Historia e urës së Berkovos-Heinrich Böll

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Heinrich Böll

Për historinë e kësaj ure u fol shumë në atë kohë: e mallkuan, qanë për të, disa qeshën, e rreshtuan me indiferentizëm tek ndodhitë e përgjithshme, pafundësisht të shumta e të gjithanshme të luftës, pa i kushtuar rëndësi të veçantë e në fund të fundit historia u harrua me të vërtetë, për më tepër që nuk kishte pasur asnjë rëndësi strategjike apo një rëndësi fort të madhe historike.
E megjithatë e ndiej për detyrë të tregoj tani, çfarë ndodhi vërtet atje në atë ditë vendimtare, dhe kam marrë përsipër ta shkruaj këtë sipas radhës dhe mundësisht saktë, sepse gati besoj, se jam i mbijetuari i vetëm i atyre, të cilët qenë pjesëmarrës përcaktues në këtë histori. Për Shnurin dhe Shnajderin e di, që kanë rënë në luftë, dhe ai tjetri, oponenti, një nëntoger nga shtabi i regjimentit të tretë xhenier, – kështu hamendësoj -, ka rënë gjithashtu në luftë, në muajt e fundit të vijimit të saj, sepse e kam kërkuar pa sukses. Ndoshta ka rënë edhe rob, ndoshta ka humbur pa nam e nishan apo ka marrë të tatëpjetën, sepse megjithëse ishte një ushtarak i kthjellët, i zoti dhe simpatik, askush nuk është në gjendje të thotë, a mos ka rënë prapëseprapë viktimë e helmit të përgjithshëm të shkatërrimit dhe e ngrys jetën diku i pafat dhe i mjerë, pa një lidhje të gjallë me të kaluarën.
Meqë do mundohem të ruaj një radhë të rreptë të ngjarjeve, më duhet të filloj me ditën, kur mora nga shtabi qendror i operacioneve ndërtimore për frontin e juglindjes urdhrin, që të drejtoja punimet për ndërtimin – apo më mirë – rindërtimin e urës së Berkovos. Ndodhi pak ditë pas Krishtlindjeve e në atë kohë sorrollatesha duarkryq – kundër vullnetit tim – në shtabin rezervë KNX për operacione ndërtimore. Isha shumë i lumtur, kur më në fund kisha për të bërë diçka. Veprova plotësisht me plan, pasi kërkova më parë të gjitha instruksionet për ndërtimin e planifikuar: ura e Berkovos ishte hedhur në erë në vitin 1941 prej një praparoje ruse gjatë tërheqjes së tyre, pak para se gjermanët ta kapnin atë dhe të mund ta parandalonin hedhjen në erë. Më vonë u hoq dorë nga rindërtimi, meqë katundi i vogël Berkovo e humbi plotësisht rëndësinë, si në aspektin strategjik ashtu edhe në aspektin e politikës së pushtimit; e sidomos prandaj, ngaqë ura nuk u konsiderua pikëmbështetje e rëndësishme furnizimi. Xhanëm në rrjedhën e luftimeve dhe të pushtimeve u ndërtua dy kilometra në juglindje të saj një urë metalike ushtarake mbi lumin Beresina, e cila ndërkaq ishte përforcuar dhe qe shndërruar në rrugë furnizimi. Në atë kohë drejtorisë qendrore për operacionet ndërtimore në frontin e juglindjes, gjithashtu edhe organeve të forcave tokësore iu duk më kuptimplote, që materialet e domosdoshme për urën e Berkovos t’i përdornin për ta përfunduar këtë urë metalike ushtarake, aq më tepër – siç e thashë tashmë – që dhe vetë katundi Berkovo qe plotësisht i parëndësishëm. Në rrjedhën e luftës ai shërbeu vetëm si strehë për një kompani të batalionit të ruajtjes së objekteve, i cili ishte ngarkuar me misionin që të mbikqyrte dhe mundësisht të pengonte veprimtarinë e partizanëve në prapavijë.
Boll me kaq për parahistorinë e urës së Berkovos.
Pak ditë pas Krishtlindjeve të vitit 1943 mora urdhrin me shkrim për ta ndërtuar përsëri urën. Fuqia punëtore dhe materialet – aq sa do t’i llogarisja si të domosdoshme – m’u premtuan dhe gjatë vizitës sime të parë në vend gjeta si më poshtë vijon: lumi i vogël Beresina ishte atje rreth 80 metra i gjerë. Në mes të rrjedhës qendronin ende këmbët prej betoni të urës, në pjesën më të madhe të padëmtuara, ndërsa vetë ura kishte qenë hedhur në mënyrë mjeshtërore tërësisht në erë e prurjet e Beresinas e lagnin që prej dy vitesh e gjysmë. Katundi Berkovo përbëhej nga rreth dhjetë shtëpi, prej të cilave pesë ishin ende të banuara ose të banueshme, shtëpitë e tjera ishin të rrënuara si pasojë e mospërdorimit të gjatë, edhe pjesët e tyre prej druri ishin hequr nga ushtarët e kompanisë së ruajtjes së objekteve dhe me gjasa ishin përdorur për të ndezur sobën dhe për të gatuar ushqimin. Në kohën kur ndërmora matjet dhe llogaritjet e mia të nevojshme, në katër shtëpi banonin ushtarët e kompanisë së ruajtjes së objekteve, të cilëve u duhej të kryenin një shërbim rraskapitës dhe mjaft të paduk në atë zonë. Së fundmi në shtëpinë e pestë banonte një plakë ruse me vajzën e saj; që të dyja gatuanin, lanin dhe pastronin për ushtarët dhe përveç kësaj mbanin një pijetore të furnizuar nga burime të errta me raki, verëra dhe gjëra për të ngrënë
Në fund zbulova një varrezë të vogël, në të cilën ishin varrosur ata ushtarë, që kishin vdekur në rrjedhën e viteve gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak apo kishin rënë në luftë. Megjithatë qysh në atë kohë një komando e zhvarrimeve ishte duke i nxjerrë kufomat dhe po i rivarroste në një varrezë të planifikuar për heronjtë.
Me dy bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë Shnurin dhe Schnajderin m’u deshën gati tre ditë për t’i kryer matjet dhe llogaritjet e domosdoshme. Gjatë vizitës sime të parë në truallin e ndërtimit planifikova menjëherë t’i shfrytëzoja këmbët prej betoni ende prezente, t’u hidhja sipër një konstruksion prej çeliku dhe druri, i cili nuk do të rezistonte për një periudhë të gjatë kohe, por sidoqoftë për një periudhë afro tremujore do të mund të përballonte edhe lëvizjet më të mëdha të trupave, madje të njësive të rënda. Sepse në shtabin qendror të operacioneve ndërtimore për frontin e juglindjes më kishin thënë se ura ndoshta do nevojitej në kuadrin e një tërheqjeje të përgjithshme të trupave, ngaqë tek ura që ndodhej dy kilometra në juglindje pritej një grumbullim i papërballueshëm i tyre.
Natyrisht nuk është tamam një detyrë për të qenë mirënjohës, kur ndërton një urë, për të cilën e di se ajo në fund të fundit është e destinuar të hidhet në erë, sepse asgjëkundi sa në profesionin tonë – atë të arkitektit – nuk ekziston aq shumë tendenca për objekte të qëndrueshme, ndërsa në mjeshtëritë e tjera mbase jepet më shumë mundësia për punë shkel e shko. Pra nuk i kryem matjet dhe llogaritjet tona me gëzim të tepruar, kurse nga ana tjetër ishim të gëzuar që i kishim ikur pritjes topitëse në shtabin rezervë KNX për operacionet ndërtimore.
Meqë urdhri im përmbante formulën për ta përfunduar ndërtimin, më e vona për katërmbëdhjetë ditë, m’u desh të kërkoja 250 punëtorë, meqë kisha kalkuluar tre mijë ditë pune, sepse në objekte të këtij lloji duhet përllogaritur një përqindje e lartë aksidentesh në punë, konsumimi dhe faktorë gjithnjë të paparashikueshëm të llojeve të ndryshme. Përveç këtyre, për ushqimin, përkujdesjen, ruajtjen e punëtorëve, natyrisht duheshin kërkuar minimalisht gjithsej 50 veta personel shëndetsor, personel roje, si dhe për kuzhinën. Megjithë këto të tëra, kusht paraprak ishte vënia me bujari në dispozicion e çdo materiali në sasi të bollshme. E më në fund më nevojiteshin për ditët e para edhe disa specialistë për shkatërrim objektesh nga një kompani xheniere, të cilët duhej të ndihmonin për të hedhur në erë disa mbetje të vogla të urës.
Të gjitha këto llogaritje, matje dhe gjëra të ngjashme, ne të tre, Shnajderi, Shnuri dhe unë, i mbaruam për gati tre ditë dhe gjatë këtij qëndrimi të parë në Berkovo patëm rastin të vëzhgonim veprimet goxha të shthurura, gati mund të them, të rëna përtokë të ushtarëve të kompanisë së ruajtjes së objekteve, të cilët ishin nën komandën e një nëntogeri më të madh në moshë dhe të dy kapterëve. Ngaqë thashethemet për tërheqjen e përgjithshme të pritshme të trupave, që në atë kohë nuk ua mbyllje dot gojën, kishin marë dhenë edhe në këtë humbëtirë, morali po binte nga dita në ditë gjithmonë e më shumë; shpesh ngatërronin rrugën nënreparte, që në bazë të hartave të vjetra kishin si destinacion urën, gjithashtu erdhën shpesh kamionë me ushqime dhe nënreparte të orientuara gabim, dhe nën ndikimin e pëshpëritjeve të pashmangshme nga ushtari tek ushtari, me një çiltërsi cinike slogani në atë kohë qe: të shpëtojë, kush të mundet, si dhe ai proverbi rrënqethës e zvetënues: shijoje luftën, paqja do të jetë e tmerrshme. Këto dy shprehje u kthyen në parullën e qartë të nënrepartit për ruajtjen e objekteve, i cili ndër të tjerave e priste përditë transferimin e vet. Ushtrohej kurvëri e hapur me vajzën e pronares së pijetores, një kuçkë bionde e shplarë dhe e pagdhendur, përveç asaj vinin edhe femra të tjera, e unë vetë pashë që sasi të mëdha nga magazina e veshjeve, sende nga armatimi (unë besoj edhe armë) u shiteshin me çmime të kripura rusëve që bridhnin vërdallë, të cilët bartnin me plot kuptimin e fjalës thasë me pará dhe i transportonin mallrat në mënyrë disi misterioze. Çdo mbrëmje bëheshin orgji, ku nëntogerin, që ndonjëherë tentonte të bënte një rezistencë të dobët, e qetësonin duke i çuar në krevat më të bukurën e femrave prezente dhe duke e dehur e bërë xurxull qysh herët.
Vetë ushtarët ndienin për të gjitha këto ngjarje njëfarë pikëllimi të çuditshëm, që të bënte të mendoje se u kishte mbetur njëfarë njerëzillëku; sikundër mbase edhe mund të thuhej, se prej këtyre njerëzve ndoshta pritej vërtet më shumë se ç’u mbante kurrizi. Dhe më duhet të shtoj patjetër se një pjesë mjaft e madhe e tyre u qëndronte larg këtyre orgjive; po dihet, se dy të dehur bëjnë më shumë zhurmë se dyqind njerëz të kthjellët. Por të gjithë ata, që nuk merrnin pjesë direkt në këto veprime, nuk ishin në gjendje, të ndërmerrnin në mënyrë aktive diçka kundër këtyre meseleve, ata ishin të gjithë të sëmurë me atë sëmundjen e frikshme: nënshtrimin ndaj fatit.
Unë vetë, porsa mbërrita përsëri në instancën time eprore, i raportova të gjitha këto gjëra sipas rregulloreve, megjithëse isha i vetëdijshëm për vështirësinë, që do të thoshte, të jepja prova për këto vëzhgime. Sepse në atë kohë ishte e zakonshme, që çdo nënrepart të zotëronte të ashtuquajturat stoqe të zeza, që i kishin rënë në dorë gjatë ndonjë tërheqjeje dhe që nuk ishin raportuar asnjë herë.
Përveç kësaj paraqita menjëherë pas kthimit tim planet dhe llogaritjet, të cilat nga ana e tyre iu përcollën departamenteve të “materialeve” dhe të “fuqive punëtore”. Me energji të admirueshme dhe hare përkushtimi nga shtabi ynë, materialet dhe njerëzit e kërkuar na u siguruan dhe u ngarkuan e nisën marshimin brenda tetë ditëve. Përveç kësaj, bashkë me to u dërguan katër baraka të transportueshme për akomodimin e njerëzve; por kur mbërritëm kjo gjë doli e tepërt, ngaqë nënreparti i ruajtjes së objekteve ishte transferuar ndërkaq dhe fjetoret i kishim pra në dispozicion. Sigurisht, meqë do të kishte qenë po aq e pakuptimtë, nëse i kthenim barakat përsëri mbrapsht, na shërbyen ato gjatë ndërtimit të urës për të pasur rehati më të madhe.
Nga gruparmata “Jugu” u urdhëruan dy nënreparte tankiste për të mbrojtur objektin, papritur shumë të rëndësishëm. Këto dy nënreparte u pozicionuan rreth dyqind metra në jug dhe në veri prej nesh, dhe duhej të na mbronin, si prej sulmeve të mundshme nga prapavija, ashtu edhe nga sulmet e mundshme, të themi prej forcave depërtuese ruse nga ana tjetër e bregut të lumit. Më në fund një skuadër e vogël zuri pozicion direkt prapa nesh, kështu që ne, të mbrojtur nga një lloj kryeure, mundëm të fillonim sipas planit në afatin e caktuar.
Duhet të shtoj këtu, se tek njerëzit tanë shqetësimi nuk ishte i vogël, sepse tërheqja e nënrepartit të ruajtjes së objekteve do të thoshte praktikisht, që zona ishte bërë përsëri zonë e veprimeve luftarake, e në fakt zhurma e luftës, e cila në ditët e ardhshme do dëgjohej ndonjëherë relativisht afër, pastaj prapë më larg, na mësoi se ndodheshim në vendrojë mjaft të përparuar.
Por gjithçka rrodhi sipas planit, duke përfshirë llogaritjen e faktorëve të paparashikueshëm: humbjen e fuqisë punëtore, zhdukjen e materialeve, shqetësimet e paparashikuara gjatë ndërtimit: shiu apo i ftohti i madh. Edhe qëndrushmëria e këmbëve ende ekzistuese doli më e fortë sesa e kisha supozuar, sepse gjatë vizitës sonë të parë nuk kisha mundur t’u bëja të gjithave nga afër ekspertizën, meqë nuk kishte asnjë varkë. Sidoqoftë të gjitha këto ishin marrë parasysh dhe puna jonë rrodhi sipas planit. Kisha urdhëruar në kohë arrestimin e pronares plakë të pijetores bashkë me vajzën e saj dhe gjithë shpurës e kisha kërkuar zuska të reja, të kontrolluara, të cilat mbërritën edhe në kohë e u strehuan në një nga shtëpitë. Madje na eci edhe me furnizimin me raki dhe duhan, sepse në rrjedhën e viteve kishim fituar përvojën, që këto gjëra, në fund të fundit, të vogla në vlerë, në thelb i bënin mirë çdo projekti; në fund të fundit prej njerëzve të kombeve të ndryshme, të shtërnguar për të punuar, nuk mund të pritej asnjë lloj entuziazmi dhe hareje në punë, nëse nuk u siguroje, të paktën në dukje, njëfarë dobie materiale.
Pra katërmbëdhjetë ditët e pranuara si kohë e ndërtimit rrodhën sipas planit. E vetmja gjë për t’u raportuar do të ishin thashethemet, që i sillnin përditë shoferat e furnizimit me ushqime: se tërheqja e përgjithshme (tek-tuk guxohej edhe fjala arratisje) ishte në kulmin e vet, se një pjesë e madhe e trupave e kishte lëshuar tashmë bregun e djathtë të Beresinës, se me sa dukej planifikohej që t’i joshnin forcat kryesore të armikut në qorrsokak; se me gjasa ura në juglindje do të mjaftonte për tërheqjen. Në tërësi lloj-lloj pallavrash demoralizuese, ndaj të cilave i mbyllja natyrisht veshët, nëse nuk i fusnin aq shumë xixat për rebelim, që të njoftohej policia. Qëndroja në lidhje të përhershme telefonike me shtabin tim, raportoja në vijimësi mbi progresin e punës e ishte një kënaqësi për mua, që s’kisha nevojë të shprehja asnjë lloj kundërshtimi e ta vonoja përfundimin e urës, sepse – siç thashë – gjithçka ecte sipas planit.
Sigurisht – meqë jam zotuar të raportoj të vërtetën, duhet ta bëj këtë rregullim – edhe mua më shqetësonte fshehurazi zhurma e luftës, e cila pas tetë ditëve të para dukej e zhvendosur relativisht afër dhe po afrohej vazhdimisht që nga kjo ditë, ndonjëherë dukej se i afrohej shumë kërcënuese bregut të djathtë të sheshit tonë të ndërtimit.
Gjithashtu me raste kisha lënë të kalonin matanë, nëpërmjet një shtegkalimi mbi urë, ushtarë të vetmuar që tërhiqeshin, përderisa zotëronin dokumente ose ishin në shoqërimin e një komandanti përgjegjës, meqë ndieja keqardhje për burrat e stërlodhur e nuk doja t’i dërgoja kot edhe dy kilometra përpjetë lumit. Përkundrazi grupe të tjerë pa komandantë dhe të braktisur apo edhe individë, që hiqeshin si ushtarë të shkëputur prej formacioneve të veta, i dërgoja me rreptësinë më të madhe tek ura përpjetë lumit, ngaqë e dija se atje të gjithë kontrolloheshin me saktësinë më të madhe dhe nuk lejohej të kalonte matanë asnjë që largohej pa plan apo madje dezertor. Edhe memecëria e ngrysur e oficerëve të këtyre grupeve, prej të cilëve brenda dhjetë ditëve të para lejova të kalonin matanë gjithsej tetë, më forconte njëfarë pesimizmi të brendshëm, që natyrisht e fshihja dhe nuk e tregoja në pamjen e jashtme. Sigurisht isha i zhveshur nga çdo përgjegjësi vetjake duke u lidhur përditë me shtabin qendror të operacioneve ndërtimore, i cili e theksonte gjithmonë përfundimin e urës në afatin e dhënë.
Pra gjithçka rrodhi sipas planit deri tek dita e fundit e ditëve të parashikuara për ndërtim. Skeletin e përfunduar mbi këmbët ekzistuese kishim filluar ta shtronim, qysh dy ditë para këtij afati, me dërrasa të trasha lisi, të cilat do të mbërtheheshin me një lloj të veçantë perçinash të filetuara. Këto dërrasa ishin llogaritur për t’u mundësuar kalimin mbi urë edhe automjeteve dhe topave të rëndë e më të rëndë. Puna po ecte mirë në këtë ditë të fundit. Ndjenja se ishin afër objektivit, u jepte njerëzve kurajo dhe shpresa se së shpejti do të shpëtonin prej zonës së rrezikshme – sepse zhurma e luftimeve të largëta e trupave në tërheqje dëgjohej ditë e natë. – u jepte burrave një nxitje të mëtejshme. Kisha urdhëruar t’i shpinin nëpërmjet shtegkalimit gjysmat e dërrasave ende të domosdoshme për shtrimin e urës, në anën tjetër të lumit – e mora përsipër këtë rrezik, duke llogaritur me urtësi suksesin e mundshëm të kësaj mase – me arsyen, që ditën e fundit të mund të fillohej nga të dyja anët me shtrimin e saj. Në këtë mënyrë futa tek të dy kolonat e njerëzve të ngarkuar me këtë punë, pavarësisht nxitjeve të përmendura më sipër – njëfarë konkurrence shumë të shëndetshme, zellin për garë midis tyre, i cili ishte provuar si shumë i dobishëm gjatë veprimtarisë sime shumëvjeçare. Gjithsej me këtë punë po merreshin njëqind e njëzet veta nga punëtorët e mbetur ende, të cilët në dy kolona secila, gjashtëdhjetë veta, i kisha vënë nën drejtimin e Shnurit dhe Shnajderit. Pjesën e mbetur, tetëdhjetë veta – gjithë të tjerët, siç e kisha parashikuar, kishin bërë firo – i kisha vënë të ngarkonin që tani në automjete materialet e mbetura të ndërtimit, edhe veglat, pajisjet e kuzhinës e gjëra të ngjashme, sepse ambicia ime ishte t’i raportoja drejtorisë qendrore për operacionet ndërtimore në frontin e juglindjes, si përfundimin e urës, ashtu edhe gatishmërinë e plotë për marshim.
Nga dreka e kësaj dite të fundit kolonat e punëtorëve kishin ardhur aq afër njëra-tjetrës, saqë munda ta zgjasja plotësisht i qetësuar pushimin me një gjysmë ore (meqë ra fjala, siç konstatova më vonë, shumë kundër vullnetit të njerëzve, sepse ata më mirë do ta kishin përfunduar veprën pa bërë pushim, për t’i shpëtuar situatës që po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme). Por mua më zbuste zelli i dukshëm dhe rraskapitja e njerëzve, po ashtu sikurse ndihesha krenar se isha pranë përfundimit të një vepre ndërtimi të kalkuluar me mjeshtëri dhe po ashtu të drejtuar mjeshtërisht shpejt dhe në afat. Gjithashtu drejtoria, e cila e kishte inspektuar shumë herë punën time në shoqërinë e disa zotërinjve nga shtabi i përgjithshëm, ma kishte bërë të ditur, se për mua qe i sigurt Kryqi i Meritës i shkallës së parë.
Pas pushimit puna po ecte me gjallëri, edhe ngarkimi i materialeve po bënte përparim të mirë. Kisha urdhëruar tashmë nisjen e disa automjeteve.
Vazhdonte gjithmonë zhurma e luftës, e cila kishte ardhur më afër dhe dukej se po përqëndrohej kërcënueshëm në një pikë. Zhurma e topave të rëndë, prej të cilëve ne dëgjonim pjesërisht jo vetëm shpërthimet e predhave, por edhe lëshimin e tyre, ishte pothuajse si trokitja shumë e paduruar dhe zemërake tek një derë, të cilën robi do që ta shqyejë me forcë. Gjithë këto zhurma, edhe zjarri i armëve të këmbësorisë e buçima e tankeve, shoqëruan këto orë të fundit të punës sonë, që nuk u pengua aspak prej tyre. Sigurisht ishin larguar edhe nënrepartet tankiste të caktuara për të na mbrojtur – siç e mora vesh më vonë: pa asnjë urdhër – dhe të dy komandantët një toger dhe një kapiten, një më dy përgjonin të heshtur kantierin e ndërtimit, mbase për të qartësuar në njëfarë mase momentin, kur me gjasa do t’ia mbathnin edhe vetë.
U preka direkt nga ngjarjet veçse, kur rrotull orës tre ndaloi para këmbëve të mia një nëntoger i ri i xhenios me një fuoristradë me dy ushtarë; ky djalë i ri shumë simpatik dhe i kthjellët, më shpjegoi se kishte urdhër për ta hedhur në urën në erë në orën katër. Ma vuri para urdhërin me shkrim dhe nga ç’më tregoi për lajmet e reja strategjike, dilte gjithçka, që e shpjegonte mjaftueshëm misionin e tij. Tërheqja e trupave në bregun tjetër kishte përfunduar pothuajse plotësisht. Vetëm një nënrepart i madh ishte ngarkuar me misionin që ta gozhdonte masën kryesore të forcave armike e të shtirej dhe të krijonte përshtypjen e një rezistence të fortë, sigurisht – nëntogeri ma tha në mirëbesim – fshehurazi këtë nënrepart ia kanë dorëzuar armikut, dhe ishte dhënë urdhri, s’ka rëndësi se çfarë situate do të ishte pastaj, të dyja urat të hidheshin në erë në orën katër.
Mbërritja e dy kolonave të forcave tokësore armike tek secila prej urave pritej, më e vona, rrotull orës katër e gjysmë dhe komanda e forcave tokësore e pati të pamundur t’ua linte të dyja urat hapur si mundësi tërheqjeje trupave që po luftonin ende matanë, për shkak të rrezikut se ato do të binin në duart e armikut dhe do të favorizonin përparimin e tij. Pra ishte dhënë urdhri për t’i hedhur në erë urat e pikërisht më e vona në orën katër, sipas rastit edhe më herët. Megjithatë kjo duhej kryer veçse, nëse trupat armike vëzhgoheshin m’u ngjitur me ne. Kjo ishte sidoqoftë në rastin tonë jashtëzakonisht e disfavorshme, ngaqë pylli në anën e djathtë të Beresinës shtrihej pothuajse deri tek lumi.
Së pari inspektova me nëntogerin e ri urën, e cila ishte tani pothuajse e përfunduar, e ai vetë kërkoi gjatë këtij inspektimi të parë, që u bë afërsisht në orën tre e një çerek, vendet më të volitshme për vendosjen e ngarkesës eksplozive. Përveç kësaj ai u shfaq shumë i habitur për gjendjen e urës: i kishin thënë, e në dijeninë e tij kjo u ishte njoftuar edhe shtabeve të trupave që luftonin matanë, se përfundimi i urës pritej veçse afërsisht pas një jave; një shpjegim, i cili më informoi mjaftueshëm për faktin e çuditshëm, që ende asnjë trupë si një e tërë, më së paku nuk kishte tentuar që ta kapërcente urën. Edhe në gjendjen që ndodhej tani, ajo do kishte mundur t’u shërbente për të kaluar matanë madje nënreparteve të motorizuara, e unë sigurisht nuk do t’ia kisha refuzuar askujt përdorimin e saj.
U ktheva menjëherë në zyrën time dhe në prani të nëntogerit filloi një telefonim i pështjelluar. Telefonova drejtorinë qendrore për operacionet ndërtimore: nuk dinin asgjë për hedhjen në erë të urës. Pra vazhdoni të ndërtoni, derisa të prapësohet urdhri. Pastaj m’u desh pothuajse një gjysmë ore për t’i telefonuar nëpërmjet linjave, shumë herë të prishura, komandës qendrore për frontin e juglindjes: konfirmim i urdhërit për nëntogerin.
Përfytyrohet sa e e çuditshme ishte situata ime, se për më tepër më dukeshin bindëse të gjitha shpjegimet e nëntogerit e megjithëse do të kisha bërë gjithçka që ta përfundoja punën time, nga ana tjetër nuk e merrja dot përgjegjësinë që të vija në lojë, edhe vetëm një minutë, më shumë sesa ishte urdhëruar, jetën e më të thjeshtit prej njerëzve të mi. Pra më lidhën edhe një herë me drejtorinë qendrore, vendndodhja e së cilës ishte njëlloj si ajo e komandës qendrore rreth dyqind kilometra në perëndim. Vetë shefi më urdhëroi me mjaft padurim ta vazhdoja ndërtimin, tani edhe për hir të parimeve. Më shpjegoi fjalë për fjalë: nuk është me vend që t’i hedhim poshtë parimet tona qoftë kundrejt fakteve aq të pakundërshtueshme. Pastaj shtoi se po pret të lidhet në çdo çast me komandën qendrore, prej të cilës do të marrë konfirmimin e urdhrit për nëntogerin. E mbylli telefonin. Ishte ora katër pa dhjetë. Në orën katër duhej të përfundonte ura dhe matanë në bregun tjetër sundonte një qetësi shqetësuese. Urës i kishte mbetur një hapësirë prej shtatëdhjetë e pesë centrimetrash për t’u bashkuar. Ajo do të ishte gati fiks në orën e caktuar. Ende asnjë prej planeve të mia nuk kishte rezultuar i pazbatueshëm. Kontrollova edhe një herë të fundit qëndrueshmërinë e dërrasave dhe të perçinave të filetuara. Ndërkaq gjithë materiali tjetër ishte ngarkuar dhe vetëm disa kamionë bosh qëndronin gati për të marrë punëtorët, me motorët tashmë të ndezur, sepse kisha urdhëruar për në orën katër e pesë nisjen e përgjithshme.
Dy punëtorë nga kolona e Shnajderit montuan pak minuta para katrës perçinat e fundit, ndërsa nëntogeri kishte filluar tashmë të vendoste ngarkesat eksplozive, që u lidhën me fitilat ndezës. Vetë nëntogeri erdhi një minutë para katrës në mes të urës, ku isha i pranishëm në montimin e dërrasave të fundit dhe m’u lut të mos i vidhosja më ato, sepse pikërisht ky vend ishte jashtëzakonisht i favorshëm për vendosjen e eksplozivit, por nuk u tunda, aq më tepër kur kisha urdhërin e prerë të shefit, të ngulja këmbë në parimet tona. Nëntogeri u largua duke mbledhur supet, i hodha edhe një vështrim urës dhe shkova pastaj bashkë me Shnurin, Shnajderin dhe punëtorët e fundit tek baraka për të transmetuar fiks në orën e caktuar përfundimin e urës së Berkovos …
Por tani ndodhi diçka e tmerrshme. Në anën tjetër të urës, në këtë qetësi varri, u shfaqën nga pyjet ushtarë që po tërhiqeshin, një pjesë e të cilëve bartnin të plagosur; të tjerë po turreshin vetëm, megjithë sfilitjen e plotë, që mund të lexohej në distancë kaq të vogël në çehret e tyre; nga pyjet po dilnin edhe automjete; gjithçka në një ikje të frikshme dhe jashtë kontrollit, masa po shtohej gjithmonë e më shumë duke dalë prej pyllit e po i afrohej shumë shpejt urës, që atyre me siguri duhej t’u dukej si një shpresë vërtetë e ngjallur, se për më tepër kisha urdhëruar të vihej në shkallën e saj më të lartë një shtizë me flamurin me kryqin e thyer për të festuar përfundimin e saj.
Nëntogeri zbriti nxitimthi me njerëzit e tij nga ura, më tregoi duke mbledhur supet orën e dorës që shënonte pesë sekonda para katrës, e me dorën tjetër dëfteu disa tanke ruse, që hapën zjarr mbi ushtarët në ikje e sipër dhe që po i afroheshin kërcënueshëm urës.
Unë vetë renda në zyrën time, sapo pashë fitilin e ndezur të dinamitit dhe kërkova të lidhesha urgjentisht me shtabin qendror të operacioneve ndërtimore në frontin e juglindjes. Por para se të përcillej biseda e njoftuar prej meje, ra telefoni. Ngrita receptorin dhe dëgjova zërin e shefit: ndërpriteni menjëherë ndërtimin e urës. Meqë donte ta mbyllte telefonin, thirra ndal e raportova në bazë të rregullores: sipas urdhrit ndërtimi i urës përfundoi në orën e caktuar. Mirëpo ai nuk dëgjoi më asgjë… edhe unë pothuajse u trullosa nga zhurma e tërbuar, me të cilën ura fluturoi në ajër. Pastaj u nisa drejt makinës sime e urdhërova edhe të tjerët të nisin marshimin. Mirëpo askush s’mund të marrë vesh prej meje, se ç’pamje kishte ura e Berkovos pas hedhjes në erë, sepse nuk i hodha sytë rreth e rrotull, megjithëse predhat e tankeve ruse po binin mbi shtëpitë e Berkovos. E sidoqoftë ndonjëherë besoj se i shikoj ata; ushtarët që tërhiqeshin të rraskapitur, që kishin bërë rezistencë deri në fund, pak a shumë duke na mbrojtur ne, siç urdhëronte bindja ushtarake e megjithëse nuk i pashë vërtet, i shoh duke na mallkuar e në fytyrat e tyre shoh frikën e vdekjes apo të rënies rob, si edhe urrejtjen ndaj nesh, që nuk bëmë asgjë, siç na e kërkonte detyra.

Përktheu nga gjermanishtja: 

Gaqo Karakashi

____________
Shën. i përkthyesit: Tregim. Pa datë, ka të ngjarë të jetë shkruar në fund të 1948. Bëli e përfshiu më vonë të ndryshuar në kapitullin e VIII të romanit “Ku ishe ti, Adam?”, në vitin 1951.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top