia dërgoi për botim në 31 Maj 1947 revistës ‘Das Goldene Tor’ në Baden-Baden.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top