Chandler Bing ishte një personazh thellësisht i trishtuar, të cilit Matthew Perry i dha shumë nga jeta e tij/Arlinda Guma

in Kinema by

       Arlinda Guma

Një yll u ngut të ngjitej në qiell mëngjesin e së dielës. Matthew Perry. Një yll i brishtë. Një artist i thyeshëm, i cenueshëm. Një mendje brilante. Një talent i pamasë.
E ndiqja prej disa kohësh në faqen e tij (reale) në facebook dhe shihja se me sa përulësi u gëzohej gjërave të thjeshta të jetës… Dhe, duke e ditur historikun e uljeve dhe ngritjeve të tij emocionale, gëzohesha për të që më në fund kishte gjetur ekuilibrin.
Për ndikimin e jashtëzakonshëm që ai pati në brezin tim dhe në breza të tjerë, unë do ta krahasoja me Holden Caulfield-in, personazhin e librave të shkrimtarit J.D. Salinger. Ai është personazhi kryesor në romanin “Kapësi në Thekër”. Me Perry-n ai ka të përbashkët natyrën disi të shpenguar, ironinë, sportivitetin dhe ndjeshmërinë e lartë.
Ne shpesh i quajmë yje aktorët e Hollivudit, por të paktë, fare të paktë janë ata që e meritojnë vërtet këtë cilësim. Matthew ishte një nga ata të paktë. Vdekja e tij në lajmet e mëngjesit kaloi me një fjali “Nuk kishte drogë në vendin ku artisti u gjet i vdekur!” (Mëngjeseve të së dielave hartuesit e lajmeve punojnë me staf të reduktuar. Nuk e kanë luksin dhe përqendrimin e duhur të shtojnë fjali të tjera.)
Në të vërtetë lexova shumë komente për të nga njerëz të famshëm, komente të cilat i adresoheshin personazhit që ai luajti: Chandler Bing-ut. Por njëri prej tyre më tërhoqi vëmendjen. Ishte komenti i këngëtares britanike Adele, e cila kishte ndërprerë koncertin për t’i kushtuar atij disa fjalë. Gjëja që më bëri përshtypje në fjalët e saj ishte pjesa ku ajo e cilësonte personazhin Chandler Bing një personazh “të gëzueshëm”.
Si ka mundësi, thashë me vete kur më pas lexova edhe komente të tjera të këtij lloji, si ka mundësi që ky personazh të ketë kaluar kështu, në mënyrë kaq sipërfaqësore në mendjet e këtyre njerëzve? Sepse personazhi Chandler Bing mund të jetë gjithçka përveçse një personazh “i gëzueshëm”! Ai është një personazh thellësisht i trishtuar, të cilit Matthew Perry i dha shumë nga vetja e tij, nga jeta e tij.
Kam ndjekur një intervistë ku Matthew Perry rrëfente se përpara se të ftohej për të marrë pjesë në serialin “Friends” ai ishte duke bërë një serial tjetër, ku personazhi që luante ishte pikërisht ai, Chandler Bing-u. Dhe kur pranoi të luante në serialin “Friends“, Matthew e mori me vete edhe personazhin.
Prindërit e Perry-t u divorcuan përpara se ai të mbushte një vjeç dhe këtë ai e mbarti me vete në pavetëdijen e tij letrare gjatë gjithë jetës. E quaj pavetëdije letrare sepse ai ishte edhe skenarist, bashkëautor në serialin “Friends“. Të gjithë e kujtojmë mënyrën sesi përshkruhen prindërit e Chandler-it në atë serial; ka një sarkazëm therëse aty, madje do guxoja ta quaja sarkazëm tragjike. Janë aty të gjitha lëndimet e tij.
Matthew Perry i dha shumë nga jeta e tij personazhit Chandler Bing. Ai i dha atij një sarkazëm të hidhur, të përsosur, që më tepër se t’u drejtohej të tjerëve, i drejtohej vetes. Sarkazma më e sofistikuar ka dalë nga pena e tij. Me saktë; nga dhimbja e tij.
Ndodh shpesh që njerëzit që i bëjnë të tjerët të ndihen mirë, për vete ndihen tmerrësisht keq. (Do kujtoja këtu aktorin Robin Williams dhe fatin e tij tragjik.) Këta yje, të cilët duhet t’i paguajnë një haraç të shtrenjtë qiellit, duke vdekur të vetmuar. Sepse ata pothuajse të gjithë vdesin vetëm. I kanë dhënë aq shumê botës me artin e tyre dhe në fund nuk kanë një dorë që ta shtrëngojnë për herë të fundit… Dhe çuditërisht nuk gjendet asnjë mekanizëm social që t’i mbrojë ata prej kësaj. Kemi ndërtuar raketa, anije kozmike për të eksploruar planete të tjerë, por një gjë kaq të thjeshtë nuk kemi mësuar ende ta ndërtojmë.
Në jetë njeriu formësohet nga shumë gjëra. Nga librat që lexon, filmat që sheh, muzika që dëgjon apo pikturat që kundron. Ai mund të formësohet edhe nga fjalët e ndonjë plaku të moçëm që nuk di shkrim e këndim apo nga fjalët e ndonjë lypësi që është ulur me dorën zgjatur diku në një rrugicë. Ka një mijë gjëra; madhore dhe të parëndësishme, të cilat mund ta formësojnë një njeri. Të gjitha pa përjashtim e ndërtojnë këtë njeri. Dhe midis tyre, një kontribut të konsiderueshëm ka dhenë ai; Mattheu Perry, për ndikimin e pabesueshëm që pati dhe do të ketë në të ardhmen në breza të tërë. Ashtu siç në jetë mund të të ndikojë Kafka, Monet, Van Gogh, Aldous Huxley, Martin Luther King, Chopin, Nina Simone, etj, jo më pak mund të të ndikojë edhe një personazh si ai. Ai i mësoi brezit tim sesi dhimbja mund të kthehet në smerald dhe me të mund të ndërtosh gjëra të vlefshme për njerëzit, paçka se vetë mund të ndihesh i shkatërruar. I mësoi artistit mungesën e egoizmit.
Në një prej librave të mi kam shkruar se njerëzit që kanë ndjekur serialin “Friends” seç kanë diçka gjenuine në karakterin e tyre.
Dhe këtë gjenuinitet na e përcolli të gjithëve Matthew Perry, ai ylli që sot u ngjit në qiell, pasi shpërndau prej trupit të drobitur miliarda grimca që i bënë njerëzit të ndihen mirë.
Shpesh them me vete: “Kushedi sa njerëz ka shpëtuar nga vetëvrasja seriali “Friends“! Kushedi sa sëmundje ka kuruar!
Personazhi simpatik, Holden Caufield, i shkrimtarit J.D. Salinger, rrëfen diku në libër për një këngë e cila flet për një rojtar në një fushë të madhe me thekër, që arrin të kapë një fëmijë që është gati të bjerë në greminë.
Sa keq që për Matthew Perry-n nuk u gjend asnjë rojtar që ta kapte përpara se të binte! Ta kapte fort dhe të mos ta lëshonte…
Nuk para ka rojtarë të tillë në shoqërinë e vetmuar që kemi ndërtuar…

E diel, 29 Tetor, 2023

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top