FILLIM HISTORIE-Wislawa Szymborska
Bota nuk është kurrë gati
për lindjen e një fëmije.
Anijet tona ende nuk janë kthyer nga Vinlandi.
Na duhet të kalojmë ngushticën e Shën Gotarit.
Duhet t’u shpëtojmë rojeve në shkretëtirën e Tharit,
të mbërrijmë përmes kanaleve në qendër të Varshavës,
të gjejmë mënyrën për të takuar Mbret Harald Bullafiqin,
dhe të presim rënien e ministrit Fouché.
Vetëm pasi të kemi mbërritur në Akapulko,
do t’ia nisim nga e para.
Rezervat e fashave na kanë mbaruar,
na mungojnë shkrepëset, argumentet dhe uji,
presat, kamionët dhe mbështetja e Mingëve.
Me një kalë ngordhalaq s’e blejmë dot sherifin.
S’kemi asnjë lajm nga robërit e tartarëve.
Për dimrin na duhet një bimsë më e ngrohtë
dhe dikush që e njeh mirë hararishten.
Nuk dimë kujt t’i besojmë në Ninivë,
çfarë kushtesh do vërë princi-kardinal,
cilët emra fshehen ende në sirtarët e Berias.
Thonë se Karl Marteli do sulmojë në agim.
Në këtë situatë le ta qetësojmë pak Keopsin,
le të dorëzohemi me dëshirën tonë,
të ndryshojmë fenë,
ose të hiqemi si miq të doxhit
dhe të mos kemi aspak të bëjmë me tribunë Kuabe.
Po vjen koha të ndezim zjarret.
T’i dërgojmë një telegram gjyshes nga fshati.
Të zgjidhim nyjet e lidhëseve të tendës.
Lindja i qoftë e lehtë
dhe fëmija u rrittë i shëndetshëm.
Qoftë i lumtur herë pas here
dhe kërceftë mbi humnerë.
Pastë zemër të fortë e të paepur,
dhe mendje vigjilente e largpamëse.
Por jo aq largpamëse
sa të shohë të ardhmen.
Kursejani, o fuqi qiellore,
këtë dhunti.
Përktheu: Alket Çani
NËN NJË YLL TË VOGËL-Wislawa Szymborska
NËN NJË YLL TË VOGËL-Wislawa Szymborska I kërkoj ndjesë rastësisë që e quaj domosdoshmëri. I