JORGE LUIS BORGES
Nis nga një lloj zbulimi. Po e përdor këtë fjalë në një mënyrë modeste, pa kurrfarë ambicieje. Dua të them, papritur, unë di se diçka do të ndodhë dhe ajo që do të ndodhë mund të jetë, në rastin e një tregimi, fillimi dhe fundi. Në rastin e një poezie, jo: është një ide më e përgjithshme e nganjëherë ka qenë rreshti i parë. Domethënë, diçka më është dhënë dhe pastaj ndërhyj unë, por ndodh që mund të prishet e gjitha.
Për shembull, në rastin e një tregimi unë di fillimin, pikën e nisjes, di dhe fundin, pikëmbërritjen. Por ama, përmes mjeteve të mia të kufizuara, duhet të zbuloj se çfarë ndodh midis fillimit dhe fundit. Pastaj, ka edhe probleme të tjera për t’u zgjidhur; për shembull, nëse ngjarja duhet rrëfyer në vetën e parë apo në vetën e tretë. Më tej, duhet të përcaktosh kohën e ngjarjes: këtu, sipas meje, “kjo është një zgjidhje imja, personale”, besoj se për mua më mirë do të ishte dekada e fundit e shekullit XIX. Zgjedh, “nëse është fjala për një ngjarje që ndodh brenda qytetit të Buenos Airesit”, apo në rrethinat e tij, po themi, në Palermo*, Barrakas* apo Turdera*. Po ashtu zgjedh vitin, për shembull 1899, që është viti i lindjes sime. Sepse, kush mund ta dijë me saktësi se si flisnin banorët e këtyre lagjeve që tani janë të vdekur? Askush. Kësisoj, unë mund të rrëfej më me lehtësi. Përkundrazi, nëse një shkrimtar zgjedh një temë bashkëkohore, atëherë lexuesi kthehet në një kritik dhe thotë: «Jo, në këtë lagje nuk flitet kështu», apo «Njerëzit e kësaj shtrese nuk do ta përdornin një shprehje të tillë».
Shkrimtari i parashikon të gjitha këto dhe ndihet duarlidhur. Prandaj unë zgjedh një kohë dhe një vend paksa të largët; kësisoj, ndihem më i lirë dhe mund të fantazoj e madje mund të gënjej. Mund të gënjej, pa e marrë vesh kush, pa e ditur as unë vetë, sepse është e nevojshme që shkrimtari që shkruan një fabul, “sado fantastike të jetë”, në ato çaste, të besojë te realiteti i fabulës.
_________
*Palermo, Barrakas, Turdera – lagje në rrethinat e Buenos Airesit
Përktheu: Bajram Karabolli