POEZIA DHE PROZA/Michel Tournier

in Esé/Letërsi by

  Michel Tournier

Mund të imagjinojmë dy dyqane ngjitur me njëri-tjetrin, dyqani i një antikuari dhe një kinkaleri. Në vitrinën e kinkalerisë janë të ekspozuara një komplet kusish prej alumini të shndritshëm me doreza bakeliti të zi. Sado të hirshme që të jenë ato enë kuzhine, është e qartë se ndodhen aty me qëllimin për të shërbyer. Arsyeja e tyre e të ekzistuarit është kuzhina me ashpërsitë e saj, zjarrin, salcat, agresionet e pastrimit. Objekte përdorimi që vlejnë vetëm për dobishmërinë e tyre, ato vjetrohen dhe, pas njëfarë kohe, flaken tej e zëvendësohen nga të tjerë.
Edhe antikuari ekspozon kusi. Por prej bakri masiv, me syprinën e çekanuar imtas nga dora e një artizani të shekullit XVIII. Ato nuk mund të përdoren për gatim. Nuk shërbejnë për asgjë. Më tepër janë ide të kusive, sesa kusi të vërteta.
E njëjta gjë ndodh me fjalët, sipas vendit ku ndodhen, në një tekst proze apo poezie.
Arsyeja e ekzistencës së prozës është efektshmëria e saj. Jean-Paul Sartre: “Proza, në thelbin e vet, është e dobishme; prozatorin do ta përkufizoja me gjithë dëshirë si një njeri që përdor fjalët. Zoti Jourdain bënte prozë për të kërkuar heqlat, dhe Hitleri për t’i shpallur luftë Polonisë.” Le të shtojmë këtu që as njëri, as tjetri nuk dyshonin për efektshmërinë e fjalëve të tyre. Zoti Jourdain, duke folur, donte që t’i sillnin heqlat, dhe Hitleri që divizionet e tij të pushtonin Poloninë. Porsa efekti arrihej, këto urdhra bëheshin të pavlefshëm dhe zhdukeshin për t’ia lënë vendin efektshmërisë së tyre. Njëlloj si kusitë e kinkalerisë, proza rend drejt shkatërrimit të saj.
Krejt të ndryshme janë fjalët e poezisë që aspirojnë gjithmonë përjetësinë. Metrika dhe rima përligjen nëpërmjet cilësive të tyre mnemoteknike. Sepse prirja e vargut është që të mësohet përmendsh e të recitohet çdo çast, përjetësisht.
Paul Valéry sjell këtë dialog midis piktorit Degas dhe poetit Mallarmé. “Kam plot ide në kokë, thoshte Degas-i, edhe unë do mund të shkruaja poezi.” Dhe Mallarmé-ja i përgjigjet: “Epo, i dashur mik, poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë.” Sepse është proza ajo që niset nga një ide. Zoti Jourdain ka fillimisht idenë të mbathë heqlat e tij dhe Hitleri të pushtojë Poloninë. Më pas, flasin konform idesë së tyre.
Në poezi, parësore është fjala. Poezia është një ndërthurje fjalësh sipas tingullorësisë së tyre dhe sipas një ritmi të caktuar. Idetë që ato fjalë përçojnë janë dytësore. Idetë i ndjekin fjalët si të munden. “Të kuptosh” prozën do të thotë të kapësh idetë që e komandojnë. “Të kuptosh” një poezi do të thotë të pushtohesh nga frymëzimi që buron prej saj. Qartësia dhe përpikëria – që janë vlerat e prozës – në poezi ia lënë vendin emocionit dhe forcës evokuese. Në prozë, veç kësaj, ke mundësi gjithmonë t’i ndryshosh fjalët – e veçanërisht ta përkthesh tekstin në një gjuhë tjetër – me kusht që të respektosh idenë – ndërkohë që një poezi është pandalshëm solidare me fjalët që e ndërtojnë dhe nuk mund të kalojë nga një gjuhë në një tjetër. Një poezi dhe i pretenduari përkthim i saj janë dy poezi rreth së njëjtës temë.
Mund të shprehim të njëjtën ide duke përdorur konceptet e përmbajtjes dhe formës. Në prozë përmbjatja dhe forma janë lehtësisht të ndashme, e njëjta brendi do mund të përkthehej në mënyra të ndryshme, ndërkohë që në poezi dallimi përmbajtje-formë nuk mund të bëhet, duke qenë se forma shërben edhe si përmbajtje dhe përmbajtja shkrihet me një formë të përcaktuar.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top