Jemi të dy klandestinë, të dy kriminelë/Boris Pasternak në Ukrainë

in Letërsi by

Një pllakë, e mbërthyer në një ndërtesë, në dukje anonime, në Kiev, na kujton se Boris Pasternak jetonte atje që në vitin 1931. Pllaka ka fisnikërinë e vet: profili i Pasternakut, reliev i theksuar, i hijshëm dhe i egër, të kujton portretet e pashlyeshme futuriste të Jurij Annenkovit. Në atë kohë, Pasternaku ishte pak më shumë se dyzet vjeç; lidhja me Ukrainën u sanksionua nga babai i tij, piktori Leonid Pasternak, i lindur në Odessa, në një familje hebrenjsh ortodoksë. Në realitet, poeti e “zbuloi” Ukrainën një vit më parë, në vitin 1930, “një vit vendimtar në jetën e Boris Pasternakut” (tregon Vittorio Strada): ai e kaloi verën në Irpin, në fshat, në një shtëpi me qira, së bashku me filozofin Valentin Asmus dhe familjen e Genrich Nejgauzit, pianisti i madh ukrainas, i cili do të jetë drejtor i Konservatorit të Moskës dhe mësues, ndër të tjera, i Svyatoslav Richterit dhe Radu Luput.
Ajo periudhë ishte e vështirë, pasojat e ankthit do të mbeteshin në zemrën e Pasternakut, duke e shkurajuar për vite me radhë. Regjimi i “shoshiti” (i kaloi në sitë) shkrimtarët dhe poetët për të vërtetuar ideologjinë e tij, duke i dhënë letërsisë qartësinë e propagandës; më 16 Shkurt, 1930 u ekzekutua Vladimir Sillovi, një poet i ri. “Mësova për ekzekutimin e tij; një abuzim para të cilit zbehet dhe zhduket gjithçka që ka ndodhur deri tani”, shkruan Pasternaku.
Më 14 prill, Vladimir Mayakovsky vret veten me armë zjarri.“Vetëm atij risia e kohës i rrjedh klimatikisht në gjak”, shkruan Pasternaku, duke vulosur librin e parë autobiografik: “Shpëtimi i sjelljes”, kushtuar kujtimit të Rainer Maria Rilkes me vdekjen e Mayakovskit. Koha e re e kishte bërë Majakovskin “qengjin kurban” (të pakrahasueshmin me asnjë) të moshuar, të zhveshur, tullac, të uritur.
Në Irpin, Pasternaku ishte së bashku me gruan e tij, Evgenija, ‘Zenja”: ata u martuan në vitin 1922, një vit më vonë lindi djali i tyre Evgeny. Por errësira e asaj periudhe po shkatërronte marrëdhëniet familjare, të cilat prej kohësh ishin të kompromentuara.
“Në atë kohë Borja tashmë kishte mosmarrëveshje me Ženjan”, shkruan në ditarin e saj Ol’ga Fréjdenberg, filologe gjeniale, kushërirë e Pasternakut (lidhja e tyre shfaqet në korrespondencën, botuar nga Garzanti, në “Barrierat e shpirtit”), lindur në Odessa. “Ishin të dy artistë dhe, si të gjithë artistët, egoistë. Ženja ëndërronte për Parisin dhe mendonte se martesa me Borjen do ta çlironte nga të gjithë shqetësimet prozaike dhe mjaft zhgënjyeese. Ndërsa ai ishte mësuar me një disiplinë jashtëzakonisht rigoroze, me një mënyrë jetese asketike, si me familjen në “Lufta dhe Paqja”, dhe Ženja, nga ana tjetër, donte të kishte një jetë si tek “La Bohème”.
I plagosur keq shpirtërisht nga vdekja e Mayakovskit, Pasternaku zbulon dashurinë në Ukrainë, me Zinaidën, gruan e mikut të vet Nejgauzit; “Diçka u shkatërrua brenda meje”, i kishte shkruar poetit Gorekij, tashmë, në atë verë verbuese, nën rrezikun e një ndryshimi rrënjësor e simbolikisht të ri.
Kushërirës së tij Ol’ga, nga Irpini, ai i shkroi për “ato fluturat budallaqe të natës, që rrotullohen furishëm rreth llambës”, si për të dënuar molën që fshihet në çdo marrëdhënie.

Si gjithmonë, Pasternaku është i qetë në dukje, po aq i pamatur, i papritur, shkatërrues: ai dëshiron të ndryshojë gjithçka, për sa kohë që askush të mos lëndohet.
Në dhjetor të vitit 1930 ai u largua nga familja: “Nuk mund të them asgjë, sepse personi që dua nuk është i lirë dhe është gruaja e mikut tim, por unë nuk do të mund të pushoj kurrë së e dashuruari”, shkruante ai. Zinaida pati dy fëmijë me Genrichin, gjithsesi kjo nuk e pengoi atë ta lërë pianistin për poetin: dashuria kulmoi në vitin 1931, në Kiev, në fakt në prill. Evgenija shpërngulet në Gjermani me djalin e saj, dhimbjen e ndarjes e dëshmon letërkëmbimi burrë e grua, publikuar nga Feltrinelli, në librin “Frymë jete”:
“E dua Zinën dhe nuk do të ndalem së e dashuruari… Ndarja nga ajo ishte sikur të mbetesha pa frymë nga indiferenca dhe pa të ndihem si pa art… Përballë Zinës nuk jam, saktësisht, një kriminel. Jemi të dy kriminelë”, shkruante ai, më 15 Prill, 1931. Megjithatë, në të njëjtën letër: “Unë mendoj për ty shumë dhe pozitivisht. Dhe për herë të parë pa ashpërsi, me një ndërgjegje të pastër, të lehtë, i gatshëm të të dëgjoj me gëzim…” Ai zotëronte qetësinë metalike të sundimtarit të ndritur – por të padurueshme, shkatërruese. Nga ana tjetër, edhe Zinaida, muza e re, do të duhet të vuajë mbështjelljet e paqarta të poetit: në vitin 1946 Pasternaku takohet me Ol’ga Ivinskajan, e cila punonte në redaksinë e “Novyj Mir” dhe bie në dashuri dhe me të… Që atëherë, dy gratë, Ol’ga dhe Zina, të vetëdijshme do ta ndajnë me njëra-tjetrën dashurinë për Pasternakun.
Megjithatë, ndarja nga Ženja, hija e epokës staliniste, e mbyti në njëfarë mënyre poetin, i mbërritur deri në atë pikë kritike, në vetëvrasje, në vitin 1932: “Këtu qëndron edhe mizoria e Rusisë së pakënaqur: kur i jep dikujt dashurinë e tij, i zgjedhuri nuk gjen më shpëtim nga e tija. (shkëputur nga “Sytë”). Dy vjet më vonë, të dy të divorcuar, ai do të martohet me Zinaidën. Epoka është ende jashtëzakonisht mizore: në atë vit, 1934, Andrei Belyji vdes dhe Stalini kryen thirrjen e famshme telefonike me Pasternakun për të peshuar dhe fatin e Osip Mandel’štamit, “Unë duhet të flas me ju… Për jetën dhe vdekjen”, poeti heziton përballë tiranit. Pasternaku tashmë ishte një person i izoluar në kontekstin e veprës sovjetike, i jashtëzakonshëm, por i padobishëm. Më 29 gusht, në Kongresin e Shkrimtarëve, ai shqiptoi fjalë shqetësuese: “Mos sakrifikoni fytyrën tuaj për pozitën… Duke pasur parasysh ngrohtësinë e pamasë me të cilën na rrethon populli dhe shteti, rreziku për t’u bërë personalitete të socialistëve është shumë i madh.”
Atit të tij, ai më vonë i tregon: “Asgjë që kam shkruar nuk ekziston. Ajo botë ka pushuar dhe nuk kam asgjë për të treguar për këtë të renë”. Si gjithmonë, nevoja, me hir brutal, për të asgjësuar veten.

Ai besonte se po e gjurmonin dhe se do të arrestohej; nga kjo filloi të vuante nga ankthi, gjë që do t’i shkaktonte pagjumësi të tmerrshme torturuese.
Në vitin 1935 qeveria sovjetike e detyroi Pasternakun të merrte pjesë në “Kongresin Ndërkombëtar të Shkrimtarëve për Mbrojtjen e Kulturës” në Paris. Kështu ai shkroi për këtë ndodhi në një nga letrat e tij të pafundme, drejtuar gruas së tij të re: “Më kanë bërë portrete dhe fotografi për disa revista këtu: Do të tmerrohesha nëse ndonjë nga këto do të ishte para syve tuaj; e mbani mend atë kalin e vjetër që është duke vdekur? Tani jam unë i tillë. Nuk mundem të përfundoj dot as këtë letër… Gjithmonë edhe më i pafuqishëm apo me njerëz përreth. Edhe tani, për shembull, në dhomën time janë vajza e Marina Cvetaevas dhe babai i saj, që më luten të vazhdoj të përfundoj letrën që po shkruaja për ty, kur hynë (…). Ti je e vetmja gjë reale dhe e dashur që ekziston për mua në të gjithë botën. Të gjithë këtu më janë indiferentë… Ti je jeta. Je gjithçka që kam njohur në botë, e mirë dhe e vërtetë. Dhe zemra ime mbushet me ankth dhe qaj në ëndrra gjatë natës, sepse ndiej që një forcë e errët po të largon nga unë”.

Emri i përmendur i Cvetaevas, i shpallur në atë mënyrë, të bën të pyesësh se çfarë ndodhi me letrat e bujshme të disa viteve më parë?
Por me “vajzën e Maria Cvetaevas”, vite më vonë, Pasternaku do të kultivojë një letërkëmbim… të botuar në Itali nga Archinto, me titull: “Letrat kanë sy”.

Tashmë, gjithçka duket e shenjuar nga korrupsioni, e dhunuar, e purpurtë, e pistë: Pasternaku dëshiron pafajësinë, vetëm për të zbuluar se çdo fytyrë, e qelqtë, po i thërmohej mes gishtave, tirania e të korruptuarve, një stinë që rrjedh vetëm gjak.
Në një përjetësi të largët, trashëgimtare e kujtimeve të hamendësuara të paarritshme, spikat vera ukrainase në Irpin, në të cilën shprehet: “doja të dilja nga pylli i ëndrrave, i gjërave të papërfunduara”. Natyrisht, kujtesa shpërfytyrohet nga poezia “Këtu në Itali”, nën përkthimin e Angelo Maria Ripellinos:

“Irpin”:
ky është kujtimi
i burrave dhe i verës,
i lirisë, i ikjes
nga zgjedha,
e konifereve të zhegut
e violetës gri,
dhe historia e qetësisë,
motit të mirë dhe mjegullës…

Po errësohet,
dhe tashmë
horizonti i hapur në gjysmërrethin e vet,
gjunjëzon egërsisht
e burgos hapësirat.

Balenat, si dreri, ngrejnë brirët
dalë nga Sana, për të ngrënë nga duart e miqve,
e megjithatë u kthehen shtëpive
dhe mbyllin derën
nga frik’ e hajdutëve”.
~
Diçka e gjallë, mizore dhe e shprehur qartë, hapur – pikërisht për shkak të padrejtësisë së saj, pra mizorisë në sytë e njerëzve –
kishte ndodhur në atë verë,
~~
e gjithë struktura jote,
e bukura ime / të merr frymën dhe të shtyn të ecësh / dhe të shtyn të këndosh dhe të kënaqesh”.

Nga ana tjetër: “Duhet të shkruash për atë që të merr frymën dhe të t’ngrihen flokët përpjetë nga tmerri”, është shprehur më tej Pasternaku për vitet e çmendura, emocionuese e shkatërruese të revolucionit.
Poeti kërkon: atë që të merr frymën, që të heq gjumin, që ngre fjalën, që nënkupton një rend të ri gramatikor, një organ të ri në botë.
________

Marrë nga: © Rivista Pangea

Përktheu: Herman Çuka

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top