Korbi -Edgar Allan Poe (1809-1849)
Një mesnate tejet të zymtë i përhumbur me terr në shpirt
Po lëçisja ndër shkrime të lashta fatin që më ra për short
Një trokitje e mezindier, m’u përhi me puhi t’erës
Sikur t’ishte dikush pas derës që me drojë po përgjon-
“Ndoshta është shtegtar i vonë”, mu pas derës po përgjon;-
Mëpastaj, ra heshtje mort
Ah, unë rroj veç të tregoj, ish’ dhjetor i ftohtë kallkan
Dhe çdocila urë n’ prushanë, hijet kobshëm i lëshonte
Fort gjakoja agu t’agonte;-n’agonì shpirti t’shëlbohej
Malli shkrimesh s’po lehtohej-malli për të bekuarën Lenorë
Vashëz e vyer dhe e shtrenjtë, engjëjt e pagëzuan “Lenorë”
Por pa emër për kurorë
Perde t’purpurta, hijerënda, posi gjëmat fshiknin xhamat
Angështonin, ankthëronin, si asnjëherë tash sa mot;
Zemra brofte për t’vërtetën, përnjëherë po bindja veten
“Një shtegtar i ngratë në natë ma zu derën e odës zezonë –
Një shtegtar i natës vonë mu pas derës së odës zezonë;-
Ja kjo është e kurrgjë n’botë.”
Do t’ia them veç natës së varrit si desh vdiqa për së gjalli
“Siç t’ka hije mik a mike, të lyp ndjesë s’të prita dot
Thashë me zërin që u tret n’erë, siç u shua trokitja n’derë
Ra aq lehtë-lehtë për besë, n’derë të odës që sterron
Hapa derën hapakrah me durimin që m’u sos
Pas kësaj, terr gjithkahmos
Kur në terr kredhur kundroja, sakaq beftë po shestoja
Aso ëndrrash ku morti mundet, fundit fundi i vjen prore
Mes hamendjesh e vramendjesh, krejt po çmendesha i çmeritur
Porse terri s’kish të sosur, tejendanë kishte pllakosur
Plot me drojë u belbëzua, u end pezull emri “Lenorë”
Sikur doli prej kraharori, e jehoi emri “Lenorë”
Pas kësaj heshtje mizore
Ikur territ, në odë ardhur, shpirt e mendje m’ishin trandur
Porse ja! Ja tek dëgjohet!, ai “tak-tak” që nuk harrohet!
“S’ka se si të jetë gjë tjetër” thashë “n’dritare vërtitet pezull;
Tash po vete, më s’durohet, kjo enigmë duhet t’zbulohet
Sall një grimë zemër duro, ja enigma tash po soset
Përpos erës kurrgjë jo!”
Në dritare hapa kanatat, kur sakaq doli nga nata
Hyri brenda korb i rrallë fort, që s’është parë qyshkahmot
Jo nuk dha aspak të njohur, jo asfare s’kuvendoi
Si zotëri a zonjë e rëndë, mbi derë t’odës një vend zgjodhi
Flatëroi mbi bust Palade, mu mbi derë të odës shkon
E zë vend sikur t’ish Zot
Sa u qas ky zog në çast, seç ma ktheu zinë në gaz
Ish i marrë a bënte vetë kapardisej si trim me fletë
“je hiçaskushi pa kurrkënd” , thashë ,“por krenar për sojin tënd”
Ikanak natës pa anë, fillikat në tramundanë, anës territ Plutonian
Hijezymtë që veç zymton, thuajmë emrin që t’pagëzon
Krrokon korbi “Kurrëmë jo!”
Mbeta shtang, kur shpendi foli, fare qartë fjalën e nxori
As këtu e as gjetiu as s’është parë as s’është dëgjuar
S’ka dalë zog a shtazë mbi tokë, asisoj fjalës t’ia thotë,
Mbi derë t’odës t’nis e kumtojë, si të paskësh shpendi gojë
Rreket të flasë, jep e merr, përmbi bust derdhur n’mermer
Emërkobi “Kurrëmë jo!”
Porse korbi vetmitar, përsërit të njëjtat fjalë
Gjithësaherë e nyjëtonte, peshë e pezull sërish e çonte
Mëpastaj fare s’bëzajti, për një çast frymën e mbajti
S’është i pari as i fundit” thashë “do shkojë tek të shumtit
Edhe ky do t’ik askundit dhe pse shpresa vdes e fundit”
Krrokon korbi “Kurrëmë jo”
Kur dëgjova fjalët e tij, në gjoks zemra më ka ngri
Por të paktën çka ai thotë, është e vetmja fjalë në botë
Nxënë prej të zot të patënzonë, pasi fati e kish fundosur
Nëpër kobe helme e vrere, kur e çmendën nga marazi
Dhe në zgrip të shpresës së sosur, veç ofshante i marrosur
Në zezonën e “Kurrëmë jo”
Dhe ja korbi sërish në çast, prapë ma kthen makthin në gaz
Në kolltuk u terezita, ballas zogut mbi bust n’derë t’odës
Shumëçka kisha për të shkoqitur një përgjigje të mezipritur
Nga ato veç njëra sosh, më shkretonte e më kthente në bosh
Zog ogurzi ç’kumt e ç’kob rrekej t’kumtonte krejt ndjellamort
Kur krrokonte “Kurrëmë jo”
Ja për k’to mendjen e vrisja, prej kurrkujt përgjigje s’prisja
Shpendit zjarr sytë i flakëronin, ma shkrumbonin kraharorin
Mbi nënkresën e stolisur prej shandanit llamburisur
Pak u preha prej asaj ploje të kujtimit të kahershëm
Ajme prehje për të s’do ketë, as për mallin e asojetshëm
Në jetë të jetëve “kurrëmë jo”
Tejendanë me temjan mbushën, Serafinët që lart bëjnë rojë
Çap i tyre ndihej n’odë shtronin hapin mbi fundshtrojë
“Jepi fund” thashë “mënisë ndaj Zotit, robi i tij është rob i mortit
Ai t’çon helmin e kujtimit, Ai t’çon melhem t’harrimit
Pi nepenthë, pi fatgjorë, në këtë botë s’ka më Lenorë”
Krrokon korbi “Kurrëmë jo”
“Profet” thirra “krijesë e tmerrit, në mos pjellë e territ të ferrit
I mënxyrtë sikur mandata, të shtrëngoi t’vish këtu shtrëngata
Në mos Qoftlargu këtu të flaku, të kallësh datën e të tmerrosh
Dynden hijet në shtëpi yshten- tregomë, tregomë ogurkob
A ka n’Galaadë balsam për mort- tregomë, tregomë ogurkob
Krrokon korbi “Kurrëmë jo!”
“Profet”, thirra, “krijesë e territ, në mos qofsh pjellë e ferrit
Pash kët’ qiell që mbulon botë-Pash vetë Zotin lëvdu qoftë
A do mundem Lenorën e mjerë, në Eden ta shoh një herë
A do mund të bëhemi tok, mu në gji sërish ta rrok
A në vrer do rroj i mbytur, për Lenorën shpirtëndritur
Krrokon korbi “Kurrëmë jo!”
O ti korb kam një fjalë të fundit, zog orëlig i hiçmoskundit
Përjetë mbetsh n’atë natë verban, thellë në terrin Plutonian
Me gjithë ç’ke e gjithë çka the, u rropossh shtatë pashë nën dhè
Lërmë t’vetmoj vetmi të shenjtë-sprapsu bustit të mermertë
Largomë kobin se m’rëndon, në zezonën që s’mbaron
Krrokon korbi “Kurrëmë jo!”
Por jo korbi hiç nuk tutet, s’tundet vendit, vendit s’tundet
Mu mbi bust Palade truhet, bash në derë të odës-o
Sytë e tij janë të mosqofshëm, ndjellin terr e tmerr të kobshëm
Shikimet dritës që mbi të bie, hije e korbit s’e ndal turrin
Shpirti im çlirim prej hijes, gjen veç Ditën e Moskurrit!
Sall atë ditë e “kurrëmë jo!”
Përktheu: Granit Zela
Një letër për Borges-in nga Susan Sontag, 10 vjet pas vdekjes së tij
Susan Sontag 13 Qershor, 1996, New York I dashur Borges, Meqenëse letërsia jote mbante gjithmonë shenjën