NJË DASHURI E LUMTUR-Wislawa Szymborska
Një dashuri e lumtur. A është normale?
A është serioze? E leverdishme?
Ç’dobi do nxirrte bota nga dy njerëz
që botës s’i hedhin as sytë?
Të ngritur drejt njëri-tjetrit pa asnjë meritë,
ashtu kot, si rastësisht, por ama të bindur
se ashtu duhet të ndodhte – në këmbim të ç’gjëje?
Të asgjëje. Po drita që vjen nga kurrkund
pse bie veç mbi ta dhe jo mbi të tjerë?
A është kjo një fyerje për drejtësinë? Është.
A i shkel parimet e shenjta të mbledhura gjithë kujdes?
Po moralin e poshtëron? Edhe shkel, edhe poshtëron.
Vështrojini dy lumturanët:
ah sikur të ishin pak më të përmbajtur,
të hiqeshin si të trishtuar, sa për të ngushëlluar të tjerët!
Por s’bëhet fjalë. Dëgjoni si qeshin – si cipëplasur;
dëgjoni ç’gjuhë përdorin – mezi kuptohet.
Le pastaj dhelet, emfazat, shtirjet,
detyrat e ndërsjellta ceremoniale që sajojnë –
duket si ndonjë komplot kundër njerëzimit.
Vështirë të përfytyrosh gjer ku do shtrihen pasojat
nëse shembullin e tyre do ta ndiqnin të gjithë.
Ç’do t’u mbetej atëherë hyjnive dhe poetëve?
Ç’do kujtonin? Ç’do linin në harresë?
Kush do donte më të bënte pjesë në rreth?
Një dashuri e lumtur. A është vërtet e domosdoshme?
Takti dhe arsyeja na detyrojnë të heshtim
si për një skandal në sferat e larta të jetës.
Foshnja të mrekullueshme lindin pa ndihmën e saj.
Dhe tokën – aq rrallë sa ndodh – s’do mund ta popullonte kurrë.
Ata që nuk e njohin dashurinë e lumtur
besojnë se dashuria e lumtur nuk ekziston kurrkund.
Me të tillë besim do t’u jetë më e ëmbël të jetojnë e të vdesin.
Përktheu: Alket Çani

NËN NJË YLL TË VOGËL-Wislawa Szymborska
NËN NJË YLL TË VOGËL-Wislawa Szymborska I kërkoj ndjesë rastësisë që e quaj domosdoshmëri. I