Mësuesi ynë i filmit: Kristaq Dhamo/Kolec Traboini

in Kinema by

KOLEC TRABOINI

Në biseda të thjeshta, në komunikim njerëzor, duke na trajtuar si të barabartë, me një modesti të admirueshme Kristaq Dhamo na mësoi të bëjmë filma. Ai ishte dhe vazhdoi të jetë derisa Kinostudio u rrënua nga vandalët politike të kulturës, mësuesi ynë model në kinematografi! Dua të sjell një ngjarje të veçantë, për të pohuar se megjithatë, drejtues Kristaq Dhamo nuk ishte njeri skematik, as i ngurtë, as i sertë, siç kishte shumë të tjerë në atë regjim imponues.

Ruaj në kujtesë një ngjarje që kurrë nuk e harroj.  Kryeredaktori i gazetës “Drita”, Duro Mustafaj, kishte bërë një kërkesë që të më merrte në redaksi si sekretar i kolegjumit, me që e hoqën Abdyrrahim Myftiun për “Pashallarët e kuq” të Ismail Kadaresë.

Atë kohë isha redaktor në sektorin e filmit kronikal, por redaksinë e kishim të përbashkët me filmin artistik.

Më thirri në zyrën e tij Kristaq Dhamo, udhëheqësi artistik, e me mirësjellje më tha:

– Ka një kërkesë emërimi për ty, të shkosh sekretar kolegjiumi në gazetën “Drita”. Çfarë mendon, – me pyeti.

Ngrita supet.

– Nuk e di, u shpreha. – Por, vazhdova, – ma prish mendjen rritja e rrogës se kam dy fëmijë për të rritur.

Sapo e kuptoi se kisha  një mendim të luhatun më tha:

– Mos shko.

U çudita, se Kristaq Dhamo kishte marrë përsipër të ma komunikonte e jo të më thoshte mos shko.

E pa që unë po dyshoja e buzëqeshi.

– Je i ri, – më tha, – atje është një çerdhe grenzash, – do të të hanë.

U topita. Ato fjalë nuk guxonte t’i thoshte askush në atë kohë. Por ai e tha hapur e pa as më të voglin hezitim.

– Në do këshillën time, – vazhdoi me ton solid Kristaq Dhamo, – mos shko. Më bindi. Pastaj shtoi: – Për rrogën mos u bëj merak. Do të bëjmë një ndarje në redaksi, ty do të të propozoj në drejtori si përgjegjës i redaksisë së filmit dokumentar. Këtu do të jesh më mirë.

Jo vetëm me bindi, por edhe më shpëtoi nga ndonjë situatë e vështirë, që mund të më ndodhte në çerdhen e grenzave të Lidhjes se Shkrimtarëve ku ata i hanin kokat njeri-tjetrit.

E falënderova për sinqeritetin dhe për këshillën. Ai më buzëqeshi e më rrahu krahët.

– Je më mirë e më i sigurt këtu në Kinostudio, – më tha dhe u ndamë.

Nuk shkoi gjatë dhe më emëruan Përgjegjës i Redaksisë së Filmit Dokumentar dhe për 10 vjet e kreva atë detyrë, që nuk ishte e lehtë, por sa kohë kisha udhëheqës artistik Kristaq Dhamon, falë fantazisë së tij krijuese mbresëlënëse,  gjithmonë gjendeshin zgjidhjet artistike. Mësova shumë prej tij, sidomos në aspektet e dramaturgjisë dhe regjisurës, por edhe ai kishte besim tek krijuesit e rinj. I përkrahte pa kursim. Më kujtohet se kur më miratoi për realizim skenarin e filmit: “Dëshmi nga Barleti” (me operator Ibrahim Kasapi), më tha: “Është shumë i vështirë, nuk e di si do t’ia dalësh, por duke parë pasionin tënd për këtë realizim kam besim të plotë se do të bësh diçka të mirë”. Kur mbarova filmin dhe e ia paraqita para se ta shfaqnim në kolektivin krijues, na shtrëngoi dorën e tha: – Keni bërë një film shumë të bukur, madje më të mirë nga sa e mendoja.

I tillë ishte udhëheqësi artistik Kristaq Dhamo. Edhe pse në fillim mund të kishte rezerva, duke parë pasionin e krijuesve të rinj,  i motivonte e përkrahte ata pa kursim.

Atë vit filmi “Dëshmi nga Barleti” u shpall realizimi më i mirë dokumentar i vitit 1990 dhe mori shpërblimin e caktuar në vlera monetare. Por ky është vetëm një episod i vogël që ka të bëjë me mua, në të vërtetë ai ishte mësues e udhëheqës artistik për një plejadë artistësh të rinj, që ruajnë një mirënjohje të madhe për të.

E vërteta është se Kristaq Dhamo na konsideron si shokë e miq, si kolegë, por ai ishte e mbetet gjithmonë mësuesi ynë i filmit!

1 Comment

  1. Siç tregon Kolec Traboini,sejcili nga ne që punoi në Kinostudjon”Shqipëria e re”,gjeti një institucion shkollë,ku ne të rinjtë u pajisëm me të fshehtat e artit të kinemasë,duke patur krijues të apasionuar pas këtij arti magjik.Regjisori Kristaq Dhamo,si udhëheqës artistik ishte vertetë një drejtues me sinqeritet e talent të jashtzakonshëm!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top