SARKAZMA DHE KREMTIMI-Michel Tournier

in Esé by

Michel Tournier

“Nuk kam parë kurrë ndonjë gjë të shëmtuar”, ka thënë Claude Monet-ja. Këtë sy kaq vendosmërisht optimist, Monet-ja e pati njëlloj si krejt shkolla impresioniste, për të cilën bota nuk ishte tjetër veçse një tallazitje magjike ngjyrash. Kësaj estetike të hareshme, ekspresionizmi iu përgjigj që në fillim me një qëndrim vendosmërisht të kundërt, duke kërkuar goditjen emocionale të provokuar prej një fytyrngërdheshëse apo një skene dramatike (Klithma e Edward Munch-it, 1893), madje thjesht prej shëmtisë  kulluar (Soutine, Bacon, Baselitz).Letërsia gjithashtu i njeh këto dy rryma, kremtimin dhe sarkazmën. Të këndosh bukurinë e botës, madhështinë e heronjve, hiret e vashave, duket se ndodh vetvetiu, por nuk është ambicie e vogël për atë që pretendon të bëjë vepër origjinale e krijuese. Disa poetë si José-Maria de Hérédia, Leconte de Lisle apo Saint-John Perse kanë shkëlqyer në këtë rrymë (një përmbledhje poetike e Saint-John Perse-it titullohet Lëvdata). Tekefundit, poezia përshtatet më mirë me kremtimin sesa me sarkazmën.Nga ana tjetër, disa vepra në prozë të një force mbresëlënëse, si Memuaret e Saint-Simon-it, Në kërkim të kohës së humbur e Marcel Proust-it apo Udhëtim në skaj të natës e Louis-Ferdinand Céline-it, nuk janë tjetër veçse monumente sarkazme. Brenda shoqërive gëluese që na ofrojnë këto vepra, nuk gjen dot një personazh që të mos jetë disi grotesk, mjeran, apo neveritës. Përkundrazi, te Kujtimet e përtejvarrit të Chateaubriand-it apo te Të mjerët e Victor Hugo-it, thith një ajër madhështie të errët që të ngazëllen e të gufon zemrën. Duhet theksuar se zymtësia nuk u ka dhënë aspak atyre karakter sarkastik dhe se sarkazma e sublimja ekzistojnë si te tmerri, ashtu edhe tek idili. Sidoqoftë, ky lloj dallimi duhet trajtuar me kujdes dhe jo si një çelës që hap të gjitha dyert. Disa vepra nuk i binden këtij dallimi dhe nuk kanë fituar asgjë duke iu nënshtruar atij, si Komedia njerëzore e Balzac-ut apo Les Rougon-Macquart e Zola-it. Të tjera vepra ndahen krejt natyrshëm në dy masivë, sipas këtyre dy rubrikave. Kështu, Flaubert-i, në njërën anë kur shkruan Tundimin e Shën AntonitSalambonëSaint Julien l’Hospitalier-në apo Hérodias-in, dhe në anën tjetër kur shkruan Zonjën BovariEdukimin e ndjenjave dhe Bouvard et Pécuchet-në. (Mund të themi gjithashtu se ka dy Flaubert-ë, njëri me ngjyra, tjetri në bardh-e-zi.) Është zbavitëse të krahasosh, nga ky aspekt, gostinë e Barbarëve që çel Salambonë dhe banketin e martesës te Zonja Bovari. Te njëra gjithçka është madhështore, te tjetra gjithçka është qesharake. Do shihnim gjithashtu se nëse humori është mbret te sarkazma, ai nuk është aspak i përjashtuar te kremtimi. Këtu ai thjesht fiton një përmasë plotësuese.

citat

Bufoni, ngaqë është trupvogël, shëmtaraq e i paskrupullt, shikon më shumë gjëra se zotërinjtë trupmëdhenj dhe zonjat e bukura të Oborrit.

Ibn Al Houdaida

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top