Çfarë Bënte Gjyshi im në Luftën e Dytë Botërore-Peter Constantine

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Çfarë Bënte Gjyshi im në Luftën e Dytë Botërore-Peter Constantine

 

Gjyshi im fitoi një medalje.
Jo për besnikëri ndaj Führerit,
jo për bëma heroike në betejë,
por ngaqë ishte futbollist shumë i mirë
dhe divizioni i tij i tankeve i fitonte ndeshjet njërën pas tjetrës.
Por polakët i ngisnin kuajt si hunët nëpër fusha,
tehet e shpatës shkëlqenin në diellin e zbehtë të veriut
dhe ndeshjet e futbollit u ndërprenë.
Një drithmë, më tha gjyshi, i kaloi përgjatë kurrizit,
tek rrinte i kurthuar në tank, duke menduar vendin e tij.

Gjyshja ime zbriti te lumi
me gratë e tjera të fshatit
për të marrë lajmet nga fronti.
Një cigane hodhi në baltë të brendshmet  e një lepuri 
dhe tregoi me gisht gratë një nga një:
I vdekur!
I gjallë!
I vdekur!
I gjallë!
I vdekur – i vdekur – i vdekur – i vdekur!
I gjallë!

Gjyshja mori trenin,
që u nis pa orar, i heshtur, nëpër natë,
duke udhëtuar drejt veriut përmes Sllovakisë dhe Bohemisë, deri në Poloninë 
gjermane.
“Të ka ardhur gruaja!” i tha koloneli
gjyshit.
“Qenka trimëreshë, një ariane e vërtetë!”
Gjyshi mori tri javë leje.
Të nesërmen erdhën edhe më shumë polakë, hipur mbi kuaj.
I therën të gjithë në divizionin e tankeve
dhe tanku i gjyshit u dogj.
Por gjyshi shpëtoi
falë gjyshes që kishte ardhur ta takonte.

Më vonë gjyshi im u vendos 
në Greqi,
ku luftoi kundër partizanëve në male.
Për çdo ushtar gjerman që ata vrisnin
burrat tanë qëllonin njëzet e pesë fshatarë-
kjo i bëri ata të mendoheshin mirë para se të qëllonin kundër uniformës gjermane
dhe kështu gjyshi shpëtoi përsëri.

Në rrugën e kthimit për në Austri
u hidhte konserva me ushqime nga dritarja e trenit
fëmijëve grekë të uritur që vraponin lakuriq nëpër shina.
“AUSTRIA GUT AUSTRIA GUT”

Por kur humbëm luftën gjyshin tim e kapën francezët
dhe e futën në një burg për ushtarët gjermanë nga fronti.
Kur ai dhe shoku i tij më i mirë u liruan, ishin kockë e lëkurë.
Një plake i erdhi keq dhe i dha secilit nga nëntë
vezë të ziera fort.
Gjyshi hëngri një në mëngjes, një në mesditë dhe një në darkë.
Shoku i tij më i mirë i hëngri të nëntat përnjëherë dhe vdiq.

 

Përktheu: Viktoras Iliopoulos

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top