Kur pyetjeve u përgjigjen duart/“Mimi”-Një dokumentar nga Eneos Çarka

in Kinema by

Pas dokumentarit “Qyteti i mureve”, realizuar prej regjisorit të ri Eneos Çarka, një prej dokumentarëve më të mirë shqiptarë që kam hasur kohët e fundit, ndesha “Mimin”-një tjetër dokumentar që mban të njëjtën autorësi.

Thjesht “Mimi”.

Një dokumentar “brenda familjes”, kushtuar gjyshit të autorit.

Është e natyrshme përfshirja emocionale e artistëve në rastet kur prekin tema të tilla. Por duket se këtë përfshirje regjisori i ri Çarka e menaxhon mirë.

Dhe ashtu si të gjitha gjërat që na prekin nga afër, realizimi i tyre sa i lehtë është në dukje, aq edhe i vështirë mbetet në brendinë e tij.

Një gjysh të cilin Çarka përpiqet ta bëjë të flasë nëpërmjet një sportiviteti që i dikton mosha.

Regjisori nuk i drejtohet personazhit me “gjyshi”, por i thërret atij në emër, në një version të shkurtuar të emrit të tij, si për t’i treguar se ndryshe nga kohët kur ka qenë fëmijë, tanimë është ai që e drejton lojën.

Edhe pse duket se nuk është edhe aq e lehtë ta zbërthejë këtë personazh…

Dhe këtu parësinë e merr imazhi.

Një imazh që më kujton një pikturë mjaft të dashur të një piktori shqiptar. (Nuk më kujtohet emri i piktorit.) Një pikturë në vaj e titulluar “Gjyshi” edhe pse gjyshi në tablo nuk duket gjëkundi. Në vend të tij pozon një karrige e vjetër, në cep të së cilës është varur kapelja e tij, në cepin tjetër janë varur tespiet, në ndenjëse janë vendosur syzet, shkrepësja, çibuku, në një atmosferë të njohur tipike familjesh shqiptare.

Të njëjtën gjë bën edhe Eneos Çarka, ndërsa kamera afrohet në një pjatë ku duket një gjysmë molle, disa ilaçe dhe një pecetë buke që pastaj i mbulon të gjitha.

E gjithë bota e një pensionisti shqiptar në atë pjatë.

Pastaj një fjali e personazhit: – Jeta është e bukur! (kjo pasi sheh një vajzë të hijshme në ekran.)

Dhe ky është një gjysh, të cilit sistemi i shkuar nuk i ka dhënë shumë, është parë me një sy armiqësor për shkak se ishte i biri i një shtetaseje të huaj.

Por pavarësisht kësaj, personazhi ynë thotë se jeta është e bukur. Interesante! Ndoshta duhen bërë disa kërkime serioze për të gjetur se ku e sheh bukurinë e jetës brezi i tretë në Shqipëri, ndërkohë që brezi i ri është totalisht i shkurajuar.

Por autori nuk duket të ndalet shumë te kjo. Ai ecën më tej. Nuk heq dorë prej përpjekjes për ta bërë personazhin të flasë.

Dhe pavetëdija e këtij personazhi ka zgjedhur një mënyrë tjetër të shprehuri…

Ai nuk artikulohet mirë, por gjestikulacioni i tij flet shumë.

Çdo herë që i drejtohet një pyetje, ai kruan duart në një parehati të kuptueshme. Dy duar të munduara nga jeta, ku lëkura vende-vende është e plasaritur, që ai i kruan papushim në çastin kur i drejtohet kamera sikur t‘i jetë drejtuar ndonjë pistoletë. Dhe kamera ndalet te ato duar. Tani janë ato që u përgjigjen pyetjeve. Tani janë ato që vendosen në qendër të filmit.

Nuk ka asgjë zbukuruese dhe artificiale në këtë dokumentar. Ka vetëm një vërtetësi që të qëllon si shuplakë.

Në veçanti fundi mbreslënës, pjesa më interesante e tij.

Vjen një çast kur dokumentari është realizuar dhe autori ia shfaq atë personazhit. Gjyshi e ndjek me vëmendje, i qeshin sytë si fëmijë kur sheh veten, dhe kur filmi mbaron, Çarka e pyet nëse i pëlqeu dokumentari.

Dhe gjyshi i përgjigjet: – Cili dokumentar?

Pikërisht me këtë pyetje mbyllet dokumentari. Një mbyllje e vrazhdë, tragjikomike, absurde, ashtu siç është edhe vetë ekzistenca e njeriut.

Duket sikur gjatë gjithë kohës që shihte dokumentarin, personazhi jetonte një çast diku tjetër.

Nuk mendoj se do ta bëni edhe ju këtë pyetje kur ta mbaroni së pari këtë dokumentar, por jam e sigurt se instiktivisht edhe ju do të filloni të kruani duart (një gjest të cilin e bëra edhe unë), ndoshta si një solidaritet i pevetëdijshëm me personazhin.

Ndiej vërtet keqardhje që këta dokumentarë nuk shfaqen nëpër televizionet e përmbytura me telenovela turke dhe me dokumentarë amatorë komercialë që nuk të thonë gjë prej gjëje. Sepse nëse do të ndodhte do t’ia drejtonin shijet diku tjetër shikuesit.

Zakonisht dokumentarë të tillë njihen dhe vlerësohen vetëm prej njerëzve të të njëjtit profesion dhe asgjë nuk shkon më tej, asgjë nuk shkon për një audiencë më të gjerë. Dhe kjo mungesë kordinimi më ndërmend një ushtri të tërë me zyrtarë kulturorë që gërhasin mbi tavolinat e tyre të punës.

Profesionistët  e vërtetë në Shqipëri, të mbetur të pakuptuar, janë strukur në atë botën e tyre mbrojtëse, ndërsa atje jashtë gëlojnë mizëri marrëzish dhe banalitetesh, që kriminalisht quhen art.

Dhe i gjithë ky izolim, kjo strukje, janë mëse të kuptueshme; ke kosto të lartë nëse del prej guackës mbrojtëse dhe përballesh me një audiencë të keqedukuar që s’të kupton.

Nuk di si do të jenë punët e ardhshme të regjisorit të ri Eneos Çarka, sepse ky vend e ka bërë zakon të vrase mizorisht çdo ëndërr e shpresë, por një gjë mund të them me siguri:

Ky dokumentar ka një raport të ndershëm me të vërtetën.

Arlinda Guma

Dokumentarin mund ta ndiqni këtu:

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top