Meli Ajazi
Filmi “Hannah Arendt’)” (2012), rrëfen karrierën e sa,j të rrezikuar nga seria e artikujve të saj rreth gjyqit të Adolf Eichmann-it, publikuar në The New Yorker, në vitin 1961 dhe më pas të botuar në librin me titull Eichmann-i në Jeruzalem: Një Raport mbi banalitetin e së keqes. Adolf Eichmann-i dhe banaliteti i një psikopati.
Adolf Eichmann (1906-1962) nënkolonel në regjimin nazist dhe një prej figurave kryesore të Holokaustit, me iniciativë dhe entuziazëm, organizoi deportimet masive të hebrenjve, fillimisht nëpër geto dhe në kampet e shfarosjes në të gjithë Evropën e pushtuar nga nazistët. Pasi Gjermania e humbi luftën, ai u arratis në Argjentinë. Vite më vonë u kap nga Mossad-i dhe u ekstradua në Izrael, ku u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. U shpall fajtor nga gjyqi dhe u ekzekutua me varje.
Mënyra me të cilën Arendt-i e përshkruan natyrën e së keqes (djallit) që karakterizoi gjenocidin më të keq në historinë njerëzore, Holokaustin, shkaktoi polemika shumë të mëdha në botë. Nga njëra anë, këto i dhanë Arendt popullaritet dhe famën ndërkombëtare, po nga ana tjetër, i kushtuan asaj humbjen e shumë prej miqve të saj më të ngushtë e më të vlefshëm dhe madje rrezikuan edhe reputacionin e saj në fushën akademike.
Shpjegimi i saj që përmblidhet me shprehjen “banaliteti i së keqes” parashtron idenë se veprat e këqija në shumicën e rasteve nuk kryhen nga monstra apo nga sadistë. Më së shumti ato kryhen nga njerëz me dukje fare të zakonshme, banale, si Adolf Eichmann-i, i cili vlerësoi interesin e ngushtë vetjak dhe bindjen ndaj autoritetit përkundrejt mirëqenies së të tjerëve.
Pra “banaliteti i së keqes” është tendenca humane “për t’iu bindur dhe për ta pranuar autoritetin pa e diskutuar, për t’u përkulur ndaj presionit të grupit (rrethit të shokëve dhe miqve ku bën pjesë), si dhe tendenca për të shfaqur harresë ndaj vuajtjeve dhe shkatërrimit të qenieve njerëzore nga qenie të tjera njerëzore.
Megjithëse koncepti “banaliteti i së keqes” duket mjaft i thjeshtë për t’u kuptuar edhe me intuitë, ai gjeneroi një debat të madh kryesisht për shkak se kritikët e interpretuan si shfajësim të Adolf Eichmann-it, madje edhe akuzues ndaj viktimave të Holokaustit, veçanërisht ndaj liderëve të Judaizmit, të cilët, të detyruar nga nazistët, organizuan popullin hebre në deportimet masive dhe eventualisht në shfarosje.
Mos vallë Arendt-i i vuri kriminelët dhe viktimat në të njëjtën barkë? Apo ndoshta më keq?
Në fakt termi “banaliteti i së keqes” i Arendt-it nënvizon 2 fenomene:
– I pari – Njerëzit, të cilëve natyrshëm u mungon ndjeshmëria dhe ndërgjegjia (si Eichmann-i), lulëzojnë në regjimet totalitare;
– I dyti – Edhe njerëzit që kanë një ndërgjegje e moral të lartë, në rrethana ekstreme, janë të aftë të kryejnë veprime të liga/këqija, të tilla si indiferenca dhe pandjeshmëria.
Çfarë i bashkon të gjitha llojet e të keqijave përgjatë historisë njerëzore në vende të ndryshme, grupime etnike e kombësie të ndryshme, shoqëri me ekonomi të ndryshme?
– Të gjitha këto kanë të përbashkët faktin që “qytetarët e ndershëm” kërkojnë gjithmonë në çdo rast një pikëpamje të qartë normaliteti dhe ideologjie, ku legjitimitohet shumica, si dhe ligjet natyrore të bëra nga njeriu, por mbi të gjitha, një ndjenjë morali dhe përgjegjesie për ta vërtetuar të keqen/djallin dhe për ta asgjësuar atë.
Për këtë qëllim, “njerëzit e mirë” krijojnë një bollëk të “moralit normativ” që u përshtatet nevojave egoiste të grupit të tyre.
Po nëse lidhja e tyre me moralin do të matet sipas Kantit me kriteret e “zbatueshmërisë universale”, ndërsa sipas Arendt-it me ekzistencën e një “bote të përbashkët,” – kjo do të jetë e dobët, për të mos thënë që nuk do të ekzistojë.
Ky rrjet i ngatërruar për riparimin e së keqes madhore me mënyrat e kanalizuara të bashkëpunimit të pamenduar të individit me të keqen sociale dhe kombëtare, rekrutohet për të normalizuar të keqen dhe për të krijuar një arenë normale të së keqes në jetën e individëve, grupeve dhe kombeve.
Arendt-i e merr shembullin e nazizmit si një pikënisje për të kuptuar thelbin e së keqes historike dhe moralit.
Asnjë e keqe ekstreme, as nazizmi, nuk buron nga një vakum apo nuk është krejtësisht e shkëputur nga mekanizmat funksionalë të kulturave dhe subkulturave të botës, edhe në qoftë se kjo përfaqëson një fenomen të paparë.
Në këtë kuptim, e keqja nuk është jashtë historisë apo njerëzimit.
Bashkëpunimi e individit me botën në të cilën ai u rrit dhe mënyra me të cilën kjo botë e formëson dhe e modelon atë me forcën e kushtëzimet e rrënjosura, derisa ai të bëhet mish i mishit të tij, është arena më e lashtë e luftës së moralit.
Asnjë person nuk është plotësisht i lirë nga të qenit i kushtëzuar nga ato që sheh, dëgjon, prek e nuhat, nga paragjykimet, nga konceptet universale të bukurisë dhe shëmtisë, nga klishetë apo normat shoqërore që u rrit, të tilla si privilegjet, përjashtimet dhe racizmi.
_______
Shënim: Përkufizimi i fjalës banal -> nga fërngjishtja – i rëndomtë, i përket një zotërie, i zakonshëm, i konsumuar, gjë apo njeri i/e zakonshëm që i mungon origjinaliteti për të qënë i dallueshëm apo i ndryshëm nga të tjerët; i mërzitshëm.
Sinonime: i rëndomtë, i zakonshëm, jo origjinal, i parëndësishëm, klishe, i shpëlarë, i thjeshtë, bajat, i lodhur, i vjetruar, pa fantazi, rutinë, jo interesant, i mefshtë, etj.