Çfarë është Kultura e Anulimit (cancel culture) me fjalë të thjeshta?/Meli Ajazi

in Esé by

Meli Ajazi

Kultura e Anulimit i referohet tërheqjes masive e mbështetjes së figurave publike ose të famshme, që kanë bërë gjëra që nuk pranohen nga shoqëria sot.

Kultura e Anulimit ekziston sepse ekzistojnë identitete sociale. Ne i ndjekim të famshmit, pjesërisht, si një formë e vetëshprehjes dhe po ashtu në raste ekstreme edhe i “anulojmë” ata si një formë e vetëshprehjes.

Për të kuptuar plotësisht Kulturën e Anulimit, duhet të kuptojmë se si psikologjia e identitetit social formëson sjelljen tonë.

Ndjenja jonë e identitetit është e rrënjosur në vlerat dhe besimet tona thelbësore, këtu nuk ka të papritura. Teoria e identitetit social sugjeron se ndjenja jonë e identitetit formësohet nga grupet shoqërore të cilave ne u përkasim. Për shembull, nëse bën joga çdo ditë, identifikohesh me një grup jogistësh, etj.

Në botën digjitale, identitetet sociale përfaqësohen përmes emoji-ve specifike që nga ngjyra e lëkurës, flamujt, shenjave të zodiakut dhe shumë të tjerave.

Ne shprehemi duke ndjekur ata që mishërojnë identitetin tone sepse kjo është shprehja jonë e identitetit. P.sh.; nëse jeni një person që ju pëlqen shumë palestra dhe të ushqeheni shëndetshëm, ka më shumë gjasa të ndiqni ata që shijojnë të njëjtat gjëra. Nëse jeni krenarë për vendin, prireni të mbështesni ata që rezonojnë me ndjenjën tuaj të identitetit. Në mënyrë të ngjashme, nëse besoni se dikush përfaqëson bindjen tuaj politike dhe identifikoheni me luftën e atij për fuqizimin e partisë, ka një shans që do të dëshironit dhe të aprovonit statusin e atij personi dhe ta mbështesni atë person hapur. E të tjera si këto.

Pra, ndjekim dikë që ndan vlerat tona dhe e shprehim identitetin tonë duke u rreshtuar me të. Në fushën e mediave sociale, kjo do të thotë të pëlqesh publikisht dhe të rishpërndash publikimet e tyre. Duke bërë këtë, i themi botës: “Ky jam unë. Jam lloji i personit që e pëlqen filanin dhe vlerëson fuqizimin e grupit tim”.

Pra, gjithçka dhe këdo që citoni e ndani, postoni ose pëlqeni, do të jetë një mënyrë për të sinjalizuar identitetin tuaj social.

Po si ndikon disonanca (mospajtimi) konjitiv në sjelljen njerëzore?

Gjithçka është mirë e bukur, deri kur i famshmi dhe idetë me të cilat jeni në linjë me të, ndan gjithashtu vlerat tuaja.

Çfarë ndodh kur ai papritmas nuk e bën më këtë? Pra, çfarë ndodh, për shembull, kur ky personazh i famshëm që duam, bën diçka që shkel vlerat tona?

Imagjinoni sikur dikush që mbahet si ikonë e të drejtave për gratë, të dilte dhe të thoshte se gratë nuk duhet të kenë të drejtë vote, apo që gratë në disa raste e meritojnë dhunën që ushtorhet mbi to. Kjo do të krijonte një dissonance (mospajtim) të brendshëm. Nga njëra anë, e duam personin ikonë, por nga ana tjetër, vlerësojmë të drejtat e barabarta të votes dhe të drejtat e mosdhunimit. Këto deklarata hipotetike do t’i bënin këto dy elemente të papajtueshëm.

Teoria konjitive e disonancës përcakton se ne kemi një nxitje të lindur njerëzore për qëndrueshmëri. Ne nuk mund të jemi të gëzuar me këtë papajtueshmëri në mendje, prandaj DUHET ta zgjidhim këtë disonancë.

Dhe këtë e bëjmë në një nga dy mënyrat:

1- Duke qëndruar me personazhin e famshëm dhe duke ndryshuar vlerat tona.

2- Duke qëndruar me vlerat tona dhe duke ndryshuar besnikërinë tonë me individin.

Mendoni se cilin opsion zgjedhim zakonisht? Ky i dyti fiton në shumicën e rasteve. Dhe ky vendim është ai që nxit Kulturën e Anulimit.

Identitetet sociale janë shtytës të besueshëm të sjelljes, veçanërisht kur disonanca është në lojë. Disonanca njohëse e detyron trurin tonë të zgjedhë një nga dy mënyrat.

Sido që të jetë, një gjë është e qartë për personat publikë – Nëse ngatërrohesh me demin, do të presësh brirë. (Fjalë e urtë)

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top