Me Emiljando Kitën; aktivistin që filmoi banorin e keqtrajtuar në Zvërnec, skenën që shpërtheu revolucionin më të madh të shqiptarëve

in Biseda by

Emiljando Kita ka studiuar për Shkenca Politike dhe Msc Teori Politike. Ai është një ndër aktivistët më të zëshëm të Lëvizjes Bashkë dhe autori i videos ku shihet një banor në Zvërnec që keqtrajtohet nga forcat e sigurisë private.
Sot protestës i janë bashkuar shumë forca politike, por duket se të gjitha ato dhe mediat kanë rënë dakord në heshtje për të mos ta përmendur Lëvizjen Bashkë si zemra e kësaj proteste.
Revista defekt-teknik i drejtoi disa pyetje aktivistit, për të vënë theksin mbi të vërtetën që shpesh tentohet të modifikohet dhe për ta dokumentuar saktë këtë çast që do të hyjë në histori.

   Bisedoi: Arlinda Guma

Arlinda Guma: Pak e dinë që ju ishit aktivisti që filmoi skenën ku banori i Zvërnecit po tërhiqej zvarrë në pronën e tij prej rojeve të sigurisë së një kompanie private. Në çastin kur e pashë m’u duk sikur isha unë personi që ata po tërhiqnin zvarrë. Dhe kam përshtypjen se çdokush që e ka parë është ndier si unë. Si e përjetuat? Mund ta rrëfeni të gjithën?

Emiljando Kita: Nga banorët e Zvërnecit ishim njoftuar dhe ftuar të ishim në krah të tyre në protestë. Mbërritëm në Zvërnec, në vendin ku do të zhvillohej protesta, ende pa ardhur banorët dhe para se policia të pozicionohej plotësisht.
Aty pamë se po vendoseshin tri shtresa sigurie përballë 200-300 protestuesve që pritej të merrnin pjesë. Shtresa e parë ishte policia e shtetit, e dyta ishte siguria private, ndërsa e treta përbëhej nga disa persona të maskuar dhe trupmëdhenj, të cilët erdhën me makina të zeza dhe qëndronin brenda rrethimit.
Ishte e qartë se kjo ishte një strategji për t’u futur frikën protestuesve. Mediat mungonin, ndaj vendosëm ta filmonim gjithçka.
Ndërsa banorët vazhdonin protestën, disa prej tyre u ulën në tokë. Unë shkova pas tyre dhe, pa e ditur, u gjenda në çastin dhe vendin ku ndodhi rrëmbimi dhe më pas dhunimi i një banori nga halabakët e oligarkëve. Kështu i quajtëm, sepse ashtu u sollën.
Rrëmbimi ndodhi përpara dhjetëra policëve, duke lënë të kuptohej se aty urdhrat nuk i jepte shefi i policisë, por halabakët. Ishte një nga çastet më të rënda që kam përjetuar, sepse ndihesha plotësisht i pafuqishëm.
Mora megafonin dhe fillova të bërtisja me gjithë fuqinë time drejt policëve, duke u kërkuar të ndërhynin dhe ta shpëtonin banorin, i cili nuk dukej më. Nuk e dinim nëse po vazhdonin ta dhunonin apo çfarë po ndodhte me të.
Banorët u revoltuan. Filluan thirrjet, zemërimi dhe tensioni u rrit. Nën presionin e protestuesve dhe nën ndërhyrjen edhe të deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçit, shefi i policisë u detyrua të shkonte dhe ta merrte banorin e dhunuar. Më pas dëgjuam se ai ishte kërcënuar edhe me armë. Fatmirësisht ishte jashtë rrezikut dhe u dërgua në spital. Më vonë shkoi edhe në komisariat për të bërë kallëzimin.
Protesta vazhdoi. Halabakët vazhdonin të fyenin protestuesit, të hidhnin gurë dhe të përdornin sprej irritues, duke goditur si protestuesit ashtu edhe policët.
Kur protesta përfundoi, u nisëm për në Tiranë me një ndjenjë të thellë pafuqie dhe zemërimi. Ishte e vështirë të pranoje sesi këta halabakë dhe oligarkë vazhdonin të vepronin me kaq arrogancë: u rrëmbenin tokat banorëve, merrnin leje për të ndërtuar në zona të mbrojtura dhe dhunonin protestuesit. Të gjitha këto, dukshëm, ndodhnin nën një mbrojtje politike.
Më pas pashë se Drejtoria e Policisë së Vlorës kishte mashtruar në deklaratën e saj, duke pretenduar se protestuesi kishte thyer rrethimin e kantierit. Por unë kisha videon që tregonte qartë se ai ishte rrëmbyer pa thyer asgjë.
Pas filmimeve më janë afruar individë të maskuar, njerëz të infiltruar brenda protestës, që të ma merrnin dhe të ma fshinin videon, mirëpo nuk ia dolën pasi unë nuk pranova të shkëputesha nga aktivistët dhe nga protestuesit.
E publikova menjëherë videon. Ajo mori mbi një milion shikime. Pas kësaj, Drejtoria e Policisë nuk mund të fshihej më pas deklaratave të saj. Familjarët e banorit më kontaktuan dhe më kërkuan videon origjinale për ta përdorur si provë.
Pak më vonë mësova se drejtori i Policisë së Vlorës ishte shkarkuar.
Videot dhe fotot e realizuara nga aktivistët u shpërndanë kudo, duke krijuar një zemërim të madh publik. Fillimisht ai u shpreh në rrjetet sociale, e më pas u shndërrua në sheshe të mbushura me njerëz, që dolën në rrugë për të protestuar.

 

 

Videoja me banorin e keqtrajtuar në Zvërnec

Arlinda Guma: Ju ishit në vendin e duhur në çastin e duhur. E keni menduar ndonjëherë se nëse nuk do të ishte filmuar ajo skenë ndoshta nuk do të kishte lindur sot revolucioni më i bukur i shqiptarëve?

Emiljando Kita: Një ditë pas ngjarjes në Zvërnec shkruaja:

Media është një pushtet i jashtëzakonshëm, nëse do të ishte e lirë dhe demokratike.
Duke parë bojkotin e plotë mediatik, aktivistët e Lëvizjes BASHKË ditën e djeshme u detyruan të bëhen më shumë gazetarë sesa aktivistë protestues.
Po të mos ishin aktivistët e Lëvizjes BASHKË, fatkeqësisht mbi 1 milion shqiptarë nuk do t’i kishin parë fyerjet e halabakëve.
Mbi 1 milion shqiptarë nuk do ta kishin parë gjuajtjen me gurë.
Po ashtu, nuk do ta kishin parë rrëmbimin dhe dhunimin e një protestuesi, banor i zonës.
Ne kemi dokumentuar dhunën e tyre, kemi treguar se protestuesi u rrëmbye pa asnjë shkak dhe u kemi hequr maskën oligarkëve dhe Ramës. Kjo është fytyra e tyre e vërtetë.
Sot aktivistët e Lëvizjes Bashkë nuk i gjeni në asnjë media të ftuar, banorë të zonës jo, emisione mbi këtë temë nuk ka, heshtje totale.”



Mendoj se kemi dhënë një kontribut shumë të madh në krijimin e ngjarjeve që erdhën më pas.



Arlinda Guma: Jeff Widener, nga Associated Press ishte fotografi që filmoi njeriun qe u doli përpara tankeve gjatë protestave të Sheshit Tiananmen në Kinë, në qershor të vitit 1989. Protesta studentore dhe qytetare të cilat kërkonin liri dhe reforma politike, e që u shtypën me dhunë nga ushtria kineze. Si përfytyroni se do ta kujtoni këtë filmim kur të kalojnë vite?

Emiljando Kita: Gjatë atij çasti kisha vetëm dy mendime në kokë: të vazhdoja të filmoja apo të ndërhyja për ta shpëtuar protestuesin. E dija se mundësia për ta shpëtuar ishte shumë e vogël. Në ato sekonda mendova se mënyra më e mirë për ta ndihmuar ishte të dokumentoja të vërtetën, që askush të mos mund ta mohonte atë që kishte ndodhur.
Filmimi dhe ngjarja nuk do të harrohen. Shpresoj që protestat ta arrijnë qëllimin e tyre, Shqipëria të mos u jepet oligarkëve vendas apo të huaj, dhe Zvërneci të mbetet zonë e mbrojtur.
Atëherë do të mund të rikthehem atje dhe të kujtoj vendin ku pushteti manifestonte arrogacën që solli fundin e tij.
Historia na mëson se asnjë pushtet nuk është i pathyeshëm. Burimi i vërtetë i fuqisë është populli dhe, kur ai vendos të ngrihet, është në gjendje të ndryshojë gjithçka.



Arlinda Guma: Ju jeni aktivist i Lëvizjes Bashkë. Lëvizje e cila ishte e vetmja që u doli në krah banorëve të Zvërnecit ditën kur ndodhi incidenti. (Edhe pse ata kishin kërkuar të ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga partitë e tjera politike po askush prej tyre nuk u gjend.) Por duket se shumë po e harrojnë, apo po bëjnë sikur po e harrojnë këtë fakt. Cili është mendimi juaj për këtë?

Emiljando Kita: Lëvizja BASHKË ka protestuar që në vitin 2024 kundër ligjit që hapi rrugën për ndërtimet në zonat e mbrojtura. Arlindi ka mbajtur një qëndrim të qartë kundër shitjes së Sazanit, ndërsa Redi ka mbajtur qëndrim në Parlament kundër ndërtimit në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Edhe unë, së bashku me aktivistë të tjerë të Lëvizjes BASHKË, mora pjesë në protestën e organizuar në Nartë nga organizata mjedisore PPNEA, ku arritëm simbolikisht të rrëzonim disa gardhe. Më pas protestuam edhe para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke kërkuar anulimin e projektit.
Banorët e Zvërnecit i kishin parë këto qëndrime dhe, në dijeninë tonë, Lëvizja BASHKË ishte e vetmja parti politike që ata e ftuan të ishte në krah të tyre. Sigurisht, protesta ishte publike dhe edhe partitë e tjera mund të kishin marrë pjesë, por deri atëherë nuk kishin mbajtur qëndrime të qarta publike kundër këtij projekti.
Sot protesta ka marrë përmasa shumë më të mëdha dhe kërkesat kanë tejkaluar vetë çështjen e Zvërnecit. Për këtë arsye, vëmendja ndaj Lëvizjes BASHKË është zbehur, sepse tashmë në rrugë ka dalë vetë populli. Megjithatë, besoj se qytetarët nuk harrojnë. Ata e dinë se kush ka qenë i pranishëm që në fillim dhe kush ka qenë konsekuent në qëndrimet e veta. Konsistenca ka qenë dhe do të mbetet një nga vlerat themelore të Lëvizjes BASHKË.
Një problem serioz mbetet edhe bojkoti mediatik që na bëhet, i cili na pengon të komunikojmë me qytetarët në mënyrën që do të duhej.

Arlinda Guma: Kam lexuar se janë proceduar penalisht shumë protestuas. A ka të proceduar edhe nga radhët e Lëvizjes Bashkë?

Emiljando Kita: Duke qënë se nisën protestat në Tiranë nuk kam patur kohë të informohem për procedimet. Në dijeninë time asnjë nga aktivistët tanë nuk është proceduar.

Arlinda Guma: Protesta tashmë ka hyrë në një rrugë pa kthim mbrapa; Shqipëria ose i fiton të gjitha ose i humbet të gjitha. Besoni se do t’i fitojë të gjitha?

Emiljando Kita: Nuk kemi asgjë për të humbur, prandaj çdo ditë që dalim në rrugë vetëm fitojmë. Besoj se tashmë jemi më të fortë, pasi kemi kapërcyer frikën dhe i kemi dhënë një mesazh të qartë çdo forme autokracie: pushteti, pavarësisht mekanizmave të tij, buron nga populli.
Kur populli e tejkalon frikën, ndryshimet bëhen të pashmangshme. Shpresoj që kërkesat të plotësohen sa më parë dhe që një Shqipëri e re, pa klasën e vjetër politike, të mund të bëhet realitet sa më shpejt.

Ju falënderoj për përgjigjet dhe që i bëtë një shërbim të çmuar vendit!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Go to Top