Revista defekt-teknik sot bëhet 5 vjeç/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Esé by

Arlinda Guma

Sot revista defekt-teknik-Revolucioni nuk do të transmetohet bëhet pesë vjeç. Rastësisht ditëlindja e saj përkon me Ditën e Europës.
Më kujtohet ajo ditë e 9 Majit, 2018, kur, e mbushur me emocione, publikova në mediat sociale një prezantim të shkurtër për të, me titull “Rreth kësaj faqeje”. Më kujtohet pritja e ngrohtë prej lexuesit dhe një koment i përkthyesit gjerman Hans-Joachim Lanksch, i cili nënvizoi se revista kishte tiparet e mia anti-konformiste. Nuk e kisha menduar ndonjëherë këtë gjatë punës për ndërtimin e faqes. I vetmi shqetësim imi ato ditë ishte që paraqitja estetike e shkrimeve të ishte në lartësinë e brendisë së ideve të tyre. Në të vërtetë, në këto pesë vjet jetë të saj, jam munduar që kjo revistë të shprehë pikëpamje nga më të ndryshmet. (Sigurisht, jo domosdoshmërisht, duhet të shprehë vetëm qëndrimet e mia.) Pikëpamje të ndryshme, por jo të korruptuara siç ndodh rëndom në mediat shqiptare.
Më kujtohet gjithashtu dita intensive përpara 9 majit kur unë flisja në messenger me IT-në që krijoi faqen. Mënyra sesi përpiqesha t’ia shpjegoja atij djali idetë e mia “të çmendura” dhe obsesioni im i vazhdueshëm me estetikën, ngjyrat te kategoria a(rt)ktivizëm të cilat duhej të ishin të njëjtat si te stema televizive mbi pikën e i-së në fjalën teknik. Duhet ta kem lodhur shumë atë djalë, të cilin e falënderoj me mirënjohje, por punët e mira (së shumti në art) shpesh janë të lidhura me obsesionin dhe syrin e hollë për deri edhe detajet më të vogla.
Më kujtohet gjithashtu sesi ca kohë pasi unë e krijova këtë revistë, mbinë si kërpudha disa revista të tjera mediokre që përpiqeshin ta imitonin stilin e saj. Shihja sesi drejtuesit e tyre përpiqeshin të imitonin gjithçka prej saj; ilustrimet nëpërmjet imazheve dhe skicave, pyetjet e bisedave, madje dhe vetë emrin e kategorisë “Biseda”. Për të mos folur për paraqitjen grafike. Nuk di pse njerëz pa ide dhe tejet konformistë në çdo gjë që bëjnë, përpiqen të kopjojnë një revistë anti-konformiste që nuk di të qëndrojë nën zgjedhën e askujt, që nuk i bën fresk asnjë pushteti por që ka qenë gjithmonë kritikja më e ashpër e tij. Me të vërtetë që nuk arrij ta kuptoj. E si mund të kopjohet stili? Stili është i paimitueshëm. Ai është si kaligrafia e njeriut; e pakopjueshme.
Gjërat më të bukura në jetën time kanë lindur në muajin maj. Edhe kjo revistë… Ajo lindi nën një yll të mbarë dhe vazhdon të ecë e qetë dhe e sigurt në rrugën e saj.
Më duhet të përsëris vazhdimisht se çdokush është i mirëpritur të dërgojë shkrime për botim; kusht i vetëm është cilësia dhe një radaktim i kujdesshëm para publikimit. Dhe nëse ndonjë shkrim nuk publikohet pse nuk i përmbush standardet, kjo nuk do të thotë që dërguesi nuk duhet të tentojë sërish me një shkrim tjetër.
Ndodh që krijues të ndryshëm të më thonë disi të frikur “më mori inat X-i se shkrova në revistën tënde”. Në të vërtetë, revista nuk ka nevojë për oportunistë që nuk duan të prishin qejf me njeri e që shkojnë nga fryn era e klikimeve. (Nuk kam blerë kurrë asnjë ndjekës të saj me sponsored link siç ndodh rëndom me të tjerat.) Por nga ana tjetër, e gjithë kjo armiqësi, për mua është një lloj konfirmimi që revista është në rrugë të drejtë. Dhe paanshmëria dhe liria e saj janë mëse të dukshme.
Më ndodh shpesh që lexuesit të habiten kur unë u shpjegoj se për të mirëmbajtur këtë revistë nuk kam staf, revista nuk sponsorizohet dhe jam thjesht unë ajo që e çoj përpara. Natyrisht, të gjitha këto habi i kaloj me një buzëqeshje…
Një kujdes të madh në këtë revistë kam treguar ndaj denoncimeve për plagjiaturën, dhe do vazhdoj t’i jap hapësirë të veçantë çdokujt që ka guximin të denoncojë, sepse në këtë vend gjëja më aluçinante është që pasi të vjedhin, përpiqen edhe të të mbyllin gojën! Dhe gjithashtu një kujdes të veçantë do tregoj në të ardhmen për t’u informuar mirë e për të mos promovuar plagjiatorë!
Çdo mëngjes kur hyj në panelin e revistës për të parë statistikat e leximeve, arrij të shoh edhe se nga cili qytet i cili shteti ka hyrë lexuesi. Arrij të shoh shumë e shumë gjëra të tjera, madje tashmë jam sprovuar aq shumë saqë arrij të lexoj edhe qëllimet se pse disa njerëz kanë klikuar aty. Apo se çfarë kanë kërkuar ata në google dhe pse google i ka drejtuar aty.
Kështu, gjëja më interesante për mua është padyshim një lexues, që ka rreth pesë vite, qysh në fillim të krijimit të revistës, i cili kërkon në google kuptimin e fjalës “pirdhu” dhe nuk arrin ta gjejë dot. Kërkimi i tij është renditur në fjalët më të kërkuara. Ka raste kur mendoj të bëj enkas për të një shkrim, ku t’ia shpjegoj me hollësi kuptimin një herë e mirë. Ndoshta është fëmijë emigrantësh dhe nuk e kupton mirë gjuhën shqipe, ndoshta është ndonjë nga përkthyesit e rrallë të gjuhës shqipe në ndonjë gjuhë tjetër, por ngulmimi i tij për t’ia gjetur medoemos kuptimin kësaj fjale është me të vërtetë i habitshëm.
Shpresoj shumë që në këto pesë vite jetë, kjo revistë të ketë sjellë diçka të vlefshme për shoqërinë shqiptare dhe që kjo e fundit ta kuptojë më në fund se cilësia e artit nuk varet aspak nga numri i klikimeve. Sepse ka shkrime në këtë revistë që nuk kanë ndonjë numër dhe aq të madh klikimesh, por që për mua mbeten nga më cilësoret.
Kështu, në një përzgjedhje redaksionale të bazuar vetëm te cilësia dhe vetëm tek ajo, dua t’ju sugjeroj si vijon disa nga këto shkrime nëpër vite:

Bisedë me Arbër Zaimin:

http://defekt-teknik.com/bised%d1%91-me-arber-zaimin-te-vetmit-te-sinqerte-jane-prostitutat-qe-postojne-hiret-e-veta-dhe-hajdutet-e-vegjel-qe-postojne-fotot-e-plackave-te-vjedhura/

Nga rubrika “Pse shkruaj?”, Arif Kryeziu:

http://defekt-teknik.com/pse-shkruaj-arif-kryeziu/

Dy përkthime të shkëlqyera të poezive të poetes Wislawa Szymborska nga Alket Çani:

http://defekt-teknik.com/qeshja-wislawa-szymborska/

http://defekt-teknik.com/nje-dashuri-e-lumtur-wislawa-szymborska/

Një përkthim imi i një poezie po e kësaj poeteje:

http://defekt-teknik.com/kampi-i-urise-ne-jaslo-wislawa-szymborska/

Dhe gjithashtu një shkrim imi për poezinë e saj.

http://defekt-teknik.com/per-poezine-e-wislawa-szymborskas-s-dhe-per-shenjestren-e-saj-prej-snajpere-te-rralle-arlinda-guma/

Një përkthim i shkëlqyer i Edon Qesarit i një poezie të Brecht-it:

http://defekt-teknik.com/per-m-bertold-brecht/

Një recensë e shkëlqyer e Kujtim Drishtit:

http://defekt-teknik.com/recense-mbi-tregimin-kepucet-te-arlinda-gumes-kujtim-drishti/

Një përkthim shumë i mirë i Herman Çukës i një poezie të poetes Carol Ann Duffy:

http://defekt-teknik.com/nudo-e-nje-gruaje-carol-ann-duffy/

Nga rubrika “Pse Shkruaj?, Krenar Zejno:

http://defekt-teknik.com/pse-shkruaj-krenar-zejno/

Nga dita e një violinisti, Florian Vlashi:

http://defekt-teknik.com/nga-dita-e-nje-violinisti-florian-vlashi/

Nga rubrika “A mund të bëhesh shkrimtar nëpërmjet kurseve të krijimit letrar?”, Visar Zhiti:

http://defekt-teknik.com/a-mund-te-behesh-shkrimtar-duke-ndjekur-kurse-te-krijimit-letrar-visar-zhiti/

Një përkthim i shkëlqyer i Meli Ajazit i një tregimi të Jeffrey Archer-it:

http://defekt-teknik.com/takim-qorr-jeffrey-archer/

Këto ishin vetëm disa prej shumë shkrimeve cilësore të revistës. Do më duhej një ditë e tërë për t’i përmendur të gjithë, ndaj shpresoj të më mirëkuptojnë emrat që nuk përmenda.
Një falënderim mirënjohës për të gjithë kontribuesit me shkrime dhe përkthime! Faleminderit që i dhatë disa nga ngjyrat tuaja kësaj reviste!
(Dhe një premtim të sinqertë për kërkuesin ngulmues në google që përpiqet të gjejë me çdo kusht kuptimin e fjalës “pirdhu”. Në të ardhmen do përpiqem t’ia shpjegoj nëpërmjet një shkrimi. Duhet një fytyrëz e buzëqeshur këtu…)
Sa për ata që klikojnë në këtë revistë për të përgjuar, për të vjedhur apo kopjuar, besoj se nuk është aspak e nevojshme që t’ua shpjegoj edhe atyre kuptimin e kësa fjale…

9 Maj, 2023

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top