Author

Admin - page 34

Admin has 1899 articles published.

Të zbavitemi deri në vdekje

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Meli Ajazi

“Po rrinim sy hapur në pritje të vitit 1984. Kur viti erdhi dhe profecia nuk ndodhi, mendimtarët amerikanët kënduan nën zë të kënaqur me veten. Rrënjët e demokracisë liberale mbajtën. Kudo tjetër kishte ndodhur tmerri, po ne, amerikanët, nuk na kishin vizituar makthet Oruelliane.
Po kishim harruar, se krahas vizionit të errët të Oruellit, ekzistonte një tjetër, më i ri, më pak i njohur, po, po aq rrëqethës: “Bota e Re e Guximshme” e Aldous Hukslet.

Në kundërshtim me besimin e zakonshëm edhe në mesin e të edukuarve (të arsimuarve), Hukslei dhe Oruelli nuk profetizuan të njëjtën gjë.
⦁ Oruelli paralajmëroi se ne do të mposhtemi nga një shtypje e imponuar nga jashtë.
⦁ Ndërsa në vizionin e Hukslei-t, asnjë Big Brother nuk u kërkon njerëzve t’u privojë autonominë, maturinë apo pjekurinë dhe historinë e tyre. Po siç e parasheh ai, njerëzit do të fillojnë vet ta dhurojnë lirinë e tyre, ta duan shtypjen dhe shfrytëzimin e tyre, të adhurojnë teknologjitë në mënyrë që të zhbëjnë aftësitë e tyre për të menduar.
⦁ Oruelli frikësohej se ne, njerëzit, do t’i braktisnim librat.
⦁ Hukslei frikësohej se ne, njerëzit, nuk do të kishim asnjë arsye për të ndaluar ndonjë libër, pasi nuk do të mbetej më njeri që do të donte të lexonte një libër.
⦁ Oruelli frikësohej nga ata që do të na privonin ne njerëzit nga informacioni.
⦁ Hukslei frikësohej nga ata që do të na jepnin ne njerëzve aq shumë informacione, sa ne do të depresoheshim në pasivitet dhe egoizëm.
⦁ Oruelli frikësohej se e vërteta do të fshihej prej nesh, njerëzisë.
⦁ Hukslei frikësohej se e vërteta do të mbytej në një det gjërash të parëndësishme e të pavlera.
⦁ Orwelil frikësohej se shoqëria do të bëhej një kulturë e detyruar, apo e robëruar apo censuaruar nga diktatura.
⦁ Huksley frikësohej se shoqëria do të bëhet një kulturë e parëndësishme, pa vlera të mirëfillta, e preokupuar me disa ekuivalente ndjesish, përsëritje refrene të kota mejshanesh dhe lojra fëmijësh jo edukative.

Siç edhe Hukslei në “Brave New World” e redaktuar, parashikoi, libertarianët dhe racionalistët, që janë gjithmonë në gatishmëri për të kundërshtuar tiraninë “dështuan të marrin parasysh oreksin pothuajse të pafund të njeriut për t’u shpërqëndruar”.

⦁ Te ‘1984’, Oruelli thekson se njerëzit kontrollohen duke u shkaktuar dhimbje.
⦁ Te “Brave New World”, Hukslei thekson se ata kontrollohen duke u shkaktuar kënaqësi.
Me pak fjalë:
⦁ Oruelli kishte frikë se ajo nga e cila ne kemi frikë do të na shkatërrojë.
⦁ Hukslei kishte frikë se ajo që ne dëshirojmë do të na shkatërrojë.

― Neil Postman, “Duke u zbavitur deri në vdekje: Diskursi publik në epokën e biznesit të shfaqjes.” – një libër që mbështet mundësinë që Hukslei, jo Orwelli, kishte të drejtë

Të zbavitemi deri në vdekje, libër i autorit Neil Postman, është një vështrim i asaj që ndodh kur politika, gazetaria, arsimi dhe madje edhe feja bëhen subjekt i argëtimit.

Origjina e librit qëndron tek një fjalim që Postman mbajti në Panairin e Librit të Frankfurtit në vitin 1984, ku ai po merrte pjesë në një panel mbi diskutimin e librit të Geoge Oruellit “1984” në botën bashkëkohore të 1984.”

Njĕ recensë nga Cineuropa për dokumentarin “Edhe Një Ditë” të regjisorit Eneos Çarka/Savina Petkova

in Kinema by

Eneos Çarka ka realizuar një dokumentar sa të fuqishëm aq edhe delikat, që vjen si kulminimi i disa viteve, duke ndjekur dy artistë rruge nga Shqipëria që performonin në Italinë e Veriut.

     Savina Petkova

I lindur në Shqipëri por i bazuar në SHBA, Eneos Çarka ka një aftësi për të kapur rryma të padukshme, të shtrira në një kohë të zgjeruar, që rrjedhin mes njerëzve. Filmi i tij debutues me metrazh të gjatë, “Edhe Një Ditë”, vjen si kulminimi i disa viteve duke ndjekur dy artistë rruge nga Shqipëria, që performonin në Italinë e Veriut, duke përfshirë shfaqjen e tyre që përmban akrobaci dhe pantonimë, ashtu si edhe eksplorimin e vëllazërisë që ata ndajnë. Vitin e kaluar, filmi i shkurtër i Çarkës, “Heshtja e Pemëve të Bananes”, pati premierën në IDFA, dhe këtë vit, ai rikthehet në Amsterdam me “Edhe Një Ditë”, i cili pati premierën në kategorinë Luminous të festivalit më të madh të dokumentarit në botë.
Besmiri dhe Rafaeli janë dy performues të cilët perzantohen në publik si “vëllezërit Ping dhe Pong.” “Ne jemi vëllezër jete,” shprehet Rafaeli kur dikush nga publiku e pyet në fund të shfaqjes për marrëdhënien e tyre vëllazërore. ‘Uniforma’ e tyre përbëhet nga pantallona të kuqe, bluza me vija të bardha e të kuqe, dhe doreza të bardha, një paraqitje klasike që i jep hijeshi hapjes të filmit. Shohim akrobalance, break dance, dhe ndërveprime plot dashamirësi me publikun, i cili tregon veçse dashuri për ta. Duartrokitje, pozime për fotografi me fëmijë dhe familje, dhe ngaherë edhe bakshishe të bollshme mbushin ditët e tyre.
Pa patur nevojë për shumë kontekst apo histori, “Edhe Një Ditë” e fton shikuesin të dëshmojë përditshmërinë që shfaqet si diçka e shenjtë e që mban çdo gjë të lidhur bashkë. Detajet e ndërlikuara të performances së tyre të rrugës, planifikimi, dhe vetë puna e dy djemve janë ato që ne shohim në fillim, çka përbën shtresën e parë të filmit. Krahas këtyre praktikaliteteve, një botë tjetër fillon e shfaqet, e cila na kujton natyrën sublime të njeriut. Përgëzimi më i madh ndaj këtij filmi i shkon dramaturgjisë, e cila krijon një ndjesi zbulimi te personazhet që na shpërfaqen përgjatë kohështrirjes filmike, duke e arritur këtë në një menyrë organike dhe pa ndërhyrje në jetët e protagonistve.
Si fillim, takojmë Besin dhe trajnerin e tij përgjatë një sesioni trajnimi në Shkodër, në verën e vitit 2019. Nëpërmjet fjalëve inkurajuese të trajnerit, ne e njohim Besin si person me një vullnet dhe me një pasion të fortë. Ata flasin hapur për ostogenozën e Besit që e kushtëzon atë, çka tregon që autori është i ndërgjegjshëm për këtë fakt, por ka zgjedhur të mos ta vendosë në qendër të vëmendjes. Si rrjedhojë, filmi nuk shndërrohet në një histori të thjeshtë motivimi; Besi është një frymëzim për të tërë ne, por ai është pikësëpari një njeri i thjeshtë. Pas çdo plani dhe prerjeje fshihet një humanizëm dhe dashuri, që veprojnë si forca motivuese, çka e bën “Edhe Një Ditë” një përzierje të veçantë e poetike mes një realizmi plot vërtetësi dhe një himni ndaj njeriut me të mirat e të këqijat e tij.
Në të njëjtën kohë, Rafaeli, i porsadiplomuar në aktrim, merr pjesë në një audicion në Tiranë. Që prej vitit 2019 (vera e tyre e fundit së bashku), filmi na çon prapa në kohë dhe kërcen mes viteve dhe vendeve të ndryshme ku djemtë ndodhen, duke qepur kështu një portret të dyshes dhe të dinamikës së marrëdhënies së tyre, e cila nga pak fillon e shpërbëhet. Pas prezantimit të secilit prej tyre (ose konkluzionit sipas kronologjisë), ka diçka disi trishtuese në mungesën e tjetrit në kuadër: rrallë gjenden të dy në të njëjtin kompozim. Në fakt, që prej fillmit të filmit, me intuitë ne mund të parashikojmë që një ndarje mund të shfaqet në horizont. Çarka ka një sy mjeshtëror të fshehur në estetikën e filmit. Ai e xhiroi, montoi (bashkë me producentin e filmit Joni Shanaj), dhe bëri regjinë e filmit, por prapë, filmi është i tyre, i Besit dhe i Rafaelit.
“Edhe Një Ditë” është shumë më shumë sesa një film për largimin dhe shpërbërjen e një marrëdhëniejeje. Në njëfare mënyre, butësia me të cilën portretizohen vitet e miqësisë dhe partneritetit profesional dëshmon sesa e pamundur është për dy njërëz që të ndahen plotësisht. Një ndarje që nuk vjen si diçka që shkakton dhimbje apo që lë shenjë, por si një histori mes dy njerëzish që, përgjatë viteve, kanë lënë gjurmë te njëri-tjetri. Të gjitha këto emocione e ndjesi janë rryma që gjenden nën të; nuk shpërfaqen në film. Në të kundërt, dokumentari ka një mbyllje të hapur; merr frymë dhe u jep protagonistëve hapsirën që u nevojitet, edhe kur ata vetë nuk ia mundësojnë dot shoku-shokut. Kinemaja nuk mund të mbyllë çdo plagë, por duke qenë e pranishme aty ku përçarja zgjerohet, mund të shërbejë si një antidozë kundrejt vetmisë.

“Edhe Një Ditë” është një produksion shqiptar, realizim i shtëpisë filmike SCRB & NKNB.

23/11/2023

Marrë nga: Cineuropa

Çikla-Charles Bukowski

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Çikla-Charles Bukowski

Ështe iluzion nëse mendon se thjesht po e lexon këtë poezi,

në të vërtetë është më shumë se një poezi.

Është tehu i thikës,

është një tulipan.

Një ushtar që marshon nëpër Madrid.

Je ti në shtratin e vdekjes,

është poeti Li Po që qesh nga nëntoka,

jo, kjo nuk është një poezi e mallkuar.

Është një kalë që fle.

Një flutur brënda trurit tend.

Kjo poezi është cirku I djallit.

Dhe nuk po e lexon në një faqe,

është ajo që po të lexon ty.

E dëgjon?

Është si një gjarpër,

një shqiponjë e uritur

që fluturon brenda një dhome.

Kjo nuk është poezi,

poezitë janë monotone,

të sjellin gjumë.

Këto fjalë të joshin

Drejt një çmendurie të re.

Të shenjtërojnë

Të shtyjnë drejt një drite të re.

Tani një elefant ëndërron bashkë me ty.

Hapësira përkulet dhe qesh.

Tani mund të vdesësh…

Ti mund të vdesësh siç duhet të vdesë një burrë.

I madh,

Fitimtar,

Me veshin te muzika,

Që gjëmon

Gjëmon

Gjëmon.

Përktheu: Blerina Berberi

Dy pika lot fëmijërorë në mes të shiut/Tasos Livadhitis

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Tasos Livadhitis

Ta pret mendja, duhej të kisha bërë më tepër kujdes, të paktën të kisha vënë në vijë tërë këtë shi që s’ndalet ose të kisha vështruar me më tepër vetëbesim të ardhmen, sepse fundi vjen pa e kuptuar.
Dhe perdet tunden ndonjëherë e i japin shënjë dikujt që ndodhet larg (atij që s’kemi për ta mësuar kurrë se çfarë do) – brejtjet e ndërgjegjes për shkak të një mëkati të ndyrë të shkaktojnë natën një dhimbje tepër të dëlirë, derisa rreziku bëhet dalëngadalë mjaft familjar e s’të mbron dot më nga vetvetja, si ajo linja hekurodhore e papërdorshme që përshkon vitet e tua fëmijërore dhe humbet në pafundësi.
Oh, ato pasdite fëmijërore, kur qëndroje me ballin puthitur pas xhamit, thuajse i përhumbur, aq sa nëna trembej kur futej në dhomë, sepse vendi ku kishe shkuar ishte shumë larg dhe, ndoshta, ende nuk e ke gjetur rrugën e kthimit.
Dhe më pas takon te shkallët njerëz që kanë vdekur apo që do të vdesin së shpejti – veprime që patën qenë për vite të pakuptueshme dhe befas u bënë të kuptueshme falë një fjale të dëgjuar rastësisht në rrugë, natën, “kthehu, është vonë…”.
Të papritura nate, drita të largëta, lypës të palëvisshëm si shigjeta kilometrazhi që tregojnë se sa të vonuar jemi ende, ura që të shpien përtej përmes dritës së hënës dhe malli ynë për një gjë që s’ka ekzistuar kurrë – ah, të gjitha lumturitë të ishin taksur ty, por ti, nga keqkuptimi apo nga moskokëçarja, kishe zbritur një stacion më përpara.
Shpesh mendoja se duhej të mblidhja shumë suvenire, që të mos zvarriteshin në të kaluarën e errët – dhe, në vija të përgjithshme, ka diçka që s’do ta rrëfejmë kurrë dhe ky ndoshta është fati.
Rrugë të lagura e të pushtuara nga xhindët nëpër të cilat kalojnë fantazmat e ditës, njerëz të një jete tjetër, që do t’i njohim në të ardhmen – për më tepër, ç’faj kam unë që dështova, ditët ishin aq të shkurtra, mbrëmjet aq jofitimprurëse, saqë tani ka shkuar vonë – e çë pastaj? Ndjesia e dështimit na ndjek pas prej vitesh, duke i dhënë jetës sonë trajtën e një përralle, si ajo shërbyesja e vogël, së cilës i përkëdhelnim gjoksin, por, tani që ka vdekur, na shfaqet çdo Krishtlindje në gjumë dhe na uron për shumë vjet.
Ja pra, po ngrysej, të lehurat e qenve largonin klishetë e ditës, ndërsa varfanjakët largoheshin me pamje fajtore, sikur sapo të kishin vjedhur një domethënie të madhe.

Përktheu: Stefan Zhupa

Këmbëkryq në pemën e jetës-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Këmbëkryq në pemën e jetës-Sueton Zhugri


Duke vaditur lule parajse në kopshtin e ëndrrave
Anashkaloj metrakatrorë fitimtarësh me caqe fluturimesh.
Nderur aty janë ngjyrat e jetës,
shijet e një stuhije shiu:
Odisea i jep të pijë verë një Cikllopi
mes reve,
Bojaxhinjtë të lumtur janë
pas një dite të lodhshme
(Është mbuluar shëmtia e botës)
Një prift shkul zemrën dhe
e përplas si poç pas murit
Fluturat fluturojnë së prapthi,
gjethet vdesin përmbys me tollovitje.

Arabë e budistë,
biblikë e agnostikë
ulen të ndajnë një copë bukë.
Secili me përndritjen e tij
me pijen e preferuar dhe me shkallën vetjake drejt qiellit ose nëntokës.

Vaporët ashtu si trenat ende fishkëllejnë.
Edhe vocrraku i mëhallës
nuk i lë gjë mangut
(me gjithë fuqinë e fytit.)
Fishkëllejnë hëna dhe yjet
në frekuenca të tjera
që dëgjohen nëse
je ulur në kopshtin e ëndrrave
duke gjerbur kafe dhe duke folur
për çmime Nobël ose
për pëlhurën e shprishur të Penelopës…

8.11.2021

E trishta kuti postare/Tasos Livadhitis

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Tasos Livadhitis


Koha, ma merr mendja, është me gjasë një dënim i ngadaltë – për më të tejlashtin gabim. U errësua. Hapa dritaren dhe mbajta vesh nga larg ankimin e kahershëm të botës.
Kështu i humbasim zakonisht vitet tona më të bukura, duke u marrë me gjëra të kota: me të nesërmen që s’po vjen apo me muzgun që s’po ikën. Kur Perëndia ndau botën, fëmijët zgjodhën qoshet e rrugëve, ndërsa djalli flalët më të bukura… Shtëpia më pas u shkretua, ikën të gjithë, edhe të vdekurit, edhe miqtë, edhe rinia – rrugë të harruara në natën e errët dhe në kopsht pemët kishin dëgjuar aq shumë dënesa, saqë kishin lulëzuar ndryshe nga zakonisht, “mos më harro!”, – thoshte netëve vjeshtake një zë vajzëror, sepse në vitet tona fëmijërore është gjendur gjithmonë një vajzë me emrin Maria. Dhe gjëra të tjera që nuk u realizuan kurrë – siç ndodh në jetën tonë më të vërtetë.
Isha aq i vetmuar saqë të gjitha këto do të merrnin fund në jetën tjetër. Kaloi një makinë, shtëpia u drodh dhe, ah, si t’i përvidhesh realitetit kur nuk je më fëmijë, ndërkohë që në fund të korridorit ndodhej ajo derë e fshehtë, të cilën do ta gjejmë kur të kenë kaluar vitet, si në buzë të poezive të trishtueshme që i krijojnë lumenjtë apo si lehonat që lënë pafundësinë ngaqë pëlqejnë më tepër një qarje të vogël këtu në tokë.
Ndonjëherë shkoja dhe qëndroja aty ku dikur kishte qenë stacioni i tramit, përse? këtë dua të gjej edhe unë – dhe u mora me gjëra të çuditshme, siç vepron gjithmonë ai që s’ka me çfarë të merret ose ndryshoja vazhdimisht rrugë, që të mos kuptoja ku kisha gabuar, dhe netëve e merrja me vete valixhen edhe kur shtrihesha për të fjetur, sepse kush e di fundin e udhëtimit? – me pak fjalë, bota ishte aq e huaj, saqë parapëlqeja një birrari të mirë ose të përshkoja me sy qiellin si mbi një anije apo të hipja mbi një karrige që të vështroja gjëra të humbura përgjithmonë – eh, vetëm se e bëra jetën time të mjerueshme që të ngjante paksa si e vërtetë.
Ka çaste që një jetë s’të mjafton për të sjellë ndër mend ç’ka ke jetuar – dhe mbrëmjeve i hidhja jashtë nga dritarja të gjitha mendimet mia, se mos ndoshta udhëtarët e humbur gjenin rrugën e tyre, dhe jetova nëpër shtëpi që kishin të çara ngado, që të kujtoheshin harraqët, për më tepër, duke e shtyrë gjithnjë, ja sot, ja nesër, mbeta përgjithmonë dymbëdhjetëvjeçar. Punë të errëta që do të merren vesh vetëm ditën e gjykimit. Por s’kam për ta harruar kurrë një nga netët e asaj kryengritjeje të madhe, bartësit e të plagosurve më ulën për një çast në tokë dhe atëherë ia ngula sytë yjeve, oh, Perëndia ime, sa shkëlqenin, dhe befas nuk më interesonte që kishim fituar, “e tërë pafundësia është jona”, thashë me vete dhe u betova ta shpija gjer në fund ç’më kish rënë për hise.
Më kujtohet që po bisedoja me nënën kur kish hyrë vjeshta, një kuti postare rrinte varur mbi mur si trofe harrese – deri sa në fund i lëshon pe, është më pak e lodhshme, pikëllimeve që do të na shpien drejt çmendjes ose drejt vdekjes, dhe befas një mëngjes kuptuam që i kishim harruar. Vetëm se, ndonjëherë, një këngë e largët gjatë natës apo një aromë e papërcaktuar na sjell ndër mend të shkuarat – kush do të na shpëtojë atëherë…
Përundimisht, isha tepër lavdidashës që të më mjaftonte vetëm një jetë dhe, si të gjithë herojtë, u zgjova befas një natë pa e ditur cili isha dhe se ajo çadër e lagur në korridor ishte prova e pakundërshtueshme që kisha kaluar mes për mes përmbytjes – oh, shekulli im, të kam borxh kaq shumë gjëra të vrazhda, por, duke u larguar, do të lë pas një letër dashamirëse për ata që do të vijnë.
Një herë tjetër do t’ju rrëfej për teta Rozën, e cila ka një histori të pafat ose, më saktë, nuk ka asnjë histori. Por thjesht një natë, teksa orvatej në verandë të kapte një yll që po binte, ra nga shkallët. Që nga ajo kohë, e mbështetur mbi peteraca, baret dhe përhumbet nëpër kopshte të përfytyruar.

Përktheu: Stefan Zhupa

DON KISHOTI-Nazim Hikmet

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

DON KISHOTI-Nazim Hikmet


Kalorësi i rinisë së përjetshme
Ndoqi, rreth të pesëdhjetave,
Arsyen që i rrihte në zemër.
U nis një mëngjes të bukur korriku
Për të pushtuar të bukurën, të vërtetën dhe të drejtën.
Para tij ishte bota
Me gjigantët e saj absurdë e të shëmtuar
Dhe nën të ishte Rosinanti
I trishtë e heroik.

E di,
Kur të kap ky pasion
Dhe kur e ke zemrën plot,
S’ke ç’i bën, Don Kishoti im, s’ke ç’i bën,
Duhet të luftosh me mullinjtë e erës.

Ke te drejtë,
Dylqinja është gruaja më e bukur në botë,
Sigurisht që këtë duhej t’ua përplasje në fytyrë
Tregtarëve të vegjël të çikërrimave,
Sigurisht që ata duhej të të hidheshin përsipër
Dhe të të zhdëpnin në dru,
Por ti je kalorësi i pamposhtur i etjes
Ti do vazhdosh të jetosh si një flakë
Në guaskën tënde të rëndë prej hekuri
Dhe Dylqinja do jetë çdo ditë e më e bukur.

Përktheu: Alket Çani

Do të doja një dashuri të madhe-Sueton Zhugri

in Letërsi/Tharm by

Do të doja një dashuri të madhe-Sueton Zhugri

 

.. aq të madhe sa mos ta nxinte
fleta ku po shkruaj,
as syri yt,
të derdhej ajo
si ujë mbi tavolinë,
ose si lot mbi faqen tënde.

Një dashuri prej shiu që përmbyt fletët
Dashuri bombë që hedh në erë dhe retë
Dashuri që nuk përulet, por turfullon për hall të vet
Dashuri amfibe që noton brenda teje pa u pikasur
Dashuri – algjebër me probleme të pazgjidhshme
Dashuri me parzmore që nuk çahet në puthje të parë, e as në të fundit
Me veshje antiplumb ndaj fyerjes
Me brinjë që i thyhen por nuk i dhëmbin
Që të mban pa gjumë si dhëmb i prishur
Një si kafshë shtëpiake që të ngroh kur të sheh të trishtuar dhe të troket me putra në qenie
Një lloj kujtese që zgjon edhe të vdekurit
Monedhë e flakur në erë për të blerë furtunë…

Jo një dashuri si qerthull pervers kotësie,
Artikull i rëndomtë në një merkato të shtirurish.

Unë do të doja dashurinë e madhe
atë dashurinë që sa herë të shoh në sy,
njom si ëndërr zemrën time…

3.11.2023

Chandler Bing ishte një personazh thellësisht i trishtuar, të cilit Matthew Perry i dha shumë nga jeta e tij/Arlinda Guma

in Kinema by

       Arlinda Guma

Një yll u ngut të ngjitej në qiell mëngjesin e së dielës. Matthew Perry. Një yll i brishtë. Një artist i thyeshëm, i cenueshëm. Një mendje brilante. Një talent i pamasë.
E ndiqja prej disa kohësh në faqen e tij (reale) në facebook dhe shihja se me sa përulësi u gëzohej gjërave të thjeshta të jetës… Dhe, duke e ditur historikun e uljeve dhe ngritjeve të tij emocionale, gëzohesha për të që më në fund kishte gjetur ekuilibrin.
Për ndikimin e jashtëzakonshëm që ai pati në brezin tim dhe në breza të tjerë, unë do ta krahasoja me Holden Caulfield-in, personazhin e librave të shkrimtarit J.D. Salinger. Ai është personazhi kryesor në romanin “Kapësi në Thekër”. Me Perry-n ai ka të përbashkët natyrën disi të shpenguar, ironinë, sportivitetin dhe ndjeshmërinë e lartë.
Ne shpesh i quajmë yje aktorët e Hollivudit, por të paktë, fare të paktë janë ata që e meritojnë vërtet këtë cilësim. Matthew ishte një nga ata të paktë. Vdekja e tij në lajmet e mëngjesit kaloi me një fjali “Nuk kishte drogë në vendin ku artisti u gjet i vdekur!” (Mëngjeseve të së dielave hartuesit e lajmeve punojnë me staf të reduktuar. Nuk e kanë luksin dhe përqendrimin e duhur të shtojnë fjali të tjera.)
Në të vërtetë lexova shumë komente për të nga njerëz të famshëm, komente të cilat i adresoheshin personazhit që ai luajti: Chandler Bing-ut. Por njëri prej tyre më tërhoqi vëmendjen. Ishte komenti i këngëtares britanike Adele, e cila kishte ndërprerë koncertin për t’i kushtuar atij disa fjalë. Gjëja që më bëri përshtypje në fjalët e saj ishte pjesa ku ajo e cilësonte personazhin Chandler Bing një personazh “të gëzueshëm”.
Si ka mundësi, thashë me vete kur më pas lexova edhe komente të tjera të këtij lloji, si ka mundësi që ky personazh të ketë kaluar kështu, në mënyrë kaq sipërfaqësore në mendjet e këtyre njerëzve? Sepse personazhi Chandler Bing mund të jetë gjithçka përveçse një personazh “i gëzueshëm”! Ai është një personazh thellësisht i trishtuar, të cilit Matthew Perry i dha shumë nga vetja e tij, nga jeta e tij.
Kam ndjekur një intervistë ku Matthew Perry rrëfente se përpara se të ftohej për të marrë pjesë në serialin “Friends” ai ishte duke bërë një serial tjetër, ku personazhi që luante ishte pikërisht ai, Chandler Bing-u. Dhe kur pranoi të luante në serialin “Friends“, Matthew e mori me vete edhe personazhin.
Prindërit e Perry-t u divorcuan përpara se ai të mbushte një vjeç dhe këtë ai e mbarti me vete në pavetëdijen e tij letrare gjatë gjithë jetës. E quaj pavetëdije letrare sepse ai ishte edhe skenarist, bashkëautor në serialin “Friends“. Të gjithë e kujtojmë mënyrën sesi përshkruhen prindërit e Chandler-it në atë serial; ka një sarkazëm therëse aty, madje do guxoja ta quaja sarkazëm tragjike. Janë aty të gjitha lëndimet e tij.
Matthew Perry i dha shumë nga jeta e tij personazhit Chandler Bing. Ai i dha atij një sarkazëm të hidhur, të përsosur, që më tepër se t’u drejtohej të tjerëve, i drejtohej vetes. Sarkazma më e sofistikuar ka dalë nga pena e tij. Me saktë; nga dhimbja e tij.
Ndodh shpesh që njerëzit që i bëjnë të tjerët të ndihen mirë, për vete ndihen tmerrësisht keq. (Do kujtoja këtu aktorin Robin Williams dhe fatin e tij tragjik.) Këta yje, të cilët duhet t’i paguajnë një haraç të shtrenjtë qiellit, duke vdekur të vetmuar. Sepse ata pothuajse të gjithë vdesin vetëm. I kanë dhënë aq shumê botës me artin e tyre dhe në fund nuk kanë një dorë që ta shtrëngojnë për herë të fundit… Dhe çuditërisht nuk gjendet asnjë mekanizëm social që t’i mbrojë ata prej kësaj. Kemi ndërtuar raketa, anije kozmike për të eksploruar planete të tjerë, por një gjë kaq të thjeshtë nuk kemi mësuar ende ta ndërtojmë.
Në jetë njeriu formësohet nga shumë gjëra. Nga librat që lexon, filmat që sheh, muzika që dëgjon apo pikturat që kundron. Ai mund të formësohet edhe nga fjalët e ndonjë plaku të moçëm që nuk di shkrim e këndim apo nga fjalët e ndonjë lypësi që është ulur me dorën zgjatur diku në një rrugicë. Ka një mijë gjëra; madhore dhe të parëndësishme, të cilat mund ta formësojnë një njeri. Të gjitha pa përjashtim e ndërtojnë këtë njeri. Dhe midis tyre, një kontribut të konsiderueshëm ka dhenë ai; Mattheu Perry, për ndikimin e pabesueshëm që pati dhe do të ketë në të ardhmen në breza të tërë. Ashtu siç në jetë mund të të ndikojë Kafka, Monet, Van Gogh, Aldous Huxley, Martin Luther King, Chopin, Nina Simone, etj, jo më pak mund të të ndikojë edhe një personazh si ai. Ai i mësoi brezit tim sesi dhimbja mund të kthehet në smerald dhe me të mund të ndërtosh gjëra të vlefshme për njerëzit, paçka se vetë mund të ndihesh i shkatërruar. I mësoi artistit mungesën e egoizmit.
Në një prej librave të mi kam shkruar se njerëzit që kanë ndjekur serialin “Friends” seç kanë diçka gjenuine në karakterin e tyre.
Dhe këtë gjenuinitet na e përcolli të gjithëve Matthew Perry, ai ylli që sot u ngjit në qiell, pasi shpërndau prej trupit të drobitur miliarda grimca që i bënë njerëzit të ndihen mirë.
Shpesh them me vete: “Kushedi sa njerëz ka shpëtuar nga vetëvrasja seriali “Friends“! Kushedi sa sëmundje ka kuruar!
Personazhi simpatik, Holden Caufield, i shkrimtarit J.D. Salinger, rrëfen diku në libër për një këngë e cila flet për një rojtar në një fushë të madhe me thekër, që arrin të kapë një fëmijë që është gati të bjerë në greminë.
Sa keq që për Matthew Perry-n nuk u gjend asnjë rojtar që ta kapte përpara se të binte! Ta kapte fort dhe të mos ta lëshonte…
Nuk para ka rojtarë të tillë në shoqërinë e vetmuar që kemi ndërtuar…

E diel, 29 Tetor, 2023

___________________

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: Bulevardi i Yjeve (2014), Terma humanitarë si fjala bombardim (2016), Bob Legjenda (2021) dhe Marksi ka humbur kujtesën (2025).
Letërsia e saj është botuar në disa revista letrare ndërkombëtare, përfshirë revistat amerikane Words Without Borders dhe Poets & Writers, në revistën greke Teflon, etj. 
Poezitë e saj janë përfshirë në antologji letrare ndërkombëtare dhe janë interpretuar nga aktorë të huaj në shumë vende të botës.
Që prej vitit 2018, ajo është themeluese dhe drejtuese e revistës kulturore defekt-teknik.com, e cila ruhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika e përshkruan si një autore të guximshme dhe jokonformiste, “që shkruan me grusht.”

Haiku

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Haiku

       ~•~

Amy Lowell
(1874-1925) – SHBA

Pasi bie lulja,
Gjethen s’e do më askush.
Çdo ditë dridhem nga frika.

         ~•~

Rainer Maria Rilke
(1875-1926) – Austri

Fluturat e natës dalin të trallisura nga shkorreti;
ato do vdesin sonte pa e ditur
që s’është pranvera.

        ~•~

Guilherme de Almeida
(1890-1969) – Brazil

Natë. Një fishkëllimë në ajër,
s’ka këmbë njeriu në stacion. Dhe treni
kalon pa u ndalur.

        ~•~

Giuseppe Ungaretti
(1888-1970) – Itali

Qielli vë në majën
E minareve
Kurora kandilësh.

       ~•~

Jorgo Seferis
(1900-1971) – Greqi

Grua lakuriq
shega që u kris
ishte plot me yj.

         *

Ku t’i mbledhësh
një mijë copëzat
e çdo njeriu?

       ~•~

Richard Wright
(1908-1960) – SHBA

Nën dëborën që bie
Një djalë i qeshur zgjat pëllëmbët
Gjersa i bëhen të bardha.

        *

Duke u përdredhur keqas,
Një balonë e humbur rreket të çlirohet
Nga telat e telegrafit.

       ~•~

Octavio Paz
(1914-1998) – Meksikë

Ujëra të ngurosur.
Brenda tyre fle Tlaloku plak,
Që ëndrron shtrëngata.

       *

Ngrita fytyrën drejt qiellit,
gur i stërmadh me shkronja të vjetruara:
yjet s’më zbuluan asgjë.

      ~•~

Jack Kerouac
(1922-1969) – SHBA

Shuajt e këpucëve të mia
janë të papërlyer
Ngaqë kam ecur në shi

     *

Ngjyra të Halloween-it
portokalli dhe e zezë
Mbi një flutur vere

      ~•~

Allen Ginsberg
(1926-1997) – SHBA

Ulur mbi një trung me gjysmë filxhani çaj,
Teksa dielli zbret pas maleve –
Pa asgjë për të bërë.

      *

Asnjë fjalë! Asnjë fjalë!
Veç mizat bisedojnë për mua –
Dhe era thotë diçka tjetër.

        ~•~

Tomas Tranströmer
(1931-2015) – Suedi

Drenushë në mes të diellit.
Mizat qepin e qepin sërish
hijen e saj mbi tokë.

       ~•~

Kenneth White
(1936-) – Skoci

Jam edhe unë çifligar:
kam dymbëdhjetë akra heshtje të bardhë
mu në fund të kafkës.

     ~•~

Herman Van Rompuy
(1947-) – Belgjikë

Sipër meje
Mijëra zogj që shtegtojnë.
Vështrimi im i ndjek.

      ~•~

Boris Akunin
(1956-) – Rusi

Ah, sikur gjithmonë
Të frymëzoje respekt,
Flamur i Rusisë!

      ~•~

Ying Chen
(1961-) – Kinë

Ai që s’është më
Në vizatimin e fëmijës
Mes të gjallëve

       ~•~

Minh-Triêt Pham
(1973-) – Vietnam

qytet perandorak –
në jehonën e gongut
zilja e celularëve

         ~•~

Përktheu: Alket Çani

1 32 33 34 35 36 190
Go to Top