Meli Ajazi
“Women Talking”- “Gratë flasin”, është romani i shkrimtares kanadeze Miriam Toews, i adoptuar në filmin me të njëjtin titull në vitin 2022.
Toews e përshkruan romanin e saj si “një përgjigje të imagjinuar ndaj ngjarjeve reale”,, përdhunimeve që ndodhën në koloninë Manitoba, komunitete Mennonite (komunitet gjermanësh emigrantë të cilët akoma kanë stilin e jetës së shek 16-17) , të vendosura në zonat e largëta dhe të izoluara të Bolivisë.
Përgjatë viteve 2005 – 2009, mbi 100 gra dhe vajza të kolonisë, kur zgjoheshin nga gjumi në mëngjes, zbulonin se ishin përdhunuar në gjumë. Këto sulme të natës u mohuan dhe u hodhën poshtë nga burrat e vjetër të kolonive, duke u justifikuar me punët e djallit. Po njëra nga gratë vendosi ta zbulonte këtë mister. Ajo e detyroi veten të qëndronte zgjuar natë pas nate, dhe më në fund, një natë arriti të kapte një adoleshent, i cili me një dorë po hapte dritaren e dhomës së saj, ndërsa në tjetrën kishte një enë me spray belladonna (anestezik). Gruaja dhe vajza e saj e madhe, u përleshën me djaloshin, e mposhtën, e shtrinë në tokë dhe e lidhën me litar. Djali tregoi edhe të tjerët dhe kështu komuniteti zbuloi se një grup burrash, 8 anëtarë të kolonisë, pasi spërkatnin me anestezi kafshësh shtëpitë e viktimave gra, duke i bërë ato të pandjenjeshme, sikur të ishin nën narkozë, i përdhunonin. Kuptohet që gratë dhe vajzat mbeteshin shtatëzënë, sëmureshin nga sëmundje veneriane dhe kishin trauma fizike.
Në vitin 2011, këta 8 burra u dënuan nga një gjykatë boliviane, me burgim të gjatë.
Romani i Toews-it përqendrohet në mbledhjet sekrete të 8 grave menonite, të cilat, në emër të grave të tjera të kolonisë, duhet të vendosin sesi të reagojnë ndaj këtyre ngjarjeve traumatike.
Ato kanë vetëm 48 orë, para se të kthehen burrat e kolonisë, të cilët janë larguar për të paguar garancinë për përdhunuesit në polici ….
Pjesë nga romani.
“… Salome vazhdon të bërtasë, se ajo do të shkatërrojë çdo gjallesë që do t’i bëjë keq fëmijës së saj, se do ta shqyejë gjymtyrë pas gjymtyre, se do t’ia përdhosë trupin dhe do ta varrosë të gjallë. Do ta sfidojë Zotin që ta lërë të vdekur në vend nëse ajo ka mëkatuar duke mbrojtur fëmijën e saj prej dreqit. Për më shumë, prej asgjesimit të dreqit nuk do dëmtohen të tjerë. Ajo do gënjejë, do persekutojë, do vrasë, do kërcejë mbi varre dhe do të digjet përgjithmonë në ferr, përpara se të lejojë një burrë tjetër që të kënaqë dëshirat e tij të perverse me trupin e fëmijës së saj 3-vjeçar.
– Jo – thotë butësisht Agata, pa kërcime, pa përdhosje….
—
Salomeja i anashkalon fare të gjitha pyetjet.
– ‘Po të qëndroj do të bëhem vrasëse,- i thotë ajo nënës së saj.
E kuptoj se çfarë do të thotë, nëse ajo vazhdon qëndron në koloni dhe është këtu kur burrat e kapur, nëse ata lirohen me kusht, kthehen në shtëpi nga qyteti.
– Çfarë ka më keq se kaq?’ Marika pyet Agatën. Agata pohon me kokë. Vazhdon të tundë kokën, shtrëngon buzët, hap e mbyll sytë dhe tund kokën, me pëllëmbët e vendosura me kurriz mbi tavolinë dhe gishtat drejt vertikalisht, drejt trarëve të hambarit, drejt Zotit, drejt kuptimit. Gratë e tjera nuk flasin. E pazakontë.
Unë e kam parë “Krijimin e Adamit”, të Mikelanxhelos në një libër me piktura të famshme të lëna në Co-op nga një turist zviceran. Babai im e kaloi fshehurazi librin dorë më dorë nëpër koloni, po Plaku Peter e zbuloi librin dhe e dogji. Thashethemet thonë se e grisi çdo faqe dhe i hodhi në zjarr një nga një, për të pasur mundësi t’u hedhte nga një sy të gjitha pikturave. Një njeri i zënë e me qëllime më të qarta do ta kishte hedhur menjëherë në zjarr.
Gratë ende heshtin frikshëm.
E përmenda librin e pikturave të famshme vetëm për shkak të gishtave të Agata-s që i drejtohen Zotit. Nënjë farë mënyre më kujtoi “Krijimin e Adamit”, po edhe për shkak se ishte mendimi im i parë. Ashtu i heshtur në plevicë edhe unë dua të dukem punëtor, e puna ime këtu është të shkruaj, të mbaj poçesverbalin e mbledhjes, dhe kjo është diçka për t’u shkruar.
Gratë heshtin duke menduar për atë që është e duhur, e drejtë, e kënaqshme, e pastër, etj, etj. Ose ndoshta për gjëra të tjera. Nuk e di se çfarë po mendojnë, ndoshta për zjarrvënie.
Duke menduar për “Krijimin e Adamit”, më kujtohet edhe një tjetër fakt për gishtat e njeriut.
Gishtat e njeriut mund të ndiejnë objekte të vogla deri në 13 nanometra, që do të thotë se nëse gishti juaj do të ishte sa madhësia e tokës, mund të ndjeni ndryshimin mes një hambari dhe një kali. Dua ta kujtoj t’ia përmend këtë Onës.
Dua të përmend “Krijimin e Evës” të Mikelanxhelos, paneli i pestë i veprës së Kapelës Sistine, e cila nuk është aq e njohur apo popullore sa piktura “Krijimi i Adamit”.
Tek “Krijimi e Evës”, Adami është i shtrirë, në gjumë, mbështetur në një trung, kurse Eva qëndron e zhveshur duke iu lutur Zotit për diçka. Për ç’farë? Në këtë pikturë Zoti, nuk është mbi re, dhe as duke zgjatur rastësisht gishtin e tij, po ka zbritur në tokë. Këtë herë Zoti duket i gjallë po i ashpër. Të ketë ardhur në Tokë vetë për t’i folur Evës, apo ka ardhur se ajo e ka kërkuar? Pse vallë i ka lënë retë dhe kerubinët? Në pikturë ajo po i lutet Zotit, po i përgjërohet, ndoshta duke arsyetuar sikur ajo e kishte në fuqinë e tij e të rivendoste krishterimin në madhështinë e tij origjinale. Duket sikur ajo po punon pas shpinës së Adamit, i cili po fle, si për të na treguar se ajo e di që ai nuk e miraton atë që ajo dëshiron. Po çfarë nuk aprovon ai? Takimin e saj privatisht me Zotin? Apo çfarë ajo do ti thotë?”…
Piktura “Krijimi i Evës” – nga Mikelanxhelo