KULTURA DHE QYTETËRIMI-Michel Tournier

in Esé/Filozofi by

Michel Tournier

Porsa fëmija vjen në këtë botë, rrethohet nga një mori perceptimesh, pastaj përballet me një sërë gjestesh e sjelljesh që varen nga vendi ku dhe koha kur ka lindur. Kështu fëmija mëson të hajë, të luajë, të punojë etj., siç bëhet në mjedisin e tij të lindjes, fillimisht familjar, pastaj shkollor. Por, kuptohet, rolin kryesor e ka gjuha që ai dëgjon e mëson, sepse ajo modelon logjikën dhe ndjeshmërinë e fëmijës.
Quajmë qytetërim atë bagazh të transmetueshëm nga breznia në brezni. Për shembull, shiu – në një vend oqeanik – është një e dhënë materiale që nuk ka të bëjë me qytetërimin. Nga ana tjetër, zakoni për të marrë me vete një ombrellë – apo e kundërta, përbuzja ndaj ombrellës – është një tipar qytetërimi. Deti, mali, që një fëmijë shikon sa herë që del, nuk janë të dhëna të qytetërimit. Por të tilla janë kisha e fshatit apo përmendorja e të vdekurve. Askush nuk i shpëton këtij farkëtimi që e bën çdokënd prej nesh njeri të qytetëruar hic et nunc.
Por fëmija shkon në shkollë dhe dija që fiton atje mund të ketë dy funksione diametralisht të kundërta. Kjo dije mund të rrjedhë pa dëm në brendësi të elementeve të qytetërimit që rrethojnë fëmijën dhe t’i pasurojë ato po aq. Për shembull, shkollari mëson historinë e luftës dhe e kupton më mirë kuptimin e përmendores së të vdekurve. Apo, mësimi fetar do ta bëjë të deshifrojë simbolet që gjenden në kishë.
Por liceisti i talentuar nuk kënaqet me doracakët shkollorë tradicionalë që ia kanë imponuar dhe lexon libra të tjerë, shikon filma, pjesë teatrale, matet të hahet me më të dijshëm se vetja. Kësisoj ai kulturohet. Dhe këtë kulturë është ai vetë që e zgjedh. Ajo do jetë shkencore, politike apo filozofike, sipas opsioneve. Duke bërë këtë, djaloshi distancohet nga arsimimi që ka marrë, e kritikon, e kundërshton, e flak tej pjesërisht. Që prej këtij çasti, dija e tij, që i tejkalon caqet e qytetërimit, e sulmon dhe e shkatërron pjesërisht. Përmendorja e të vdekurve i jep shkas për fjalime antimilitariste. Kisha i ngjall qëndrime antiklerikale.
Mbi të gjitha, mësimi i parë i kulturës është që bota është e madhe, e shkuara e pahulumtueshme, e që miliarda njerëz mendojnë dhe kanë menduar ndryshe nga ne, nga fqinjët dhe nga bashkëqytetarët tanë. Kultura vërshon mbi universalen dhe ngjiz skepticizmin. Duke u përpjekur të zgjerojë idetë e tij deri në përmasat e universales, njeriu i kultivuar e trajton qytetërimin e tij si një rast të veçantë. Ai mendon se nuk ekziston veçmas “qytetërimi”, ndërsa jashtë tij barbaria dhe egërsia, por një mori qytetërimesh të denja të gjitha për respekt. E dënon me të njëjtën forcë aksionin e kolonizatorëve dhe atë të misionarëve që i akuzon si etnocidë.
Ai bëhet shpejt objekt skandali për njeriun e qytetëruar. Renan-i, kur mbërriti me pushime në Tréguier, me kokën të mbushur me gjithë dijen që kish fituar në Paris, e tmerroi famullitarin e gjorë që e kish patur tutor në fëmijërinë e tij të përdëllyer. Në mënyrë të padiskutueshme, qyteti i madh e kish zvetënuar. Parisi ishte mbretëria e Djallit.
Qytetërimet mund të luftojnë me njëri-tjetrin. Perëndimi i krishterë dhe Lindja myslimane kanë luftuar ndërmjet tyre. Por, në gjirin e çdo qytetërimi, njeriu i kulturës është ndier si një kundërshtar i rrezikshëm i rendit moral, që duhet eliminuar. Hallaj, i torturuar në Bagdad në vitin 922, dhe Giordano Bruno, i djegur në Romë në 1600-n, simbolizojnë kulturën e vrarë nga qytetërimi.

CITAT

Barbar, para së gjithash, është njeriu që beson te barbaria.

Claude Lévi-Strauss

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top