Fragment nga libri “This craft of verse”/Jorge Luis Borges

in Esé/Letërsi by

Jorge Luis Borges

«[…] Për aq sa më kujtohet, grekët nuk i përdornin shumë librat. Është fakt që shumica e mendimtarëve të njerëzimit nuk i janë drejtuar shkrimit, por fjalës. Mendoni për Pitagorën, për Krishtin, për Sokratin, për Budën etj. Dhe meqenëse përmenda Sokratin, do doja të thosha dy fjalë për Platonin. Më kujtohet që Bernard Shaw thoshte se Platoni ishte dramaturgu që kishte krijuar Sokratin, ashtu sikundër katër ungjillorët ishin dramaturgët që kishin krijuar Krishtin. Ndoshta këto shkojnë shumë larg, por ka këtu, ama, një pjesë të vërtetë. Në një nga dialogët e tij, Platoni nuk i lëvdon shumë librat: “Ç’është libri? Libri është si një tablo, ka pamje të gjallë, por nëse i bëjmë një pyetje, ai nuk na përgjigjet dhe atëherë shohim se paska qenë i vdekur.” Dhe për të shndërruar librin në realitet të gjallë, ai shpiku, fatmirësisht për ne, dialogun platonik që u del përpara dyshimeve dhe pyetjeve të lexuesit.

Por do mund të thoshim gjithashtu që Platoni kishte nostalgjinë e Sokratit. Pas vdekjes së Sokratit, ai me siguri thoshte shpesh me vete: “Ç’do kish thënë Sokrati rreth kësaj pike për të cilën kam dyshime?” Atëherë, për të dëgjuar sërish zërin e mjeshtrit të dashur, ai shkroi dialogët. Në disa dialogë, Sokrati përfaqëson të vërtetën, të vërtetën e pakundërshtueshme. Në të tjerë, Platoni ka vënë në skenë gjendjet e tij të ndryshueshme e të shumëfishta shpirtërore. Disa nga dialogët nuk dalin në asnjë përfundim sepse Platoni, duke i shkruar, vazhdonte të reflektonte: nuk e dinte cila do ishte faqja e fundit në çastin kur shkroi të parën. Ai e linte mendjen të bredhërinte dhe këto bredhëritje mishëroheshin në personazhet e ndryshëm të dialogut të tij. Ma merr mendja se objektivi i tij kryesor ishte t’i ofronte vetes iluzionin se, përtej faktit që Sokrati kishte pirë helmin, ky i fundit ishte përherë pranë Platonit. E kam këtë bindje, ngaqë kam pasur shumë mjeshtra në jetë. Jam krenar që jam dishepull dhe, shpresoj, një dishepull i mirë. Mirëpo, kur mendoj për tim atë, kur mendoj për shkrimtarin e madh judeo-spanjoll Rafael Cansinos Asséns, kur mendoj për Macedonio Fernándezin, do doja të dëgjoja edhe zërin e tyre. Nganjëherë ushtrohem duke imituar zërat e tyre: shpresoj gjithashtu të mund të mendoj siç mendonin ata. Janë gjithmonë pranë meje.

Te njëri nga etërit e Kishës ka një fjali që thotë se është po aq e rrezikshme të vësh një libër në duart e një injoranti, sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Kjo sepse, për antikët, librat nuk ishin tjetër veçse një mjet. Në një nga letrat e tij, Seneka ngrihet kundër bibliotekave të mëdha. Shumë kohë më vonë, Schopenhauer ka shkruar se shumë njerëz bënin gabimin të besonin se duke blerë një libër, blenin gjithashtu edhe përmbajtjen e librit. Më ndodh ndonjëherë t’i hedh sytë mbi librat e shumtë që kam në shtëpi dhe të them me vete se do vdes para se t’i kem lexuar të gjithë. E prapëseprapë nuk i rezistoj dot tundimit për të blerë gjithmonë libra të rinj. Sa herë që hyj në një librari e që bie mbi ndonjë vepër që ka lidhje me ndonjë nga temat e mia të preferuara – për shembull poezi në anglishten e vjetër apo norvegjishten e vjetër – them me vete: “Sa keq që s’mund ta blej këtë libër, ngaqë e kam tashmë një ksombël në shtëpi.”

Më vonë – e kam fjalën, pas antikëve – një konceptim i ndryshëm i librit na erdhi nga Lindja: ideja e një Shkrimi të shenjtë, e librave të shkruar nga Shpirti i Shenjtë. Atëherë u shfaqën Kurani, Bibla dhe të tjerë. Do doja të frymëzohesha nga Spengler- i, nga “Rënia e Perëndimit” të tij, e të merrja Kuranin si shembull. Nëse nuk gabohem, teologët myslimanë e mbajnë Kuranin si të krijuar përpara krijimit të fjalës. Kurani është shkruar në arabisht e megjithatë myslimanët e konsiderojnë si ekzistues përpara gjuhës. Madje, kam lexuar diku që ata mendojnë se Kurani nuk është një vepër, por një atribut i Zotit, siç është Drejtësia, Dhembshuria apo Urtësia e Tij.

Kështu ndodhi që Europa njohu idenë e një Shkrimi të Shenjtë dhe kjo ide, për mendimin tim, nuk është krejtësisht e gabuar. E pyetën një ditë Bernard Shaw-n (tek i cili rikthehem shpesh) nëse vërtet mendonte se Bibla ishte vepër e Shpirtit të Shenjtë. Dhe përgjigjja e tij ishte: “Besoj se Shpirti i Shenjtë nuk ka shkruar vetëm Biblën, por të gjithë librat.” Sigurisht që kjo përgjigje ka diçka dërrmuese për Shpirtin e Shenjtë – por ma merr mendja se gjithë librat e meritojnë të lexohen. A nuk ishte e njëjta gjë që donte të thoshte Homeri kur i drejtohej Muzës? Apo që donin të thoshin hebrenjtë dhe Milton-i kur flisnin për Shpirtin e Shenjtë, tempulli i të cilit është zemra e dëlirë e njerëzve? Në mitologjinë tonë të sotme, jo aq të bukur, flasim për një “un të nënvetëdijshëm” dhe për “nënvetëdijen”. Këto janë terma paksa të vrazhdë nëse i krahasojmë me Shpirtin e Shenjtë apo me Muzën. Por duhet të përshtatemi me mitologjinë e kohës. Në fund të fundit, të gjitha këto fjalë kanë të njëjtin kuptim.»

Përktheu Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top