Përfytyroj që gjatë procesit të krijimit, autorja t’u thotë personazheve: “Tani duhet të kryeni bukur mbylljen e kësaj historie… ” por në fakt “ata shkojnë drejt fatit te tyre” njëlloj si Ana Karenina drejt shinave, edhe nëse kjo do të thotë që t’i thyejnë zemrën autorit, apo edhe lexuesit.
Edlira Aleksi
Krijova një lidhje të veçantë me ngjarjen dhe personazhet, teksa lexoja romanin “Bulevardi i Yjeve”, të autores Arlinda Guma. Isha me pushime dhe sa herë që e lija librin mënjanë, për të vazhduar me planet dhe angazhimet e ditës, kurioziteti më thërriste të mësoja më shumë për fatin e personazheve të pazakontë të këtij romani.
Gjatë ditës, që kalonte me aktivitete të shumta, kisha një ndjesi se këta njerëz ishin duke më pritur nëpër faqet e romanit, për të vazhduar rrëfimin e historisë së tyre.
Diku kam lexuar se gjithashtu autorët kanë një marrëdhënie të veçantë me personazhet që krijojnë. Pasi ata ngrenë një galeri ngjarjesh e karakteresh, janë pikërisht këta të fundit, që më pas i drejtojnë autorët nëpër rrugët e veprës së tyre. Ёshtë i njohur episodi i Tolstoit, ndërsa shkruante fundin e romanit “Ana Karenina”. Bashkëshortja e shkrimtarit e gjen atë një ditë, në një gjendje të mjerueshme, pasi personazhi i Anës nuk i bindej, ajo po shkonte drejt shinave dhe ishte e pamundur që t’i jepte romanit një fund të lumtur.
Tek romani “Bulevardi i Yjeve”, krahas ngjarjeve, ajo që të lë mbresë është saktësia e rrëfimit, përshkrimi i detajeve, në dukje të parëndësishme. Kisha vazhdimisht ndjesinë sikur të isha përpara një pasqyre, që reflekton me besnikëri vërtetësinë e imazheve. Një vërtetësi e padeformuar. Sikur të isha përpara një pasqyre të zhveshur nga paragjykimet.
Personazhi i Lorës, e cila i bashkohet grupit të të pestëve, ndihmon në plotësimin e këtij dimensioni njerëzor. Lora, aktorja që vizitonte spitalin psikiatrik, në mënyrë që të përgatiste rolin e saj, për dramën “Shpirti”, zbulon ngadalë perden e tragjedisë njerëzore, një tragjedie të harruar, të lënë pas dore, tragjedinë e këtyre njerëzve që janë të ngujuar në vuajtjen e tyre dhe që, askush nga ne nuk mund të dijë çfarë është me saktësi.
Më shumë se me fjalë, në këtë roman autorja Arlinda Guma rrëfen me zemër. Libri ka një strukturë në formë pjesëzash të shkurtra, qe plotësojnë mesazhet që përcillen natyrshëm; një ndërthurje historish njerëzore, ku dashuri të mëdha kanë mbetur në një kurth, në ingranazhin e fatit dhe mentalitetit të shoqërisë; dashuri të shtypura, që fermentohen brenda shpirtit dhe kthehen në një tjetër formë… të trishtë e të dhimbshme… deri edhe në një shqetësim nervor…
“Dhe kur beson se e shtrëngon lumturinë/ai e shkërmoq atë…” – me këto fjalë fillon romani “Bulevardi i Yjeve”.
Nëpërmjet përshkrimit autorja të bën pjesë të skenës. Ka kaq shumë fuqi stili i Arlinda Gumës, sa të duket sikur ajo të merr për dore dhe të fut në episod, si në një skenë filmi, në mënyrë që ti të ndihesh se je pjesë e atij fragmenti; ku Lejla dilte në ballkon dhe vërente që atje përballë dikush ishte duke e vështruar përmes errësirës. Shqetësimi i saj për t’u ikur këtyre emocioneve, vetëm për të kuptuar më pas se dashuria nuk mund të shmanget, ajo vjen e të mbërthen si virusi i gripit një mëngjes papritur, ndërkohë që ti kishe bërë plane të tjera për ditën.
Të gjitha këto i gjen në mënyrën se si e vështrojnë botën këto personazhe, në gjestet e tyre, në fjalët… Dhe historia vazhdon shtjellohet më tej, personazhet e ndërlikojnë qëndrimin e tyre, ndaj ngjarjes e vetë njëri-tjetrit. Ata sillen sipas dëshirës së tyre, si tek historia e Tolstoit. Metafora e “dorës me mjegull” në roman, të ngacmon imagjinatën. Përshkrimi i duarve me gishtërinjtë që klithin, edhe në dy pjesëza të tjera… “vajza me duar të buta”, përshkrimi i brengës së personazhit, vetëm nëpërmjet lëvizjeve të duarve, më kujtoi muralen e një kishe, pikturuar nga Leonardo da Vinçi, e cila titullohet “Darka e fundit”, ku Jezusi u thotë dishepujve se njëri prej tyre do ta tradhtojë pa kaluar mbrëmja dhe të gjithë dishepujt e pyesin një nga një: “Mos jam unë? “Mos jam unë, Zoti im?”. Një detaj i fuqishëm i pikturës janë pëllëmbët e duarve të Jezusit që shprehin trishtim (njëlloj si në atë pjesë të romanit)… ato bien ne sy sapo përballesh me pikturën…
Përfytyroj që gjatë procesit të krijimit, autorja t’u thotë personazheve: “Tani duhet të kryeni bukur mbylljen e kësaj historie… ” por në fakt “ata shkojnë drejt fatit te tyre” njëlloj si Ana Karenina drejt shinave, edhe nëse kjo do të thotë që t’i thyejnë zemrën autorit, apo edhe lexuesit.
Romani është i ngjeshur në metafora Frojdiane, një nga ato që më ka bërë tepër përshtypje është shqetësimi i Napolonit (pacientit të spitalit psikiatrik) për diejt. Ideja fikse e tij për t’i shqepur copat e bezes rrethore tek bërrylat e xhaketës, meqë ato i dukeshin si diej të rremë. Metafora e diejve të rreme… e një lumturie false, të bërë njësh me rrobat që ai vesh. Diçka që në pavetëdijen e tij e turbullon pambarimisht. Një kambanë alarmi që bie përgjatë rrëfimit, se në një shoqëri ku jeta e një njeriu normal është e vështirë dhe plot pengesa absurde, ku liria e tij personale mbahet peng përmes shumë formave, padrejtësish të stërholluara, e si mund të jetë e lehtë për atë kategori njerëzish? Për ata që jetojnë të mbyllur në një spital psikiatrik. Për ata që jetojnë një makth të përhershëm. Ashtu siç përjetojmë ne, makthe që zgjasin fare pak gjatë një gjumi të trazuar, ku truri dhe shpirti bie në pavetëdije dhe problemet tona dalin në sipërfaqe, ku imazhet ngatërrohen e përmbysin trurin… ndërkohë që tek këta njerëz, kjo është një e përditshme. Ёshtë e paimagjinueshme dhimbja dhe ajo që ata mund të përjetojnë.
Një tjetër këndvështrim interesant në roman, është pamundësia e personazheve për t’u vendosur në të njëjtën frekuencë shpirtërore, në një botë ku mungon harmonia. Dashuri të bukura që qëndrojnë fare pranë dhe e kanë të pamundur të finalizohen, sepse jetët e karaktereve janë si dy nota në tonalitete të ndryshme. Kanë kaq shumë barriera shpirtërore këto personazhe, që krijojnë një koracë ndaj dashurisë, në një kohë që, ndoshta dashuria është përgjigjia, ndoshta ajo është shërimi. “Ёshtë sikur të kaptosh diellin”- lexon diku në një dialog të romanit.
Një histori interesante në roman, është ajo e Lejlës me arkitektin. Një tjetër, po aq interesante, është edhe ajo e kronikanit rozë, me shkrimtaren, autoren e romanit “Kukulla”, mbi të cilin është ndërtuar drama, rolin kryesor të së cilës do ta luajë Lora, studentja e aktrimit. E para një histori pa shumë fjalë, thuajse e heshtur.
E dyta, ajo e kronikanit rozë dhe Siria Athanasit, e mbështetur tek fjala. A thua se dashuria është në një fjalë dhe ata duhet t’i flasin të gjitha që ta gjejnë? Në të vërtetë, duket se tek këto personazhe u dashuruan fjalët. Kjo më trishtoi. Fillova t’i kem shumë për zemër këto dy personazhe dhe e prisja me padurim afrimin e tyre… që në të vërtetë nuk ndodhi…
Në romanin “Bulevardi i Yjeve”, dashuria gjendet kudo, edhe në vendet më të pazakonta, edhe në një spital psikiatrik… Romanca e dy pacientëve të këtij spitali, Klarës dhe Maksit, është aq spontane dhe e natyrshme, por që finalizohet nga një fund brutal…
Studentja e aktrimit, Lora, e cila vizitonte spitalin, dhe Doktor Fritzi; një enigmë kozmike. Siria Athanas dhe gazetari konfuz, që ekzekutojnë ndjenjat e tyre, ndërsa muzgu përflaket përmbi det. Atmosfera Shekspiriane e vallëzimit të gruas, së cilës i mbetej melodia në grykë, e që kompozitori nuk mund t’ia rrëmbente… dhe shpirti që përpëlitej duke fluturuar fletë nga tavolina… duke rrëzuar karrige nëpër sallë… si të kërkonte edhe ai të ishte pjesë e këtij vallëzimi drite…