Të vdekurit nuk binden më-Heinrich Böll

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Heinrich Böll (Hajnrih Bël)

Nëntogeri urdhëroi që të shtriheshim barkazi dhe ne u shtrimë barkazi. Ndodheshim në një buzë pylli, dielli shkëlqente. Ishte pranverë, mbretëronte qetësia dhe ne e dinim se lufta do merrte fund së shpejti. Ata që kishin ende duhan, filluan të tymosnin e ne të tjerët u përpoqëm të flinim, sepse ishim të lodhur, nuk kishim ngrënë shumë që prej tre ditësh dhe kishim dhënë shumë kundërsulme. Ishte një qetësi kaq e mrekullueshme e diku këndonin edhe zogjtë dhe gjithë ajri ishte i mbushur plot me një ëmbëlsi të butë, të lagësht.

Papritur nëntogeri filloi të bërtasë. Ai ulëriti: “Hej!” Pastaj u xhindos dhe thirri: “Hej, ju atje!” E pastaj tërboi plotësisht dhe zëri i tij jehoi: “Eh ju, eh ju, ju!”

Atëherë e pamë se për kë e kishte fjalën. Matanë në anën tjetër të rrugës së pyllit rrinte ulur dikush dhe flinte. Ishte një ushtar fare i thjeshtë me uniformë bojëhiri, i cili po flinte i mbështetur tek një pemë. Dhe ky ushtar po buzëqeshte shumë ëmbëlsisht me fytyrën e vet me preka dhe ne menduam se nëntogeri u çmend. Menduam se edhe ushtari që po flinte ishte çmendur, sepse nëntogeri po ulërinte gjithnjë e më shumë dhe ushtari që po flinte vazhdonte të buzëqeshte…

Ata që filluan të pinin duhan, ndërkohë e ndërprenë duhanin dhe ata që donin të flinin, s’kishin më gjumë e disa prej nesh buzëqeshnin gjithashtu. Ishte pranverë, mot i butë dhe i ëmbël dhe e dinim se lufta së shpejti do merrte fund.

Papritur nëntogeri nuk po ulërinte më. Ai kërceu përpjetë, kapërceu me dy hapa rrugën e pyllit dhe e goditi në fytyrë ushtarin që po flinte.

Por ne pamë se ushtari kishte vdekur. Pa thënë një fjalë, rrëzohet përmbys dhe nuk buzëqeshte më: fytyra e tij kishte një zgërdhitje të frikshme dhe neve nuk na erdhi fare keq për nëntogerin, i cili u kthye i zbehur, sepse nuk iu gëzuam më diellit, nuk ndjemë më kënaqësi me ajrin e butë, të lagësht, të ëmbël të pranverës dhe s’e çamë më kokën, a do merrte fund lufta apo jo. Papritur ndjemë se kishim vdekur të gjithë, edhe nëntogeri, sepse po zgërdhihej tashmë dhe s’kishte më uniformë të veshur…

____

Ky tregim i shkurtër, daton më 5 Janar, 1949 dhe është përpunimi i një pasazhi nga një projektdramë e Heinrich Böll-it me titullin “Siç urdhëronte ligji”, e shkruar në Janar, 1949.

Përktheu: Gaqo Karakashi

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top