KUJTESA DHE ZAKONI-Michel Tournier

in Esé by

Michel Tournier

E shkuara, qoftë edhe më e largëta, nuk është sidoqoftë e vdekur. Kjo ishte njëra prej lojërave të fjalëve me të cilat René Le Senne zbukuronte kursin e tij të filozofisë në Sorbonë. Po, e shkuara është e tashme në njëfarë mënyre, por pikërisht mund të jetë e tashme në mënyra të ndryshme. Është Historia që gjendet nëpër libra. Janë objektet që gjenden nëpër muze. Janë ngrehinat që gjenden nëpër qytete. Çdo komunë ka përmendoren e vet të të vdekurve me emrat e të rinjve të sakrifikuar. Kjo kujtesë është e përbashkët dhe bën pjesë në programin shkollor.

Por ekziston gjithashtu kujtesa individuale, sepse secili prej nesh ka të shkuarën e tij, e ilustruar kjo nëpërmjet një muzeu të vogël vetjak letrash, fotografish e objektesh-suvenire. Këto dy kujtesa japin ndihmesën e tyre në gjendjen tonë shpirtërore dhe në ekuilibrin tonë jetësor. Të ardhurit rishtas vuajnë ngaqë nuk hedhin dot rrënjë në një vend ku e shkuara mbetet e huaj. Sa u përket amnezikëve, vizioni që këta kanë për një botë krejt të re, në çdo çast të jetës së tyre, është i paimagjinueshëm për njerëzit e pajisur normalisht me kujtesë.

E shkuara e formuar nga vitet tona të rinisë – ajo që Baudelaire-i e ka quajtur “parajsa e gjelbër e dashurive fëmijënore” – mund të na ndjellë një nostalgji të dhimbshme dhe dëshirën e zjarrtë për të rimëkëmbur e madje për të rijetuar ato kohë të pafajshme. Ky është edhe kuptimi i përgjithshëm i veprës së Marcel Proust-it, Në kërkim të kohës së humbur, arkeologji e përnjëmendtë vetjake. Marcel Proust-i përdor një levë të fuqishme, kujtimin afektiv që del nga një ndjesi e imët – shija e një keku (madeleine) të ngjyer në një filxhan çaji, për shembull, – dhe rikrijon me një gjallëri tronditëse një epokë të tërë të kaluar.

Sipas Henri Bergson-it, ky aktivitet i kujtesës është veçori tipike e mendjes. Por e shkuara mund të regjistrohet edhe në trup, i cili ruan vetëm elementet motore dhe të dobishme. Roli i trurit është pikërisht të përpunojë të shkuarën për nevojat e jetës së tanishme. Ai ruan vetëm gjestin e mësuar, duke eliminuar datimin dhe rrethanat që qarkojnë të fituarit e tij. Kështu, kur luaj tenis, përfitoj nga të gjitha mësimet e tenisit që kam nxënë, por nuk i evokoj ato në mendjen time ndarazi dhe në veçantinë e tyre. Kjo formë ruajtjeje është zakoni dhe pa këtë aftësi nuk do mund as të flisnim, as të ecnim dhe aq më pak të lexonim e të shkruanim. Por këto aktivitete janë fizike dhe i përkasin ngulimit tonë në botën konkrete. Mjeti i këtij ngulimi është truri, funksioni i të cilit është të përmbledhë gjithë të shkuarën e grumbulluar për të ruajtur vetëm çka është e dobishme për situatën e tanishme. Ëndrra e atij që fle përkon, përkundrazi, me një shtendosje të filtrit cerebral dhe me pushtimin e vetëdijes prej një fantazmagorie kujtimesh të padobishme.

Nga kjo teori, Henri Bergson arrinte në përfundimin e mundësisë së pavdekësisë së shpirtit. Sepse nëse truri s’është tjetër veçse ai organ i kufizuar e dobiprurës, shkatërrimi i tij prej vdekjes fizike nuk sjell medoemos fundin e shpirtit tonë.

Përktheu: Alket Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top