Takim qorr-Jeffrey Archer

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Jeffrey Archer

Aroma e jaseminit ishte e dhëna e parë që ishte grua.

Isha ulur vetëm në tavolinën time të zakonshme kur ajo erdhi dhe u ul në tavolinën ngjitur. E dija që ishte vetëm, sepse karrigia në anën tjetër të tavolinës së saj nuk e bëri atë zhurmën gërrvishëse kur tëhiqet në dysheme, dhe për më tepër askush nuk kishte folur me të që kur ishte ulur.

E pija ngadalë kafen. Në një ditë të mirë, pasi e pija kafenë ngadalë, do ta vendosja filxhanin çdo herë siç duhet në pjatë dhe, edhe nëse do të ishit ulur shumë pranë, në tavolinën ngjitur, nuk do ta kuptonit kurrë që jam i verbër. Sfida ime është të shoh se për sa kohë mund ta “mashtroj” personin e ulur pranë, para se ai ta kuptojë të vërtetën. Dhe më besoni, në çastin që ata e kuptojnë, e tradhëtojnë veten. Disa fillojnë pëshpërisin dhe unë dyshoj që bëjnë edhe gjeste me fytyrë, tundin kokën e më tregojnë me gisht; disa bëhen më të vëmendshëm, ndërsa disa, më pak, ndihen aq të turpëruar, sa nuk më flasin më. Këtë e ndiej qartazi.

Që të mund ta dëgjoja të fliste, shpresoja që dikush të ulej me të. Mund të kuptoj shumë nga një zë, pasi kur s’mund të shihni, shqiptimi dhe intonacioni të japin shumë informacion. Që të keni një ide, mendoni për një çast se jeni duke dëgjuar në telefon, në anën tjetër të linjës telefonike, dike që nuk e keni parë kurrë.

Çarli po vinte drejt nesh. “Jeni gati të porositni zonjë?”, e pyeti ai në zhargon, për të mos lënë asnjë fije dyshimi që është vendas puro. Çarlie është i gjatë, i fuqishëm dhe fisnik. Nga i di unë këto? Sepse kur më udhëzon si të ngjitem në trotuar pas kafesë së mëngjesit, zëri i tij më vjen nga disa centimetra lart dhe unë jam 178 cm. Dhe nëse rastësisht përplasem me të, në trup nuk ka teprica dhjamore, vetëm muskuj të fortë. Të shtunave pasdite ai luan kriket rruge me skuadrën e lagjes dhe para shtatë vitesh ka qenë me ekipin e parë, kështu që duhet të jetë në fund të të njëzetave ose mbase në fillim të tridhjetave. Çarlie së fundmi është ndarë edhe nga e dashura dhe ajo akoma i mungon shumë. Ca gjëra ju i kuptoni nga pyetjet, të tjerat ju ofrohen vullnetarisht.

Sfida ime tjetër është të shoh sesa mund të zbuloj rreth personit që është ulur në tavolinën ngjitur, para se ai ta kuptojë që s’mund ta shoh. Pasi ai të ketë ikur në punën e tij, Çarlie më tregon sesa të drejtë kam pasur në hamendësimet e mia dhe në një shkallë, nga një në dhjetë, zakonisht ia dal të gjej shtatë.

“Do të dëshiroja një çaj limoni”, iu përgjigj ajo butësisht.

“Patjetër, zonjë”, i tha Charlie. “A dëshironi ndonjë gjë tjetër?”
“Jo faleminderit”.

Tridhjetë ose tridhjetë e pesë vjeçe, hamendësova. E sjellshme por jo vendalie. Po tani jam i dëshpëruar të di më shumë dhe duhet patjetër ta dëgjoj të flasë nëse dua të marr të dhëna të tjera.

U ktheva përballë saj sikur po e shihja haptazi. “A mund të më thoni sa është ora?” E pyeta, pikërisht kur ora në kullën e kishës përballë filloi të tringëllijë.

Ajo qeshi, por s’m’u përgjigj derisa trigëllima ndaloi. “Nëse kjo orë është e saktë, ora është dhjetë fiks.” – foli po me të njëjtën ton e qeshje të butë. “Zakonisht është dy minuta para”, i thashë, duke “parë” me vështrim të zbrazët orën. “Por edhe pse arkitektura perpendikulare e kishës konsiderohet si një shembull i shkëlqyer i këtij lloji kishash në perëndim, njerëzit dynden, jo për ndërtesën, por për të parë “Madonën dhe Fëmijën” e Barbara Hepworth”, shtova, duke mbështetur kurrizin më fort në karrigen time, si rastësisht.

“Shumë interesante”, shtoi ajo, ndëkohë që Xhoi, ndihmëskamarieri, erdhi dhe po vendoste në tavolinën e saj çajnikun, një kanë të vogël qumështi dhe filxhanin me pjatë. “Edhe unë po mendoja të merrja pjesë në shërbesën e mëngjesit”, tha ajo ndërsa po hidhte çajin në filxhan.

“Atëherë qenke me shumë fat. Famulltari ynë, plaku Sem, bën një predikim të shkëlqyer, sidomos kur e dëgjon për herë të parë”.

Ajo qeshi sërish dhe pastaj tha: “Kam lexuar diku që “Madona dhe Fëmija” nuk është si gjithë punët e tjera të zakonshme të Barbarës”.

“Kjo është e vërtetë. Kur Barbara bënte pushim, në atë kohë, më së shumti në mëngjes, dilte nga studioja e saj dhe vinte e ulej për një kafe me mua”, e thashë me krenari të dukshme këtë, “dhe kjo zonjë fisnike, një herë më rrëfeu, që e krijoi këtë vepër në kujtim të djalit të saj të madh, i cili u vra në moshën njëzet e katër vjeçare në një aksident, rrëzim avioni, ndërsa shërbente tek Forcat Ajrore Mbretërore”.

“Sa e tmerrshme!”, tha ajo, por nuk shtoi asnjë koment tjetër. “Disa kritikë thonë”, vazhdova unë, “që kjo është puna e saj më e mirë dhe që çdokush mund ta shohë përkushtimin e Barbarës për djalin e saj tek lotët në sytë e Virgjëreshës.”

Gruaja e ngriti filxhanin, piu një gllënjkë çaj dhe foli sërish. “E mrekullueshme që e ke njohur”, tha ajo. “Një herë mora pjesë në një bisedë në Tate rreth Shkollës St.Ives, por profesori nuk e përmendi ‘Madonën dhe Fëmijën’”.

“Epo, do ta gjeni gjëkundi në art. Jam i sigurt që nuk do të zhgënjeheni”. Ndërsa ajo piu edhe një gllënjkë tjetër çaji, pyesja veten sesa prej atyre dhjetëve, iu kisha rënë në kokë deri tani. Ndoshta jeton në Londër se duket qartë e interesuar për artin dhe me siguri që nuk ka ardhur në St Ives për të marrë rreze dielli në plazh.

“Pra, ju jeni vizitore në këto anë?”, guxova të kërkoja të dhëna të mëtejshme. “Po. Po tezja ime është nga St.Mawes dhe ajo shpreson të bashkohet me mua për shërbesën e mëngjesit”.

Pas kësaj u ndjeva si gdhë. Ajo me siguri duhet ta ketë parë “Madonën dhe Fëmijën”, dhe ndoshta di shumë më tepër sesa unë rreth Barbara Hepworth, po është e sjellshme dhe nuk do të më vërë në siklet. Thua ta ketë kuptuar edhe që jam i verbër? Nëse është kështu, janë pikërisht këto sjelljet e saj të mira, që nuk më lanë të kuptoja asgjë.

E dëgjova kur e boshatisi filxhanin. Mundem ta dëgjoj këtë. Kur erdhi Çarli, ajo i kërkoi faturën. Ai grisi një faqe nga blloku i faturave dhe ja dha. Ajo i dha një kartëmonedhë dhe ai i ktheu disa monedha.

“Faleminderit, zonjë”, i tha Çarli me një emocion të papërmbajtur. Siç duket ajo duhej t’i kishte lënë një bakshish të majmë. “Mirupafshim”, tha ajo, zëri i saj më drejtohej mua. “Ishte këndshëm të bisedoja me ju”.

U ngrita nga vendi dhe duke u përkulur lehtë i thashë: “Shpresoj ta shijosh shërbesën”.

“Faleminderit”, mu përgjigj. Ndërsa ishte larguar disi, e dëgjova t’i thoshte Çarlit. “Sa simpatik ky burri”. Sigurisht që në atë çast ajo nuk kishte nga ta dinte që dëgjimi im ishte shumë i mprehtë. Pastaj ajo u zhduk.

I ulur prisja me padurim që Çarli të kthehej. Kisha aq shumë pyetje për të. Sa nga supozimet e mia do të rezultonin të sakta këtë herë? Nga gumëzhitja e muhabeteve të gëzuara në kafene, kuptoja që ky mëngjes ishte plot me klientë, kështu që kaloi ca kohë para se Çarli të vinte e të qëndronte edhe një herë pranë meje.

“A dëshironi ndonjë gjë tjetër, Z. Trevathan?” Më ngacmoi ai me shaka. “Sigurisht që po Çarli”, iu përgjigja. “Por si fillim, dua të di gjithçka për gruan që ishte ulur pranë meje. A ishte e gjatë apo e shkurtër? Bjonde apo brune? Ishte e hollë/elegante? E pashme? A ishte …”

Çarlie u shkri fare duke qeshur.
“Ç’farë është kaq qesharake?”, e pyeta prerazi.
“Sepse edhe ajo më bëri ekzaktësisht të njëjtat pyetje për ty.”

Përktheu: Meli Ajazi

________

Shënim:
Skulptura është vepër e skulptores Barbara Hepworth, titullohet – “Madona/Virgjëresha Mari dhe Fëmija”, 1954, St Ives Parish Church.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top