Adoleshentja-Wislawa Szymborska

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Adoleshentja-Wislawa Szymborska

Unë – adoleshente?
Nëse ajo do ndodhej, këtu, tani, përpara meje,
a do t’më duhej ta trajtoja si të afërt dhe të dashur,
edhe pse më është e çuditshme dhe e largët?

Të derdhja një lot, t’ia puthja ballin
për arsyen e thjeshtë
se kemi një datë lindjeje?

Kaq shumë pangjashmëri midis nesh
saqë vetëm kockat ka të ngjarë të jenë ende të njëjtat,
zgavra e kafkës, gropat e syve.

Pasi sytë e saj duken pakëz më të mëdhenj,
qerpikët e saj janë më të gjatë, ajo është më e gjatë
dhe i gjithë trupi i është i mbështjellë fort,
në lëkurë të lëmuar, pa njolla.

Të afërmit dhe miqtë ende na bashkojnë, është e vërtetë,
por në botën e saj jetojnë pothuajse të gjithë,
ndërsa në timen pothuajse askush nuk mbijeton
nga ai rreth i përbashkët.

Ne ndryshojmë kaq thellësisht,
flasim dhe mendojmë për gjëra krejtësisht të ndryshme.
Ajo nuk di pothuajse asgjë –
por me një këmbëngulje që meriton arsye më të mira.
Unë di shumë më tepër –
por asgjë me siguri.

Ajo më tregon poezitë,
shkruar me shkrim të qartë dhe të kujdesshëm
që nuk e kam përdorur prej vitesh.

Unë ia lexoj poezitë, i lexoj.
Hëm, po ndoshta atë
nëse do të ishte më e shkurtër
dhe e rregulluar në disa vende.
Pjesa tjetër nuk është inkurajuese.

Biseda ngec.
Tek ora e saj patetike
koha është ende e lirë dhe e paqëndrueshme.
Tek imja është shumë më e çmuar dhe e saktë.

Asgjë teksa ndahemi, një buzëqeshje e ngrirë
dhe pa emocione.
Vetëm kur ajo zhduket,
duke e lënë shallin nëpër nxitimin e saj.

Një shall prej leshi origjinal,
me shirita me ngjyra
thurur për të me grep
nga nëna jonë.

Unë ende e kam atë shall.

Përktheu: Arlinda Guma

Poezia e lexuar nga Arlinda Guma:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top