JORGE LUIS BORGES
Ky plumb është i lashtë
Në 1897-n e shtiu ndaj presidentit të Uruguait, Arredondo, një djalosh nga Montevideoja, i cili kishte kaluar një kohë të gjatë pa u takuar me askënd që kësisoj të mos i gjenin bashkëpunëtorë.
Tridhjetë vjet më parë, i njëjti plumb vrau Linkolnin, në një akt kriminal apo magjik të një aktori, të cilin fjalët e Shekspirit e kishin shndërruar në Mark Brut, vrasësin e Çezarit. Nga mesi i shekullit të XVII, hakmarrja e përdori për t’i dhënë vdekje Gustav Adolfit të Suedisë, në mes të hekatombës publike të një beteje.
Më herët, plumbi, pat qenë të tjera gjëra, sepse shtegtimi pitagorik nuk u përket veç njerëzve. Pat qenë gjalmi i mëndafshtë që në Lindje u dhurohej vezirëve, pat qenë pushkët dhe bajonetat që sakatuan mbrojtësit e Alamos, pat qenë thika trekëndore që preu kryet e një mbretëreshe, pat qenë gozhdët e zymta që përshkuan mishin e Shpëtimtarit dhe druri i Kryqit, pat qenë helmi që komandanti kartagjenas e ruante në një unazë të hekurt, pat qenë kupa e kthjellët që Sokrati ktheu një buzëmbrëmje.
Në agull të kohës pat qenë guri që Kaini goditi Abelin dhe do të jetë shumë gjëra që sot as që i përfytyrojmë ende dhe që mund t’iu japin fund njerëzve dhe fatit të tyre të mahnitshëm e të brishtë.
Përktheu: Bajram Karabolli