Një Mbrëmje Zbulimesh/Edlira Aleksi Bragjini

in Kronikë nga Dogville by

Nga Manuali i Emigrantit

Edlira Aleksi Bragjini

Ishte mbrëmja e prezantimit të modelit “Wraith”, të Rolls Royce, një mbremje galá për të cilën siç morëm vesh më vonë, ishin harxhuar rreth $100,000.

Përmes xhamave të lartë të sallonit të madh të kompanisë dritë-hijet e rrugës binin mbi hollin e gjerë që ishte përmbytur me njerëz të parfumuar dhe veshur shtrenjtë. Ishte një ngjarje e rëndësishme kjo, kishte ardhur edhe televizioni lokal, madje erdhi edhe KekBosi, që natyrisht kishte bërë një kek në formën e makinës së re dhe që të gjithë kolegët mbanin radhën për të bërë foto. Kati i dytë ishte mbyllur, ndërkohë që kati i parë ku qarkullonin njerëzit ishte boshatisur nga makinat.

E lija punën pasi kishte filluar mbrëmja, kështu që zbrita shkallët e katit të dytë kur të gjithë të ftuarit ishin brenda me gota në duar. Ndjeva një lum vështrimesh njerëzish nga poshtë dhe m’u duk vetja si Skarlet O’Hara tek filmi: “Së bashku me Erën”, kur ajo duke zbritur shkallët pyet shoqen: – Kush është ai burrë që më vështron dhe buzëqesh si një qen i hazdisur?”…

– Oh, po ai është Rett Batler moj e dashur, nga Carleston-i… ka një reputacion të tmerrshëm… – kështu ia ktheu shoqja.
Kishte një dyndje të madhe njerëzish dhe në atë zallamahi shikoj një dorë që ngrihej nga kokat e njerëzve, që si krahu i një të mbyturi më bënte me sinjal të shkoja andej. Ishte Tomasi, drejtori i shërbimit për Lamborginin. U zhyta në një oqean fytyrash, një pamje biblike, eca me vetmohim deri sa arrita te Tomasi.

– Po ç’bëhet kështu ? – i them.

– Ç’të bëhet? – më thotë, – ja, më kanë lënë përgjegjësin e tendës së pijeve këtu, – dhe u ngërdhesh çakërqejf.

– Ti ç’farë do pish?- më pyet.

Hodha sytë tek tenda dhe pashë ca pije me ngjyra shumë të bukura.

Ai më tha: “Si thua për një “Mimoza”?”.

– Oh paska pije Mimoza? Duket nga ngjyra…

Tomasi më pa i çuditur, pasi nuk e dinte që përveçse pije me emrin “Mimoza”, kishte edhe lule me të njëjtin emër.

M’u kujtuan Mimozat e rrugës së Durrësit brenda Ambasadës Jugosllave në Tiranë, ku kaloja çdo ditë për të shkuar në shkollë. Madje m’u kujtua edhe ajo historia e vajzës së Prokurorit të Tiranës në kohën e diktaturës, që flirtonte me bojaxhiun serb të fasadës një pranverë, i cili bojatiste me njërën dorë, ndërsa me tjetrën herë u merrte erë Mimozave, e herë i jepte sinjale dashurie gjimnazistes tek pallati përballë, e cila me siguri që përveç dalldisë së pranverës dhe mimozave, edhe sapo duhej të kishte lexuar librin: “Romeo dhe Zhuljeta”.

Babai i saj kur e mori vesh deshi ta muroste ballkonin, bashkë me vajzën, si tek balada e Rozafës.

M’u kujtua që një kushëri i nënës sime, në gjendje të dehur, thoshte: – Të gjitha femrat që e kanë emrin Mimoza janë zuska.

Çfarë ngacmimi më dha vetëm një fjalë e thjeshtë. Ka diçka afrodiziake kjo fjalë. Ja, tani e kanë bërë edhe pije, pastaj Mimozat të dehin që në pemë…

Kur shoh Tomasin që më jep gotën me pije, i them: – Më mirë jo këtë me Mimozë.
Pasi u përqendrova tek turma, pashë djemtë e shitjes që po luanin si xhonglerë në mes të njerëzve për të shitur makina. Në atë çast dëgjojmë pranë nesh manaxherin gay të departamentit të Maseratit, i cili u shpjegonte bashkëbiseduesve se trëndafilat në bahçen e tij kishin dalë më të bukur këtë vit, dhe mendova se një djalë shqiptar, po të kishte bahçe do ta mbillte me rrush për të bërë raki, ose ndoshta me cannabis, sipas modës së fundit…

Ndërkohë një vajzë e gjatë, e bukur, i afrohet Tomasit dhe e pyet: – A ke kompani private?

– Jo, unë punoj këtu, – i përgjigjet ai.

Ajo sa e dëgjoi u kthye në anën tjetër dhe iku.

– Këto, – thotë Tomasi, – janë femra që blejnë biletë të hyjnë në këto festa vetëm për të takuar burra të pasur…

Një kontigjent i ri kurtizanesh, – mendova, – me një biletë në dorë, luajnë poker me fatin, pa e ditur çfarë karte mund t’u bjerë. M’u duk diçka veçanërisht kurajoze dhe në një vend të fshehtë brenda meje ndjeva admirim. Vajza në betejë me rrezikun, si luftëtare amazonash ose si fluturat që i afrohen dritës së zjarrit dhe u digjen krahët.
Ndërkohë një grua e moshuar trupvogel mëndaloi pranë, me buzëqeshjen e një gjysheje, plot dashuri dhe dhembshuri na përshëndet.

Tomasi u emocionua shumë, dhe pasi pyeti për bosin e madh, kuptova se duhet të ishte kliente e rëndësishme.

Më dha një buzëqeshje tjetër këtë herë me një kuriozitet hetuesi dhe u largua.

– E di kush është kjo? – më thotë…

– Jo, – i them…

– Eshte Madama…

Unë kur tha “madama”- mendova që do ishte franceze dhe përnjëherësh e pyeta: – Madam kush?…

Tomasi më shpjegoi nën zë: – Madama e zonës Gold Coast. Kjo dhe çeta e femrave të saj na sjellin shumë klientë të pasur. Është si punë drejtoreshe marketingu e padeklaruar.

E kuptova çfarë ishte “Madama” më në fund, sepse kisha parë filmin “Malena”, por edhe filmin “Tradhëtia”, por nuk e dija që quheshin “Madama”.

– Pra këto Madamat janë përgjegjëse të shtepive rozë, – i them
– Egzakt, – më thotë.
Në atë kohë u zbulua Rolls Royce, të gjithë duartrokitën dhe ata që e drejtonin këtë punë e kishin bërë të mundur që gjatë zbulimit të makinës të kishte mjegull. E ndërsa të gjithë u afruan për ta parë nga afër, në përfytyrimin tim ajo pamje zgjoi imazhe të një femre të bukur të mbuluar me dhjetëra vello, ku secili burrë që i afrohej ia rrëzonte një nga një dhe i hidhte si copëra mëndafshi drejt qiellit, për të rënë trishtueshëm, duke u përdredhur sa andej-këndej, si tymi i cigares në tavëll.

Dhe nuk e di përse m’u kujtua një varg i një poezie Sufi:

“Unë dhe ti/një vello midis tokës dhe qiellit…”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kronikë nga Dogville

Go to Top