Vlerësimin nga instancat shtetërore, nëse nuk ke fituar admirimin e popullit artëdashës, s’ ke ç’e do.
Bisedoi: Arlinda Guma
Arlinda Guma: Si e shihni kinemanë shqiptare pas viteve nëntëdhjetë? Tashmë e lirë, a është ajo më e arrirë? A dallohet në festivale të ndryshme ndërkombëtare si thellësisht shqiptare edhe pa e patur informacionin e përkatësisë?
Nikolla Llambro: Mbas viteve 90, me ndryshimin e sistemit nga socialist në kapitalist, si në çdo fushë të jetës së vendit, edhe kinematografia pati dëm të madh. U shkatërrua çdo gjë. Arshiva, Kinostudio, kinematë… Në sistemin e kaluar subvencionet i bënte shteti. Xhiroheshin 14 filma artistikë në vit dhe 50 dokumentarë.
Në të 14 filmat e prodhuar, sigurisht që nuk qenë të gjithë të nivelit të lartë artistik, por ndër to 4-5 ishin të arrirë artistikisht. Mbyllja për shkak të sistemit, tematika me ide që binin në kundërshtim me sistemin e jashtëm, mungesa e pjesëmarrjes në Festivale Ndërkombëtare, bëri që filmat tanë të mos njiheshin jashtë. Disa përpjekje; shfaqja e disa filmave si pjesëmarrës të jashtëm në këto festivale, në atë kohë u pritën jashtëzakonisht mirë nga kritika duke vlerësuar cilësinë e tyre. Kinemaja mbas 90-tës pati një rënie të theksuar. Mungoi dhe mungon interesimi i shtetit. Nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të xhiruar filma. Regjisorët rendin dhe “luten” të sigurojnë të ardhurat e mjaftushme për të bërë filma.
Sot filmi është objekt subjektiv. Ka pak skenaristë dhe disa regjisorë i bëjnë vetë skenarët e i xhirojnë vetë. Sigurisht që kjo është liri, por jo gjithmonë premton për të bërë një film cilësor. A ka liri në prodhimin e filmave? Ka! Sot çdo regjisor është i lirë të xhirojë një film nëse është i zoti të shkruajë një skenar cilësor, apo të gjejë një skenarist që të shkruajë një skenar të tillë. Vështirësia e regjisorit është te gjetja e buxhetit të plotë për një film premtues. Kjo mungon. Shteti jep sasi të pamjaftueshme parash për të filluar një film. Gjithsesi, megjithëse janë xhiruar shumë pak filma, pas 90-tës ka filma të arrirë artistikisht, që janë vlerësuar në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Regjisorë të talentuar. Të më falni nuk përmend emra se nuk dua të harroj ndokënd.
Arlinda Guma: Prej jetës dhe punës në shtetin grek, çfarë vëreni në mendësinë dhe në atmosferën e punës së njerëzve të artit në Greqi, që dallon nga mendësia e njerëzve të artit në Shqipëri?
Nikolla Llambro: Në fillim të viteve 90, kur erdha në Greqi , ëndërroja të punoja në profesion. Veç përpara kishte shumë pengesa. E para; pavarësisht origjinës sime si minoritar, gjuha greke ishte e mangët. Dija greqishten e gjyshes, e cila ishte larg gjuhës që flitej në Athinë. E dyta; nuk njihja asnjeri dhe asgjë për profesionin. E treta; ana ekonomike. Duhej të punoja për të mbajtur familjen.
Pashë për herë të parë shfaqjen e Lorkës: “Dasma e përgjakur”. U trondita shumë. Në fund përshëndeta aktorët dhe aty njoha një aktore greke: Titika Vllahopullu, një njeri i mrekullushëm dhe aktore e talentuar, e cila më dërgoi të njoh një regjisor filmi. Perikli Hurxogllu. Në atë periudhë ai përgatitej të xhironte një film me të cilin fitoi kupën në Festivalin e Selanikut. Ai më ofroi një rol të dytë. Duhej të merrja leje nga pronari ku punoja si punëtor, i cili më tha: “Shko, por mos hajde më këtu… dhe nëse ke ardhur në Greqi të ushqesh familjen me teatrin, të sugjeroj të kthehesh në Shqipëri se fëmijtë e tu do vuajnë për ushqim. Nuk vajta.
Në vetvete e mbylla faqen e profesionit. Gjithë jeta ime lëvizte në dy qëllime; Familja dhe Aktori – Aktori dhe Familja. Ato janë si dy shinat e trenit që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën… Në këto “dy shina treni” ka lëvizur dhe lëviz gjithë jeta ime. Herë ka njëra prioritet, pa harruar tjetrën, herë ka tjetra. Kjo vazhdoi një dhjetëvjeçar, derisa regjisori i madh Manushos Manushaqis vendosi të xhironte serialin televiziv: “Dashuria erdhi nga larg”, ku në qendër të serialit ishte Ilia, një shqiptar emigrant. Në këtë serial u aktivizuam 8 aktorë shqiptarë. Seriali goditi racizmin dhe u prit e u ndoq me shumë interes nga populli grek. Mua më besoi rolin e Ramizit, një shqiptar i paskurpullt, i poshtër, spiun i afendikoit, që sillej shumë poshtërsisht me patriotët. Pjesmarrja në këtë serial shënoi kthesën e madhe në jetën time artistike profesionale. Që nga fillimet e vitit 2000 e deri në vitin 2020, kisha një jetë shumë të pasur artistike, me pjesmarrje në shumë shfaqje teatrore, seriale televizive, filma artistikë me metrazh të shkurtër e të gjatë, si brenda Greqisë ashtu dhe jashtë; Gjermani, Poloni, Qipro, Portugali. Kam pasur fatin të punoj me regjisorë të shquar si në Greqi dhe jashtë saj. Kam interpretuar me aktorë të shquar grekë në teatër, kinematografi e televizion. Në vitin 2014 fitova Çmimin e Parë si Aktori më i mirë i Festivalit Ballkanik me rolin e Janit te filmi Grek “Maria”. Aktiviteti artistik në teatër, televizion dhe kinematografi në Greqi karakterizohet nga një seriozitet, përkushtim për t’i dhënë shikuesit shfaqje të arrira artistikisht. Teatri Grek ka koncept të përsosur dhe vizion të qartë për teatrin e antikitetit. Ka aktorë të mëdhenj që shquhen në interpretimet e tragjedive me talentin dhe potencën e tyre. Në përgjithësi në teatër punohet për arritje cilësore. Ka regjisorë të shquar, aktorë të talentuar. Veç vërehet një tendencë për të angazhuar aktorë të të njëjtit plan e karakter. Kjo sjell stampim të aktorit, klishe nga të cilat nuk del dot, duke interpretuar gjithmonë të njëjtin karakter. Kjo vjen ngaqë regjisori e ka gati personazhin dhe nuk e vret shumë mendjen. Ky lloj aktori shpesh është për arsye mbijetese, pranon dhe nuk i bëhet vonë. Ka aktorë të talentuar që i shmangen kësaj metode. Personalisht kam refuzuar të luaj radhazi karaktere që nuk ndryshojnë nga i pari, pavarësisht se nuk kam marrë pjesë në X shfaqje. Këtu sezoni i një shfaqjeje fillon afërsisht në muajin tetor dhe mbaron në 25 prill. Interpretimi i një roli 7 muaj rresht bën që aktori të ndiejë monotoni, dembelizëm dhe të interpretojë pa impenjim. Shfaqja mund të degradojë. Para viteve 90 ne aktorët e teatrove të rretheve vinim 3-4 premiera në vit. Kishte larmi dhe punohej me dëshirë. Teatri Popullor (sot Teatri Kombëtar), përveç ditës së hënë që qe pushim, jepte çdo natë shfaqje të ndryshme. Kishte larmi shfaqjesh. Një shfaqje mund të jepej dhjetëra herë dhe aktori mund të luante disa role në javë në shfaqje të ndryshme. Sot lexoj që trupa e Teatrit Kombëtar jep vetëm disa shfaqje në një premierë dhe kaq. Nëpër teatrot e rretheve (ata që kanë mbetur), në çdo premierë jepen vetëm disa shfaqje. Për arsye të emigrimit nuk kam mundur të shoh shumë shfaqje. Në disa pak që kam mundur të shoh, cilësia, arritja artistike është e dobët. Nuk ka interes nga pushtetet vendore dhe më keq nga Ministria e Kulturës. Arti dihet që është jofitimprurës, behet për efekt argëtues, edukues e propagandistik. Çdo sistem, artin e ka si instrument propagandistik ku zhvillon ideologjinë, e cila i shërben politikës së këtij sistemi. Nëse pushteti, qeveria e nënvlerëson rolin e Artit, ai nuk e kryen funksionin e vet. Në Greqi para viteve të krizës 2005 e poshtë, vetëm në Athinë kishte rreth 132 Teatro. Një pjesë e tyre suvencionohej nga shteti. Përgjegjësit e shumë teatrove merrnin pará nga shteti, vinin një shfaqje sa për sy e faqe e pastaj me ato pará jetonin. Kjo mori fund. Shumë teatro u mbyllën. Aktorët mbetën pa punë. Një pjesë e mirë e tyre përfunduan në qendra bamirësie për një pjatë gjellë.
Arlinda Guma: Ndiheni i përmbushur si aktor? E keni realizuar tashmë rolin e jetës apo jeni ende në kërkim të tij?
Nikolla Llambro: Më pyet nëse ndihem i përmbushur si aktor.
Është ca e vështirë kjo pyetje. Nëse do mund të pyesësh çdo aktor, nuk besoj se do thotë që është ngopur me aktrim. Unë kam në sepetin e shpirtit tim aktoresk rreth 70 role në Teatër, Kinematografi e Televizion. Rreth 35 role janë realizuar në Teatrin e Gjirokastës para 90-tës. Janë dhe rreth 12 role në filmat artistikë në Shqipëri po para viteve 90-të. Në Teatrin e Gjirokastrës janë shumë role të arrira artistikisht, që kanë mbetur në fondin e krijimeve më të mira të tij. Në ato vite, me rolin e Mato Grudës te shfaqja “Njeriu me Top”, u vlerësova me diplomë si ndër aktorët më të mirë në Festivalin e Teatrove zhvilluar në Teatrin Popullor në vitin 1978.
Në Greqi dhe jashtë saj kam interpretuar rreth 24 role në Teatër, Kinematografi e Televizion në këto 20 vjet. Gjithashtu kam interpretuar me shumë sukses rreth 25 apo më shumë reklama për televizion në Shqipëri, Greqi, Gjermani, Poloni, Portugali.
Po a e kam realizuar përfundimisht rolin e jetës si aktor?
Cilido aktor apo krijues që të pyetet, nuk besoj se do thotë që e mbaroi misionin… Ne krijuesit jemi si ai gjahtari që pret me pushkën gati t’i dalë gjahu. Nuk e di se çfarë sjell e nesërmja. Mendime, plane brenda vetes, dëshira, ëndrra kam shumë dhe në qofsha mirë e me forcë të realizoj ca syresh do lumturohem.
Arlinda Guma: Çfarë ju ka thyer shpirtërisht dhe çfarë ju ka lartësuar gjatë punës si aktor në Shqipëri dhe në Greqi?
Nikolla Llambro: Në Shqipëri, qoftë në teatër apo në kinematografi, punova me përkushtim dhe pasion, se aktrimi është jeta ime. Aty krijova, siç thashë më lart, shumë role e personazhe të arrirë. I dashuroi spektatori, aq sa mbas çdo premiere, dashamirësit rrugës më thërrisnin me emrin e personazhit të shfaqjeve që kishin parë… p.sh., Mato Gruda, Dape, Sheme, Ksutho, etj. Akoma në Shqipëri më njohin si Zeman Mashkullora te filmi “Liri a Vdekje”. Në Greqi e njëjta gjë.
Këtu shqiptarët më flasin Ramiz nga seriali “Dashurie erdhi nga larg”. Po më pyet… jam i vlerësuar. Nga spektatori, artëdashësit jam i lumturuar. Më ndalojnë, duan foto, më ftojnë për kafe, më respektojnë në maksimum dhe siç thashë kjo më bën të lumtur. Kaloj rrugës dhe më përshëndesin me respekt si në Shqipëri edhe në Greqi. Unë kam një parim në interpretimet e punës sime… I DORËZOHEM ME SINQERITET SPEKTATORIT! Veç nga instancat nuk kam asnjë vlerësim profesional. Në vitet para 90-ës, për instancat me sa duket isha i thartë se nuk e ula kokën, nuk u lëpiva. Sot po e njëjta gjë, veç unë që nuk e duroj padrejtësinë dhe monstruozitetin, kritikoj ashpër fenomenet negative kudo ku shfaqen. Kjo më bën të jem i hidhur tek ata. U bënë dy propozime për titull; një nga ambasada këtu dhe një nga Teatri i Gjirokastrës në Presidencë me rastin e 50 vjetorit të krijimit të Teatrit dhe në momentin e fundit zotërinjë nga teatri e hoqën emrin. Gjithësesi vlerësimin nga instancat shtetërore, nëse nuk ke fituar admirimin e popullit artëdashës, s’ ke ç’e do.
Arlinda Guma: Në skemën e OJF-ve përfituese që kishin krijuar kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, dalin edhe emra aktorësh të cilët përfituan grante me shuma marramendëse për projekte fantazma në këmbim të firmës për shembjen e Tetarit Kombëtar. Çuditërisht këta individë vazhdojnë të jenë të lirë, madje i shohim të vazhdojnë të luajnë nëpër skena në mënyrën më të paturpshme të mundshme, me duart në 100 projekte të tjera. Cili është mendimi juaj (i drejtpërdrejtë) për këtë? A duhet të ketë një kod moral (përveç atij juridik) që një aktor i korruptuar të vazhdojë të luajë në dramat më të larta të njerëzimit? A ka kuptim që dikush që ka vjedhur kaq makutërisht, të vazhdojë të luajë; Trojën për shembull?
Nikolla Llambro: Për pjesën e parë të kësaj pyetjeje nuk kam ç’them se nuk kam as informacion, as interes. Figura morale e krijuesit është një pasqyrë që shfaqet sa herë ai del përpara spektatorit. Figura morale lidhet ngushtë, është binom me talentin. Një aktor i ndershëm, i sinqertë, që e do spektatorin dhe e admiron atë është i përqafuar tërësisht me artdashësit. Ai admirohet për talentin, për krijimin e tij, por edhe për figurën morale të tij. Një aktor apo krijues me qëndrime amorale në tërësi të karakterit të tij, vendos një mur midis atij dhe spektatorit. Respektin që ai kërkon të ketë nga masa e gjerë, nuk do ta këtë. Ka krijues të tillë dhe spektatori mund të thotë: “Mirë, mirë, por sesi është… si i ftohtë, mendjemadh, mospërfillës” dhe i rri larg. Pra, nuk ka atë respekt, ngrohtësi e admirim që e bën krijuesin të ndihet mirë e i lumtur. Kam dëgjuar se në ato varietetet humoristike që shfaqen, ka aktorë (mbase nuk është e vërtetë e bëj gabim) që paguhen me pesë mijë euro në çdo shfaqje). Kjo logjikë mua më bën të dyshoj. Më lind e drejta të them se aty lahen pará me thes. Qofsha i gabuar. Ato shfaqje, ngritur mbi një humor banal e antikulturë, anti-edukues, e kanë shkatërruar artin dhe spektatorin. Spektatori qesh “shkrihet”, por nuk qesh me humorin e fenomenit por me banalitetet. Ka aktorë shumë të talentuar në to, por drejtimi dhe qëllimi është në kontrast me moralin që duhet servirur.
Në shfaqjet humoristike që bëheshin para 90-tës nuk kishte banalitete rrugësh dhe quajeni censurë po të doni, veç edhe atëhere spektatori qeshte me gjithë shpirt, argëtohej, por edhe mendohej.
Arlinda Guma: Si ju duket jeta artistike në Shqipëri? (Nëse mund ta quajmë të tillë…)
Nikolla Llambro: Si më duket jeta artistike në Shqipëri???. Ehhh… E vërteta është se duke qenë i larguar nga Shqipëria që në fillimet e viteve 91, nuk kam kontakt e informacionin e duhur për zhvillimet e mundshme të aktivitetit artistik në Shqipëri. Nga informacionet nga kanalet televizive apo nga kontaktet me kolegë të ndryshëm, them se jeta artistike për mua nuk është më e plotë, që mund të mbulojë nevojën e publikut në kohë e hapësirë. Aktivitetet kulturore, muzikale kanë tendenca moderniste, shpesh pa nivel, duke i dhënë rëndësi formës e jo përmbajtjes. Zhvillohen konkurset e Këngës Magjike, Festivali i Këngës në Rtsh në fund të vitit. Vë re se më shumë i jepet rëndësi paraqitjes së jashtme, si p.sh., veshjeve, shpesh të shëmtuara, sesa nivelit e cilësisë së këngës. Në tërë këto konkurse, festivale, nuk mbaj mend të dëgjoj një këngë që të mbetet e të këndohet paskëtaj. Me ta kënduar këngëtari, ajo njëherazi është harruar. Emisionet kulturore në kanalet televizive shpesh janë të rëndomta dhe antikulturë. Edhe në to i jepet rëndësi më shumë paraqitjes së jashtme, ekspozimit të bukurisë trupore, sesa përmbajtjes. Nuk them, ka emisione kulturore dhe artistike e me nivel dhe kjo varet nga organizatorët. Aktivitetet artistike e kulturore nëpër rrethe janë të pakta ose fare. Teatrot e pakta ekzistuese funksionojnë pak. Para 90-tës Shqipëria kishte 8 teatro profesioniste dhe 14 teatro të estradës që punonin sipas një plani, duke dhënë 3-4 premiera në vit. Kishte shkolla të mesme muzike, nga ku dolën dhe muzikantë të talentuar. Orkestra Simfonike… Shkolla të mesme pikture… Organizoheshin shumë Festivale Amatore, etj. Pra, jeta kulturore ishte e vazhdueshme dhe e gjallë. Në këto aktivitete punohej me përkushtim për cilësi. Sot kjo mungon. Thonë se jemi në Ekonomi Tregu. Ok. Veç shteti duhet jo vetëm të kujdeset por të mbështesë fuqishëm nga ana financiare teatrot dhe kulturën nëpër rrethe. Të vetmet teatro që funksionojnë është Teatri Kombëtar, Teatri i Korçës dhe Teatri Lëvizës i Kiço Londos. Teatrot e tjera nuk kanë aktivitet të vazhdueshme, si ai i Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Elbasanit e Gjirokastrës. Si përfundim, aktiviteti artistik në Shqipëri nuk është në lartësinë që duhet të jetë për nga sasia dhe cilësia që kërkon koha!
Arlinda Guma: A jeni i lumtur? Sa ndikon dhe sa pengon lumturia e brendshme në realizimin e një roli? A mund ta ndryshojë botën një njeri i lumtur? Një botë plot me njerëz të lumtur, pa brenga, çfarë do të sillte?
Nikolla Llambro: Më pyet: A jam i lumtur?! Lumturia te njerëzit është relative. Lumturi absolute nuk ka! Kush mendon e deklaron se është absolutisht i lumtur për mua gabon dhe gënjen veten. Jeta është e vrullshme, ka ngritje, ulje, rrëzime, të cilat kushtëzojnë në çdo çast gjendjen shpirtërore të individit. Në shumë aspekte të jetës njeriu pushtohet nga çaste të lumtura. Por ato nuk janë absolutisht të përhershme. Sigurisht që kam edhe unë çastet e mira që ndiej lumturi. Kam një familje, një bashkëshorte të mrekulleshme që më ka falur e më fal dashuri, kam dy djem të mrekullueshëm, të ndershëm, të respektueshëm, që na kanë falur një mbesë e dy nipa, kam motra, shokë, miq të mrekullueshëm që i dua dhe më duan, kam gjithashtu edhe respektin dhe konsideratën e mijëra e mijëra shikuesve që më admirojnë. Të gjitha këto më falin e më dhurojnë lumturi pa kufi. Gjendja shpirtërore, momentet e lumtura, sigurisht që ndihmojnë në punën tonë krijuese, por ka patur raste kur kolegët kanë përcjellë në banesën e fundit njerëz shumë të afërt dhe në darkë ishin të detyruar të luanin komedi. Në vitin 1978 ne xhironim në Libohovë filmin “Koncert në vitin 1936”. Një ditë para unë kisha përcjellë gjyshen në banesën e fundit dhe të nesërmen shkova në xhirim. Do të ishte një mrekulli hyjnore nëse lumturia do të ishte absolute për tërë njerëzimin. Bota do të ishte e ndritshme dhe jeta në tokë një DIELL. Por njeriu është një qenie komplekse, shpesh nuk njeh as veten. Në këtë lëvizje kaotike, në këtë makutëri të parasë e rendje pasë fitimit, në këtë sistem ku njeriu për njerinë është ujk, nuk ka dhe nuk do ketë lumturi absolute, vetëm çaste të saj, të cilat janë shumë pak për një gjendje shpirtërore të qetë e të bukur!
Arlinda Guma: Besoni në Zot? Nëse po, ku e shihni fytyrën e tij?
Nikolla Llambro: Më pyet nëse besoj në Zot. Unë nuk besoj se ka Zot. Jam Ateist. Besimi fetar nuk lind bashkë me njeriun. Ai kultivohet dhe fitohet që në fillimet e jetës së njeriut. Janë prindërit, gjyshërit, të afërmit, tradita brenda llojit, rrethi shoqëror që ndikojnë në formimin e bindjes fetare tek individi. Pra, që në fëmijëri, njeriu i ndikuar nga “propaganda “dhe forca besimtare e prindërve, të afërmëve, kultivohet dhe fiton besimin fetar. Familjarisht, qysh nga gjyshërit e mi nga babai, nuk ishin të dhënë pas fesë… Madje mund të them se ishin indiferentë se fëmijë frekuentonin rallë ose pothuaj fare ritualet fetare. Im atë po ashtu. Në Gjirokastër, para se të ndalohej feja, nuk mbaj mend se shkuan ndonjëherë në kishë në festat fetare. Njerëz të thjeshtë, punëtorë që shikonin hallet e tyre. Prindërit e time shoqeje, intelektualë të shquar, pjesmarës aktivë dhe me detyra të larta gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, nuk besonin… Kështu që tek unë dhe tek ime shoqe mungoi “propaganda” fetare. Besimi fetar duhet të jetë real. Çdo njeri, për mua, kur shfaqet si besimtar, duhet ta ndiejë thellë në shpirt. Të bësh kryqin nuk do thotë se beson po qe se nuk e ndien. Pra, unë nuk e ndiej dhe s’kam pse të dukem apo të gënjej veten. Të njëjtën gjë e them edhe për shoqen time. Veç ne nuk i penguam dhe nuk i pengojmë as fëmijët tanë e as mbesën e nipat. Janë të lirë të vendosin vetë. Ne që t’u imponojmë të besojnë apo mos besojnë nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë. Unë jam materialist, besoj në filozofinë dialektike. Fenomenet e natyrës që ndodhin nuk prodhohen nga një forcë e mbinatyrshme. Unë besoj te njeriu, te njeriu i mirë! Unë besoj te vetja! Zot për veten jam unë. Nëse unë nuk jam i zoti i vetes të përballoj vështirësitë dhe problemet e mia, s’ka Zot që më ndihmon. Nëse vërtet ka Zot, pse nuk e dënon të keqen, pse s’i ndalon luftërat? Ndaj unë nuk besoj se ka Zot!
Arlinda Guma: Në Festivalin e Filmit të Berlinit, aktori Ethan Hawke rrëfeu diçka që më tërhoqi vëmendjen. Ai tha se sa herë që është duke xhiruar një film të ri, ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij e këshillon: “Merr X-in si aktore kryesore!”. “Dakord”, përgjigjet ai, “por a ka kryer ndonjë shkollë aktrimi?” “Jo”, vazhdon bashkëpunëtori, “por ajo ka një numër të madh ndjekësish në median sociale.” Ç’mendim keni ju për këtë? A nuk ju duket se po rrëshkasim “natyrshëm” në këtë realitet të ri të çuditshëm? Si të thuash në një tjetër “Reality Bites”? Mos po biem në një rreth vicioz dhe po i japim masës atë që ajo do dhe bluan më lehtë, në vend që ta edukojmë me shijen e artit të mirë që e bën të mendojë? (Dhe dihet që arti që të bën të mendosh nuk i tërheq dhe aq turmat.) Ku do përfundojë arti cilësor pas kësaj? Nëse protagonistë të tij në çdo fushë do të bëhen influencerat?
Nikolla Llambro: Në art ka krijues të talentuar që talentin e kanë të lindur, pavarësisht nëse kanë kryer ndonjë shkollë apo jo. Këta lloj krijuesish që janë të veçantë talenti i bën të suksesshëm dhe të admirueshëm. Por shkolla është e domosdoshmëri. Shkolla të jep çelësin që të hapësh dyert e krijimit. Të tregon shtigjet e rrugët ku duhet të ecësh për të shkuar përpara. Veç shkolla pa talentin nuk vlen shumë dhe talenti pa punë nuk mund të shquhet. Krijimtaria është 1 Talent dhe 9 Punë. Pa punën, talenti çalon, nuk ecën dhe vjen çasti e humbet!
Arlinda Guma: Nëse do të kishit mundësi të takonit një personalitet të madh botëror, të fushës së artit dhe jo vetëm, cilat ishin pyetjet që do të donit t’i bënit?
Nikolla Llambro: Nëse do të takoja një personalitet arti apo tjetër, do kisha nevojë ta dëgjoja.. . ta dëgjoja… ta dëgjojaaa!…
Arlinda Guma: Çfarë ju entuziazmon dhe çfarë ju revolton kur ktheheni në Shqipëri?
Nikolla Llambro: Kjo është një pyetje me dimesion të gjerë.. Do kohë e vend t’i përgjigjem. Ajo që më entuziazmon është hyrja. Që sa hyj në kufi, entuziazmohem, ngazëllehem, gëzohem, çmallem. Më gëzojnë takimet me të afërmit, me miqtë dhe shokët… më mbysin kujtimet. Sa për atë ç’më revolton… ka shumë dhe nuk ka vend në këtë rrëfim.
Arlinda Guma: Si është një ditë e zakonshme juaja?
Nikolla Llambro: Si është dita ime e zakonshme? E zakonshme është. Plotësimi i detyrimeve familjare, lexim dhe lexim… shëtitje me bashkëshorten dhe kafe me të e me shokë, miq. Pak televizor për informacion apo ndonjë film. Kjo ndodh tani që nuk kam angazhim. Për çështje shëndeti kam refuzuar disa punë përkohësisht! Kaq!